Shqipja standard dhe problemet
Shqipja standard dhe problemet e shkaktuara në të folmen e përditshme
Shqipja standard u normua në bazë të folmes së Toskërisë dhe jo vetëm kaq, porse u imponua ligjërisht nëpërmjet Kongresit
të Drejtshkrimit i vitit 1972. Normal që të gjithë udhëheqësit komunistë të kohës vinin në shumicë nga jugu i
Shqipërisë dhe për pasojë Enver Hoxha,
Mehmet Shehu e kompani i detyruan gjuhëtarët e kohës që Toskërishtja të ishte baza e normës letrare e gjuhësore të shqipes, duke lënë mënjanë Gegërishten, e cila flitej nga Shkumbini e deri në veri të Kosovës. Megjithatë gjuhëtarët e Kosovës e pranuan standardin dhe vështirësitë që sillte në
jetën e përditshme kjo e folme për hatër të unitetit kombëtar. Normalisht që u
hasën vështirësi në futjen e standardit, porse Partia me një këmbëngulje
shembullore dhe me aksion ia doli ta imponojë gjithandej. Vetëm se në jetën e përditshme
është e vështirë ta imponosh të folurin.
Unë do të mundohem të jap disa shembuj praktik në
këtë drejtim, që shkaktojnë edhe humor në këtë drejtim:
Psh. Numërori dhjetë -10 gjatë të folurit nuk bëhet dallim midis këtij numërori dhe
veprimit të ndyrjes në tualet, e cila në të folmen popullore njihet si dhjet,
ose tregohet për dikë kur thuhet: e dhjeu, dhjeu apo ngjashëm. Apo siç i tha
ambasadorja amerikane elitës qeverisëse kosovare me një shqipe puro të pastër e
pa ekuivoke: Mos e dhini tashti! Kështu
në të folmen gege numërori 10 shqiptohet dhet dhe nuk len shteg për keqkuptime
në të folur me bashkëbiseduesin. E kështu me siguri i kam dhënë një leksion
gjuhe edhe ambasadores së nderuar.
Një tjetër keqkuptim lind nga fjala çik,- që do të
thotë pak, ose pikë. Kur dikush, një drejtues partie, politikan i asaj kohe me
origjinë toske shkoi diku në Malësi, në veri të vendit me shërbim dhe ndaloi
pranë një kulle, aty pa një burrë të vjetër në oborr dhe ju drejtua atij: -Na mo xhaxha, na jep një çik ujë mo...-
malësori rrudhi vetullat dhe iu kthye me një batutë ironike funksionarit: -Heu bre, na dashke edhe çikë, edhe ujë...-
e gjitha kjo për shkak të ë-së fundore. Normalisht që partia e sqaroi xhaxhin për
këtë keqkuptim të madh, se nuk mund të ndodhte ndryshe.
Ndërsa një problem tjetër shkaktohet po të
zbatohen me rreptësi rregullat e shndërrimit të bashkëtingëlloreve dhe zanoreve
gjatë kalimit nga njëjës në shumës, dhe ndërrimit të zanores a- me metatezë në
e. Fjala vjen ndërrimi i k-së në q,-
një mik—disa miq
një armik – disa armiq
e pra, po t’i zbatonim rreptësisht rregullat do të
kishim problem me fjalën politikan, e cila është një nga më të përdorurat në
fjalorin e kujtdo sot, nëpër gazeta, portale e TV dhe ndonjë emër tjetër, sepse
do të tingëllonte pak a shumë kështu:
një politikan- disa
politiqen ,- apo edhe më keq akoma
një amerikan- disa
ameriqen
epo, nuk duhet ta marrim ndonjëherë
standardin me shumë seriozitet,
sepse mund të kemi edhe ndërlikime të papritura politike me politiqenërit tonë... shumë selam kini të gjithë dhe shiheni me syrin e humorit, se u pa puna edhe mund të na nxehet ndonjëri, dhe mua nuk do më vinte mirë, pavarësisht se vetë shkruaj dhe flas me standarden dhe bukën e gojës e fitoj pikërisht me gjuhën shqipe.
Roald A. Hysa
Comments
Post a Comment