Java në një ditë- emision radiofonik në ALBANIA FM radio


Java në një ditë  - 25 janar 2014

Selam alejkum të nderuar dëgjues të Albania FM radio, përshëndetje nga unë Roald Hysa dhe një fundjave ta kaloni sa më mirë. Një javë e lodhshme iku e një javë tjetër e lodhshme na pret përsëri. Sherret në parlament vazhduan me po të njëjtin ritëm si edhe më parë. Qeveritarë që heshtin dhe fshehin dhe populli që normalisht dhe logjikisht kërkon transparencë për atë që duan të bëjnë të zgjedhurit e tyre. Vrasjet dhe aksidentet rrugore vazhdojnë të nxijnë faqet e para të gazetave dhe titrat e kanaleve televizive. Zëri shabllon i spikerave i përcjell po njësoj këto lajme tragjike. Vrasjet me C4 me sa duket po hyjnë në modë dhe duhet pasur kujdes që celularin ta mbash larg makinës apo lokalit, se nuk po merret vesh se çfarë po ndodh. Audienca e opinionit publik po përjeton një dramë në vazhdim, me të gjitha detajet e hollësishme të përcjellura nga gazetarë të etur për scoop dhe për emër. Rëndom njeriu i gjorë kur lëviz kanalet televizive apo të radios dëgjon fjalë të tilla si tritol, celular, C4, thika dhe i hodhën vaj të nxehtë vjehrrës në vesh dhe nuset e vranë. Dy atentate të tipit mafioz dhe një ordiner apo siç njihet në terminologjinë policore “me motive të dobëta” e shqetësuan opinionin publik shqiptar gjatë kësaj jave të trazuar që shkoi. Njerëzit edhe sëmuren dhe fatura financiare e sëmundjes këto kohët e fundit kushton shumë. E ata që e paguajnë faturën janë familjarët, të cilët shpesh nuk mund t’i përgjigjen me sasinë e duhur të parave. Si do t’i jepej zgjidhje sëmundjeve të rënda dhe faturës financiare të tyre? Ky është një rebus që ne akoma nuk e kemi zgjidhur dhe e ndjejmë vetëm kur na bie mbi shpatulla. Po ashtu shoqëria civile po vazhdon debatin e saj mediatik, duke i kërkuar ministrave të Qeverisë Rama të jenë transparentë mbi çështjen Radika, pra devijimin e lumenjve Vjosa e Radika. Më e keqja është se për Vjosën nuk po flitet fare dhe vëmendja është e përqendruar mbi Radikën dhe projektet e saj, të cilat tashmë janë shpallur publikisht nga burime të sigurta. Ndoshta do të ishte më mirë që publiku të përfshihej edhe në disa vendim-marrje të tjera dhe jo thjesht të bëjë spektatorin. Megjithatë po vazhdojmë me shqetësimet e javës së kaluar më konkretisht.

Lumi RADIKA  dhe shoqëria civile
Shoqëria civile dhe qytetarët e Dibrës e Tiranës zhvilluan një protestë përpara Piramidës në kryeqytet, kundër devijimit të lumit Radika, për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës. Protestuesit kundërshtuan devijimin e lumit, duke hedhur idenë që të zhvillohet një referendum lokal për këtë çështje. Thirrjet për protestë dhe ftesat për pjesëmarrje u bënë publike përmes rrjeteve sociale, ndërsa ato u mbështeten edhe nga pushteti lokal i komunës Dibër. Ndërkohë në Tiranë është krijuar edhe Aleanca Kundër Devijimit të Lumenjve, që ka marrë përsipër sensibilizimin e kësaj çështjeje. “Stop devijimit të Radikës”, është një prej parullave që janë vendosur në shumë zona dhe në rrjetet sociale. Qytetarët thonë se nuk do të lejojnë devijimin e asnjë centimetër/kub të këtij lumi. Ata i bënë thirrje për reagim dhe qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, që të mos lejojnë zyrtarizmin e një projekti të tillë. 
Protestat u nxitën pas deklaratës më të fundit të zëdhënësit të qeverisë Maqedonase, i cili u shpreh se pavarësisht reagimeve, qeveria e Maqedonisë është e vendosur t’i shkojë deri në fund projektit, për ndërtimin e hidrocentralit të Fushë Lukovës. Protestë kundër këtij projekti është mbajtur edhe në New York nga shoqata atdhetare “Dibra”, e cila i ka dërguar një letër selisë së OKB-së dhe qeverisë amerikane, duke argumentuar dhe dëmet që sjell zbatimi i këtij projekti, jo vetëm në devijimin e ujërave, por dhe në aspektin ekologjik. Një letër zyrtare i është dërguar dhe qeverisë shqiptare, që të mos e firmosë projektin e përbashkët me palën maqedonase. Mirëpo gjatë gjithë kësaj kohe është mohuar nga qeverisja që të ketë një projekt të tillë, që do të sillte devijimin e lumit apo dëme ekologjike. 


Do të devijohet lumi Radika apo jo? Përgjigjen e dhanë në Tiranë ministrat maqedonas dhe ata shqiptarë, konkretisht ai i Ekonomisë, Valon Saraçini dhe i Mjedisit e Planifikimit Hapësinor Abdilaqin Ademi së bashku me Ministrat e qeverisë shqiptare ai i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ai i Mjedisit, Lefter Koka. Njëzëri u tha se projekti nuk ia vlen të diskutohet tani, sepse është thjesht një ide në letër. Pala shqiptare theksoi se janë spekulime të opozitës, kurse pala maqedonase tha se dhe projekti finalizohet në Qershor, por merr jetë vetëm nëse e pranon qeveria shqiptare. Drejtoresha e Zyrës së Bankës Botërore në Maqedoni, Tatiana Proskuryakova ka bërë të ditur detajet teknike të projektit energjetik në Fushën e Lukovës, i cili parashikon devijimin e lumit Radika. Epo më në fund po hidhet pak dritë mbi gënjeshtrat e pafund që janë hedhur këto ditë. Paska një projekt, me detaje të hollësishme, sa metra kub do t’i mungojnë, ku do të shkojë uji, të gjitha këto të shpjeguara më parë nga shoqëria civile, e cila ka ditë që po çirret kundër këtij projekti, megjithëse ministrat tomë po e mohonin këtë gjë. Kjo është kauza e dytë në pak kohë që po e angazhon shoqërinë civile në protesta dhe po shihet që ka një ndërgjegjësim qytetar për çështje të rëndësishme jetike të qytetarit. Kështu shoqëria civile u ka kërkuar minitrave përkatës të japin dorëheqjen, për shkak se e kanë gënjyer opinionin publik. Njëkohësisht nga ana tjetër devijimi i Vjosës është një çështje që po lakohet shumë pak, ndërsa protokollet janë firmosur. Shoqëria civile do t’i vazhdojë protestat e saj paqësore pranë Kryeministrisë të dielën në ora 12, por a do të fitojë përsëri ajo si nëntorin e kaluar...

Serveri i Tatimeve dhe mbi 4 milionë deklaratat tatimore
Prokuroria e Tiranës ka reaguar për pamjet e publikuara në media, ku duket deputeti Spartak Braho, duke hyrë në Drejtorinë e Përgjithshme të tatimevesë bashku me këshilltarin e kryeministrit Beqiraj. Me anë të një njoftimi për median, prokuroria ka bërë të ditur se, është duke bërë hetime të plota për rastin e “serverit të Tatimeve”, ndërsa nuk ka në dosje pamjet e qarkulluara ditë më parë. Në lidhje me çështjen që po hetohet, në media është shfaqur një video ku duket deputeti i LSI-së, Spartak Braho bashkë me disa persona të tjerë që hynin në tek Tatimet. Partia Demokratike ka akuzuar se, deputeti i LSI-së, ka qenë bashkë me Ermal Beqirin dhe grupin e auditit që kanë hyrë në drejtorinë e Tatimeve dhe kanë marrë të dhënat nga serverat. Nga ana e saj, Drejtoria e Tatimeve ka denoncuar disa javë më parë në prokurori, IT e Tatimeve, Renald Rista, i cili akuzohet për ndërhyrje në server. Në lidhje me videon e bërë publike, Ministria e Financave, ka bërë të ditur se "kjo çështje është ende duke u hetuar me qëllim sqarimin e saj". Për pamjet filmike të publikuara në media, ka reaguar edhe vetë deputeti i LSI-së, Spartak Braho. Pas fshirjes së të dhënave nga serveri i tatimeve, rreth 4 milionë deklarata tatimore biznesi denoncon faturat e fshehura, që i vijnë atij rregullisht nga administrata. Presidenti i Dhomës Britanike, Zenel Hoxha ka deklaruar në emisionin “Të Besh Ekonomi” të gazetares Aurora Sulçe, se sipërmarrjes po i vijnë fatura të fshehura nga tatimet, me pretendimet e detyrimeve të prapambetura. “Puna ka nisur me taksën e re, pra marrëdhënia tatimore. Të shikojmë si do jetë. Unë them vetë edhe nga eksperienca ime dhe e të tjerëve se ka probleme. Që sapo ka filluar kam bërë një rishikim të sistemit elektronik të tatimeve. Kanë dalë disa detyrime që nuk janë pasqyruar asnjëherë në harkun kohor dy vjeçar dhe me radhë. Dhe vetëm të vjen fatura dhe ti je i detyruar ta paguash se nuk ke çfarë bën. Kjo duhet me pa tjetër të rishikohet që mos vazhdohet më me rutinën se kjo është trashëguar nga qeveria e kaluar. Nuk ka diskutim për këto fatura do shkosh thjesht te banka dhe ta paguash atë.” Ja dhe gracka ku paska ngecur laraska. Një skemë abuzimesh shumëmilionëshe, ku nuk dihet, se ku përfundojnë lekët e gjobave të biznesit pas zhdukjes së deklaratave.

Freedom House, raport për liritë në botë: Shqipëria, vend pjesërisht i lirë
Në raportin e fundit të organizatës “Freedom House” me qendër në Uashington, Shqipëria cilësohet si një vend pjesërisht i lirë. Në raportin më të ri, Shqipëria merr notën 3 për të drejtat politike dhe 3 për liritë civile. Shqipëria, po ashtu, ka mbetur në të njëjtin vend, si në raportin e para një viti. Në kategorinë e vendeve të lira janë përfshirë Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi. Në raportin vjetor “Liria në botë 2014” të organizatës “Freedom House”, Kosova klasifikohet në mesin e vendeve “pjesërisht të lira”, ku në kategorinë e të drejtave politike vlerësohet me notën 5, ndërsa në atë të të lirive civile me 4. Në krahasim me raportin e vitit të kaluar Kosova ka mbetur në vlerësimin e njëjtë. Nota 1 paraqet shkallën më të mirë, ndërsa nota 7 atë më të dobët. Ne raportin më të ri të organizatës “Freedom House”, me seli në Shtetet e Bashkuara, për liritë në botë, theksohet se vitit 2013 është përshkuar me represion të intensifikuar në EuroAzi dhe Lindje të Mesme dhe se gjendja e lirisë ka shënuar rënie. Kjo është rënia me radhë në tetë vitet e fundit. Në raport theksohet se veçanërisht të dukshme ishin zhvillimet në Egjipt, që ka shënuar rënie në institucionet demokratike pas grusht-shtetit ushtarak. Epo të paktën nuk kemi shkuar poshtë në renditje, se atëherë çfarë do të bënim. Megjithëse unë mendoj se ka një gabim nga specialistët e Freedom House, sepse këtu ka më shumë liri se mendojnë ata dhe ne të paktën një shkallë më lart duhet të ishim...

Kuçovë, sherri për parkim, vritet me thikë babai i dy fëmijëve
Një ngjarje jashtëzakonisht tragjike e ka goditur Kuçovën. Sherri për parkimin e makinës i ka kushtuar jetën një 32-vjeçari nga ky qytet. Artan Braushi, baba i dy fëmijëve, u vra dje me thikë në zemër, ndërsa pak minuta pas ngjarjes përfundoi në pranga autori i krimit, Elton Bori. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Beratit bënë me dije se ngjarja e rëndë ndodhur në mesjavë, është zhvilluar para shkollës "11 Janari" në qytetin e Kuçovës. Mësohet se Braushi ishte duke pritur dy fëmijët e tij të dilnin nga mësimi, kur është konfliktuar me 36-vjeçarin Bori. Sipas policisë lokale, Elton Bori, bashkëshort i një mësueseje në këtë shkollë, është afruar me automjetin e tij para ndërtesës së shkollës dhe i ka kërkuar Braushit të lironte vendin e parkimit. "Më liro vendin që të parkoj makinën", i ka thënë 36-vjeçari viktimës. Ky i fundit ka reaguar duke i thënë agresorit, se ishte duke pritur që të merrte fëmijët nga shkolla. E ndërsa Braushi nuk e ka liruar vendin e parkimit, ka nisur sherri. Fillimisht, ata kanë debatuar ashpër, por sherri ka degjeneruar në sharje e fyerje të ndërsjella. Më pas autori ka marrë një thikë që e mbante në makinë dhe e ka goditur 32-vjeçarin disa herë në afërsi të zemrës, duke e plagosur rëndë. Menjëherë, Artan Braushi është dërguar për në Spitalin Rajonal të Beratit, por goditja ka qenë fatale. Ai ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital. Pas sinjalizimit për ngjarjen, policia është vënë në ndjekje të agresorit, duke bërë të mundur kapjen e tij. Elton Bori, i cili akuzohet për "Vrasje me dashje", është dërguar në qelitë e paraburgimit. Një pamje krejtësisht tragjike, ku një prind vritet para syve të fëmijëve të vet, dhe jo vetëm... qindra fëmijë që dalin nga shkolla iu duhet të ballafaqohen me vrasjen. Dy fëmijë jetimë sot për shoqërinë janë një barrë e rëndë shpirtërore...

Ndeshje miqësore futbolli në ndihmë të studentes së sëmurë

Për herë të parë ekipi i futbollit të Elbasanit dhe ai i Tiranës janë ndeshur mes tyre për bamirësi. Ndeshja e futbollit mes dy ekipeve u organizua nga presidenti i skuadrës së Elbasanit, Arben Laze, me qëllim mbledhjen e të ardhurave për t’i ardhur në ndihmë studentes së gazetarisë në universitetin “Aleksander Xhuvani” Oltiana Saliaj, e cila ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave do të shkojnë në llogarinë bankare të hapur për të grumbulluar fondet e mjaftueshme për kurimin e 22 – vjeçares Saliaj, e cila po lufton mes jetës dhe vdekjes në qendrën spitalore Universitare “Nënë Tereza”në kryeqytet. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-0 ne favor të ekipit të Tiranës me gola të shënuar nga Çota dhe Morina. Nga ky takim u siguruan rreth 400 mijë lekë. Presidenti Arben Laze u shpreh se “nga ana e klubit verdheblu jo vetëm që u morën të gjitha masat për mbarëvajtjen e kësaj ndeshje mjaft domethënëse në qëllimin e saj, por edhe do të kontribuohet financiarisht në llogarinë e hapur në emër të studentes së sëmurë. Në këtë ndeshje çmimi i biletës në të gjitha tribunat u shit 100 lekë. Hap pas hapi shoqëria po ndërgjegjësohet, se njerëzve me sëmundje të rënda iu nevojitet në mënyrë drastike ndihmë konkrete financiare. Rrogat e ulëta apo edhe mesatare nuk i ndihmojnë dot njerëzit në raste ndërhyrjesh të rënda specifike mjekësore. Ndoshta na duhet të shohim me përparësi krijimin e një “Fondi ndihme për ndërhyrje të rënda mjekësore”, ku këtu do të jepnin ndihmë të madhe fondacionet bamirëse dhe bankat e fuqishme.

Zgjedhjet për Presidentin e ri të FSHF më 28 shkurt 2014

Në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit është zhvilluar mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF. Forumi më i lartë i zgjedhur i Futbollit Shqiptar ka vendosur në bazë të statutit thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore 2014, të Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo Asamble do të zhvillohet më datë 28 shkurt 2014. Në këtë mbledhje të fundit, Komiteti Ekzekutiv ekzistues miratoi edhe rendin e ditës për Asamblenë e Përgjithshme. Në këtë mbledhje do të zgjidhet edhe presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Komiteti Ekzekutiv. Deri më tani nuk është paraqitur ende asnjë kandidaturë, por sipas të gjitha gjasave, Armando Duka pritet që të rikandidojë për të katërtën herë në krye të institucionit më të lartë të futbollit në Shqipëri. Normalisht do të jetë interesante edhe kandidatura alternative ndaj presidentit aktual. Deri tashti futbolli shqiptar po lëngon në një dramë pa finale, si në rrafshin kombëtar po ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Një stadium i ri kombëtar nuk është zgjidhja. Nuk çalon gomari nga veshët, dhe kombëtarja nuk mund të mbahet me legjionarë, që ti nuk ke mundësi t’i paguash, dhe për këtë Januzaj do të ishte budalla që të vishte fanellën kuq e zi. Ndërkaq kriza e Klubit të Futbollit Tirana pavarësisht se mund të cilësohet si një çështje e brendshme e këtij klubi, është një tjetër tregues i stanjacionit të futbollit tonë.




Këto pra ishin ato ngjarje, që mua më kanë shqetësuar, po aq sa edhe juve në këtë javë super të trazuar. Njeriu e vret mendjen shpesh pse ndodhin këso gjërash, dhe ngado që ta sjelli situatën, ajo kthehet tek morali dhe drejtësia. A kemi vendosur drejtësi, a jemi të moralshëm? A kemi prodhuar ligje të drejta e të moralshme? Nuk e di, por ngjarjet e mësipërme nuk e thonë një gjë të tillë. Ndryshimi fillon nga vetja e pastaj vazhdon më tutje. Le të shpresojmë e të punojmë që në javën e ardhshme të kemi edhe gjëra të mira. Ndoshta edhe ne si gazetarë e media duhet të japim edhe lajme të mira, për një jetë që një mjek e shpëtoi diku në një spital, apo për dikë që po mbytej dhe dikush e shpëtoi, dhe jo që dikush në javën që shkoi po digjej brenda makinës së tij të shpërthyer me tritol dhe askush nuk e ndihmonte se nuk kishte guxim të afrohej pranë flakëve. Na duhet ta shtrijmë dorën e mëshirës mbi njëri-tjetrin për të ndryshuar ditën tonë, javën tonë. Këshillat e udhëheqësve tonë shpirtërorë e hoxhallarëve në këtë drejtim do të ishin të vyera për ne. Do të na sillte dobi një zë pozitiv e që na furnizon me ngarkesa pozitive. Në këto ditë të zymta me shi e kemi të nevojshme të dëgjojmë fjalë të mira. Gjithsesi këtij emisioni të përjavshëm i erdhi fundi edhe për sonte. Duke ju uruar gjithë të mirat nga unë Roald Hysa, deri në takimin e ardhshëm mirë u dëgjofshim dhe selamu alejkum.

http://gazetamendimi.com/radio-mendimi/

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit