Viti i ZI 1967




6 shkurt vihet në qarkullim letra e enver hoxhës për mbylljen e kishave dhe xhamive*

Ky do të ishte viti më i vështirë për të gjitha institucionet fetare, të cilat pasi kishin përjetuar vjedhjet, grabitjet, dhunimet, përndjekjet dhe burgosjet shtetërore vjen më pas çasti më tragjik, kur i ashtuquajturi “Pushteti Popullor” hidhet në aksion për ta ndaluar fare fenë, dhe për ta zhdukur atë nga jeta publike dhe private e Shqiptarëve. Prishja e institucioneve fetare do të bëhej me kujdesin më të madh, që të mos sillte kundërshtimin e popullit që beson. Udhëzimet e dhëna nga Enver Hoxha vazhdimisht kanë qenë, që të mos krijohet zhurmë dhe kundërshtim nga ana e popullit për çështjet fetare, pavarësisht presionit publik konstant që bëhej nga mjetet e propagandës së regjimit. Me shumë hipokrizi Enver Hoxha në një letër qarkore të 27 shkurtit 1967 (e cila fillimisht qarkulloi nën siglën “tepër sekret” në të gjithë aparatin partiak), ku i drejtohet Komiteteve të Partisë në rrethe mbi luftën kundër fesë thotë: “Prishja e kishave, e xhamive, e teqeve dhe e manastireve, natyrisht, paraqet një vështirësi, për arsye se nuk duhet shkuar në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë pjesë të popullit që beson. Prandaj në këtë drejtim duhet pasur kujdes e takt. Por mjaft prej tyre janë prishur me iniciativën e masës pa ngjallur asnjë reaksion, disa të tjera kanë rënë, ka nga ato që janë kthyer në depo ose kanë mbetur pa hoxhë apo pa prift dhe praktikisht nuk funksionojnë[1].”
Ai po në këtë letër thekson me forcë dhe e përsërit shpesh këtë edhe në vende të tjera, se “feja myslimane” nën petkun e perëndisë fshihte “ligjin e otomanëve, të pushtuesve turq dhe të shërbëtorëve të tyre”, ku me emërtimin “shërbëtorët e tyre” futej e gjithë kasta klerikale e institucioneve fetare.
Gjatë gjithë këtij viti, por sidomos në periudhën shkurt, mars, prill 1967 Enver Hoxha ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me “popullin” dhe komunistët. Siç u përmend edhe më sipër më 27 shkurt ai i drejtohet nëpërmjet KQ të PPSH-së të gjitha komiteteve të Partisë në rrethe. Po ashtu ai më pas del vetë në terren dhe në një takim me anëtarët e organizatës bazë të uzinës “Enver” më 2 mars 1967 ju kërkon atyre të jenë në ballë të “punës bindëse me popullin” për kotësinë dhe rrezikshmërinë e fesë. “Populli duhet të bindet për kotësinë dhe rrezikshmërinë e fesë, të kishës, të xhamisë ose të çdo institucioni apo zakoni fetar dhe vetë të marrë vendim ta prishë ose jo, ta braktisë menjëherë ose dalngadalë fenë. [2]” Më 22 mars në diskutimin e tij në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të PPSH ai i rikthehet çështjes së fesë, pra të kishave e xhamive dhe urdhëron që hoxhallarët dhe priftërinjtë nëpër fshatra të futen në kooperativë për t’u çhelmatisur. “...hoxhallarëve e priftërinjve t'u gjendet punë në kooperativa dhe me ta të punohet veçanërisht, që të çhelmatisen.[3]” Prishja e kishave dhe xhamive është pjesa më e lehtë për të. Lufta për t’i çrrënjosur zakonet fetare dhe fenë nga ndërgjegjja e njerëzve është pjesa më e vështirë. Njerëzit tashti “të mos agjërojnë, të mos mbajnë kreshmë, të mos falen, të mos festojnë pashkët, bajramin, ditën e emrit, të mos bëjnë djemtë synet, të mos i pagëzojnë fëmijët, të mos i bëjnë varrimet me prift e me hoxhë etj.[4]”, e për këtë duhen mobilizuar dhe edukuar “rripat e transmisionit” të PPSH-së. “Partia, pra, duhet të jetë në ballë të luftës për zgjidhjen e këtyre problemeve, por ajo nuk mund t'ia dalë mbanë detyrës së saj historike në rast se nuk mobilizon dhe nuk edukon organizatën e Frontit, të rinisë, të gruas, të bashkimeve profesionale[5].”
Ndërsa nga biseda që ka pasur me sekretarin e parë Komitetit të Partisë të rrethit të Dibrës më 7 prill 1967, pak ditë para daljes së vendimit të Presidiumit të Kuvendit Popullor mbi sekuestrimin e pasurive të institucioneve fetare dhe ndalimin e fesë ai porosit: “Në asnjë mënyrë nuk duhet të acarohemi me popullin për majën e një minareje, e cila në rast se nuk rrëzohet sot, do të rrëzohet mot, kur populli të bindet për kotësinë e besimeve fetare. [6]
Ai ka vazhduar të nxisë nëpërmjet orientimeve tashmë të njohura të cituara më sipër në takimet që ka pasur me popullsinë e fshatrave të Shkodrës më 2 dhe 3 shtator 1967 me përfaqësues të malësisë së Kelmendit dhe në mitingun përkujtimor për Luftën e Reçit. Ai vazhdon me hipokrizinë karakteristike të thotë, që populli vetë i prishi kishat dhe xhamitë. Partia dhe Shteti nuk nxorën “dekrete”, por kjo erdhi si rezultat i punës së Partisë, e cila i edukoi masat me filozofinë materialiste. Ai përsëri vazhdon me tezat, se klerikët fetarë ishin “agjentë të të huajve” dhe armiq “të lirisë e pavarësisë së popullit”. “Prandaj Partia këshillon të mos u besojmë fesë, priftërinjve dhe hoxhallarëve, se këta nuk thonë asgjë të vërtetë dhe se feja nuk është e mirë për popullin. Le të zhduken, pra, këto njolla të errëta nga jeta jonë dhe të ecim në rrugën që na tregon Partia[7].”
Ai vëren, se disiplina dhe praktika myslimane nuk ka dallime kombësie dhe ka unitet veprimesh, që nga gjuha arabisht e riteve e deri te festat, praktika këto që duhen ndërprerë.
“Myslimanët falen kudo njëlloj, numri i të falurave çdo ditë është i njëjtë, marrja avdes bëhet njëlloj. Gjithashtu njëlloj janë kudo, deri përcaktimin e datave të tyre: agjërimi, festat e bajrameve, matemi etj. Ne duhet t'i thyejmë këto praktika dhe t'u tregojmë të gjithë atyre që besojnë sa absurde është të ruash dhe të zbatosh zakone të tilla që nuk kanë asnjë lidhje me jetën tonë, jo vetëm me të tashmen, por edhe me të kaluarën.[8]
Ndërprerja e këtyre praktikave duhej të shoqërohej edhe me prishjen e institucioneve, ku mund të gjenin zbatim këto praktika dhe festa fetare. Madje çdo shenjë e saj e dukshme duhej të zhdukej nga jeta e përditshme dhe publike e “shoqërisë së re socialiste”.
“Në këto situata revolucionare kemi marrë vesh se kryesia e klerit bektashian dhe ajo e klerit mysliman u kanë lëshuar një qarkore të gjithë hoxhallarëve e dervishlerëve të heqin çallmat dhe taçet, të heqin xhybet dhe të dorëzojnë teqetë e xhamitë. Këtu nuk ka asnjë shtytje, asnjë presion, qoftë edhe sugjerim nga ana e shtetit. Kjo është krejtësisht një iniciativë e tyre. Kur e kërkon rasti, të shpjegohet që kjo është iniciativë e vetë klerikëve, sepse elementët armiq mund ta përdorin këtë kundër pushtetit. Meqenëse i njohim këta klerikë, ne mendojmë se, për këtë zell që kanë treguar, nuk janë shtyrë nga ndonjë qëllim i keq, pse ata janë të lidhur me popullin dhe me pushtetin[9].” Uniformat fetare duhet të mos duken më në publik, e kjo “është krejtësisht një iniciativë e tyre”. Enver Hoxha me shumë hipokrizi i mëson komunistët në këtë formë që të ruhen, sepse “elementët armiq mund ta përdorin kundër pushtetit”. Ndërkaq rinia gjimnaziste e shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Durrës e kishte ndërmarrë iniciativën për ta zhdukur fenë nga jeta publike “në bazë të mësimeve të Kongresit V të PPSH dhe shokut Enver Hoxha” dhe justifikimi ishte, se “feja kishte filluar të zinte vend edhe në radhët e rinisë”. E gjithë kjo fushatë kundër fesë dhe ndalimit të saj në Durrës u udhëhoq nga Komiteti i Partisë së Rrethit. “Pse komiteti i partisë i rrethit të Durrësit ja besoi këtë aksion rinisë shkollore? Është e qartë se rinia në vetvete është shtresa më e zhveshur nga këto mbeturina, besëtytni fetare e zakone prapanike[10]”. Në vijim të shkrimit autori tregon me imtësi radhën e veprimeve dhe mjetet e përdorura prej “rinisë revolucionare” për ta shpallur këtë këtë nisëm si “iniciativë revolucionare të nxënësve dhe pedagogëve të shkollës Naim Frashëri në Durrës”. Kjo nisëm nga Durrësi u shpërnda në të gjithë vendin dhe kishat e xhamitë u rrënuan apo u transformuan në objekte me funksione të tjera, p.sh. kisha katolike në rr. e Kavajës në Tiranë u kthye në kinema, pak më sipër xhamisë së Dine Hoxhës kupolat karakteristike iu mbuluan me çati dhe minarja iu prish, po ashtu dhe shumë xhamive të tjera iu prishën shenjat e dukshme kupola e minare për t’i kthyer në depo e magazina. Xhamia e Dine Hoxhës u përdor nga ndërmarrja e Dekorit të Tiranës për të realizuar pllakatet e ideologjizuara komuniste.
Nga data 11 prill 1967 ndalohet ligjërisht ushtrimi i Fesë Islame në territorin e Republikës së Shqipërisë deri më 16 nëntor 1990, kur edhe fillojnë përpjekjet e para për ringritjen e Komunitetit Musliman, pas 23 vjet e 7 muajsh ndërprerje të detyruar.

* Ky shkrim është botuar në revistën Kibla, 1, 2017.

[1] Hoxha, Enver. Praktikat fetare t'i luftojmë me frymën patriotike dhe revolucionare të masave, 27 shkurt 1967, Vepra 35; IML-8 nëntori 1982, fq. 105.
[2] Hoxha, Enver. Komunistët të udhëheqin me shembullin, me sakrificat, me punën e tyre vetëmohuese; 2 mars 1967; Vepra 35, IML- 8 Nëntori 1982; fq. 131.
[3] Hoxha, Enver. Partia asgjë nuk mund të zgjidhë drejt, jashtë masave dhe pa ndihmën e tyre, 22 mars 1967; Vepra 35, IML- 8 Nëntori 1982; fq. 138.
[4] Po aty, fq. 138.
[5] Po aty, fq. 140.
[6] Hoxha, Enver. Në luftën kundër besimeve fetare ka vetëm një rrugë- punë politike, ideologjike, bindje 7 prill 1967, Vepra 35; IML- 8 nëntori 1982, fq. 226
[7] Hoxha, Enver. Sa më shpejt t'i zhdukim zakonet prapanike, aq më shumë do të lulëzoje malësia 2 shtator 1967; Vepra 36, IML- 8 Nëntori 1982, fq. 224.
[8] Hoxha, Enver. Praktikat fetare t'i luftojmë me frymën patriotike dhe revolucionare të masave, 27 shkurt 1967, Vepra 35; IML-8 nëntori 1982, fq. 106-107.
[9] Po aty, fq. 112.
[10] Gjoni, Xhelil. Me shpatën e mprehtë të ideologjisë së Partisë kundër ideologjisë fetare, paragjykimeve, bestytnive e zakoneve prapanike, Zëri i Popullit, 8 shkurt 1967, fq. 1.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit