I Dërguari i Allahut Muhamedi



I Dërguari i Allahut Muhamedi 
alejhi salatu ue selam


Prejardhja familjare


Ai është Ebul Kasim (babai i Kasimit), Muhamedi, i biri i Abdullahut, i biri i Abdul-Mutalibit.
Gjurmët e tij të prejardhjes familjare na çojnë tek fisi i Adnanit, i biri i Ismailit a.s. (Profet i Allahut xh.sh.), i biri i Ibrahimit, të cilin Allahu e ka zgjedhur mikun e tij. Nëna  e tij quhej  Emine,  vajza e Vehbit.
Profeti a.s. ka thënë:
Vërtetë Allahu xh.sh. zgjodhi fisin e Kenanit mbi fiset e tjera nga fëmijët e Ismailit a.s. Ai zgjodhi fisin e Kurejshëve mbi fiset e Kenanit; Ai zgjodhi Benu Hashimët mbi familjet e tjera të Kurejshëve dhe Ai më zgjodhi mua nga Benu Hashimët.” (Muslimi nr. 2276)
Nga kjo thënie kuptohet se Profeti a.s ka prejardhjen familjare më të lartë mbi tokë. Armiqtë e tij e dëshmonin këtë fakt:
Ebu Sufjani që ishte armik i betuar i Islamit përpara se të bëhej musliman, e dëshmoi këtë fakt përpara Herakliut, Sunduesit të Romës.
Abdullah ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut a.s. i shkroi Cezarit duke e ftuar atë në Islam dhe i dërgoi një letër nëpërmjet Dihja El-Kalbit, që ia dorëzoi atë Guvernatorit të Basrës, i cili ia përcolli më pas letrën Cezarit.
Cezari si shenjë mirënjohje ndaj Allahut xh.sh. marshoi nga Himsi drejt Jeruzalemit, kur Allahu xh.sh. i dhuroi fitoren mbi forcat perse. Kështu që kur letra e të Dërguarit të Allahut xh.sh. i mbërriti Cezarit, ai pasi e lexoi tha:
“Kërkoj të më gjeni ndonjërin nga njerëzit e tij nga fisi i Kureishëve dhe nëse dikush është i pranishëm këtu, ma sillni që ta  pyes atë për të Dërguarin e Allahut xh.sh.
Në atë kohë Ebu Sufjani ishte në Sham si tregtar gjatë armëpushimit që ishte shpallur midis të Dërguarit të Allahut xh.sh. dhe të pafeve Kureishitë. Ebu Sufjani thotë: “Korrieri i Cezarit na gjeti diku në Sham, kështu që më shpuri mua dhe shokët e mi në Ilija (emri arab i Jeruzalemit) dhe ne u lejuam të hynim në praninë e Cezarit, të cilin e gjetëm të ulur në oborrin e tij mbretëror. Ai mbante mbi kokë kurorën mbretërore dhe ishte i rrethuar nga funksionarët më të lartë bizantinë.
Ai i tha përkthyesit të tij:
“Pyeti ata se kush prej tyre është më i afërti i atij që pretendon se është Profet?
Ebu Sufjani thotë:
Unë iu përgjigja: “Unë jam njeriu më i afërt me atë njeri”.
Ai pyeti “Çfare niveli marrëdhëniesh keni ju me atë”?
Unë iu përgjigja: “Ai është kushëriri im dhe nuk ka asnjë prej Beni Abdi Menafëve në karvan përveç meje.
Cezari tha: “Lejojeni të afrohet” dhe atëherë ai urdhëroi që shokët e mi të qëndronin pas meje në krahun tim dhe i tha përkthyesit të vet:
“Thuaju shokëve të tij që unë do ta pyes këtë njeri rreth burrit që pretendon se është Profet”, në qoftë se ky njeri do të thotë qoftë edhe një gënjeshtër, ata duhet ta kundërshtojnë menjëherë.
Ebu Sufjani shtoi: “Për Allahun xh.sh. A nuk është turp për mua që shokët të më quajnë gënjeshtar dhe nuk do të thosha të vërtetën rreth tij kur ai më pyeti mua. Por unë e konsideroj të turpshme të quhem gënjeshtar nga shokët e mi, kështu që unë thashë të vërtetën.
Ai atëherë i tha përkthyesit të tij:
- Pyete se kujt familje i përket?
Unë iu përgjigja:
- Ai i përket një familjeje të nderuar midis nesh. - Ai pyeti:
- A ka pretenduar ndonjëherë ndonjëri prej jush të njëjtën gjë që pretendon edhe ai? - Unë iu përgjigja:
- Jo! - Ai pyeti:
- A e ndjekin fisnikët ose të varfërit? - Unë iu përgjigja:
- Janë të varfërit që e ndjekin atë. - Ai pyeti:
- A rritet numri i ndjekësve apo po ulet? - Unë iu përgjigja:
- Ata po rriten. - Ai pyeti:
- Mos vallë ndonjëri prej atyre që përqafon këtë besim, më pas ndjehet i pakënaqur dhe e braktis këtë besim. - Unë iu përgjigja:
- Jo. - Ai pyeti sërish:
- A është prej atyre që nuk e mbajnë premtimin? - Unë iu përgjigja:
- Jo, por tashmë ne jemi në armëpushim me atë dhe ne ndjehemi të frikësuar se ai mund ta shkelë premtimin. - Ebu Sufjani shtoi: - Përveç fjalisë së fundit unë nuk munda të them asgjë tjetër kundër tij. - Atëherë Cezari e pyet:
- A keni pasur ndonjë luftë me të? Unë iu përgjigja:
- Po. - Ai pyeti:
- Si ka qenë përfundimi i luftërave me të? - Unë iu përgjigja:
- Në disa raste ka dalë ai fitimtar e në disa raste ne. Ai pyeti:
- Çfarë ju urdhëron ai juve?
- Ai na thotë të adhurojmë Allahun, të vetem pa shok, dhe të mos adhurojmë dikë tjetër përveç tij, dhe t’i braktisim të gjithë ata idhuj që stërgjyshërit tanë adhuronin.
- Ai na urdhëron të falemi, të japim për bamirësi, të jemi të përmbajtur, të mbajmë premtimet dhe ta kthejmë atë që na është dhënë në mirëbesim.
Kur ia thashë këtë Cezarit, ai i tha përkthyesit të tij:
- Thuaji atij “Unë të pyeta për prejardhjen e tij familjare dhe ju m’u përgjigjët se ai i përkiste një familjeje fisnike të nderuar”, në fakt të gjithë të Dërguarit rrjedhin prej familjeve më të nderuara të kombeve të tyre.
Atëherë unë të pyeta nëse dikush midis jush e ka pretenduar një gjë të tillë dhe përgjigjja juaj ishte negative, në qoftë se përgjigjja do të ishte pozitive, unë do të kisha menduar se ky njeri po ndiqte një pretendim që ka qenë thënë para tij. Kur të pyeta nëse ai ishte fajësuar ndonjëherë se gënjente, përgjigjja jote ishte negative; kështu unë e mora si të vërtetë se një njeri që nuk i thotë gënjeshtra njerëzve nuk do të mundej kurrë të gënjejë për Allahun xh.sh.
Atëherë unë të pyeta nëse ndonjë nga paraardhësit e tij ka qenë mbret, përgjigjja jote ishte negative dhe në qoftë se do të ishte pozitive unë do të mendoja se ky njeri po orvatej të merrte mbretërinë e paraardhësve të tij.
Kur të pyeta nëse ishin të pasurit apo të varfrit, ata që ndiqnin rrugën e tij, ti m’u përgjigje që ishin të varfërit ata që pasonin rrugën e tij. Në fakt të tillë janë ndjekësit e të Dërguarve. Atëherë unë të pyeta nëse numri i pasuesve po rritej apo po ulej, ti m’u përgjigje se ata po rriteshin, në fakt ky është rezultat i besimit të vërtetë deri sa ai është i kompletuar në të gjitha drejtimet.
Unë të pyeta ty nëse dikush prej atyre që e kishin përqafuar besimin e tij shndërroheshin në të pakënaqur dhe e braktisnin besimin e tij, përgjigja jote ishte negative. Në fakt kjo është shenjë e besimit të vërtetë në çastin kur kënaqesia hyn dhe bashkohet me zemrën plotësisht, asnjeri nuk do të ndihet i pakënaqur me të.
Unë të pyeta ty më tej nëse ai e thyen premtimin e tij, përgjigja jote ishte negative dhe të tillë janë të Dërguarit e Allahut xh.sh., ata nuk i thyejnë kurrë premtimet.
Kur unë të pyeta nëse ju keni luftuar me të dhe ai ka luftuar me ju; ti m’u përgjigje se ai kishte luftuar kundra jush dhe disa herë kishte dalë ai fitimtar dhe disa herë kishit fituar ju. Në të vërtetë, të tillë janë të Dërguarit, ata janë vënë në sprove dhe fitorja përfundimtare u përket gjithmonë atyre. Atëherë unë të pyeta se çfarë ju porosit ai juve?
Ti m’u përgjigje se ai ju porosit juve të adhuroni Allahun xh.sh., të vetëm pa ortak, dhe të mos adhuroni tjetër kënd përveç tij, t’i braktisnit ato që paraardhësit tuaj adhuronin, të faleshit, të thoni të vërteten, të jeni të përmbajtur, të mbani premtimet dhe të riktheni atë që iu është besuar juve. Në të vërtetë këto janë cilësitë e një Profeti, të cilin unë e di (nga librat e shenjtë të mëparshëm) që do të shfaqet, por unë nuk e dija që ai do të ishte nga mesi juaj. Në qoftë se ajo që thua është e vërtetë, ai shumë shpejt do të pushtojë botën gjatë periudhës time, dhe në qoftë se unë do ta dija se do ta pasojnë atë përfundimisht, unë do të nisesha në këtë çast ta takoja atë dhe në qofsha me të, atëherë unë pa dyshim do t’i laja këmbët atij.
Ebu Sufjani shtoi: “Cezari atëherë kërkoi për letrën e të Dërguarit të Allahut xh.sh. dhe ajo u lexua”.

Përmbajta e saj ishte:
Me Emrin e Allahut, Mëshiruesit dhe Mëshirëbërësit.
Kjo letër është prej Muhamedit, robit të Allahut, i Dërguari i Tij, drejtuar Herakliut Sundimtarit te Bizantit.
Paqja qoftë mbi të gjithë ndjekësit e rrugës së drejtë. Unë ju ftoj juve të përqafoni Islamin (t’i dorëzoheni Allahut xh.sh). Pranoni Islamin dhe ju do të gjeni prehje dhe siguri, pranoni Islamin dhe Allahu xh.sh do t’ju dhurojë shpërblim të dyfishtë. Por nëse ju e refuzoni këtë thirrje për në Islam ju do të jeni përgjegjës që do ta çoni në rrugë të gabuar kombin tënd.
Thuaju (o i dërguar): “O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos Allahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri - tjetrin zotër pos Allahut”! E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)”! (Sure Ali Imran, 3: 64).
Ebu Sufjani shtoi: “Pasi Herakliu mbaroi fjalimin e tij, u bë një gjurulldi dhe britma të larta të shkaktuara nga funksionarët e lartë që rrethonin Herakliun dhe filloi një zhurmë kaq e madhe sa unë nuk e kuptova se çfarë po thonin. Ne u urdhëruam të dilnim jashtë oborrit. Pasi dola jashtë me shokët e mi dhe ne të gjithë u gjendëm vetëm, unë u thashë atyre: Me të vërtetë çështja e Profetit a.s. ka fituar shumë pushtet. Ky është mbreti i Beni El-Asfar që i druhet atij.

Ebu Sufjani shtoi përsëri: “Pasha Allahun xh.sh., unë po bëhesha më se i sigurt që besimi i tij do të dalë fitimtar deri sa unë përfundova duke pranuar Islamin.” (Buhariu nr. 2782)

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit