Konsumerizmi





Konsumi dhe realiteti shqiptar përballë agjërimit


Konsumerizmi është ai lloj rendi social dhe ekonomik që nxit blerjen e të mirave materiale dhe shërbimeve të ndryshme në sasi të mëdha. Ky lloj rendi u pa të ngrihej pas mesit të shek. XX nëpërmjet procesit të globalizimit dhe të zhdukjes së kufijve kombëtarë. Shpesh ky lloj termi i referohet edhe lëvizjes për mbrojtjen e konsumatorit dhe presupozon pesha të sakta, sasitë e përzierjeve, datat e kadencës, cilësi e lartë e produkteve etj. Në ekonomi konsumerizmi i referohet atyre politikave ekonomike, të cilat e vendosin theksin kryesor te konsumi. Në një sens abstrakt është besimi, që përzgjedhja e lirë e konsumatorit duhet të diktojë strukturën ekonomike të shoqërisë. Termi konsumerizm u përdor për herë të parë në vitin 1915 dhe i referohej “mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të konsumatorit” (Oxford English Dictionar), por po ashtu në këtë artikull termi konsumerizm i referohet edhe kuptimit të përdorur për herë të parë në vitin 1960, ku vihet “theksi në preokupimin për blerjen e mallrave të konsumit”.
Shfaqja e konsumerizmit në shoqërinë shqiptare fillon me vitet e para pasdemokratike, por bëhet më e prekshme pas viteve 2000, sidomos pas hyrjes në valët televizive të kanaleve private, të cilat vunë në themelet e punës së tyre reklamën. Tashmë publiku shqiptar filloi të përjetojë presionin mediatik nëpërmjet gazetave, kanaleve radiofonike e televizive. Mekdonaldsi, koka-kola, fastfudi pra hyri gjerësisht në jetën e shqiptarit, duke e futur atë në fazën e parë të globalizimit.
Tregu i hapur për mallrat e lira kineze filluan të plotësojnë nevojat e jetës së përditshme të shqiptarit, po ashtu si edhe të një pjese të madhe të botës. Njëkohësisht shumëkombësheve si Lever e më pas Unilever iu hapën dyert e importit në vend, dhe po ato gjëra që mund t’i gjesh në tregun amerikan i gjen krejt normalisht edhe në Shqipëri. Pas vitit 2005 fillon përhapja masive e internetit dhe e shërbimeve kabllorë e dixhitalë, gjë e cila i aktivizoi gjerësisht shqiptarët me rrjedhat e kohës moderne. Shumë barriera ranë kështu dhe njerëzit u sulën për të krijuar të mira materiale për t’i shkëmbyer në sasi të mëdha me para, duke menduar se kjo do t’u sillte mundësi akoma më të mëdha për ta shijuar jetën.
Kjo rendje pas pasurisë bëri që shumë njerëz të synojnë pas fitimit të lehtë dhe në të shumtën e rasteve në mënyrë të paligjshme edhe për ligjet më normale të këtij shteti. Morali i ligjit shekullar u shpërfytyrua dhe kështu për pasojë objekti i tij u mënjanua nga shoqëria, e cila ka vënë prej kohësh në qendër të vëmendjes paranë dhe pasurinë. Njerëzit janë vënë në garë kështu për të fituar sa më tepër pasuri dhe është krijuar ideja që: kush ka pasuri është i lumtur.
Në këtë garë tashmë, me dashje apo pa dashje hynë edhe muslimanët, apo më mirë u gjendën në mesin e kësaj vorbulle. Të fitosh me hallall dhe t’i shpenzosh me hallall në një shoqëri konsumi, ku më tepër vlerë ka etiketa e produktit dhe reklama që i bëhet në televizion, se sa vetë përbërja e atij produkti dhe nga vjen, kjo është një dilemë e madhe! Në cilën hallkë të zinxhirit duhet të qëndrosh dhe si duhet të rrish, pasiv apo aktiv?
Ndërkaq pas 11 muaj pune dhe presioni të gjithanshëm shoqëror e mediatik vjen muaji i Ramazanit, i cili iu sjell në qendër të vëmendjes të gjithë muslimanëve, se duhet të jenë akoma më të devotshëm në këtë muaj. Jo si muajt e tjerë, ku mund të kemi lëshuar shumë gjëra pas dore. Agjërimi i muajit Ramazan është një nga pesë shtyllat kryesore të Islamit. Agjërimi ka qenë detyrim edhe për besimtarë të tjerë para nesh, të cilëve iu janë dërguar Profetë. Gjithashtu ky detyrim hyjnor vjen me urdhër të drejtpërdrejt në Kuran, si dhe na shpjegon synimin kryesor të këtij detyrimi: shtimin e devotshmërisë. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar, agjërimi iu është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe për ata që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm.” (El Bekare: 183)
Të agjërosh do të thotë të privohesh nga ushqimi, pija, marrëdhëniet seksuale dhe nga të gjitha shkaqet e tjera që e prishin agjërimin, duke filluar nga agimi (imsaku) e deri në perëndimin e diellit, me qëllim adhurimin dhe bindjen pa kushte ndaj Allahut. Pra, agjërimi të privon nga ajo jetë normale, në të cilën je angazhuar për 11 muaj, por ajo çka është më e rëndësishme agjëruesi ndjen uri e etje. Në këtë mënyrë ai që ka e kupton ndjesinë e atij që i mungon pikërisht elementi kryesor i jetesës ushqimi. Mu për këtë vjen në pah nevoja e shoqërisë së sotme për parametra të tilla shpirtërore. Agjërimi i ndalon njerëzit kështu nga shumë gjëra të këqija dhe të dëmshme, si dhe ua kthen vëmendjen totalisht tek Allahu i Madhëruar nëpërmjet shtimit të adhurimit në këtë muaj të veçantë, ku të gjitha veprimet e zakonshme kthehen në adhurim.
Agjërimi është një adhurim i pasur me dobi shpirtërore, sociale dhe mjekësore. Nga dobitë shpirtërore mund të përmendim: agjërimi e forcon më shumë besimtarin në sinqeritetin e tij ndaj Allahut, e bën atë më të durueshëm nga uria dhe etja dhe kjo gjë e forcon atë më shumë për sprovat e jetës. Agjërimi e bën besimtarin të mendojë më shumë praktikisht për njerëzit e varfër, të cilën në shumë raste kanë uri dhe i merr etja. Agjërimi e largon njeriun nga mëkatet dhe në të njëjtën kohë e nxit besimtarin të punojë brenda këtij adhurimi e të veprojë punë të mira. Ai e nxit besimtarin të ndihet më afër me besimtarët e tjerë. Agjërimi e pastron besimtarin nga veset e liga dhe moralet e ulëta.
Besimtari në këtë botë gëzohet, kur e çel iftarin, sepse Allahu ia mundësoi t’i japë fund urisë dhe etjes nga agimi deri në perëndim të diellit, ndërsa gëzimi tjetër për agjëruesin do të jetë në botën tjetër, pas vdekjes, ku Allahu ka përgatitur për agjëruesin shpërblime të mëdha. Në atë botë agjëruesit do të futen në Xhenet nga një portë e veçantë, e cila quhet Rejan.
Ndërkaq një ngushëllim i madh shpirtëror dhe një mbështetje e madhe morale vjen nga një porosi shumë e vyer e profetit tonë Muhamed alejhi selam: “Kush agjëron muajin Ramazan me besim tek Allahu, dhe duke pritur shpërblimin nga Ai, atij do t’i falen gjynahet e mëparshme.” (Buhariu & Muslimi)
Kështu njeriu mund të dalë i shlyer nga gjynahet në përfundim të këtij muaji. Kjo është ajo që i ofrohet shoqërisë së sotme shqiptarë kundrejt dëshirave të shfrenuara për konsum. Ne kemi çfarë t’iu ofrojmë kësaj shoqërie si një vlerë të paçmuar shoqërore, e cila do të zbuste të gjitha plagët shoqërore dhe do të sillte më tepër paqe sociale. Ky muaj nuk vlen vetëm për muslimanët praktikantë, por për të gjithë pa përjashtim, e të mos flasim më tej për sadakanë, zekatin e shtyllat e tjera të Islamit.


Roald A. HYSA

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit