Gra të shquara të brezave të parë


Gra të shquara të brezave të parë



Roald A. HYSA


Shpesh na duhet të shkruajmë për rolin e rëndësishëm të grave muslimane në jetën e përditshme, kulturore dhe atë fetare. Përkujtimi i tyre na vlen të gjithëve pa përjashtim sot, po aq sa edhe të rëndësishme ishin për kohën kur jetuan këto zonja. Bota muslimane pas largimit nga kjo botë e Profetit tonë të dashur Muhamedit alejhi selam u shtri brenda një shekulli nga kufijtë e Indisë e të Kinës e deri në Andaluzin e largët perëndimor. Jo çdo gjë merret me luftë dhe për këtë ka shembuj të gjithfarshëm, ku muslimanët e përhapën Islamin nëpërmjet dijes së gjerë e shkencore, po aq sa edhe me atë fetare. Në këtë lëmi edhe gratë muslimane nuk mbetën mbrapa, por kërkuan me këmbëngulje të jenë pjesë e mirësisë së përhapjes së Islamit. Në vijim do ju përcjellim emrat dhe pak fjalë për disa nga mijëra gra të shquara muslimane të kohëve të hershme. Emrat e grave të shquara dhe kontributet e tyre të rëndësishme vijnë deri në ditët tona, porse u munduam të zgjedhim disa që spikasin në fusha të ndryshme të fesë, dijes, politikës dhe drejtimit. Do ta nisim fillimisht me Nënën e Besimtarëve Hadixhe bintu Huvejlid.
Hadixhe Bintu Huvejlid (vd. 620). Edhe përpara se të martohej me profetin Muhamed a.s. ajo vetë ka qenë një figurë e rëndësishme si tregtare dhe e elitës së Mekës. Ajo luajti një rol qendror në mbështetjen dhe përhapjen e Islamit dhe dallohet se është Muslimania e parë. Vetë Profeti Muhamed në një hadith që gjendet tek Sahihu i Muslimit na rrëfen: “Zoti i Plotfuqishëm nuk më ka dhuruar dikë më të mirë se sa ajo. Ajo më pranoi mua kur njerëzit më refuzonin; ajo më besoi mua, kur njerëzit dyshonin tek unë; ajo e ndau pasurinë e saj me mua, kur njerëzit më grabitën mua; dhe Zoti më dha fëmijë vetëm nëpërmjet asaj.” Në të vërtetë një tjetër grua shumë e rëndësishme e Islamit të hershëm Fatime Zehraja ka qenë bija e Profetit me Hadixhen, dhe vetëm nëpërmjet Fatimes dhe bijve të saj Hasanit dhe Hysenit është ruajtur linja e Profetit Muhamed. Këto fakte e bëjnë Fatimen dhe nënën e saj Hadixhen ndërmjet grave më të nderuara të historisë islame.
Nusejba bintu Kab el-Ensarija (vd. 634). Njihet gjithashtu edhe si Umu Amara, ajo ishte një anëtare e fisit Benu Nexhar dhe një nga personat e hershëm që e pranuan Islamin në Medine. Si një nga Sahabet e Profetit Muhamed a.s. i atribuohen shumë cilësi asaj. Megjithatë ajo kujtohet më shumë, ngaqë mori pjesë në Betejën e famshme të Uhudit 625, në të cilën ajo rrëmbeu shpatën dhe mburojën dhe luftoi kundër Mekasve. Ajo e mbrojti profetin Muhamed a.s. nga armiqtë gjatë betejës dhe deri pësoi disa plagë shtizash e shigjetash, ndërsa ishte vendosur përpara tij për ta mbrojtur profetin. Rrëfehet se pasi pësoi plagën e saj të dymbëdhjetë ajo ra pandjenja dhe pasi erdhi në vete (një ditë më pas në Medine) pyetja e parë që bëri ishte: “A shpëtoi Profeti?”
Lubna e Kordovës (vd. 984). Lubna ishte një femër skllave me origjinë spanjolle dhe ajo u ngrit shumë shpejt dhe u bë një nga figurat më të rëndësishme në pallatin umajad të Kordovës. Ajo ka qenë sekretarja e pallatit të kalifit Abdurrahmanit III (vd. 961) dhe djalit të tij Hake mbin Abdurrahman (vd. 976). Ajo ishte gjithashtu një matematikane e aftë dhe drejtoi bibliotekën mbretërore, e cila konsiderohet të ketë pasur asokohe 500,000 libra. Sipas dijetarit të famshëm andaluzian Ibn Bashkuval: “Ajo shkëlqeu në shkrim, gramatikë dhe poezi. Dija e saj e matematikës ishte gjithashtu e pafundme dhe ajo ishte po aq eksperte edhe në shkenca të tjera. Nuk kishte ndonjë tjetër në pallatin umajad aq fisnike sa ajo.” (Ibn Bashkuval, Kitab al-Sila, Kairo 2008, vol. 2, fq. 324.)
Fatime bin Ebil-Kasim Abdurrahman bin Muhamed bin Galib el-Ensari el-Sharret (vd. 1216). Ajo ka qenë një nga gratë më të shkolluara të Andaluzisë gjatë fundit të shek. XII dhe fillimit të shek. XIII. Ajo u angazhua shumë me teoritë e ligjit, jurisprudencën, po aq sa edhe me shkenca të tjera. Ajo është nëna e dijetarit të shquar andaluzian Ebul Kasim bin el-Tajlasani. Sipas dijetarit andaluz Ebu Xhafer el-Gharnati (vd. 1309): “Ajo memorizoi libra të panumërt nën udhëzimin e babait të saj, ku përfshihen el-Meki Tenbih, el-Kudai el-Shihab, Muhtesarin e Ibn Ubejd Tulajtalit, të tre këto ajo i dinte përmendësh. Ajo gjithashtu memorizoi Kuranin nën udhëzimin e Ebu Abdullah el-Meduarit. Me babain e vet ajo gjithashtu mësoi Sahihun e Muslimit, Siren e Profetit të Ibnu Hishamit dhe shumë punime të tjera. (Ebu Xhafer Ahmed bin Ibrahim el-Gharnati, Kita bel-Sila el-Sila, Beirut 2008, fq. 460.)
Razie Sulltana (vd. 1240). Ajo ka qenë sundimtarja e Sulltanatit të Delhit në Indi. Babai i saj Shemsedin Iltutmish (sundoi 1210-1236) e caktoi Razien si trashëgimtaren e tij përpara vdekjes së tij, e për pasojë duke e bërë atë sundimtaren zyrtare të sulltanatit. Ajo ka qenë një sundimtare e ndershme shumë efektive dhe ka qenë një patrone e madhe e dijes, duke ngritur shkolla dhe biblioteka përgjatë Indisë veriore. Në të gjitha çështjet ajo u komportua si një sulltan, duke drejtuar ushtritë, duke u ulur në fron dhe duke veshur të njëjtën veshje mbretërore si babai i saj; me gjithë zemërimin e shumë njerëzve ajo këmbënguli të shfaqej në publik me fytyrën zbuluar. Më 1240 ajo u shfronësua nga një rebelim i aristokratëve të mbretërisë, të cilët ndërmjet të tjerash e kundërshtonin të drejtoheshin nga një grua dhe e vranë atë. (për më shumë shih librin e Refik Zaharias: Razia mbretëresha e Indisë, 1966).
Zejnebe bintu Ahmed (vd. 1339). Ajo ka qenë ndoshta një nga dijetaret muslimane më të shquara të shek. XIV. Zejnebi i përket shkollës hanbelite të fikut dhe ka banuar në Damask. Ajo ka marrë disa ixhazete (diploma) në fusha të ndryshme, më e dalluara në hadith. Në fillim të shek. XIV ajo jepte mësim libra të tillë si Sahih Buharin, Sahih Muslimin, Muvetan e Malik bin Enesit, Shemailin e Tirmidhiut dhe Sherh Meani el-Ethar të Tahaviut. Ndërmjet studentëve të saj kanë qenë udhëtari i njohur nga Afrika e Veriut Ibn Batuta, Taxhudin Subkhiu, Dhehebiu, dhe emri i saj shfaqet në një dyzinë isnadesh (zinxhirë transmetimi hadithesh) të ndryshme të Ibn Haxher el-Eskalanit. Është e rëndësishme të nxjerrim në pah, se Zejnebi është njëra nga ato qindra gra dijetare të hadithit gjatë periudhës mesjetare të botës myslimane. Për më shumë në këtë fushë mund të lexosh punimin e Esma Sejid Gratë dhe përcjellja e dijes fetare në Islam 2013 dhe Ekrem Nedvi el-Muhadithat: gratë dijetare të Islamit 2007.

Pra, nga këta pak shembuj që përmendëm më sipër shihet qartë se gruaja vazhdimisht ka pasur një rol qendror në fusha të ndryshme të dijes dhe fesë. Po ashtu në politikë dhe drejtim gratë kanë ditur të drejtojnë dhe qeverisin me maturi. Ato kanë ditur të jenë të dobishme, duke luftuar kundër paragjykimeve, dhe në këtë mënyrë kanë ditur edhe të çajnë në shoqëri. Sot gjithashtu pritet që të luajnë po këtë rol dhe të jenë të dobishme për vendin, familjen dhe shoqërinë.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit