Fatime Fihrija dhe Universiteti më i vjetër në botë
Fatime Fihrija dhe Universiteti më i vjetër në botë
Roald A. Hysa
Tingëllon paksa e habitshme, por është një grua
ajo që ka themeluar institucionin më të vjetër arsimor në botë. Një grua e
mençur, e cila donte të nxirrte maksimumin në përkujtim të babait të saj. Ajo
quhet Fatime Fihrija, ose siç njihej në kohën kur ajo jetoi Umu Banine (Nëna e
fëmijëve) dhe jetoi në shek. IX (?-880). Nuk dihet shumë për jetën e saj,
përveç se ajo e shpenzoi një pjesë të madhe të pasurisë së trashëguar nga i ati
për të ndërtuar një xhami dhe medresenë aty përskaj, e cila do të kthehej shumë
shpejt një institucion prestigjioz edukimi, lider shpirtëror dhe një qendër
historike e botës muslimane. Xhamia e Karauinit dhe medreseja e saj aty ngjitur
është një nga institucionet më të vlefshme që muslimanët e më posaçërisht një
grua do t’i dhuronin të gjithë botës. Ai është institucioni më i vjetër i lartë
arsimor në botë, që vazhdon të jetë funksional sipas UNESCO-s dhe Librit të
Rekordeve Guinness. Karauini u themelua së bashku me një medrese ngjitur në
vitin 859 nga Fatime Fihrija, vajza e një tregtari të pasur i quajtur Muhamed
Fihriu. Familja Fihriu emigroi nga Kairouani (së këndejmi vjen edhe emri i
xhamisë) i Tunizisë për në Fes në fillim të shek. IX, duke u bashkuar me një
komunitet emigrantësh që vinin nga Kairouani, të cilët ishin vendosur në lagjen
perëndimore të qytetit. Fatimja dhe motra e saj Merjemja, që të dyja ishin të
mirëarsimuara dhe trashëguan një sasi të madhe parash nga i ati. Fatimja u
betua që ta shpenzonte të gjithë trashëgiminë e saj në ndërtimin e një xhamie të
përshtatshme për komunitetin ku ajo banonte dhe medreseja ngjitur me xhaminë është
gjithashtu medreseja më e vjetër në histori. Përveç një vendadhurimi xhamia
shumë shpejt u zhvillua në një vend arsimimi fetar. Karauini fitoi patronazhin
politik të sulltanëve të fuqishëm. Aty u mblodhën dhe u përzgjodhën një sasi e
madhe dorëshkrimesh në një bibliotekë të themeluar nga sulltan Ebu Inan Farisi
më 1349. Ndër dorëshkrimet më të vyera që ruhen në këtë bibliotekë janë: Muveta
e imam Malikut e shkruar në pergamenë me lëkurë gazele, Siren e Ibn Isakut, një
kopje Kurani e dhuruar nga sulltan Ahmed el-Mensur më 1602 dhe kopja origjinale
e Kitab el-Ibar e Ibni Haldunit. Ndërmjet lëndëve që mësoheshin aty së bashku
me Kuranin dhe Fikhun- Jurisprudencën Islame janë edhe gramatika, retorika,
logjika, mjekësia, matematika dhe astronomia.
Hartografi i shek. XII Muhamed el-Idrisi hartat e
të cilit ndihmuan eksplorimet evropiane të Rilindjes thuhet se ka jetuar në Fes
për disa kohë, duke na sugjeruar se ai mund të ketë punuar ose studiuar në
Karauin. Medreseja e Karauinit ka nxjerrë dijetarë të shumtë, të cilët kanë
ndikuar gjerësisht në historinë intelektuale dhe akademike të botës muslimane. Ndërmjet
tyre janë Ibn Rushejd el-Sabti (vd. 1321), Muhamed in el-Haxh Abdari el-Fasi
(vd. 1336), Ebu Imran el-Fasi, dijetar i shquar i shkollës malikite, Leon
Afrikanusi shkrimtar dhe udhëtar i shquar. Dijetarë të shquar si El-Idrisi, Ibn
el-Arabiu, Ibn Halduni, Ibni Hatibi, Al-Bitruxhi (lat. Alpetragius), Ibn
Hirzihimi dhe el-Vezani, të gjithë këta kanë qenë të lidhur me Medresenë si
studentë apo ligjërues. Ndërmjet dijetarëve të Krishterë që e kanë vizituar
Karauinin ka qenë belgu Nikolas Klejnaerts dhe holandezi Golius.
Universiteti i sotëm
shtetëror
Në kohën kur Maroku u kthye në një protektorat
francez më 1912 Karauini pësoi një rënie si një qendër e edukimit fetar, që nga
koha e Mesjetës. Megjithatë ai arriti të ketë një domethënie si një vendtakimi
arsimor për administratën e sulltanit. Trupa studentore ndahej në disa shtresa
shoqërore sipas etnisë, statusit social dhe pasuror, si dhe vendndodhjes
gjeografike dhe për pasojë kjo përcaktonte anëtarësinë nëpër klasat studimore. Administrata
Franceze zbatoi një numër reformash strukturore ndërmjet viteve 1914-1947, por
nuk e modernizoi përmbajtjen e mësimeve, e cila vazhdoi të mbizotërohet nga këndvështrimet
tradicionale të ulemasë. Në të njëjtën kohë numri i studentëve në Karauin
filloi të venitet në rreth 300 më 1922, kohë kur elita marokene nisi t’i dërgojë
fëmijët e vet në kolegjet e sapo-themeluara të stilit perëndimor dhe në
institutet gjetkë brenda vendit. Më 1947 Karauini u integrua në sistemin
arsimor shtetëror, por vetëm me dekret mbretëror pas pavarësisë në vitin 1963
Medreseja përfundimisht u transformua në universitet nën mbikëqyrjen e
Ministrisë së Arsimit. Ndërtesa e shkollës së vjetër u mbyll dhe kampusi i ri u
vendos në ish-kazermat e Ushtrisë Franceze. Ndërkaq kur dekani zuri vend në Fes
katër fakultete u ngritën në qytet brenda dhe jashtë tij: Fakulteti i Sheriatit
Islam në Fes, një fakultet i Studimeve Arabe në Marrakesh dhe një fakultet i
Teologjisë në Tetouan, plus një tjetër pranë Agadirit në 1979. Tekste dhe
programe moderne u futën në përdorim dhe trajnimi profesional i pedagogëve u përmirësua.
Pas këtyre reformave Karauini u riemërtua zyrtarisht “Universiteti i Karauinit”
më 1965. Në 1975 Studimet e Përgjithshme u transferuan në Universitetin e
sapothemeluar të Sidi Muhamed Ben Abdullah; kurse Karauini i ruajti kurset
islame dhe teologjike. Në 1988 pas një boshllëku prej gati tre dekadash mësimi
tradicional islam në Medresenë e Karauinit rifilloi nga mbreti Hasani II, në atë
që u interpretua si një lëvizje për t’i dhënë mbështetje monarkisë.
Historianë të universiteteve, enciklopedive dhe
fjalorëve të Mesjetës e konsiderojnë se universiteti (lat. universitas) ishte
një institucion unik për Evropën e Krishterë, dhe se universitetet e para janë
ngritur të gjithë në Evropën Perëndimore me Parisin dhe Bolonjën shpesh të
cituara si shembujt më të hershëm. Për këtë shkak këto burime e konsiderojnë
Karauinin si të themeluar dhe të zhvilluar si medrese ose shkollë xhamie deri
pas Luftës II Botërore. Ata i konsiderojnë institucionet si Karauini si shkolla
të larta të Ligjit Islam, ku lëndët e tjera janë të një rëndësie të dorës së
dytë. Në të kundërt me këtë UNESCO dhe një numër i madh burimesh të tjera e
konsiderojnë Karauinin të ketë qenë universitet qysh me themelimin e tij e për
këtë universiteti më i vjetër në botë. Po ashtu edhe në librin e rekordeve
Guiness ky universitet është i njohur si më i vjetri në botë. E gjitha kjo
ndodhi falë këmbënguljes së një gruaje, e cila pati një vizion për të investuar
dhe këmbënguli në këtë projekt dobiprurës për të gjithë njerëzimin.
Comments
Post a Comment