HAFIZ ALI


Hafiz Ali Korça – (1873-1956)
Patriot dhe aktivist i shquar islam
Ka lindur në Korçë më 5 prill 1873, i biri i Iljaz Efendiut figurë e njohur në qytet, po ashtu edhe si familje intelektuale e fetare. Në ato momente qyteti i Korçës ishte bërë epiqendër e lëvizjes kombëtare por edhe ku ishte përqëndruar propaganda antishqiptare fanariote greke. Vetëm në zonën Berat-Korçë në atë kohë numëroheshin 126 shkolla greke të të gjitha profileve. Pikërisht për këtë edhe veprimtaria e rilindasve të asaj kohe u përqëndrua në Korçë. Në një kohë të tillë me shumë trazira lindi edhe Hafiz Ali Korça. Në familje merr një edukatë të shëndoshë dhe qysh në moshën dymbëdhjetë vjeç arrin të mësojë përmendësh Kuranin duke u bërë hafiz, kështu edhe i hapet atij rruga drejt dijeve të pafundme të Islamit. Vazhdon shkollën e mesme (idadijen) po në Korçë, ku edhe e zotëron mirë turqishten dhe frëngjishten, që e ndihmon të njohi më vonë edhe kulturën perëndimore. Studimet e larta universitare i kryen në Stamboll ku përvetëson përveç të tjerave shkëlqyeshëm edhe gjuhët arabe dhe perse. Merr një kulturë të plotë klasike duke i perfeksionuar studimet e tij në disa drejtime, por veçanërisht në fushën e islamistikës. Aty njihet me mendimet e Ibni Rushdit, Ibni Sinës, me poezinë e Ibni Rrumit, Omer Khajamit etj. Qysh kur ishte student inkuadrohet në Lëvizjen Kombëtare dhe i përjeton hallet dhe problemet që po kalonte në ato çaste Shqipëria. Pasi mbaron studimet pavarësisht nga specialiteti i zgjedhur jep mësim në gjimnazin e Korçës edhe në lëndët natyrore si: astronomi, gjeometri, matematikë etj. Gjatë viteve 1918-1924 ka qenë Kryetar i Këshillit të Naltë të Sheriatit, si dhe iniciatori i hapjes së medresesë së mesme në Tiranë dhe njëkohësisht mësimdhënës aty. Pjesën më të madhe të krijimtarisë letrare të Hafiz Aliut e përbën poezia që e bëri të njohur brenda dhe jashtë vendit. Ka shkruar disa vepra poetike origjinale si “Shtat ëndrat e Shqipërisë” (1924), “Mevludin”, “Jusufi dhe Zelihaja”, “Historija e shenjtë dhe të katër Halifetë” etj. Hafiz Aliu shquhet kështu në fushën e krijimtarisë islame si një poet kalibri duke shënuar një hop të rëndësishëm cilësor. Epopeja në vargje “Historija e shenjtë dhe të katër Halifetë” me 75.000 vargje, si dhe Mevludi në shqip paraqesin aftësitë e tij maksimale dhe e bënë të njohur atë. Vëllimi poetik “Historija e shenjtë dhe të katër Halifetë” paraqet vlera reale të mendimit dhe konceptimit të drejtë Islam të parimeve themelore mbi të cilat ndërtohet Feja Islame. Me këto dy vepra ai afirmohet si poet i talentuar që mbështetet në tematikën e tij, në histori dhe në Kuran duke krijuar kështu një vepër me përmbajtje interesante dhe me vlera artistike. Qysh nga viti 1900, bëhet i ndjeshëm kontributi i tij për tekstet shkollore, për medresetë me tekste origjinale dhe të përkthyer. Ka dhënë një kontribut të gjerë në kuadrin e publicistikës duke botuar shkrime të ndryshme në gazeta e revista të ndryshme brenda vendit si në gazetën “Korça” dhe jashtë vendit në gazeta si Sabah, Sirati Mustekim, Aksham, Es-sijasetu etj. Po ashtu ka dhënë një kontribut të ndjeshëm në revistën e Komunitetit Musliman “Zani i Naltë”, si në mendimin islam po ashtu edhe me komente të ndryshme nga Kurani Fisnik, komente që i përkasin pjesës së tridhjetë të Kuranit (Xhuzi Amme), të kaptinave (sureve) Maunë, Nasër, Kadër, Fatiha, Tekathur, Humeze, Alak, Zilzaleha, Duha, Felek dhe Nas. Kështu i paraprin punës voluminoze të Hafiz Dalliut në komentimin e Kuranit Fisnik. Një nga fushat ku Hafiz Aliu u shqua gjerësisht ishte edhe ajo e predikimit, sidomos si hatib i mirëfilltë paraqitet të premteve por edhe në hutbet (predikimet) e bajrameve. Në to ai trajton tema sociale që e shqetësonin Shqipërinë e atëhershme. Përkthen në shqip nga persishtja Rubairat e Omer Khajamit duke i cilësuar nën termin shqip “katrore” dhe pati një debat të gjerë për këtë me Fan Nolin. Përkthen gjithashtu edhe Gjylistanin (Trëndafilishten) e poetit pers Saadiut. Këto dy përkthime reflektojnë gjerësisht njohjen e gjuhës, letërsisë dhe kulturës perse nga ana e Hafiz Aliut. Mendohet që këtë punë ta ketë nisur nga fillimi i shekullit XX. Është e ditur që edhe para tij ka pasur shumë të tjerë që e kanë ditur dhe kanë qenë njohës profesionistë të gjuhës perse, por iniciativa dhe merita kryesore për këto përkthime i takon kryesisht Hafiz Ali Korçës për pasurimin e letërsisë tonë me këto dy kryevepra të letërsisë botërore. Gjithashtu ai ka qenë i njohur edhe me kulturën e letërsinë arabe si dhe me mendimtarët (ulematë) më të mëdhej arabë të kohës. Porse vepra e tij më e shquar është “Bolshevizma çkatërim i njerëzimit” si kulmi i veprimtarisë së tij në periudhën 1920-’25 kundra përhapjes në Shqipëri të ideologjisë mashtruese bolshevike. Hafiz Ali Korça si askush tjetër në lëvizjen tonë politike ndërtoi një vision të qartë dhe largpamës për të ardhmen jo vetëm kombëtare, por edhe gjithënjerëzore. Këtë konceptim pak kozmopolit e universal ai e ndërtoi në veprën “Bolshevizma çkatërimi i njerëzimit” 1925. Pikërisht në këtë vepër, e cila duhet studiuar më gjerësisht për të parë konceptin largpamës dhe të gjerë që e karakterizoi gjithmonë Hafiz Aliun dhe për të cilin pati pasoja të ndjeshme në jetën e tij private. Me kohë Hafiz Aliu do të hetojë rrezikun e bolshevizmit dhe ideve të importuara ruse, i cili e çonte kryet lart në emër të barazisë e drejtësisë, duke krijuar një fuqi të madhe të ashtuquajtur “proletariat” për ta mbisunduar botën. Vepra “Bolshevizma çkatërimi i njerëzimit” (1925) shënon fazën e pjekurisë politike të Hafiz Aliut. Ai përmes shënimeve statistikore, thekson shkatërrimet e mëdha që kishin bërë bolshevikët. Në një mënyrë apo në një tjetër, me anë të kësaj vepre ai kërkon shpëtimin e atdheut nga kjo sëmundje e rëndë duke konstatuar: Si çdo atdhetar dëshiron që shtetit dhe kombit të vet t’i shërbejë sipas fuqisë që të ketë. Na duhet të përmendim që një pjesë e mirë dhe e ndjeshme e veprës së tij në dorëshkrim është zhdukur. Kjo bëhet e kuptueshme si pasojë e rrethanave historike të krijuara politike të Shqipërisë së pas Luftës së Dytë Botërore dhe sistemit diktatorial që e pasoi për një periudhë të gjatë gati pesëdhjetëvjeçare. Kontributi i tij është shumëplanësh në jetën kulturore dhe sociale të kombit tonë. Ai përfshin disa fusha: të gjuhës, letërsisë, arsimit, islamistikës, publicistikës, mendimin filozofik e politik, lëvizjen kombëtare etj. Për këtë do ndalur dhe duhen zgjeruar më tepër studimet mbi këtë figurë poliedrike shqiptare, e cila mund të shihet në shumë aspekte. Një vend të veçantë nga ana studimore paraqet edhe letërkëmbimi i tij me figura të politikës dhe shkencës. I damkosur nga regjimi komunist si klerik reaksionar dhe pjesëtar i Ballit Kombëtar dënohet nga “Gjyqi i Popullit”. Vitet e fundit të jetës i kalon në Tiranë e më pas i internuar në Kavajë, mu për pikëpamjet e tij antikomuniste ku edhe vdes në mjerim të plotë ky mendimtar, patriot dhe aktivist i shquar islam më 1956. Pavarësisht nga paragjykimet politike që i janë bërë ai mbetet një figurë e shquar e plejadës së klerikëve militantë që ishin të gatshëm të sakrifikonin edhe jetën e tyre për hir të së vërtetës. Duke u munduar të nxjerrim në pah disa detaje të figurës së tij, nuk mendoj që e kemi plotësuar borxhin që kemi ndaj kësaj figure të shquar. Në këtë paraqitje të shkurtër të jetës dhe të veprës së Hafiz Ali Korçës, jam mbështetur gjerësisht në monografinë e dr. Ismail Ahmedit: “Hafiz Ali Korça – Jeta dhe vepra”, botuar në Shkup më 1999.

Dy fjalë rreth këtij librit

Megjithëse nga sasia e materialit që paraqet në këtë studim të shkurtër ajo ka dalë në formën e një broshure dhe për nga ana studimore këtu paraqitet modestisht; me këto faqe Hafiz Ali Korça hyn denjësisht në historinë e mendimit politik si i pari person që e denoncon publikisht ideologjinë bolsheviko-komuniste. Ai në këto faqe të pakta nëpërmjet disa të dhënave ve në dukje rrezikun që i kanosej nga ideologjia bolshevike shoqërisë shqiptare, e karakterizuar nga ekuilibre delikate, në të cilën gjendej në atë kohë Shqipëria e sapodalë nga Lufta I Botërore, e cila e dëmtoi shumë vendin. Pikërisht në fillimin e viteve ’20-të shkëputen lidhjet e Shqipërisë me Turqinë pas rënies së kalifatit dhe shkatërrimit të tij prej Mustafa Qemalit. Në momentet e pasluftës i gjithë Perëndimi kalon në një fazë trazirash me lëvizje tronditëse sociale. Pas fitores së Revolucionit Bolshevik të Tetorit në Rusi me në krye Leninin, gjithashtu do të bënte që ekuilibret botërore të ndryshonin ndjeshëm. Rusia u gjend para ndryshimeve radikale dhe të menjëhershme. “Dekreti mbi tokën” bëri që e gjithë prona private e çifligarëve, carit dhe institucioneve fetare t’i kalonte sovjetëve të fshatarëve duke u kthyer në një pronë të përbashkët. Menjëherë pas dy vjetësh po me iniciativën e Leninit në kundërpërgjigje të Perëndimit, i cili përkrahu gjeneralët kozakë: Kollçakun, Denikinin, Judeniçin, Vrangelin etj, hapet në Moskë, Kongresi I i Internacionales III Komuniste. Menjëherë pas kësaj Evropën e përfshin një valë grevash, protestash e revolucionesh bolshevike siç ishin: ai në Gjermani i organizuar nga krerët e PK-së Gjermane Roza Luksemburg dhe Karl Libkneht kur në prill të 1919-ës e shpallin Landin e Bavarisë Republikë Sovjetike. Po ashtu Bela Kun, udhëheqësi i komunistëve hungarezë, i përgatitur në Rusi, kryeson Republikën Sovjetike të Hungarisë dhe menjëherë me anë të një fushate ushtarake dhe të disa fitoreve të njëpasnjëshme pushton Çekinë në qershor të 1919-ës dhe ngre një tjetër republikë sovjetike atje. Megjithatë një ushtri rumune e bën atë që të tërhiqet shumë shpejt, por edhe si rezultat i një politike të brendshme të dobët Republika Sovjetike e Hungarisë detyrohet të bjerë dhe Kuni largohet nëpërmjet Vjenës për në Moskë. Atje, pas shumë vitesh qëndrimi akuzohet për trockizëm dhe në një nga spastrimet e bëra nga Stalini ekzekutohet në nëntor të 1939-ës. Po kështu Italia, Franca, Anglia e Amerika përfshihen nga një valë grevash e protestash në mbështetje të Rusisë Sovjetike, ndërsa në Itali Musolini hip në pushtet me Partinë Fashiste, e dalë fillimisht si fraksion nga radhët e Partisë Socialiste. Po ashtu gjendja e brendshme e Shtetit Shqiptar të dalë pas Kongresit të Lushnjes të vitit 1920 ishte tronditur disa herë radhazi. Qeveria e Lushnjes menjëherë iu desh të ballafaqohej me një luftë të pabarabartë me italianët në Vlorë dhe më pas me disa kryengritje afatshkurtra për të ardhur më pas në Revolucionin Demokratiko-borgjez të Qershorit të 1924-ës me në krye Fan Nolin dhe me mbështetjen e regjimenteve të Shkodrës me komandant kolonel Rexhep Shalën dhe ai i Përmetit me komandant kolonel Kasem Qafëzezi. Si rezultat i politikës së dobët të brendshme dhe të jashtme të Nolit dhe me përkrahjen e Fuqive të Mëdha të Perëndimit, në dhjetor të 1924-ës rikthehet në pushtet Ahmet Zogu. Kjo është pak a shumë në vija të trasha gjendja e jashtme dhe e brendshme në të cilën e pa dritën e botimit kjo broshurë. Pikërisht kjo është edhe merita e Hafiz Ali Korçës që diti të diktojë në ato momente kush ishte rreziku real që po i kanosej shqiptarëve, rrezik që po i kanosej edhe tërë Botës. Ai në këtë vepër i bën një analizë të hollësishme bolshevizmit, lidhur me “parimet” njerëzore, drejtësinë, luftën e klasave, punën etj, mbi të cilat ndërtohet sistemi bolshevik. Këtu ai ve në dukje dëmet e ndryshme që i solli pushteti sovjetik popullit të vet qoftë nga ana morale, materiale e shpirtërore. Kjo vepër tregon njëkohësisht edhe pjekurinë politike të Hafiz Aliut. Pasi ka vënë në dukje dëmet morale dhe shpirtërore që solli vendosja e regjimit bolshevik në Rusi, ai me anë statistikash nxjerr në pah dëmet materiale në ushqim, bagëti, njerëz dhe se çfarë i bëri fesë kjo ideologji. Statistikat e dëmeve njerëzore i ka nxjerrë nga Çeka e Feliks Xherxhinskit, embrioni fillestar i KGB-së së mëvonshme. Me këtë ai kërkon t’i paralajmërojë shqiptarët qysh herët për dëmet që sjell kjo ideologji si shkatërruese e të gjitha vlerave njerëzorë të mirëfillta, ku ndër to kryesorja është feja dhe familja. Njëkohësisht Ai vëren me zgjuarësi se të gjitha ndarjet e fraksionet qysh në fazat e para të historisë së zhvillimit islam, kanë qenë prodhim i ndërgjegjshëm i organizimit dhe i përzierjeve çifute. Qysh në fillim duhet përmendur copëtimi i umetit islam me rastin e shpalljes së Ali ibn Ebi Talibit, dhëndrit të Profetit Muhamed a.s., si “Perëndi”. Këtë huti e krijoi çifuti i veshur me petkun e islamit Abdullah Sebe’, i cili shkaktoi përçarjen më të madhe në të gjithë historinë islame, pasojat e së cilës do të ndihen gjatë tërë historisë.
Mu pikërisht për këto arsye si dhe ringjalljen e punës së brezave të shkuar në të mirë të fesë dhe të këtij kombi, për dashurinë dhe përkushtimin që patën ato për këtë binom, ndërmorëm edhe ribotimin e këtij libri të vogël por të rëndësishëm nga pikëpamja e mendimit politik e fetar.
Roald A. Hysa

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit