Burmali Xhamia


Burmali xhamia dhe realiteti i shqiptarëve


(Shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të jenë të përjashtuar nga jeta qytetare dhe planet e zhvillimit. Burmali Xhamia është ende një ëndërr për ta dhe tashmë është prekur i gjithë komuniteti shqiptar me mosdhënien e lejes për rindërtimin e Burmali Xhamisë.)


Video-prezantimi i projektit “Shkupi 2014” i paraqitur nga Komuna Qendër e Shkupit, ku parashikohet vendosja e ndërtesës së administratës së qytetit në vendin ku dikur ka ekzistuar Xhamia Burmali ka nxitur shumë reagime. Nga Këshilli për rindërtimin e Xhamisë Burmali thonë se video-prezantimi i projektit ishte një mesazh i zymtë për qytetarët, meqë aty nuk është përfshirë asnjë kulturë dhe civilizim që nuk është maqedonas dhe ortodoks. Ishte pikërisht ky projekt që sjell në vëmendjen tonë një realitet krejtësisht të hidhur që po përjetojnë Shqiptarët në tre qytete shumë të rëndësishme për Ballkanin dhe për harmoninë e tij. Shqiptarët në tre qytete shumë të rëndësishme ku jetojnë ata përballen me të njëjtin problem, në Tiranë për Xhaminë e Madhe, në Prishtinë po ashtu për një Xhami të Madhe, kurse në Shkup për të mirënjohurën Burmali Xhami. Megjithëse popullsia muslimane përbën shumicën në të dy kryeqytetet shqiptare, Prishtinën dhe Tiranën, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe presionit të publikut të gjerë kërkesat nuk kanë marrë ndonjë përgjigje të kënaqshme. Gjithashtu projekti “Shkupi 2014” nuk mund të bëhej më i keq se ai që u paraqit, duke shkaktuar shqetësimin dhe zemërimin e krejt shqiptarëve në Maqedoni dhe duke u bërë një gjenerues tensionesh të reja të panevojshme etnike në një shtet të ri multinacional. Tashmë edhe BDI-ja, partia shqiptare në pushtet, është shprehur kundër këtij projekti famëkeq, po ashtu edhe parti të tjera janë shprehur kundër këtij projekti, si dhe kundër disa projekteve të mëhershme të zbatuara nga Komuna Qendër e Shkupit.

Por ajo që është shqetësuese nga e gjithë kjo histori është shovinizmi ekstrem që po tregojnë partia maqedonase në pushtet, jo vetëm me projektin e Burmali Xhamisë. Janë një sërë veprimesh arbitrare të qeverisë maqedonase në pushtet, me gjuhën maqedonase të detyrueshme për të gjithë në shkollat fillore etj., normalisht edhe projektet e zhvillimit çuditërisht mbulojnë vetëm zonat ku ka maqedonas dhe vendbanimet shqiptare diskriminohen. Marrëveshja e Ohrit tashmë nuk po zbatohet dhe tashmë ndjenjat e muslimanëve shqiptarë që jetojnë në Maqedoni vazhdojnë të lëndohen pikërisht në një nga komponentet më të ndjeshme për ta fenë.

Ngjashëm më Burmali Xhaminë për të cilën nuk po jepet leje po ndodh edhe me dy projekte të tjera të rëndësishme në Prishtinë dhe në Tiranë. Pushteti lokal dhe komunitetet muslimane gjegjëse nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për t’iu dhënë Muslimanëve të kryeqytetit të tyre kënaqësinë e të falurit në një xhami të madhe. Ndërkaq dy komunitete të krishtera në të dy kryeqytetet janë në përfundim të dy kishave katedrale pavarësisht numrit të besimtarëve në këto qytete. Me të drejtë komunitetet muslimane të këtyre qyteteve ndjehen të izoluar dhe të përjashtuar nga jeta aktive qytetare, megjithëse ato janë tepër të rëndësishme në kuadrin e tolerancës dhe harmonisë fetare në vend.

Çfarë pritet të ndodhë, nuk e dimë, por ajo çka ndodhur deri tashti nuk është se na jep zemër, apo të na frymëzojë me optimizëm. Gjithashtu edhe opinioni publik me mekanizmat e veta duhet të jetë më i pranishëm dhe më këmbëngulës në mekanizmat e vendim-marrjes. Ndërkaq një seri grupimesh janë shfaqur në facebook në sensibilizimin e problemit të rindërtimit të Burmali Xhamisë, ku janë anëtarësuar me mijëra anëtarë dhe ku kërkohet më këmbëngulje rindërtimi i saj. Një komitet për rindërtimin e Burmali Xhamisë është ngritur dhe po bën përçapjet e veta në këtë drejtim. Po ashtu edhe për Tiranën e Prishtinën, por më sensibël problemi shfaqet në Shkup. Reagimet për projektin "Shkupi 2014" vazhdojnë edhe pas më shumë se dy javësh, që nga prezantimi i një videoje që tregonte se si do të dukej Shkupi pas përfundimit të ndërtimeve të parashikuara. Veç debatit politik dhe etnik, projekti ngre dilema edhe për financimin e tij. Ai do të kushtojë disa dhjetëra milionë euro, ndërkohë që ndërmerret në një periudhë kur Maqedonia është në vështirësi ekonomike. Le të shpresojmë për më të mirën.

Roald A. Hysa

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit