Drita e Zotit


Drita e Zotit- Muhamedi alejhi salatu ue selem


Nga errësirat e shekujve në heshtje vjen një kumbim,
I pazëshëm luhatet nëpër hapësirat qiellore
Mentarët dhe të urtët qiellit i drejtohen në meditim,
Asgjë s’u bën përshtypje prej lodrave fëminore.

Nga vetja i kthejnë sytë të shohin sa më mirë
Por vështrimi ngadalë iu kthehet mbrapsht i molisur,
Asgjë nuk shohin më dhe ngjajnë si të mpirë
Megjithëse natyra përreth me ngjyra është e harlisur.

Të humbur, të mpirë ata dhe të shpërqendruar
Koten e tunden rreth vetes ashtu t’ rraskapitur...
Më kot përpiqen e lodhen ata duke kërkuar,
Tërmeti shkallmon shpirtrat e tyre të tronditur.

O ZOT, krijues i pashoq i kësaj gjithësie,
Me hap të drejtohemi e TI drejt nesh me vrap,
Sado mundohemi me ngulmin e një fëmije,
Madhështinë Tënde me mend askush nga ne s’e kap.

Kudo i hedhim sytë mbushur e ke me mrekulli,
Me male, shpend, yje, lule tokën e ke ngjyrosur,
Në zemrat tona TI ke futur shumë dashuri
Takimin me TY e presim mjaft të brengosur...

Këputet koka e mentarit e zemra i përhidhet,
Shpreson ai, frikësohet me lot e freskon ballin,
Ndërsa me shkulme në ankth trupi i tij përdridhet
Askush prej nesh s’e di si do ta ketë hallin!


Një dritë e mekët përbiron e na e rrit shpresën
I shuan dufet dhe nga një derëz e çelët mugullon
Një burrë i madh me butësi na e ofron ftesën
Ajo çka thotë ai thellë në shpirt na drithëron.

Kush je ti o burrë, që ne s’ta masim dot shtatin
Ushtima e thirrjes tënde tejkalon për çdo mot,
Një bote të tërë o profet ia ndryshove fatin,
Nga ditë të errëta me dritë na i mbushe plot...

Shumë lart të ka ngritur vetë Zoti i Gjithësisë,
Krah emrit të Tij më të madh ty të ka renditur,
Në çdo kohë të jesh shembull i çmuar i mirësisë,
Zemrat tona t’i kemi hapur t’ hysh pa trokitur.

Kushdo prej jush tashmë o vllezër e ka marrë vesh
Këto fjalë plot dashuri janë për Muhamedin
Kush falet dhe e përmend atë, secili prej nesh
Me lutje e përgjërim i kërkon Zotit rahmetin...

Allah, ja Rab, o më mëshiruesi i mëshiruesve
O Ti, që s’lodhesh kurrë e gjithçka ke nën sundim
Na bashko TI me më të mirin e adhuruesve,

Me Muhamedin n’xhenetet e tua pambarim...

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit