Xhamitë e Shkodrës

Harta e xhamive Shkoder


Xhamitë e Shkodrës dhe fundi i tyre gjatë periudhës së sundimit të egër komunist


Regjimi komunist gjatë gjithë kohës që sundoi në Shqipëri e luftoi fenë dhe traditat fetare. Lufta nisi qysh ditët e para kur e morën pushtetin komunistët dhe deri në ditën kur e dorëzuan. Prishja e xhamive dhe ndryshimi i destinacionit të këtyre objekteve të shenjta ka qenë pjesë e kësaj lufte. Një kampion i tillë mund të studiohet në qytetin e Shkodrës, i cili ka qenë një nga qytetet ndër më të pasurat me objekte kulti myslimane. Nga 39 të listuara më poshtë 30 xhami dhe shumë varreza u shkatërruan krejtësisht, duke ndryshuar paraqitjen urbanistike të qytetit. Gjëja e parë që u bë në vitin 1967 ishte rrëzimi i minareve dhe kthimi i këtyre objekteve në destinacione të tjera, si salla mbledhjesh për Frontin Popullor, sallë kinemaje, teatër, zyra për pushtetin lokal, magazina, depo, ofiçina etj. Më pas këto objekte kulti së bashku me disa varreza u shkatërruan e u rrafshuan për t’i zhdukur nga kujtesa kolektive e popullit, si dhe për të ndryshuar konfiguracionin vizual urbanistik të këtij qyteti të lashtë duke i dhënë një pamje të re socialiste. Tre xhami u prishën së bashku me Pazarin e Vjetër të Shkodrës me vendosjen e Çamëve në ambientet e Pazarit, në vitet 1945-1946, me Bezistanin, që së bashku përbëjnë një nga humbjet më të mëdha të këtij qyteti për historinë dhe traditat e tij. 7 të tjera u prishën para ndalimit të fesë me ligj në vitin 1967, duke shkuar në 10 numri i xhamive të prishura brenda periudhës 1944-1967. Kështu 1/3 e atyre të prishura dhe që iu është ndryshuar destinacioni i përket kësaj periudhe, ndërsa 2/3 janë prishur pas ndalimit të fesë me ligj. Për t’u vërejtur është se të gjitha këto xhami që përmenden më poshtë i përkasin të gjitha trashëgimisë osmane, me përjashtim të Xhamisë së Parrucës, e cila u prish dhe u rindërtua nga tregtarët dhe populli i Shkodrës në vitin 1936.

1.     Xhamia e lagjes Bahçallëk me vlera të mëdha historike në vitin 1967 u kthye në ofiçinë për riparimin e automjeteve ushtarake, dhe më 1979 u prish përfundimisht nga tërmeti. (fq. 116)

2.     Xhamia e lagjes Alibegaj degradon dhe shkatërrohet nga ujërat e lumit Drin në vitin 1930. (fq. 122)

3.     Xhamia e Fatihut në Kalanë e Shkodrës e rrënuar pjesërisht dhe ka dalë jashtë funksionit. (fq. 125)

4.     Xhamia e Haxhi Mustafës në lagjen Tabake degradon dhe rrënohet në vitin 1925. (fq. 126)

5.     Xhamia e Plumbit në lagjen Tabake është edhe sot.

6.     Xhamia e Lohjanëve e prishur nga lumi Drin 1858. (fq. 134)

7.     Xhamia e Oxhakut në lagjen Tabake e prishur nga ujërat e Kirit dhe Drinit 1838. (fq. 135)

8.     Xhamia e Haxhi Resulit e lagjes Qafë u shkatërrua krejtësisht në vitin 1967. (fq. 136)

9.     Xhamia e lagjes Ajasëm u riparua për herë të fundit më 1948 dhe më pas u la të degradojë për mungesë fondesh dhe prishet përfundimisht më 1967. (fq. 138)

10.  Xhamia e Karahysenit pas vitit 1967 kësaj xhamie i prishet minarja dhe u përdor si depo për tharjen e peshkut, dhe me prishjene e Pazarit të Vjetër zhduket përfundimisht edhe gjurma e fundit të kësaj xhamie. (fq. 144)

11.  Xhamia e Hynqarit –Selvisë kthehet në kopsht fëmijësh më 1967 dhe i prishet minarja, ndërsa me prishjen e Pazarit të Vjetër shkatërrohet plotësisht. (fq. 153)

12.  Xhamia e Sulejman Pashës u prish me shkatërrimin e Pazarit të Vjetër. (fq. 159)

13.  Xhamia e Mehmet Pashë Plakut e Medresesë... ???

14.  Xhamia e Urës së Bunës u prish në vitin 1967. (fq. 164)

15.  Xhamia e shatërvanit të Teqes gjurmët e fundit të saj zhduken me prishjen e Pazarit të Vjetër të Shkodrës. (fq. 166)

16.  Mesxhidi i sheshit të Teqes shkatërrohet me prishjen e Pazarit të Vjetër të Shkodrës. (fq. 171)

17.  Xhamia Jugu Mëhallë e lagjes Liria pas vitit 1967 u kthye në shtëpi banimi. (fq. 176)

18.  Xhamia e Sheh Muhametit lagjja Karahasej u shkatërrua në vitin 1936. (fq. 178)

19.  Xhamia e lagjes Luguçesme u la të degradohej për mungesë fondesh dhe u prish në vitin 1950. (fq. 183)

20.  Xhamia e Haxhi Bajramit në Xhabiej në vitin 1967 u kthye në magazinë dhe më vonë u shkatërrua fare. (fq. 188)

21.  Xhamia e Bardhë Perash prishet në vitin 1962 për t’i lënë vend oborrit të shkollës Ali Laçej. (fq. 192)

22.  Xhamia e Kuqe në Perash i prishet minarja në vitin 1967 dhe kthehet në magazinë, ndërsa në vitin 1980 rrafshohet së bashku me varrezat. (fq. 198)

23.  Xhamia e lagjes Draçin në vitin 1956 kthehet në magazinë sherbele. (fq. 210)

24.  Xhamia e lagjes Tepe në vitin 1967 kthehet në sallë mbledhjesh për Frontin Popullor të lagjes duke iu prishur minarja dhe më 1970 prishet krejtësisht së bashku me varrezat. (fq. 215)

25.  Xhamia e Haxhi Koplikut rreth vitit 1964 shkatërrohet së bashku me varrezat për t’u ndërtuar më pas pallate banimi. (fq. 218)

26.  Xhamia e Parrucës në qendër të qytetit u prish në vitin 1967 dhe u rrafshua së bashku me varrezat.  (fq. 228)

27.  Xhamia e Fushë Çelës (Ebu Bekër sot) u prish në vitin 1963 me arsyetimin “për nevoja urbanistike” dhe aty u vendos një lapidar i Luftës Nacional-çlirimtare.  (fq. 238)

28.  Xhamia e Tophanës i prishet minarja më 1967 dhe kthehet në magazinë, pas një farë kohe shkatërrohet krejtësisht. (fq. 251)

29.  Xhamia e Garucit në vitin 1967 i prishet minarja dhe ambientet përshtaten për depo, e më pas për shtëpi banimi. (fq. 262)

30.  Xhamia Plakë i prishet minarja më 1967 dhe kthehet në magazinë, e më pas prisht krejtësisht dhe aty ndërtohet një pallat banimi 5-kate. (fq. 269)

31.  Xhamia e Begos prishet në vitin 1956 dhe në vend të saj ndërtohet Teatri Migjeni. (fq. 279)

32.  Xhamia në lagjen Rus i Vogël i prishet minarja në vitin 1967 dhe kthehet në sallë kinemaje, depo drithi, e më pas prishet fare, e aty ndërtohet një çerdhe fëmijësh. (fq. 282)

33.  Xhamia në Rus-Maxhar në vitin 1967 i prishet minarja dhe më pas shkatërrohet fare për t’u ndërtuar aty pallate banimi. (fq. 301)

34.  Xhamia e Shaban Efendisë nga viti 1950 lihet pa u vënë dorë dhe degradon si ndërtesë, materialet e saj shiten dhe në vend të saj në vitin 1964 ndërtohet një repart i Ndërmarrjes së Xunkth-Kashtës. (fq. 308)

35.  Xhamia e Mëhallës së Re nuk ka të dhëna... (fq. 316)

36.  Xhamia e lagjes Ndocej i prishet minarja në vitin 1967 dhe kthehet në magazinë libri, më pas prishet krejt, si dhe rrafshohen varrezat pranë saj. (fq. 318)

37.  Xhamia Dudas u shkatërrua krejtësisht në vitin 1968. (fq. 328)

38.  Xhamia e Kirasit në vitin 1967 iu prish minarja dhe u përshtat për zyrat e pushtetit lokal. (fq. 340)

39.  Xhamia e lagjes Dërgut në vitin 1967 iu rrëzua minarja dhe u përdor për punë të ndryshme, pastaj degradoi dhe u shkatërrua krejtësisht. (fq. 348)




Të dhënat janë nxjerrë nga: Bala, Smajl. Institucionet Islame dhe hoxhallarët e Shkodrës, Camaj –Pipa, Shkodër 2005.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit