Dy gëzimet e dhjetë ditëshit të fundit dhe Nata e Kadrit


Dy gëzimet e dhjetë ditëshit të fundit dhe Nata e Kadrit

Roald A. HYSA

I lodhur dhe i kënaqur njëkohësisht, kjo mund t’i ndodhë vetëm një besimtari në 10 ditëshin e fundit të Ramazanit. Lodhja e ditës dhe e natës e përfshin besimtarin nga një ditë e përfshirë me punë dhe njëkohësisht me adhurimin e këtij muaji të madhnueshëm
, agjërimin. Pa bukë e pa ujë gjatë gjithë ditës, paraqitet në vendin e punës dhe punon me përkushtim deri në përfundim të orarit. Largohet nga puna dhe në këtë 10 ditësh të fundit të Ramazanit përkushtohet më fort ndaj adhurimeve të ndryshme. Lexon Kuran, përkujton e përmend Zotin, lexon pjesë nga jeta e Profetit Muhamed paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe me durim pret mbrëmjen kur do të shtrohet në tavolinën e iftarit, ku zbret mëshira e Zotit dhe më pas një seri veprimesh tradicionale e bashkojnë atë me të gjithë besimtarët e tjerë në sofrat e gëzimit. E në këtë dhjetë ditësh Allahu i Madhëruar ka fshehur një natë, një natë që është sa 1,000 muaj, një natë sa një jetë njerëzore, e më shumë. Nata e Kadrit që pritet dhe kërkohet nga besimtari me adhurim. Një natë që kërkohet nga të gjithë që falen e agjërojnë sadopak. Urimet dhe lutjet më të zjarrta shkojnë për këtë natë të jashtëzakonshme.
Gëzimi i parë i besimtarit në këtë botë lëndore pasi ka hyrë koha e akshamit, ku ai së bashku me shokët e vet shtrohet në sofrën e iftarit, në sofrën e gëzimit, ashtu siç e ka përshkruar profeti ynë i dashur Muhamedi a.s. Besimtari han e pin me shije dhe i gëzohet asaj që i kanë shtruar përpara, e që është nga mëshira e Zotit të Madhëruar, që në këtë 10-ditësh të tretë e shpërblen pakufi robin e vet. Pasi mbaron me këtë gëzim vjen koha e namazit të jacisë, teravive, ku xhamitë e mbushur plot gjallërohen nga këndimet melodioze e me përkushtim të Kuranit Fisnik. E kështu nata e Ramazanit gjallërohet me besimtarët që presin të falin namaz nate dhe fëmijët që iu ngatërrohen nëpër këmbë prindërve, e së bashku me ta duan të falen, e të kalojnë natën së bashku deri sa të shkojë koha e syfyrit. E gëzimi më i madh i fëmijëve është të hanë syfyr me babën dhe nënën e vet. E gjithë nata kalon me gjallëri të tejskajshme zgjuar për të rriturit, e të vegjlit i merr gjumi në mjediset e xhamisë në pritje të sabahut të bekuar, kur mbyllet një natë dhe fillon një ditë e re me punët e zakonshme dhe me hallet e zakonshme. Pak gjumë dhe babait i duhet të dalë e të nxjerri rriskun e vet dhe të familjes së vet, ndërsa gruaja pas një pushimi duhet të nisi me ritualin e vet të gatimit dhe të përgatitjes së ushqimit të iftarit, i cili mirëpret në sofrën e vet të begatë jo vetëm familjen, por edhe mysafirë të tjerë që mund t’i bashkohen kësaj sofre të virtytshme. E këtu qëndron bukuria në këtë përpjekje të vazhdueshme për të qenë pranë njëri-tjetrit në familje dhe me shoqërinë tonë të përditshme. Sa më afër njëri-tjetrit në këto ditë të mëdha, ku për çdo sekondë që kalon përfitohet falja hyjnore, Mëshira e Pakufishme e Zotit të Gjithësisë. Lexim Kurani, Hadithe, këshilla të ndryshme fetare, falje e adhurime, lëmosha e kontribute, iftar e syfyr, fëmijët, shoqëria e familja, kjo është pamja e një dite e mbushur me veprimtari gjallëruese për besimtarin. E në gjithë këtë ritual tradicional e hyjnor besimtari këndellet, lodhet, stërlodhet nga vapa e puna, porse është i kënaqur e gëzohet kur vendos në gojën e vet dhe të gruas së vet një kokërr hurmë Arabie dhe çel iftarin.
Ky është ai momenti i gëzimit të parë, që na e ka përshkruar profeti Muhamed a.s. dhe jemi në pritje të gëzimit të dytë, të ditës kur do ta shohim Fytyrën e Ndershme të Allahut të Lartësuar e të Madhëruar, në pritje të një gëzimi të përjetshëm e të pafund, shpërblimit dhe fitores më të madhe, që mund të arrijë njeriu.
Ramazan të bekuar të gjithëve




Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit