Përsiatje pas Ramazanit 2019
Përsiatje pas Ramazanit 2019
Roald A. HYSA
Në prag
të Ramazanit shumë prej nesh kishin bindjen, se ky muaj do të ishte i begatë
për të gjithë ne, dhe kjo u duk qysh në mbrëmjen e parë të teravive kur gjoksi
na u rehatua nga ngacmimet e vesveset e zakonshme dhe i falëm teravitë me një
qetësi për ta pasur lakmi edhe në ditët e tjera jashtë këtij muaji. Nga diskutimet
e bëra me vllezër të ndryshëm rreth mbarëvajtjes së këtij muaji diskutuam edhe
për motin dhe vërejtëm që këta vitet e fundit Allahu me Madhështinë e Vet na e
ka lehtësuar vapën, kur në javën e parë të agjërimit e ka freskuar motin dhe
temperaturat, madje ka dërguar shi të bollshëm e të bereqetshëm, ndërkohë që
pjesa më e madhe e shoqërisë tonë kërkonin t’iu drejtoheshin plazheve për t’u
shuhëllyer në diell, e për të marrë sa më shumë rreze dielli. Me sa duket
lutjet e besimtarëve për një agjërim më të lehtë edhe për motin u dëgjuan dhe u
pranuan nga Allahu i Madhnueshëm dhe besimtarët me javën e parë me një mot
shumë më të freskët se zakonisht arritën që në këto ditë të para të mësohen me
agjërimin dhe më pas ta kenë më të lehtë për ta vazhduar atë me gjithë të
nxehtin e madh në vazhdim dhe etjen e përditshme deri në vaktin e iftarit.
Mirëpo kësaj
radhe të paktën në Tiranë e rrethina pati një ndryshim krejtësisht drastik,
muaji i Ramazanit kaloi krejt me një mot me shira të vazhdueshme dhe me
temperatura të ulëta, e me një freski e fllad të pashoq, saqë në momentine
çeljes së iftarit, askujt prej nesh nuk i binte ndërmend për bukë e për ujë. Allahu
me Madhninë e Vet e lehtësoi aq shumë, saqë kërrkush nuk e mbante mend një
agjërim të tillë, megjithëse besimtari kalonte mbi 17 orë pa vënë ujë e bukë në
gojë.
Përshtypjet
e të gjithë neve ishin të njëjta, një lehtësim i paparë dhe i pandjerë ndonjë
herë, ku i gjithë maji kaloi pa u ndjerë, besimtarët me përkushtim i kryenin
adhurimet dhe nuk e ndjenin vapën e zakonshme, as lodhje, por vetëm një
kënaqësi dhe shije me të gjitha veprimet e agjërimet e kryera. Dashamirësia midis
besimtarëve dhe dashuria për ibadetet e përbashkëta të kryera ndjeheshin në çdo
sofër bujare deri në iftarin e fundit në vigjiljen e natës së bekuar të
Bajramit të Ramazanit. Hareja dhe gëzimi zunë vend që para mbylljes së ditës së
fundit të agjërimit, por edhe keqardhja që ky agjërim po mbyllej. Përshtypjet dhe
perceptimet në këtë muaj të madhnueshëm kanë qenë krejtësisht të veçanta për të
gjithë ne. Në ndenjat e mëpasme të gjithë diskutonin pikërisht për këto ndjesi
të jashtëzakonshme, që u manifestuan edhe më faljen e Bajramit në të gjithë
vendin, ku u mbushën sheshet plot me agjërues. Dikush pati frikë se mos shiu
vazhdonte edhe ditën e Bajramit, por nuk kishte mundësi që shiu të vazhdonte më
tej, e ta prishte këtë gëzim dhe hare të muslimanëve!
Nuk kishte
mundësi, pse Ai, i Lartmadhëruari që e zbret shiun në tokë, po Ai e ndalon edhe
të bjeri për ta shtuar edhe më shumë gëzimin dhe harenë e festimeve të Bajramit
të Ramazanit, të kthimit në natyrshmërinë njerëzore. E për këtë ne jemi të
bindur dhe po ashtu e falënderojmë Allahun Madhështor, që na bëri muslimanë dhe
na mundësoi ta agjërojmë Ramazanin dhe ta lusim Atë dhe vetëm Atë Dhul Xhelali
uel Ikram, të na e ketë pranuar agjërimin dhe ibadetet e tjera. SELAM
Comments
Post a Comment