Shqiponja


Histori e shqiponjës dy-krerëshe



Roald A. Hysa
Shqiponja është një nga simbolet totemike më të përdorura nga shumë popuj dhe perandori. Ajo është përdorur qysh nga preritë e Amerikës Veriore, duke qenë objekt adhurimi për indianët vendas deri në malet e Andeve, ku Inkasit i kanë përdorur pendët e shqiponjës, dhe akoma i përdorin në ato vende, si monedhë shkëmbimi. Te popujt nomadë ka qenë objekt identifikimi dhe adhurimi. Shqiponja amerikane sot është një nga shpendët, që ruhet si objekt i rëndësisë kombëtare nga Qeveria e SHBA-së. Shqiponja romake ka qenë simbol i legjioneve romake, duke u përhapur në tre kontinente Evropë, Afrikë e Azi. Edhe te popujt e Azisë ka qenë i përhapur ky simbol, madje edhe sot e kësaj dite, për kazakët është sport kombëtar gjahu me shqiponja të stërvitura. Interesimi ynë ndalet tek shqiponja dy-krerëshe dhe simbolika e saj.
Shqiponja dy-krerëshe është një simbol tejet i zakonshëm në heraldikë dhe në veksikologji (disiplina që merren me studimin e emblemave, stemave dhe simboleve). Në heraldikën bizantine kokat përfaqësojnë sovranitetin dual të Perandorit (shekullar dhe fetar) dhe/ose mbisundimin e Perandorëve Bizantinë mbi të dyja pjesët e perandorisë, Lindjen dhe Perëndimin. Në heraldikën e Perandorisë së Shenjtë Romake-Gjermane ajo përfaqëson Kishën dhe Shtetin. Kombe të ndryshme të Evropës Lindore e morën shqiponjën dy-krerëshe nga Bizantinët dhe vazhdojnë ta përdorin si simbolin e tyre kombëtar edhe sot, dhe më të shquarit prej tyre janë Serbia dhe Rusia. Kostandinopoja u bë pasuesja e Romës dhe Bizantinët vazhduan të përdorin motivin e vjetër perandorak të shqiponjës “një-krerëshe”. Kjo shqiponjë ka qenë simboli kryesor, që iu paraprinte legjioneve romake në luftë dhe në marshime.
Megjithëse rrënjët e transformimit në “dy-krerëshe” janë pothuajse të lidhura me vizatimet antike në Azinë e Vogël, detajet se si ajo u përshtat janë edhe sot ende të paqarta. Megjithatë ajo kishte hyrë në përdorim që në shek. X. Sipas teorive më mbizotëruese, shqiponja një-krerëshe u modifikua në dy-krerëshe nga perandori bizantin Isak I Komneni (1057-1059), i cili u ndikua nga traditat lokale të vendlindjes së tij Paflagonia në Azinë e Vogël përreth një kafshe mitike. Legjendat lokale rrëfejnë rreth një shqiponje gjigande me dy kokë, e cila me shumë lehtësi mund të mbante një dem me kthetrat e saj; dhe kjo kafshë mitike shihej si simbol i fuqisë dhe “mund të thirrej” për mbrojtje. Isak Komneni, i ndikuar thellësisht nga këto besime, e kishte përdorur këtë si emblemën e familjes. E kështu në vazhdim u përdor si simbol i fuqisë dhe i pushtetit nga Perandoria Bizantine më pas.
Për herë të parë në perëndim shqiponja dy-krerëshe përmendet më 1250 në një listë armësh të Mateut të Parisit për perandorin Frederik II të Perandorisë së Shenjtë Romake-Gjermane. Zakonisht pikturohej e zezë në një sfond të artë dhe ajo zëvendësoi shqiponjën një-krerëshe të mëparshme, ku më pas u përshtat si stemë e shumë qyteteve dhe familjeve aristokratike gjermane. Pas shpërbërjes së Perandorisë së Shenjtë Romake-Gjermane më 1806 shqiponja dy-krerëshe u mbajt nga Perandoria Austro-Hungareze, dhe shërbeu gjithashtu si stemë e Konfederatës Gjermane.
Pas rënies së Bizantit më 29 maj 1453 dhe disfatës që perandori Kostandini XI pësoi nga Mehmet Ngadhënjimtari, Shqiponja dy-krerëshe u mor si simbol nga Ivani III Cari i Rusisë pas martesës së dytë të tij me mbesën e Kostandinit Zoe Paleologinan. Kështu, kjo shqiponjë ishte përdorur si stemë edhe nga Cari Bullgar Ivan Aleksandër (1331-1371). Po ashtu u mor nga Nemanjiçët, dhe dinastitë mbretërore serbe të vonshme.
Siç mund të vërehet, shqiponja dy-krerëshe u bë një nga simbolet heraldike më të përhapura në të gjithë Evropën, që nga Mesjeta e deri në kohët moderne. Ajo është përdorur gjithashtu si simbol i derës së Kastriotëve dhe Muzakëve, duke na treguar kështu që edhe princat arbëreshë e epirotë nuk bënë ndonjë përjashtim në këtë drejtim.

Kalimi i shqiponjës dy-krerëshe te princat arbëreshë

Një nga njerëzit më të shquar të kohës së tij në shek. XIV ka qenë edhe Princ Andrea II Muzaka i Muzakias (prej këndej Myzeqe). Me ndihmën e Balshajve dhe aleatëve të tjerë të tij si: Arianitët, Matrengët, ai theu në vitin 1370 pranë Kosturit Mbretin Serb Vukashinin, që ishte zotërues i Kosovës dhe i Maqedonisë Perëndimore (Histori e Popullit Shqiptar. Tiranë 2002, fq. 294). Pas kësaj fitoreje të bujshme Perandori Bizantin Joani V Paleolog i konfirmoi A. Muzakës titullin e despotit (Princit), duke i dhuruar stemën perandorake Bizantine, siç ishte shqiponja e zezë me dy krerë e me yll në mes vendosur në një fushë të artë. Kjo zëvendësoi emblemën e hershme të Muzakajve, e cila paraqiste një burim që shpërthente nga toka dhe ndahej në dy rrjedha, duke patur një pishtar në mes. Këtë ndërrim simbolesh humanisti shqiptar Gjon Muzaka e pasqyron kështu në Memorialin e tij. “Duhet ta dini se qysh nga kohët antike stema e derës tonë ka qenë një krua i gjallë, i cili rridhte në tokë me dy rrjedha në dy anë…. Pastaj kanë patur shqiponjën me dy krerë të kurorëzuar me një yll në mes”. (Gjon Muzaka. Memorie. Tiranë 1996. fq. 24). E pas këtij pasazhi të parë nga i njëjti burim mund të përmendim, se në Kishën e madhe të Frankavilës në Otranto (Itali) ndodhet një tjetër epitaf i gdhendur mbi pllakën e varrit të Despotit Gjon Muzaka. “I Plotfuqishmi Jezu të falet këtu Gjon Muzaka, i biri i Gjin Despotit, Zot i Myzeqesë dhe i Epirit që nga qytetit i Bizantit trashëgoi shqiponjën dy krerëshe që mbante në flamur”.

Skënderbeu dhe Flamuri i Pavarësisë

Deri më sot shumica e shqiptarëve mendojnë se flamuri i tyre është flamuri i Skënderbeut, pa e ditur origjinën e tij. Edhe sot ne nuk e dimë me saktësi, se kur Skënderbeu e përdori si simbol të shtetit të tij shqiponjën dykrerëshe. Njihet fakti se këtë simbol ai e huazoi nga Muzakajt, duke e zëvendësuar stemën që kishte trashëguar nga i ati Gjoni. Ky i fundit përdorte si stemë figurën e një princi (burri) me flokë të gjatë dhe togë (Gjin Varfi, Heraldika Shqiptare. Tiranë 2000, fq. 27). Shqiponjën dy-krerëshe e kanë përdorur si simbol të tillë edhe Arianitët, Cernojeviçët e Zetës, Lek Dukagjini etj.
Për herë të parë në histori emblema e Gjergj Kastriotit me shqiponjën dy-krerëshe shfaqet në vitin 1451. Ajo paraqitet në një libër uratash që iu dhurua Skënderbeut nga Alfonsi V, Mbreti i Napolit me rastin e nënshkrimit të traktatit të Gaetës 26 Mars 1451. (Gj. Varfi. Heraldika Shqiptare, fq. 32). Ai ju dorëzua ambasadorëve të Skënderbeut, që e nënshkruan këtë traktat, Peshkopit Stefan të Krujës dhe at Nikola Bergucit nga Protonoteri i Alfonsit Arnaldo Fonoleda.
Simboli përfaqësues i shtetit të Skënderbeut del përsëri në një katalog Venecian stemash në vitin 1463, kur Gjon Kastrioti i biri i heroit mori titullin “Fisnik i Republikës”. (Akademia e Shkencës, Historia e Popullit Shqiptar, fq. 434). Po kështu ky simbol ruhet i gdhendur në varrin monumental të Kostandin Kastriotit, ndërtuar në vitin 1500 nga gjyshja e tij Donika, në kishën e Shën Mërisë së Ëngjëjve në Napoli (Itali). Njëlloj si në flamur Skënderbeu e përdori shqiponjën dy-krerëshe me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë cepa sipër, edhe në vulën e tij të madhe, të cilën e përdorte në dokumentet zyrtare. (Historia e Popullit Shqiptar, fq. 433). Ndërkohë kur Kastriotët u larguan në Itali pas vdekjes së Skënderbeut me 17 Janar 1468, ata jo vetëm e ruajtën simbolin e tyre, por e përdorën gjerësisht atë si stemë të tyren.
Midis viteve 1880-1895, Zef Skiroi e më vonë Anselmio Lorekio, në të përmuajshmen e tyre arbëreshe e botuan thuajse në çdo numër, këtë emblemë si flamur të Shqipërisë, ndërsa pas vitit 1900, atë e vë edhe Faik Konica në të përmuajshmen e tij Albania në Bruksel. “Në Shtator 1909 së bashku me djelmërinë e qytetit (Vlorës) unë organizova në shtëpinë time shfaqjen e dramës Pirrua të Mihal Gramenos… . Ku ngrita për herë të parë flamurin shqiptar…. Në kohën e kryengritjes së malësorëve Katolikë në vitin 1911, në Cetinjë mbërritën vullnetarë arbëreshë për t’u bashkuar me kryengritësit, e që për herë të parë mbanin një flamur kombëtar… (Eqrem Bej Vlora. Kujtime, Tiranë 2003, fq. 313).” Më pas do të ishte vajza vlonjate Marigo Pozio, e cila do të qëndiste një flamur me shqiponjën dy-krerëshe, duke pasur si model flamurin e don Aladro Kastriotit pretendent i kurorës mbretërore shqiptare, që ia kishte dhuruar Eqerem bej Vlorës. Më pas çdo gjë dihet dhe historiku i flamurit shqiptar është i dokumentuar tërësisht.
Nga sa shihet më sipër adaptimi i shqiponjës dy-krerëshe në flamujt e perandorive dhe mbretërive të ndryshme me kalimin e kohës u bë për të treguar lidhjet e vjetra dhe trashëgiminë mbretërore e aristokratike të familjeve mbretërore. Për të mbështetur pretendimet e tyre aristokratike dhe antike ka qenë trendi i shumë shteteve të reja, që u ngritën në shek. XIX me ndihmën e Anglisë, Francës dhe më pas të Gjermanisë. Po e njëjta rrugë u ndoq edhe nga Baballarët e Pavarësisë së Shqipërisë, të cilët e huazuan atë nga Skënderbeu, si simbol edhe i rezistencës ndaj Turkut, prej të cilit tashmë nuk kishte mbetur gjë veçse të shkëputeshin përfundimisht.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit