Vdekja e Enver Hoxhës dhe Abdulla Berberi


Vdekja e Enver Hoxhës dhe Abdulla Berberi

Vdekja e Enver Hoxhës u përjetua në forma të ndryshme nga njerëz të ndryshëm në qytet dhe në fshat. Vetëm se kryeqyteti ka qenë një problem mbi jetën publike, ku nuk mund të shfaqeshe në asnjë mënyrë si dikush që nuk e kishe ndjerë “humbjen” e udhëheqësit. Mjetet për t’u informuar, pra, radiot e televizorët ishin në numër të kufizuar dhe jo kushdo kishte aparate të tilla. Kjo është historia se si e përjetoi marrjen e lajmit të vdekjes së Enver Hoxhës një ish-i dënuar politik i burgjeve të regjimit komunist Abdulla Berberi. Monarkist dhe anti-komunist i orëve të para kalon nëpër ferrin e burgjeve dhe pasi arrin të dalë nga burgu me shumë sakrifica martohet dhe kryen shkollën e ndërtimit natën e del inxhinier. Ngado që punoi e ndoqi biografia e keqe nga mbrapa, atë, gruan e tij dhe të dy djemtë. Me shumë sakrifica arrin të dali në pension pikërisht atë kohë kur vdes Enver Hoxha.
Abdullai nuk e kishte marrë vesh akoma më 11 prill që Enveri kishte vdekur dhe po gëzonte ditët e asaj pranvere me aq sa kishte mundësi një pensionist i asaj kohe. Ndërkaq një grup tjetër pensionistësh të “Frontit Demokratik” të lidhur ngushtë me pushtetin pasi kishin kryer homazhet dhe ishin përlotur e qarë me vaj për humbjen e Enverit po shkonin derë më derë për të njoftuar lagjen “për këtë humbje të madhe”. Normalisht trokasin edhe në derën e Abdullait dhe pasi ai ua hap derën i japin “lajmin e hidhur”.  I tregojnë gjithashtu se kishin shkuar për të bërë homazhe pranë kufomës së Enverit, por ty nuk të lajmëruam,- i thonë ata, -Ti e kupton vetë pse?- duke nënkuptuar që kishte qenë i burgosur për politikë. Abdullai u vrenjt dhe iu tha me inat atyre:
-Enveri ka bërë më shumë për mua, se sa për të gjithë ju. Ai më bëri inxhinier dhe më rehabilitoi.- pensionistët e Frontit mbetën të habitur nga ky “reagim i ashpër” i Abdullait, i cili na tregonte, që pasi ua kishte mbyllur derën kishte vënë tenxheren dhe kishte bërë hallvë për shyqyr, që vdiq ai pleh.

-Ajo ka qenë hallva më e mirë që kam ngrënë,- thoshte Abdullai dhe na e tregonte shpesh këtë histori me atë humorin dhe buzëqeshjen e tij karakteristike. 

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit