Dilema: I varfër apo i pasur?



Dilema: I varfër apo i pasur?


A është varfëria virtyt...


Nga Roald A. HYSA

Shumë njerëz e kujtojnë profetin tonë të dashur Muhamedin alejhi salatu ue selam, si një njeri të varfër dhe pa përkrahje, nuk kishte për të ngrënë, sepse zjarri në shtëpinë e tij nuk ndizej për muaj të tërë. Ai dhe familja e tij ushqehej me pak hurma dhe qumësht, e mbi këtë bazë fantazojnë teori nga më të ndryshmet. Po ashtu Ai alejhi salatu ue selam ndërroi jetë i varfër me mburojën, që e kishte lënë peng tek një çifut, e shumë gjëra të tilla të ngjashme. Ndërkaq është krejtësisht e kundërta. Ai alejhi salatu ue selam dhe shokët e tij ishin tregtarë pasanikë, madje shumë të pasur.
Omeri radijAllahu anhu qau dhe u prek shumë kur pa shenjat e rrogozit në shpinën e bekuar të njeriut të tij më të dashur dhe i kujtoi atij alejhi selam mirësitë dhe lukset në të cilat jetonin Persianët dhe perandori i tyre, porse mori si përgjigje që nuk ishte kjo dynja synimi i tyre, ishin xhenetet e larta të Firdeusit. A nuk kishte mundësi ai të kishte pasuri e ar plot?!...
Kurejshët ia ofruan një gjë të tillë, të ishte mbret i tyre, pasuri pa hesap, vajzën më të bukur dhe më të fisme në të gjithë Arabinë e kësisoj... Ai alejhi salatu ue selam nuk pranoi.
A nuk ishte i zoti Ai alejhi salatu ue selam, që të fitonte pasuri? Po, ishte krejtësisht i aftë, sepse kishte punuar me tregtinë e karvaneve dhe kishte fituar mjaftueshëm pasuri, sa për të na bindur në këtë drejtim, madje edhe bashkëshortja e tij e nderuar Nëna e Besimatarëve Hatixheja radujAllahu Anhu ishte vetë një grua fisnike dhe e pasur, e cila ia besoi pasurinë dhe mallin e vet, duke i propozuar të martoheshin, dhe për sa qenë së bashku në këtë jetë jetuan të lumtur.
A nuk ishin gratë e veta, që i kërkuan pasuritë e kësaj dynjaje dhe Ai alejhi salatu ue selam u tregua i gatshëm t’i japë secilës prej tyre nga një pasuri të madhe, por me kushtin që më pas do t’i divorconte, e t’i linte të lira të shkonin secila në punë të vet?!... Nënat e Besimtarëve u tërhoqën nga kërkesa e tyre dhe pranuan një jetë të vështirë më pranë devotshmërisë dhe privacioneve të kësaj dynjaje për të qenë së bashku me burrin e tyre të dashur Muhamedin alejhi salatu ue selam në xhenetet e larta të Firdeusit.
Ebu Bekri, Omeri dhe Osmani radijAllahu anhuma ishin tregtarë dhe shpenzuan pasuri të pallogaritshme për fenë islame dhe si këta sahabë dhe halife kishte edhe sahabe të tjerë të pasur plot, që merreshin me tregti. Po kujtoj edhe Abdurrahman ibn Aufin, që thoshte: Pasi bëri lutje për mua Profeti alejhi salatu ue selam, më dukej sikur çdo gjë që e prekja me dorë kthehej në ar. Karvanet e Abdurrahmanit rrihnin rrugët tregtare më të njohura të kohës në të gjitha drejtimet dhe fitonte pasuri të pallogaritshme. Abdurrahmani ju la të gjitha Nënave të Besimtarëve nga 40,000 dirhemë ari trashëgimi përpara se të ndërronte jetë. Këta sahabe që e donin Profetin alejhi salatu ue selam më shumë se sa jetën e tyre nuk e kishin problem t’ia siguronin një jetë të pasur e luksoze të Dërguarit të Zotit alejhi salatu ue selam.
Po i kishin të gjitha mundësitë, mjaftonte një fjalë dhe ata do t’ia plotësonin çdolloj kërkese, por jo ata e dhuruan pasurinë e tyre për hir të Allahut, Omeri radijAllahu anhu vetëm në një rast dha gjysmën e pasurisë, ndërsa Ebu Bekri radijAllahu anhu e dha krejt pasurinë, e kur e pyeti shoku i vet alejhi salatu ue selam, se çfarë ju ke lënë në shtëpi, Ebu Bekri radijAllahu anhu u përgjigj: Allahun...- një përgjigje e jashtëzakonshme.
Një bedevi e luti Profetin Muhamed alejhi salatu ue selam t’i jepte pasuri nga ajo që Allahu i Lartësuar i kishte dhënë atij, dhe Ai alejhi salatu ue selam i fali një luginë të tërë me bagëti. Bedeviu pasi e mori këtë pasuri filloi të bërtiste me të madhe: O njerëz bëhuni muslimanë se Muhamedi fal pa hesap...
Një ditë Muhamedi alejhi salatu ue selam kishte veshur një xhybe shumë të shtrenjtë, të cilën sapo ia kishin dhuruar, dikush ia kërkoi dhe Ai alejhi salatu ue selam e hoqi nga vetja dhe ia veshi atij tjetrit, vetëm e vetëm që ta kënaqte. Një ngjarje e jashtëzakonshme është ajo kur engjëlli Xhibril i ofroi profetit tonë të dashur Muhamedit alejhi salatu ue selam një gotë me verë dhe një gotë me qumësht, dhe ai zgjodhi gotën me qumësht, zgjodhi natyrshmërinë. Shembuj të tillë nga jeta e ndershme e Profetit alejhi salatu ue selam dhe e shokëve të tij fisnikë ka plot sa të duash, mjaft që të kërkosh nëpër hadithet dhe biografitë e tij. E pra Ai alejhi salatu ue selam ishte pasanik, shumë pasanik, por ajo na dhuroi të gjithëve dhe që është feja e Allahut, dëshmia, falja, Kurani e shumë të tjera që na i përcolli besnikërisht, ashtu siç i vinte nga Allahu i Madhëruar.
Nuk mund të thuhet që Ai alejhi salatu ue selam jetoi i varfër dhe vdiq i varfër, varfëria nuk është virtyt, që të bën të mirë. Arritja e devotshmërisë dhe cilësi të tjera të bëjnë të mirë. Nëse je i varfër nuk ke mundësi t’i ndihmosh të tjerët. Profeti Muhamed alejhi salatu ue selam dhe shumë sahabe të tij ishin të pasur në kuptimin literal të fjalës dhe i shpenzuan pasuritë e tyre për të përhapur fenë. Ata kishin hequr dorë nga dynjaja dhe e kishin larguar nga zemrat e tyre, por jo se ju mungonte pasuria apo begatia. Pra ata hoqën dorë me vullnet nga dynjaja; pse ishin të pasur ata zgjodhën një jetë më pranë devotshmërisë dhe mendonin për ditën e takimit me Allahun, të vetëm e të pashoq...

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit