Publicistike


Disa tituj të shkrimeve që do t’i gjeni më poshtë për t’i lexuar dhe që janë botuar nëpër gazeta e revista të ndryshme:

ü Vlerat e xhamisë si institucion shpirtëror e social për shqiptarët

ü Tendencat globalizuese panevropiane dhe logjika e pushtetit

ü Shteti i parë nacionalist shqiptar dhe historia moderne

ü Ndryshimi i strukturës konfesionale ndër shqiptarët

ü Mbulesa e Femrës Muslimane dhe ligjet që abuzohen vazhdimisht

ü Feja në shoqërinë bashkëkohore

ü Shoqëria shqiptare e tranzicionit

Vlerat e xhamisë si institucion shpirtëror e social për shqiptarët

Roald A. Hysa

(Nga Namazgjaja e Tiranës e deri tek Bajrakli Xhamia e Prizrenit historia e këtij vendi ka heshtur për rolin e posaçëm dhe shumë të rëndësishëm që kanë luajtur këto institucione. Vendosja e përfundimtare e kufijve pas Luftës së Dytë Botërore dhe Lufta e Ftohtë më pas ndikuan në fshehjen e së vërtetës.)

Xhamia është një nga institucionet më të vyera të Islamit dhe jo vetëm nga pikëpamja shpirtërore, por edhe nga pikëpamja shoqërore. Në çastet më të vështira që ka kaluar kombi shqiptar do të gjesh se ka qenë pikërisht xhamia, apo namazgjaja vendi publik ku janë mbledhur paria e këtij vendi dhe kanë diskutuar gjerësisht për hallet dhe problemet e ndryshme. Le të kujtojmë këtu Toptanasit e Tiranës, të cilët e ngritën Namazgjanë dhe e kthyen në vakëf edhe për ta larguar influencën e Esnafit të Tabakëve, të cilët mbledhjet e tyre publike i bënin te një rrap në fillim të rrugës së Shëngjergjit. Po ashtu edhe xhamitë e lagjeve kanë shërbyer për qëllime të tilla, pra, si elemente bashkimi të komunitetit, të lagjes dhe më gjerë. Por xhamia ka luajtur edhe një rol më të gjerë se sa ai komunitar, apo qytetar siç na e tregon edhe historia e kombit tonë, dhe jo vetëm xhamia, por edhe hoxhallarë të shquar e muderrisë, të cilët kanë dhënë një kontribut të shquar në Lëvizjen Kombëtare dhe në pavarësinë e vendit. Viti 1878 do të ishte një vit tepër i rëndësishëm për historinë moderne të Shqiptarëve, vit kur trevat shqiptare do të shiteshin e do të bliheshin nga fuqitë evropiane të kohës. Ndërkaq në Prizrenin e shquar për tradita të fuqishme fetare do të mblidheshin burra nga të gjithë trevat shqiptare dhe do të themelonin Lidhjen e Prizrenit, e cila do të kthehej në pishtarin e luftës për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Jo rastësisht mbledhjet për themelimin e këtij institucioni të rëndësishëm për historinë mbarëshqiptare do të zhvilloheshin në Bajrakli Xhaminë e Prizrenit, qytet ky mbushur përplot me xhami shumë të vjetra e tradita fetare islame, ndërsa kryetar i kësaj Lidhje do të zgjidhej muderrisi dhe një figurë e shquar njëkohësisht haxhi Ymer Prizreni. Një hoxhë i mirënjohur në qytet, muderris pranë medresesë së kësaj xhamie dhe që do të bëhej figurë e shquar jo vetëm si mësues, por edhe si politikan në shërbim të Lëvizjes Kombëtare, kur është nevojitur edhe me pushkë në dorë ky hoxhë ka luftuar. Historia jonë në më të shumtën e rasteve ka heshtur rreth këtyre fakteve, ose i ka anashkaluar ato. Shumë hoxhallarë iu bashkëngjitën Lëvizjes Kombëtare dhe më pas Luftës për Pavarësi të kryesuar nga Ismail bej Qemali. Këtu mund të përmendim Hoxhë Vokën, hafiz Ali Krajën, hafiz Ali Korçën, hafiz Ibrahim Dalliun, hafiz Abdulla Zëmblakun, haxhi Vehbi Dibrën (kryetari i parë i Shtetit Shqiptar), hafiz Sherif Langu e shumë figura të tjera, të cilat kanë dhënë kontributin kryesor në luftën për Pavarësi, në ngritjen dhe konsolidimin e Shtetit Shqiptar, si dhe në ruajtjen e traditave të vyera të këtij kombi në kohët më të errëta të historisë tonë moderne. Kontributi i tyre fillon që nga Lufta e parë Ballkanike, Lufta e parë dhe e dytë Botërore e më pas gjatë Luftës së Ftohtë nën regjimet komuniste të Tiranës dhe Beogradit, të cilët me shumë dëshirë deshën ta shuanin dritën e Zotit në trojet shqiptare. Çdo qytet shqiptar mund të mburret me xhaminë e vet, e cila ka qenë dhe mbetet simboli përfaqësues i saj, xhamia e Plumbit në Berat e Shkodër, xhamia Mbret në Elbasan, Muradie në Vlorë, Bajrakli Xhamia në Prizren, e Katër Llullave në Prishtinë, xhamia e Larme në Tetovë, xhamia e Jahja Pashës në Shkup, e Iliaz pashë Mirahorit në Korçë, e Et’hem beut në Tiranë e shumë e shumë të tjera. Kjo e fundit me gjithë përmasat familjare që ka u kthye në xhaminë simbol të Tiranës prej historikut që mbart mbi vete dhe me këtë xhami që i mbijetoi shkatërrimit komunist krenohen të gjithë tiranasit. Këto gjëra duhet t’i kenë parasysh historianët dhe politikanët tanë pavarësisht se shtetet ku janë të vendosur sot shqiptarët janë shtete laike. Ato nuk paraqesin vetëm vlera arkitektonike, por edhe historike, sepse po të shihen emërtimet e tyre dhe të studiohet mirë toponimia, ne do të vërenim se ato janë mirëfilli shqiptare për nga projekti dhe konstruksioni. Ndërkaq tashmë kohët kanë ndryshuar dhe kanë nisur të ndërtohen edhe xhami të reja. Një xhami relativisht e re është Xhamia e Madhe e Durrësit e ndërtuar gjatë regjimit të mbretit Zog, po ashtu tashti pas mbarimit të Luftës së Ftohtë kemi dy xhami të mëdha të ndërtuara në Shkodër, po ashtu edhe në trojet shqiptare në Maqedoni e Kosovë, por asnjëra nuk ka arritur të marri domethënien historike që paraqet Bajrakli Xhamia e Prizrenit, apo ndonjë tjetër.

Ka ardhur koha që dy metropolet më të mëdha politike të shqiptarëve t’i përshtaten kohëve të reja, të cilat kanë nevojë edhe për ushqimin shpirtëror që paraqet institucioni i xhamisë, por edhe për kohezionin e fuqishëm social që krijon ky institucion. Ndaj Tirana si kryeqytet i shqiptarëve e ndjen nevojën e një xhamie të madhe moderne të pajisur sa më mirë në paraqitjen e jashtme dhe të brendshme të saj.

Tendencat globalizuese panevropiane dhe logjika e pushtetit

(Pa e ditur se kush jemi, ku kemi gabuar dhe se çfarë po bëjmë, nuk mund të projektojmë një të ardhme, ku shqiptarët do të kenë vendin e tyre. Nacionalizmi romantik dhe tendencat globalizuese të pushtetit në ideologjitë e sotme bashkëkohore.)

Logjika perandorake e pushtetit është logjika më e thjeshtë e ushtruar që në fillimet e organizimeve më të thjeshta shtetërore të njerëzimit. Kjo logjikë nuk ka të bëjë me ideologjitë e ndryshme mbizotëruese të kohëve të ndryshme. Ajo ka të bëjë kryesisht me ushtrimin e pushtetit nga lart poshtë dhe anasjelltas dhe marrëdhëniet e varësisë dhe të vasalitetit, por që kahja kryesore është nga lart-poshtë. Tashmë sistemi perandorak apo siç mund të njihet rëndom nga njerëzit ai monarkik, nuk është më mbizotëruesi. Fundi i mbizotërimit të sistemit monarkik të pushtetit është ndërmjet dy luftërave të mëdha botërore dhe mbarimit të tyre. Kështu në Ballkan fundi i këtij sistemi daton me ardhjen në fuqi të komunistëve në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore, kur dihet fare mirë që ideologjia komuniste aplikon formën republikane të regjimit të pushtetit, pra, formën jo të trashëgueshme. Ndërkaq proceset degraduese ideologjike shkuan në favor të platformave nacionaliste, ku fryma shoviniste e mbizotëroi arenën e politikës evropiane dhe botërore. Ishte pikërisht ideologjia nacionaliste ajo që e shthuri Perandorinë Osmane, e cila u ndihmua edhe nga Perëndimi dhe etja për reforma e shtetarëve të këtij formacioni të stërmadh perandorak. Për të mbuluar thelbin e vërtetë të ndryshimeve reformatore u përdor teoria e Osmanëve të Rinj, e cila në vetvete ngërthente ideologjinë nacionaliste të huazuar nga Evropa e përparuar, por e veshur me një qyrk ndërnacionalit apo ndëretnik. Më pas do të kemi daljen në skenë të Turqve të Rinj, të cilët ishin të pajisur dallueshëm me ide nacionaliste, por brenda një perandorie multietnike dhe multifetare. Dështimi i tyre nuk do të ishte vetëm në aspektin ideologjik, por edhe në atë politik dhe administrativ e ekonomik nga ku e kishin futur perandorinë një seri sulltanësh të dobët. Ndërkaq edhe nga pikëpamja kohore perandoritë tashmë e kishin mbyllur ciklin e tyre historik dhe fundi i Luftës së Parë Botërore solli edhe fundin e pashmangshëm të tyre, si dhe mbizotërimin e shteteve nacionale. Në këtë prizëm arena politike botërore u copëzua ndjeshëm, saqë edhe sot e kësaj dite shumë kombe po i vuajnë pasojat e kësaj ideologjie dhe politike së bashku. Praktikisht dominimi i kësaj ideologjie dhe politike solli edhe Luftën e Dytë Botërore dhe u pa se këto ideologji në kuadrin e një dominimi botëror nuk kishin të bënin aspak me këtë realitet nacionalist, madje përbënin një pengesë tepër serioze, e cila u vu re me krijimin e dy formacioneve më të mëdha politiko-ideologjike: Bllokut Lindor dhe Bllokut Perëndimor. Shumë shpejt u vu re se shtetet nacionale me politikat e tyre krijonin pengesa dhe ruanin mëritë e vjetra. Pengesat kishin të bënin me lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave, pra, pengesat ishin vizat e kalimit të kufirit dhe kontrollet doganore, ndërsa mëritë e vjetra ekzistonin brenda të dy blloqeve dhe nuk mund t’i fshinin kollaj ideologjitë komuniste dhe ato nacionale, pavarësisht se kishin dalë në skenë dy ideologji me elemente përbashkuese, ajo e kozmopolitizmit në njërën anë dhe e internacionalizmit proletar në anën tjetër. Kështu presidenti gjermano-perëndimor Adenauer dhe ai francez De Gol arritën më në fund pas kaq vjetësh urrejtje të theksuar nacionaliste të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me firmosjen e një marrëveshje, që do t’i jepte fund kufijve nacionalë të mosmarrëveshjeve (Alzasa dhe Lorena). Po ashtu pasuan një seri marrëveshjesh që kishin të bënin me ngritjen e një Tregu të Përbashkët Evropian, e cila do të zhdukte pak nga pak kufijtë ekonomikë nacionalë. Nga ana tjetër mëritë e vjetra ruse-polake apo ruse-rumune u shuan nga ideologjia komuniste e internacionalizmit proletar dhe e sovjetizimit të pushtetit, por që në thelb ruante logjikën perandorake të pushtetit, ashtu siç po ndodhte në krahun tjetër, atë perëndimor. Marrëveshjet politiko-ushtarake të të dy Blloqeve (NATO dhe Traktati i Varshavës) u pasuan kështu edhe nga krijimi i marrëveshjeve ekonomike ndërnacionale të brendshme, si dhe krijimin e tregjeve me influenca të theksuara po ashtu politiko-ideologjike, Tregu i Përbashkët Evropian nga njëra anë dhe KNER-i nga ana tjetër. Mirëpo dështimi i Bllokut Lindor do të ishte i pashmangshëm edhe për shkak të ideologjisë me të cilën ai kërkonte të përfaqësohej dhe fundi do të vinte pikërisht kur ky bllok deshi të reformohej, ndërkaq vetëm kjo ideologji nuk ka se si ta pranojë reformën. Ndërsa vendet e Tregut të Përbashkët kanë kaluar në një shkallë tjetër organizimi, në atë politike, duke u përpjekur kështu për një organizëm të ri politik mbinacional, Bashkimin Evropian. Ky proces nuk e ka arritur kulmin e tij, por tashmë një pjesë e mirë e kufijve politikë kanë rënë në kuptimin e lëvizjes së lirë njerëzore dhe për pasojë edhe të mallrave, duke krijuar kështu një zgjerim të tregjeve dhe formimin e tregjeve të rinj rajonalë. Pra, integrimi i tregjeve dhe lëvizja e lirë sot janë kryefjala e kohës, të cilën ne të gjithë duhet ta kemi parasysh, nëse me të vërtetë duam që të mbijetojmë. Suksesi qëndron në proceset integruese tregtare e politike dhe jo vetëm pse jemi shqiptarë, për më tepër si të tillë nuk kemi se çfarë të eksportojmë.

Shteti i parë nacionalist shqiptar dhe historia moderne

(Kush e ngriti shtetin e parë shqiptar, kjo do të ishte një pyetje me vend për të gjithë shqiptarët, nëse do të flisnim për një nga temat e historisë që kanë nevojë për një rishikim historik objektiv të historianëve. Gjithashtu kush ishin protagonistët dhe kush i ftoi në këtë kauzë të gjithë ata!)

Një nga temat më të rrahura dhe më të përfolura kohët e fundit mbi rishikimin objektiv të historisë është ajo e figurës së Skënderbeut, e cila në thelbin e saj si figurë pothuajse nuk është prekur pavarësisht nga pretendimet e atyre që po e mbrojnë figurën e heroit tonë kombëtar nga sulmet e jashtme. Ndërkaq një studim objektiv i vetë shqiptarëve për elementin musliman dhe kontributin e tyre në ngritjen e shtetit të parë shqiptar të vitit të trazuar 1912 ende nuk mund të thuhet se ka. Pavarësisht se elementi musliman përbën shumicën dërrmuese të trojeve tona ndikimi i tij në jetën e përditshme shqiptare nuk është theksuar sa duhet nga studiuesit. Një nga ndjenjat që ka kontribuuar më shumë në mosmarrjen e nismës në këtë fushë është ajo e inferioritetit karshi komuniteteve të tjera, si dhe ngritja e një doktrine nacionaliste mbi bazën e thënies së Vaso Pashës: “Feja e Shqiptarit është Shqiptaria”. Po ashtu duke qenë se elementi musliman nacionalist në themel të Lëvizjes Kombëtare nuk vuri dallimin fetar, por u mundua që të mos bëjë diferencime në asnjë mënyrë. Duke përfituar nga ky moment elementi i krishterë u mundua të fitojë terren dhe zuri pozicione të rëndësishme në qeverisjen e parë shqiptare pas ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë. Pavarësisht nga kundërshtimet dhe vështirësitë që hasi qeveria e Vlorës mund të themi se politikanët protagonistë që zunë postet qeveritare ishin njerëz me shumë influencë në popull dhe kishin një të shkuar të rëndësishme si funksionarë të lartë të administratës osmane dhe me një të kaluar tepër aktive si politikanë, administratorë, ushtarakë e diplomatë osmanë. Meqenëse ishin të angazhuar në jetën politike osmane në forma të ndryshme kuptohet qartë se ishin edhe të azhurnuar me ndryshimet politike të kohës, e për pasojë ky grup njerëzish me influencë arritën në përfundimin se ngritja e flamurit kombëtar dhe shpallja e pavarësisë ishte një imperativ i kohës kur po jetonin.

Gjithashtu përqindja muslimane në qeverisjen e Ismail Qemalit ishte shumë e lartë dhe në qeverisjen zinin poste të rëndësishme Luigj Gurakuqi si katolik dhe Lef Nosi si ortodoks. Ndërsa në të gjitha nivelet e tjera të qeverisjes mbizotëronte gjerësisht elementi musliman. Po ashtu edhe gjatë gjendjes transitore deri në ngritjen e shtetit shqiptar nga Sulejman bej Delvina ishin paria lokale muslimane së bashku me kastën e hoxhallarëve dhe të shejlerëve ajo që mori në dorë fatet e vendit dhe e ruajti atë nga dëmet që mund t’i vinin nga të gjitha anët e mundshme në ato kohë të trazuara lufte dhe paqartësish ndërkombëtare. Gjithsesi neve na duhet t’i jemi mirënjohës përpjekjeve titanike të të gjithë patriotëve shqiptarë brenda trojeve etnike, si dhe atyre të diasporës shqiptare ballkanike, evropiane e më gjerë deri edhe në Amerikë, që dhanë kontributin e tyre politik e financiar në kalimin e krizës së Luftës I Botërore. Konsolidimi i Shtetit Shqiptar gjatë periudhës 1920-1929 e vuri elementin musliman përpara një zgjedhje të papëlqyeshme, ku në shumë raste laicizmi i shtetit u interpretua si ateizëm megjithëse problemet u trajtuan me kujdes, si dhe klasa e bejlerëve muslimanë u atakua si e prapambetur politikisht e shoqërisht konfrontuar me reformat evropianizuese që kërkoheshin. Një ndikim të madh në këto zhvillime pati edhe doktrina kemaliste, që vinte nga një ringritje e një shteti turk me të cilin deri dje kishim pasur lidhje të ngushta, jo vetëm shtetërore, por edhe shpirtërore. Në këto çaste e rëndësishme ishte edhe ngritja e Komunitetit Musliman Shqiptar në vitin 1923 nën drejtimin e Haxhi Vebi Dibrës një nga figurat më të shquara në ngritjen e flamurit kombëtar në Vlorë së bashku me Ismail bej Qemalin. Gjithashtu gjatë një periudhe mungese tre-mujore, gjatë një turi evropian të Ismail bej Qemalit ishte Haxhi Vebi Dibra ai që e zëvendësoi atë dhe njëkohësisht u bë organizatori kryesor i rezistencës shqiptare në trojet tona në verilindje të vendit. Një rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrave të brendshëm ka pasur edhe institucioni i Këshillit të Naltë të Gjyqit të Sheriatit i bazuar në Mexhelenë, një konstitucion, i cili u zëvendësua vetëm në vitin 1930 pas reformave të thella shtetërore të ndërmarra nga administrata e re e mbretit Ahmet Zogu. Ky institucion u drejtua për një kohë të gjatë nga rilindësi i shquar Hafiz Ali Korça. Reformat e viteve 1930 e sidomos ato të pas viteve 1945, ku çdo gjë fillonte me PKSH-në e mbaronte me atë përfunduan që ndikimi i elementit musliman në jetën e përditshme dhe politike u shua gradualisht. Ndërkaq askush nuk mund të thotë se ndikimi i tij ka qenë i vogël dhe vazhdon të jetë i tillë. Studimet në këtë drejtim nuk duhen lënë pas dore dhe vazhdimisht do vënë theksi, sidomos deri në vitin 1967, kohë deri kur komunitetet fetare luanin një rol të rëndësishëm në jetën shoqërore e politike e që më pas u ndaluan me ligj të ushtrojnë ndikimin e tyre në jetën fetare dhe shoqërore të vendit tonë.

Ndryshimi i strukturës konfesionale ndër shqiptarët

A janë kthyer shqiptarët me forcë në Islam?

(Kthimi i shqiptarëve nga të krishterë në muslimanë është bërë shpesh objekt i debateve publike tendencioze, ku shteti osman është akuzuar për konvertime masive me dhunë nëpërmjet taksave, xhizjes e devshirmesë. Historiografia komuniste i ka shtrembëruar faktet e shtyrë nga një metodologji tejet e politizuar, ndërsa sot akoma ka njerëz që i mëshojnë këtyre shtrembërimeve, po ashtu për arsye të tjera të politizuara.)

Ndryshimi i strukturës konfesionale (besimeve) te shqiptarët qoftë të veriut dhe ato të jugut, pra, qysh nga Tregu i Ri që është pika më veriore e deri në Artë e në të gjithë Çamërinë ishte relativisht i ngadalshëm dhe mbetet një habi për të gjithë studiuesit për ndryshimet e mëdha, që solli nga ana demografike për ndjekësit çdo feje. Pas futjes nën sundimin e osmanëve të të gjithë trojeve shqiptare, edhe të atyre pak qyteteve bregdetare që ishin nën kontrollin e venedikasve, u shoqërua natyrshëm edhe me ndryshimin e strukturës konfesionale në të gjithë vendin. Megjithatë na duhet të themi për hir të së vërtetës se sundimi osman nuk ishte ai që solli kontaktet e para me Islamin, që ishte feja dhe doktrina shtetërore dhe ligjore e tyre. Kontaktet me Islamin të shqiptarëve janë shumë më të hershme se kaq dhe ka shumë të dhëna historike. Një nga kontaktet më të hershme dhe që na ve më shumë në mendime është ekzistenca e Xhamisë së Mlikut, e cila sipas një dokumenti të ardhur nga Halepi i Sirisë daton rreth viteve 1205 e deri më 1291[1]. Pra, rreth një shekull më parë se të ndodhte, në mos dhe më tepër, Beteja e Fushë-Kosovës dhe të shfaqeshin turqit osmanë si fuqi e kohës. Sipas disa të dhënave historike kemi edhe rastin e Jakub Shpatës, një nga princat e parë shqiptarë që u kthye e u bë musliman. Hapat e parë drejt islamizimit masiv të shqiptarëve nuk janë bërë prej pushtetit osman, siç mund të paraqitet rëndom nga historianët. Ato janë bërë prej tarikateve të ndryshme, siç mund të përmendim bektashinjtë me Sari Salltëkun në Krujë, në Tetovë Kalkandelët dhe në Janinë teqeja e Sheh Hashimit, të cilët janë vendosur në territoret shqiptare para hyrjes së osmanëve[2]. Duhet pasur parasysh se për të krishterët ortodoksë dhe për muslimanët, integrimi me të krishterët katolikë ishte një poshtërim, rënie në një nivel më të ulët[3]. Vetë osmanët nuk kishin treguar ndonjë interes të veçantë ndaj prozelitizmit të popullsive të krishtera, si dhe përjashtimi i konvertimeve me dhunë nga pikëpamja shtetërore, i dha një kuptim të veçantë parullës së ortodoksëve bizantinë “Më mirë çallma turke, sesa tiara papale”[4]. Sipas të gjitha të dhënave historike ndryshimi i strukturës konfesionale nuk ka qenë i shpejtë dhe ndryshime të ndjeshme janë bërë pas më se një shekulli që sundimi osman zuri vend në trojet shqiptare. Ndërkaq me hyrjen e Mehmet Fatihut në Kostandinopojë, ai arriti një marrëveshje me Patriarkun Ortodoks Genad Skolarin, duke sjellë në jetë kështu sistemin e miletit osman, ku fillimisht përfshiheshin të krishterët armenë, ortodoksët, hebrenjtë dhe muslimanët. Disa historianë arsyet e konvertimit të shqiptarëve i shohin tek taksa e xhizjes, porse sipas regjistrave të xhizjes, në shek. XVI në Ballkan nuk kishte më tepër se 300 konvertime në vit[5]. Një numër jo-domethënës ky. Ndërkaq po të ishte kaq e madhe në sasi taksa e xhizjes, osmanët nuk do të kishin asnjë interes për ta konvertuar popullsinë e krishterë, porse do të kishin tendencën për të ruajtur atë gjendje për të vjelur vazhdimisht xhizjen. Ndërkaq në fqinjët tanë ku mbizotëronte ortodoksia dhe marrëveshjet e sulltan Mehmetit u respektuan nga ana e shtetit osman deri ditën kur pushoi së qeni, nuk pati ndryshime të ndjeshme, kjo edhe për meritë të marrëveshjes së osmanëve me Patriarkanën. Kështu në gjysmën e parë të shek. XVI, Arbëria vazhdoi ta ruante fizionominë e saj të krishterë, procesi i islamizimit eci shumë ngadalë, gjë që tregon se qeveria osmane nuk ndoqi dhunën e drejtpërdrejtë për kthimin e të krishterëve në fenë islame dhe në sanxhaqet shqiptare shtëpitë e krishtera përbënin 98.3%, kurse ato muslimane 1.7%[6]. Ndërsa në gjysmën e dytë të shek. XVI kemi nga 84 qytetet kryesore ballkanike në 60 qytetet më të mëdha mbizotëronin ende të krishterët, ku ritme më të shpejta kanë qytetet shqiptare[7]. Ndërkaq feudalë të mëdhenj nuk u detyruan nga osmanët që të kthenin fenë për të ruajtur zotërimet, porse u përshtatën me sistemin e ri të timareve dhe kështu në regjistrat osmanë do të gjesh deri në dy breza të tjerë timariotë të krishterë[8]. Një nga tezat e ngritura prej disa studiuesve është ajo e kthimit me dhunë nëpërmjet sistemit të devshirmesë, ose e thënë më mirë të marrjes së të krishterëve dhe futja e tyre në repartet e jeniçerëve, apo në shkollat e larta sulltanore, ku përgatiteshin për të shërbyer në pallatet e sulltanëve, apo të funksionarëve të lartë shtetërorë osmanë. Megjithatë le të shohim se çfarë thonë shifrat, ndërkohë që rekrutimi bëhej një herë në tre vjet ose në shtatë vjet dhe merreshin 1.000-3.000 djelmosha[9] në të gjithë Ballkanin, ku kishte më tepër të krishterë. Me lejimin nga ana e Sulltan Muratit III në vitin 1582 të shtetasve osmanë të inkuadroheshin në oxhakun e jeniçerëve, pushon së ekzistuari sistemi i devshirmesë. Sipas të gjithë të dhënave historike mesatarja e kësaj takse në vit shkonte 1.000 djem dhe nga fillimi i zbatimit të këtij sistemi në shek. XV e deri në fund të shek. XVI, numri i djemve të krishterë të rekrutuar është ndërmjet 200.000-300.000 vetëve. Pra, siç mund të shihet se edhe kjo tezë e humbet vlerën e vet nga pikëpamja kohore, e sipërfaqes së madhe gjeografike ku kryhej rekrutimi dhe nga pikëpamja numerike, që nuk përbën ndonjë rritje të ndjeshme. Të rekrutuarit e devshirmesë për disa vjet me radhë merrnin një edukim jashtëzakonisht të përzgjedhur nën kujdesin e mësuesve më të mirë, që përfshinte të gjitha disiplinat: sportive, ushtarake, intelektuale dhe artistike. Kjo gjë bëhej me qëllim që ata të përgatiteshin për t’u bërë të përsosur në të gjitha drejtimet, por duke zhvilluar njëkohësisht dhuntitë e veçanta të çdonjërit. Në të njëjtën kohë, ata formoheshin për të marrë përsipër të tëra detyrat shtetërore dhe për t’i kryer ato me frymën e nënshtrimit të plotë dhe të besnikërisë së patundur ndaj sulltanit. Në të vërtetë ata e ndërronin fenë, porse nuk humbnin, përkundrazi përfitonin nga ky sistem dhe i mirëprisnin[10] të dërguarit osmanë, që merreshin me rekrutimin e tyre. Ndërkaq popullsia e krishterë, veçanërisht ajo katolike, gjendej pa drejtuesit e saj, ose edhe ato priftërinj që ishin, ishin injorantë siç vërehet edhe nga studiues të huaj. Nga ana tjetër serbët nëpërmjet kishës svetisaviane i serbizonin të krishterët katolikë me dhunë, duke ua ndërruar deri edhe emrat dhe po ashtu vepronin edhe ortodoksët grekë, që për nga pikëpamja e miletit nuk përbënin ndonjë ndryshim të madh për sundimin osman, sepse i nënshtroheshin Patriarkanës. Duke u gjendur para presioneve të tilla, ku “...deri në katër mijë frymë të krishtera me një prift të vetëm keqbërës, konkubinar dhe që jep shembull të keq”[11], nuk është për t’u habitur se si zona të tëra pak nga pak filluan të islamizohen. Pra, arsyet janë komplekse dhe nuk mund të jenë thjesht ato që janë paraqitur si presion i padurueshëm i të ashtuquajturit pushtim osman. Megjithatë një fakt domethënës është se në vendet e tjera të Ballkanit si grekët, serbët, malazezët dhe rumunët, megjithëse janë fqinjët tanë dhe kanë qenë nën sundimin osman gjithashtu, nuk shihet të ketë pasur konvertime në ndonjë numër të ndjeshëm. Ndërkaq zona të tëra në jug dhe në veri të trojeve shqiptare e kanë ruajtur identitetin e tyre të krishterë, katolik apo ortodoks. Debatit të islamizimit mund t’i sillnim edhe argumente të tjera, porse këto janë ato më kryesoret dhe më të debatueshmet në opinionin publik dhe fundja kaq na lejon kjo sprovë.

Mbulesa e Femrës Muslimane dhe ligjet që abuzohen vazhdimisht

(Drejtoresha e një shkolle të mesme abuzon me pozitën e saj ndaj një të reje muslimane, e cila ka vendosur të mbulohet me dëshirën e vet. Amullia ligjore dhe deklaratat e papërgjegjshme të ministrit të arsimit, që harron se pionierët e arsimit shqiptar janë hoxhallarët muslimanë.)

Segmente shtetërore vazhdojnë me provokimet e tyre duke mos respektuar ndjesitë e një kategorie të ndjeshme sociale atë të femrës muslimane. Ndërkaq nga deklaratat e Ministrit të Arsimit Fatos Beja pasqyrohet mentaliteti komunist i përjashtimit dhe na rikthehet edhe një herë në vëmendjen tonë viti i mbrapshtë 1967, kur çdo gjë fetare u ndalua me ligj. Tashti po kërkohet me urdhra abuzivë të ndalohen femrat me veshje e detyrueshme muslimane të shkollohen. Njëkohësisht muslimanët ndjehen të fyer edhe në ndjesitë e tyre si taksapagues të rregullt të këtij shteti. Gjithashtu na duhet të kujtojmë këtu se pionierët e arsimit shqiptar dhe të shkruarit shqip kanë qenë një tufë hoxhallarësh të shquar dhe rilindësish si: Daut Boriçi (autor i një alfabeti shqip), Hoxhë Voka (Said Najdeni), Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu (drejtor i parë i Shkollës Normale në Elbasan dhe mësues i shkollës së parë për femra në Tiranë), si dhe shumë hoxhallarë të tjerë që për efekt vendi nuk po i përmendim këtu. Një shkollë në Tiranë mban emrin e Servete Maçit, e cila e mbuluar si muslimane i mësonte vajzave shqip. Përjashtimi nga shkolla i dy vajzave të mbuluara në qytetin e Burrelit si dhe deklarata e ministrit të Arsimit, Fatos Beja se: institucionet arsimore nuk janë vende të ushtrimit të fesë, ka shkaktuar pakënaqësi tek i gjithë xhemati musliman. I pari që ka reaguar ndaj këtij vendimi arbitrar të drejtorisë së shkollës “Pjetër Budi” në Burrel ka qenë myftiu i kësaj zone Fatmir Sulaj, i cili thotë në deklaratën e tij: “Në kuadrin ligjor për arsimin e mesëm në vendin tonë, çështjes në fjalë t’i jepet zgjidhje brenda kushtetutës, normave etike dhe rregullores së shkollës, të cilat nuk përmbajnë ndalesa të tilla, duke mos marrë masa ekstreme për t’i privuar nxënëset nga e drejta e shkollimit të tyre.”. Më pas Komuniteti Musliman Shqiptar është shprehur se qëndrimi ndaj shamive është një hap mbrapa. Në deklaratën për shtyp i kujtohet edhe një herë kreut të Ministrisë Arsimit Kushtetuta, e cila i garanton çdo shtetasi të drejtën për arsimin dhe lirinë e besimit. "Komuniteti Musliman i Shqipërisë shpreh revoltë për pengimin në ditët e fundit të dy nxënësve në arsimin parauniversitar, për t'u futur në mësim, për shkak të mbulesës", shkruhet në njoftimin për shtyp të këtij komuniteti.

Mësohet gjithashtu se kreu i këtij komuniteti, Selim Muça ka kërkuar një takim zyrtar me ministrin e Arsimit, Beja, por ai nuk ka kthyer ende asnjë përgjigje. "Me këtë rast, Komuniteti Musliman, si institucion mbrojtës i të drejtave të myslimanëve në Republikën e Shqipërisë, shpreh indinjatën e tij dhe të gjithë myslimanëve që përfaqëson ndaj fenomenit të përsëritur të privimit arbitrar të vajzave me shami nga e drejta kushtetuese për arsimim, duke deklaruar edhe një herë se veshja e vajzave muslimane me mbulesë koke nuk është simbol dhe indoktrinim fetar, por një obligim i besimit islam", deklaron Komuniteti Musliman. Gjatë këtij muaji dy nxënëse, përkatësisht Florida Kolën, në vitin e tretë të shkollës së mesme "Pjetër Budi" dhe Artenisa Neziri, nxënëse në klasën e nëntë në shkollën 9-vjeçare "31 Korriku", të dyja nga qyteti i Burrelit janë përjashtuar nga shkolla, për shkak se shkonin të veshura sipas mënyrës myslimane. Tashmë pas disa ndërhyrjeve në rrugë jo-formale vajzat janë kthyer në mësim, por kjo nuk mbetet zgjidhja. Problemi i vajzave me shami u trajtua gjerësisht nga mediet e shkruara kryesisht, dhe gjatë emisionit “Opinion” të Blendi Fevziut kryeministri i vendit Sali Berisha u shpreh se këto vajza nuk duhen lënë pa shkolluar për shkak se kanë vendosur shaminë. Një gjë nuk është shprehur deri tashti dhe nuk po bëhet i ndjeshëm për të gjithë publikun e gjerë kontributi i elementit musliman jo vetëm në arsim, por në ngritjen dhe strukturimin e shtetit shqiptar në vite, si dhe në shoqërinë shqiptare me ruajtjen e harmonisë dhe tolerancës fetare, meqë elementi musliman përbën shumicën dërrmuese. Ndërkaq Shteti Shqiptar dhe e ashtuquajtura shoqëri civile duhet t’i japin fund shkeljes së të drejtave të muslimanëve dhe të sanksionojnë realisht të drejtën e ushtrimit publik të fesë, ashtu siç e sanksionon edhe Kushtetuta. Tashmë të gjithë shqiptarët duhet të kuptojnë se ligjet nuk duhet vetëm të prodhohen nga Kuvendi Shqiptar, por duhen edhe zbatuar realisht, përndryshe nuk ka asnjë vlerë të prodhosh ligje që nuk janë rentabël.

Feja në shoqërinë bashkëkohore

Për çfarë na duhet feja dhe si duhet ta kuptojmë atë në kontekstin e sotëm bashkëkohor?!… Këto janë dy pyetje që e kanë shqetësuar publikun e gjerë shqiptar gjerësisht pas viteve ’50 të shekullit të kaluar dhe vazhdojnë ta shqetësojnë edhe sot. Në shekullin e kaluar këto pyetje nuk qenë aq të thjeshta sa ne po i paraqesim në këto rreshta, ato kushtuan jetë njerëzish dhe tortura e përndjekje pa fund. Megjithatë falë Zotit shqiptarët i kaluan ato 50 vjet të vështira, të cilat për jetët njerëzore të kësaj bote nuk janë pak, ndërsa për historinë përkthehen në tonelata dokumentesh. “Për çfarë na duhet feja?” u kthye në një pyetje retorike, me të cilën u mundua t’iu mbyllej goja njerëzve të thjeshtë dhe që pasojat e saj ishin tragjike jo vetëm për ato që i vuajtën në kurriz, por pasojat e saj ishin katastrofike edhe në lëmin shoqëror. “Feja është opium për popullin” dhe populli u la pa mjetet komunikuese dhe ndërlidhëse me të cilat sigurohet bashkëjetesa harmonike shoqërore. Pasojat e këtyre problemeve i ndjejmë edhe sot kur njerëzit fillojnë të thonë “ne mendojmë kështu apo ashtu për fenë”, duke harruar që ata nuk kanë ndonjë njohuri për atë qoftë edhe minimale. Nganjëherë vihet re edhe tek besimtarët që mundohen ta shpjegojnë fenë në mënyrë logjike pa pasur njohuritë e duhura se si mund të bëhet ajo. “Për çfarë na duhet feja?” sot! Për atë që i është dashur gjithmonë njerëzimit, për udhëzimin e mirë që mbart në vetvete. Feja jonë mirëmbahet në 5 shtyllat e saj, dëshmia, falja, agjërimi, zekati dhe haxhi. Shumë njerëz mundohen t’i shohin këto shtylla nga këndvështrimi i tyre personal dhe që në vetvete nuk ka ndonjë të keqe, kur mundohen t’i shërbejnë vetvetes. Kështu ato mund t’i dëgjosh sesi e shpjegojnë faljen me lëvizjet dhe mirësitë që sjell kjo gjimnastikë e vazhdueshme. Agjërimin e shpjegojnë për mirësitë shëndetësore që sjell për shumë lloje sëmundjesh, për stomakun, zemrën, mushkëritë etj. Disa të tjerë e shpjegojnë ndalimin e ngrënies së mishit të derrit me atë që në Arabi klima është e nxehtë dhe ai ka shumë yndyrë, prandaj edhe u bë haram e shumë të tjera si këto mund të dëgjosh plot. Duke u marrë me kësi lloj argumentesh ato harrojnë atë kryesoren, se kjo fe ka mbi 1400 vjet që funksionon dhe në çastin e zbritjes së shpalljes hyjnore bota njerëzore ishte e zhytur në një errësirë të thellë shkencore dhe askush nuk e dinte se vuante nga hipertensioni, ulcera, gastriti, bronkopneumonia apo ndonjë sëmundje tjetër me emër latin. Kush mund t’i dinte atë kohë sëmundjet që mbart derri, apo leshmanjozën që është mbartës qeni, sëmundjet ngjitëse seksuale etj. Njerëzit nuk e morën Islamin në këtë rrugë. Ato e pranuan Islamin si fe e zbritur nga Zoti për të mirën e njerëzimit dhe e shfrytëzuan duke pasur parasysh këtë gjë. E ruajtën Kuranin dhe Traditën Profetike duke e shfrytëzuar si një kod moral të jashtëzakonshëm hyjnor dhe kështu ato e ndihmuan veten e tyre duke arritur në majat e shkencës dhe të moraleve e virtyteve njerëzore. Tashmë kjo është një gjë e vërtetuar historikisht. Në çastet kur ata e lanë të vështruarit në këtë mënyrë e dëmtuan veten dhe i dhanë lirinë jo të duhur vetes duke menduar në mënyrë të mbrapshtë dhe arritën në mesin e shekullit të kaluar ta ngrinin në normë të detyruar shtetërore dhe shoqërore njëkohësisht pyetjen retorike “Për çfarë na duhet feja?”!

Shqiptarët në kuadrin e një politike të gjerë globale të majtë zbatuan deri në ekstrem parrullën e njohur marksiste “Feja është opium për popullin”. Akoma edhe sot e kësaj dite nuk dihet mirë se çfarë ndodhi në gjysëm-shekullin e kaluar dhe pritet të merret vesh nga hulumtimet e historianëve dhe të atyre dëshmitarëve që kanë mundur të mbeten gjallë. Citohen shifra, por me sa duket me një sy të parë, pa hyrë shumë në hollësi dëmi është më i madh nga ajo që duket. Edhe ato që nuk vuajtën drejtpërdrejt kanë pësuar nga ai mentalitet që u krijua nga regjimi komunist i Tiranës. Të gjithë po i vuajnë pasojat e asaj veprimtarie denigruese ndaj fesë, sepse shqiptarët në kontekstin bashkëkohor e kanë humbur mbështetjen kryesore; shoqërore dhe shpirtërore, ruajtësen e vlerave të pastra njerëzore: Islamin. Si duhet të sillemi dhe pse duhet të sillemi kështu asnjeri nga ne nuk di ta thotë dhe feja pa dyshim që do të kthehet në traditë të shkuar nga e cila mund të themi se agjërimi të bën mirë për shëndetin, falja është një gjimnastikë e mirë dhe përmbi të gjitha të hapim dyert për Bajram dhe të presim vizita e të bëjmë vizita te njëri-tjetri me një buzëqeshje fallco në fytyrë dhe me dy-tre kronika televizive e gazetareske që përcillen në këto ditë.

Islami është një fe që sjell kohezion shoqëror dhe është një fe hyjnore e pastër e zbritur nga vetë Allahu i Madhëruar për të mirën e njerëzimit dhe shqiptarët duhet ta marrin dhe ta shfrytëzojnë atë, meqë e panë dhe e provuan mirë se si mund të përfundojë një shoqëri, e cila e kishte Islamin dhe e la atë.


Shoqëria shqiptare e tranzicionit

(“Mostra e Peshkopisë” dhe “babai mostër”)

Promovimi i sjelljeve të mira për besimtarin musliman në shoqëri nuk është thjesht një kontribut që jep ai, por një detyrim moral dhe jo vetëm për shoqërinë, por për të fituar kënaqësinë e Allahut, Zotit të Gjithësisë. Në shumë ajete kuranore Allahu i Madhëruar na porosit të gjithë besimtarëve të sillemi mirë me prindërit, me fëmijët, të afërmit etj. Gjithashtu edhe i Dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi, na porosit të sillemi mirë me të gjithë e sidomos me fqinjët. Kështu i bie si detyrim besimtarit që të sillet me të gjithë mirë pa përjashtim, për shkak se në të dy burimet kryesore të Islamit janë përmendur të gjitha kategoritë njerëzore me të cilat ti duhet të sillesh mirë, e për pasojë besimtari musliman krijon integritetin e tij moral të paprekshëm kundrejt shoqërisë që e rrethon. Ndërkaq ky konstitucion i fuqishëm shpirtëror nuk mund të themi se ka gjetur vendin e duhur në shoqërinë tonë. Këtë gjë na e kundërshtojnë vazhdimisht lajmet e mediumeve të ndryshme me të cilat na duhet të hasemi për ditë. Titujt e mëdhenj të gazetave merren, o me politikën, o me kronikën e zezë. Kjo e fundit le të themi se ze vendin kryesor në titujt televizivë e gazetareskë. Nga ato që shohim nëpër lajmet televizive dhe lexojmë nëpër gazeta e kuptojmë shumë mirë dhe lehtë se në ditët e sotme është e vështirë të mbetesh besimtar. Vrasje për nder, grabitje, vjedhje, korrupsion e shumë gjëra të tjera janë temat e përditshme të lajmeve dhe shoqëria jonë shqiptare po shqetësohet shumë pak për t’i dhënë fund këtyre fenomeneve negative. Janë pikërisht këto fenomene, të cilat po ia zgjasin jetën këtij tranzicioni të stërgjatur prej 17 vjetësh dhe që ende nuk po ia shohim fundin. Megjithëse sipas fjalëve të shtetarëve të ndryshëm, pa dallim të majtë apo të djathtë, Shqipëria ka arritur standarde të larta ligjore, ajo çka po shohim dhe po vërejmë me shqetësim të gjithë sot është se këto standarde nuk kanë mundur të bëhen pjesë e jetës së një shqiptari të thjeshtë, i cili e ka më të thjeshtë t’i japi drejtim punëve të veta sipas qejfit dhe dëshirës së tij se sa t’i nënshtrohet këtij ligji që është në fuqi. Ky është edhe një nga problemet më të thukëta, i cili nuk po e lejon Shqipërinë që të arrijë nivelet e duhura për të hyrë në Bashkimin Evropia. Me ç‘shohim nga të gjitha këto fenomene dhe sesi po procedojnë ato arrihet në përfundimin se ligji është aty, njerëzit që e zbatojnë janë po aty, strukturat shtetërore nuk mungojnë, qofshin ato shtrënguese, apo ato që mundohen të zbusin disi përplasjet sociale, porse ligji nuk zbatohet, funksionarët tregohen apatikë në shumë raste, korrupsioni shihet si një mjet që zgjidh problemet dhe shumë herë ndeshemi me funksionarë apo segmente shtetërore që nuk dinë të sillen me qytetarët. Atëherë kush mund t’i plotësojë boshllëqet dhe t’u japë rreptësinë apo butësinë e duhur sipas rastit?!... Nuk mund të themi se kjo shoqëri e ka gjetur të mesmen e artë, kur kemi shifra të larta kriminaliteti. Individi nuk e ka gjetur veten e vet në këtë shoqëri që nxjerr në pah më tepër fytyrën e saj të degjeneruar. Profeti Muhamed thotë se edukimi i një individi fillon 20 vjet përpara lindjes së tij. Nëse në regjimin e kaluar njerëzit u shtrënguan nëpërmjet një morali falls, të cilin e hodhën tej sapo u liruan, tashmë janë lënë krejt të lirë dhe në një anarki të plotë morale, duke mos ditur se kujt konstitucioni shpirtëror t’i drejtohen. Ngjarjet e fundit me të cilat po na i mban gjallë vëmendjen tonë media janë me të vërtetë tragjike. Një adoleshent vret shokun e vet më të vogël dhe na del i skeduar si i çmendur dhe një prind injorant kalon në marrëdhënie incesti me vajzën e vet. Për më tepër pasi e ka kryer i drejtohet kësaj shoqërie, duke i thënë që: “unë e meritoj pushkatimin”. Pra, vetëdënohet duke e ditur shumë mirë që kjo shoqëri nuk arrin ta pushkatojë, vetëm ta izolojë në ndonjë qeli burgu, ku do t’i mbetet që t’i kalojë vitet në vetmi dhe duke vrarë ndërgjegjja. Shoqëria shqiptare nuk di si ta dënojë këtë rast. Kështu nuk do të kemi vetëm “mostrën e Peshkopisë” që veshi me të zeza nënën e një djali të pafajshëm, por do të kemi edhe një vajzë që i ati vet e ka veshur tashmë me “të zeza”.


[1] “Në gjurmët e faltoreve të vjetra”, Fatri Maqellara, Qytetërimi Islam, buletin periodik, nr. 1/1999, fq. 9.

[2] Kujtime, v. I (1885-1912), Eqerem bej Vlora, Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, Tiranë 2001, fq. 207.

[3] Qytetërimi i Perëndimit Mesjetar, Jack Le Goff, Botimet Toena – Fondacioni Soros, Tiranë 1998, fq. 182.

[4] Historia e Perandorisë Osmane, nën drejtimin e Robert Mantranit, Dituria, Tiranë 2004, fq. 283 dhe fq. 285.

[5] Po aty, fq. 285.

[6] Shqiptarët midis Lindjes dhe Perëndimit 1506-1839, fusha fetare I, Petrika Thëngjilli, Tiranë 2002, fq. 25-26.

[7] Po aty, fq. 38.

[8] Zgjimi kombëtar shqiptar, Stavro Skëndi, Phoenix & Shtëpia e Librit, Tiranë 2000, fq. 18.

[9] Historia e Perandorisë Osmane, nën drejtimin e Robert Mantranit, Dituria, Tiranë 2004, fq. 283 dhe fq. 170; dhe “Histori e Ballkanit”, Georges Castellan, Sh.B. Çabej, fq. 117.

[10] Historia e Perandorisë Osmane, nën drejtimin e Robert Mantranit, Dituria, Tiranë 2004, fq. 136.

[11] Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë, V. III (1603-1621), përg. Injac Zamputi, A.SH.SH., Instituti i Historisë, Tiranë 1989, fq. 37.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit