Islamofobi


A ka islamofobi në Shqipëri?

A mund të pretendojmë për Islamofobi në një vend musliman?

Roald A. Hysa

T’i përdorësh gjërat dhe termat pa i ditur kuptimin dhe përdorimin e tyre është injorancë. Islamofobi është një nga termat më të fundit i përcaktuar nga Perëndimi kryesisht pas 11 shtatorit 2001 kundrejt Islamit apo personave që mund të kenë lidhje me Islamin. Ky term dhe fenomen ka një histori të vetën në Perëndim, por që kohët e fundit është shfaqur edhe në jetën tonë publike. Gjithashtu mund të themi se ky fenomen u sponsorizua gjerësisht nga ana mediatike për të arritur në praktikë disa synime. Kështu ka pasur përpjekje që këtu në Shqipëri të gjejë përdorim dhe funksionim ky term dhe fenomeni që e pason atë. Por ne nuk mund të jemi dakord me aplikimin e verbër të këtij termi, cilado qofshin arsyet për ta bërë këtë, politike apo personale. Një nga arsyet kryesore të mospranimit tonë është vetëm një fakt i thjeshtë, popullsia e vendit tonë është me shumicë muslimane, ndërsa elementet e tjera do të mundohem t’i shpjegoj në vijim. Në radhë të parë neve na duhet të përqendrohemi në disa pika të rëndësishme kohore, të cilat do të na ndihmonin për të kuptuar sado pak realitetin. Për këtë temë duhet të ndalojmë fillimisht në shpjegimin e termit vetë pastaj të vazhdojmë me kundër-argumentet e tjera. Pastaj në vazhdim duhet të hedhim një sy mbi shkaqet që i shtynë autorët e këtij termi ta hedhin në treg atë e më pas të shohim edhe vendin në të cilin ku po hidhet, terrenin konkret. 11 shtator 2001 dhe ngjarjet që e pasuan është një nga momentet më të rëndësishme të historisë moderne amerikane dhe asaj botërore dhe do të na ndihmonte në këndvështrimin global të gjërave. Gjithashtu do të ndalemi shkurtimisht për të parë në të shkuarën e shqiptarëve, nëse do të gjejmë ndonjë përgjigje të kënaqshme në favor të fenomenit islamofobi. Në pjesën e fundit do të shohim pak më të përqendruar atë çka shumë prej nesh e kanë përjetuar. Pra, le të hedhim një vështrim të përgjithshëm rreth ngjarjeve, popujve dhe rrethanave në të cilat ky term u zbatua.

Termi ISLAMOFOBI

Ky term përbëhet nga dy fjalë: Islam dhe FOBI. Pak a shumë të gjithë që jemi të pranishëm këtu e dimë në vija të përgjithshme se çfarë është Islami, prandaj edhe nuk do të fokusohemi në këtë drejtim. Kjo edhe pse do të duhej shumë kohë për të gjetur një shpjegim të shkurtër dhe të saktë për ta karakterizuar Islamin. Kështu ne do ta drejtojmë vëmendjen tek FOBIA, pra, në pjesën e dytë. Pjesa e dytë e këtij termi është edhe përcaktuese ndaj pjesës së parë. Fobi do të thotë frikë e fortë ose mosdashje: mosdashje shumë e fortë apo frikë irracionale kundrejt diçkaje, si fjala vjen merimangave apo hapësirave të mbyllura. Pra, kemi të bëjmë me një frikë irracionale dhe të vazhdueshme kundrejt një objekti të specifikuar, situate apo aktiviteti. Për pasojë individi bën një jetë të mbyllur dhe ankthi që e përshkon është më i madh, se sa përmasat e zakonshme. Kemi të bëjmë kështu me urrejtje e antipati dhe ky është përkufizimi i përgjithshëm, që i japin fjalorët termit fobi. Më pas me anë të fjalë-formimit mund të përfitojmë terma të ndryshëm si hidrofobi (urrejtje apo frikë irracionale ndaj ujit), klaustrofobi (frikë irracionale nga hapësirat e mbyllura) dhe vijmë tek termi që na intereson më shumë islamofobi (frikë irracionale nga Islami).

Frikë irracionale, ky është emëruesi i përbashkët i të gjithë shpjegimeve që dalin nga termat e përmendura si shembull më sipër. Na duhet ta kemi parasysh anën irracionale si përbërëse e rëndësishme të këtij termi, sepse do të na vlejë shumë për shpjegimin dhe kuptimin e situatave të mëposhtme, për të bërë dallimin ndërmjet armiqësisë, kokëfortësisë apo mosndryshimit të pozicionit. Pra, ata që janë islamofobë kanë një frikë irracionale kundrejt Islamit dhe muslimanëve dhe njëkohësisht mundohen vazhdimisht ta përhapin e ta mbjellin këtë fenomen në shoqëritë e tyre përkatëse, ku edhe ata jetojnë. Por trendi i globalizimit të gjithçkaje e bën këtë mesazh shumë të ndjeshëm në Perëndim, i cili po e përdor edhe për efektet frenuese të tij. Në thelb fenomeni islamofobi nuk është thjesht një sulm propagandistik, por gjithashtu është përdorur edhe si frenues kundrejt ekspansionit të Islamit. Një gjë të tillë deri në vitet 1990 e kishin bërë dy blloqet më të rëndësishme politike: ai perëndimor kapitalist me atë lindor komunist, ku me protagonizmin e tyre dominonin në skenën botërore, dukë bërë ndarjen në kampet e së mirës dhe të së keqes.

11 shtator 2001

Sulmi mbi kullat binjake është në themel të shumë ngjarjeve të mëvonshme, që e diktuan historinë dhe politikën mbarëbotërore të mileniumit të ri. Normalisht një tragjedi e përmasave të tilla nuk mund të jepet e plotë me të gjitha përmasat e saj në një ligjëratë, por gjithsesi disa efekte apo elemente, të cilat ndikuan në politikat dhe klishetë mediatike mund t’i japim shkurtimisht. Nga 19 rrëmbyesit e fluturimeve që u identifikuan kishte ndërmjet tyre sauditë, egjiptianë etj., por ajo çka ishte goditëse në pamjen e tyre të jashtme ishte se ata ishin arabë të zeshkët. Po ashtu një tjetër stimul për të krijuar klishetë e mëvonshme u dha nga multimiliarderi saudit Bin Laden, jo vetëm me paraqitjen e tij, por edhe me organizatën e tij Al-Kaedën. Ndërkaq nga regjistrimet telefonike të fundit që u bënë me pasagjerët e avionëve të rrëmbyer u dha alarmi, se po përlesheshin me njerëz me fytyra të zeza e të tmerrshme. Pas rindërtimit të ngjarjeve që iu bënë pas hetimeve të shpejta nga shërbimet inteligjente u vërejt se pjesa më e madhe e këtyre kamikazëve natën përpara sulmit kishin frekuentuar klube striptize, kishin konsumuar pije alkoolike dhe kishin shprehur se do ta shihni ju se: “çfarë do t’i bëjmë ne Amerikës”. Të gjitha këto ngjarje dhe aktorët sollën në skenë dhe legjitimuan termin me të vërtetë të pahijshëm “terrorizëm islamik”, duke nxitur në imazhin e perëndimorit të mesëm e të ulët nëpërmjet këtyre klisheve mediatike, që qarkulluan me shpejtësinë e vetëtimës në të gjithë botën fenomenin islamofobi, që e kemi në shqyrtim. Me të vërtetë që kjo ishte diçka tronditëse deri sa edhe studiues perëndimorë të Islamit e morën për të mirëqenë imazhin e arabit që pin alkool, sheh striptizëm dhe të nesërmen shkon e vdes në emër të Zotit. Por thellë në vetvete këto klishe brenda Amerikës ndoshta synonin të nxisnin njëkohësisht amerikanin sherret dhe atë të bardhë në kujtesën e të cilit ende nuk është shuar racizmi, pra, shumë mirë mund të themi që tashmë kemi të bëjmë me arabofobi. Gjithashtu fenomeni arabofobi u vërejt edhe në marrëdhëniet ekonomike-financiare në SHBA. Në favor të kësaj teze flet edhe një ngjarje shumë qesharake dhe domethënëse njëkohësisht pak kohë pas 11 shtatorit. Në një nga fluturimet e zakonshme në Amerikë të gjithë pasagjerët e bardhë refuzuan të hipin në avion, sepse aty brenda ishte një arab që po priste të udhëtonte. Pasagjerët sapo shihnin arabin brenda në avion tërhiqeshin dhe refuzonin të fluturonin në të njëjtin avion me të, kurse arabi nuk e prishte terezinë dhe rrinte në pritje për të fluturuar në destinacion. Gjithashtu shpallja e boshtit të së keqes nga presidenti amerikan ndihmoi në ndarjen në kampe dhe pozicionimin e shteteve në rang botëror. Kështu mund të riprodhojmë edhe shumë argumente të tjerë në favor të tezës së “islamo-arabofobisë” në Amerikë dhe në Evropën Perëndimore. Reflekse të “terrorizmit islamik”, si dhe përzënie të shumë shtetasve të huaj me origjinë arabe e për pasojë edhe arabofobi u demonstrua pjesërisht edhe në Shqipëri gjatë periudhës shtator 2001 e në vijim. E gjithë kjo strukturë mediatike ndërkombëtare filloi të shpërbëhej pasi hipi në postin e kryeministrit të Anglisë z. Gordon Braun, i cili menjëherë pas marrjes së postit në një fjalim publik i kërkoi administratës shtetërore të bënte dallim në togfjalëshin “terrorizëm islamik”, pra, të ndahej Islami nga Terrori se këto dy terma nuk kishin lidhje. Në këtë çast nis edhe procesi i delegjitimimit të termit “terrorizëm islamik”, i cili si pasojë pati një islamofobi masive në Amerikë dhe Evropën Perëndimore. Ndërkaq humbja e kandidatit republikan për president në SHBA, MekKein dhe fitorja e kandidatit demokrat Obama tashmë e thelloi edhe më tej procesin e delegjitimimit të termit “terrorizëm islamik”, i cili pasi mori postin e presidentit ndër fjalimet e para publike iu drejtua “Botës Muslimane” nëpërmjet valëve të “Al-Arabias”, duke iu drejtuar për bashkëpunim. Në ligjërimin e presidentit Obama tashmë kemi një ndryshim të ndjeshëm, ai iu drejtohet “vendeve muslimane” dhe jo “islamike”, si dhe iu bën apel se Amerika nuk është armike e këtyre vendeve. Ndërsa mbetet për t’u verifikuar premtimi i tij elektoral për tërheqje nga Iraku. Gjithashtu vazhdon të qarkullojë një lajm, se ushtria amerikane do të tërhiqet nga Iraku brenda 19 muajve. Një gjest tejet i ulët dhe krejt i pa vend gjatë kësaj periudhe kohore ishte ai i gazetës daneze “Jylland Posten” dhe i botimit të karikaturave për Profetin, i cili zgjoi zemërimin e të gjithë muslimanëve në mbarë botën. Mund të përmendim këtu edhe shumë ngjarje apo fenomene të tjera mediatike, të cilat mund të shihen si kontribuuese në rritjen dhe kultivimin e Islamofobisë në të gjithë Perëndimin, nga pikëpamja mediatike. Si shkak i kësaj fushate globale antiislame kanë rrjedhur edhe shumë keqkonceptime mbi Islamin, të cilat praktikisht janë synuar me kohë dhe synohen akoma, ku mund të numërojmë këtu disa prej tyre: 1. Muslimanët janë të dhunshëm, terroristë, ekstremistë, 2. në vendet islame gruaja shtypet, 3. Muslimanët adhurojnë një zot të ndryshëm nga ai i tyre 4. Islami është përhapur me dhunë dhe nuk i toleron fetë e tjera, 5. Të gjithë muslimanët janë arabë, 6. “Nation of Islam” është një grup musliman, 7. Të gjithë muslimanët martohen me 4 gra, 8. Muslimanët janë njerëz të pazhvilluar e barbarë, 9. Muhamedi është themelues i Islamit dhe Muslimanët e adhurojnë atë dhe 10. Muslimanët nuk e besojnë Jezusin apo ndonjë profet tjetër.

A mund të pretendojmë për Islamofobi në një vend musliman?

Tashti le të kalojmë më konkretisht në pjesën që na intereson më tepër të gjithëve rreth kësaj teme. Siç e përmenda edhe më sipër: Një nga arsyet kryesore të mospranimit tonë është vetëm një fakt i thjeshtë, popullsia e vendit tonë është me shumicë muslimane, por në këtë pikë tashmë na duhet të ndalemi më shumë dhe ta shtjellojmë seriozisht. Kjo për arsye se shumë fakte dhe ngjarje antiislame të shfaqura gjatë rrjedhës së historisë nuk mund të merren dhe të na shërbehen si ISLAMOFOBI. Ato mund të merren si kundërshtim i hapur, kokëfortësi, opozitë, injorancë, mospëlqim dhe çdolloj forme tjetër të hapur apo të fshehtë të këtyre epiteteve që përmendëm. Kështu si fillim duhet të hedhim një herë shikimin në të shkuarën tonë e më pas në të tashmen.

Në fillim të shek. XVI Osmanët i kishin futur nën sundimin e tyre pjesën më të madhe të trojeve shqiptare dhe sundimi i tyre do të merrte fund në dekadën e parë të shek. XX. Për më tepër se katër shekuj sundimi osman pati aq kohë sa edhe të ndikonte në jetën e shqiptarëve. Pa hyrë shumë në hollësi mund të themi se u krijua një letërsi e tërë, muzikë, këngë e deri në afreskun e shumë detaje të jetës së përditshme mund të vërehen ndikimet osmane e kjo jo vetëm te shqiptarët, por edhe tek fqinjët tanë sllavë, maqedonas, bullgarë e grekë. Në zgjerimin e kësaj teme do të shërbente libri i autores bullgare Maria Todorova “Ballkani imagjinar”. Ky ndikim nuk vërehet vetëm tek muslimanët, por edhe tek të krishterët katolikë e ortodoksë, të cilët duke qenë se jetuan në fqinjësi të mirë me muslimanët huazuan shumë nga zakonet e tyre. Këto zakone vërehen në veshje dhe në fjalorin e përditshëm, ku tashmë numërohen mbi 4500 fjalë të huazuara nëpërmjet osmanishtes në gjuhën shqipe.

Mbiemra të tillë si Haxhijani, Haxhillazi, Veqilharxhi etj., janë të zakonshëm në pjesën ortodokse të popullsisë në jug të vendit tonë. Madje në shembëllim me haxhilerët muslimanë, edhe ortodoksët vetë kur vizitonin vendet e shenjta në Jeruzalem i quanin njerëzit e tyre haxhinj. Po ashtu ngjashmëri vërehen edhe në gatime etj. Një fenomen tejet interesant mbi ndikimin osman në veshje janë veshjet e grave katolike të Shkodrës, të cilat nuk kanë asnjë ndryshim nga ato të një gruaje muslimane të po këtij qyteti të mbarsur me tradita qytetare muslimane.

Fjalë dhe frazeologji të përdorimit të përditshëm të fjalorit musliman kanë zënë vend vend në pjesën e krishtere të popullsisë, si fjala vjen: bismilah, kismet zotit, inshalla, allah-allah etj.

Organizimi qytetar dhe i qytetit vetë konfirmojnë ndikimin osman në strukturën e tij sociale, shpirtërore, arkitektonike dhe urbane. Periudha e viteve 1930-1990 do të ndikohej ndjeshëm nga tendencat e ideologjisë mbizotëruese shtetërore, të cilat në kohën e viteve 1930-1945 do të përligjej me modernizimin e jetës qytetare, por pa e prekur në thelbin e vet atë fetare-shpirtërore. Në vitet 1945-1990 do të mbizotëronte lufta ideologjike kundër fesë në përgjithësi pa bërë dallim për ndonjërën. Xhamitë u shkatërruan dhe ushtrimi i fesë islame dhe i feve të tjera u ndalua me ligje të posaçme. Në mbyllje të këtij vështrimi të shpejtë mund të themi, se nuk mund të mbështetet në truallin e së shkuarës fenomeni islamofobi. Gjithashtu gjatë gjithë kësaj periudhe kohore që përmendëm një gjë pohohet nga të gjithë studiuesit, fenomeni i respektimit dhe i jetesës në harmoni të të gjitha palëve fetare dhe sekteve të ndryshme.

Tranzicioni post-demokratik

Gjatë periudhës së viteve 1990 kur hapet për herë të parë rihapet një xhami në Shkodër pas një errësire totale dhe pason me rihapjen e xhamive të Et’hem beut dhe Kokonozit në muajt e parë të vitit 1991 në kryeqytet, e deri në fillim të vitit 1998 pason një periudhë ringjallje e Islamit. Fillimisht kemi sulmet e Kastriot Myftarajt, i cili ka shkruar dy libra me frymë tejet anti-islame dhe më pas ka marrë si kundërpërgjigje artikuj, si dhe një libër nga Abdi Baleta. Pas vitit 1998 fillojnë edhe sulmet e para në shtypin vendas me tituj bombastikë të orkestruar për të fituar edhe terren mediatik, edhe sa më tepër shitje. Ndërkaq vërehet nga titujt dhe nga brendia e shkrimeve dhe e reportazheve, se nuk kemi të bëjmë me injorancë, por me shkrime të përgatitura qëllimisht për të sulmuar. Le të shqyrtojmë pak mënyrën e ligjërimit gazetaresk të autorëve të disa shkrimeve. Gjuha e përdorur nga gazetarët në përcjelljen e lajmit kur ka qenë fjala për të realizuar tituj bombastikë dhe tekste po aq të forta, ka qenë ajo e trendit global anti-islam. Pra, mund të themi hapur dhe pa doreza se ka qenë një gjuhë shumë e ashpër dhe agresive. P.sh. më 10 shkurt 2005 Gazeta “Koha Jonë” në editorialin e saj “Muxhahedinët e shtypit shqiptar”, Rudolf Marku, sulmon pseudo-publicistët, të cilët nuk i njeh njeri dhe që abuzojnë, por duke përdorur si analogji termin islam “muxhahedin”. Përdorimi i këtij termi është bërë me kuptim përkeqësues, kështu autori ose nuk e ka ditur kuptimin e saktë të tij, ose e ka bërë qëllimisht për të vazhduar në rrugën e klisheve të krijuara abuzivisht nga mediat asokohe kundrejt Islamit. Një gjuhë tejet e ashpër është përdorur në të ashtuquajturat “probleme të sigurisë kombëtare”, ku mund të fusim të ashtuquajturën përplasje selelefi-komunitet. Në këtë drejtim shquhet “Gazeta shqiptare”, e cila jo vetëm kërkon të shesi lajmin e saj, por tregohet më e zellshme sesa misioni që ka marrë përsipër. Nuk mbeten mbrapa edhe gazetat e tjera, si: Korrieri, Metropol e ndonjë tjetër. Le të shohim tituj të këtyre gazetave që i përmendëm: [Reformatorët dhe tradicionalët, përplasjet e brendshme mes myslimanëve]

30 prill 2005 gazeta “Gazeta Shqiptare” Hoxha” i fshatit, prodhues bombash”/ 1 maj 2005 gazeta “Gazeta Shqiptare” “Bomba u përgatit për një zyrtar”, “Kërcënimi se bllokoi ekstremistët në komunitet”, rubrika faqja e parë, re.kro. Ky titull paralajmërohet me gërma të mëdha qysh në faqe të parë i shoqëruar me një fotografi të xhamisë së re të ndërtuar në Fier.

“Selefizmi është semafori jeshil i fundamentalizmit islamik. Ai ndryshon nga katër drejtimet kryesore të ushtrimit të myslimanizmit, të njohura zyrtarisht në botë.” (15 mars 2005 gazeta “Korrieri” “Mjaft pasiviteteve në çështjet fetare”, analizë, Xhavit Shala (drejtor i Qendrës Shqiptare të Studimeve për Sigurinë Kombëtare – ish-funksionar i rendit) Duket nga informacioni i paraqitur nga ky autor se ai nuk i njeh sa duhet shkollat juridike islame dhe se informacioni është i marrë nga burime jo të mirinformuara për nga pikëpamja doktrinale. Ndërsa për të tjerat burimet e informimit të autorit duhet të jenë të brendshme, të Komunitetit Musliman. 1 maj 2005 gazeta “Korrieri” “Islamiku “kamikaz”, student në Egjipt”. “Përplasja mes dy rrymave te muslimanët”, 15 maj 2005, gazeta “Korrieri” “Myslimanët, jo selefizmit me status”. Siç mund të vihet re edhe nga këto tituj që përmendëm kemi shfaqjen e termave kamikaz, selefi, muxhahedin, fundamentalizëm islamik etj. Përdorimi i tyre është tendencioz dhe armiqësor dhe kërkojnë diskriminimin publik të ngjarjeve dhe të personave. Një gjuhë shumë e ashpër është përdorur gjatë muajit janar-shkurt 2006, kur edhe shpërtheu problemi i karikaturave. Gjatë kësaj periudhe pati një debat publik, ku disa opinionistë si Xhavit Shala, Bashkim Kopliku e ndonjë tjetër mundohen t’u dalin krah muslimanëve vendas. Po ashtu me tituj bombastikë është trajtuar edhe ngjarja e rrëzimit të kryqeve në Bushat të Shkodrës.

Ndërkaq kemi anën tjetër të medaljes kur kemi të bëjmë me paraqitjen në shtyp të festave fetare islame të dy bajrameve. Gjuha ndryshon krejtësisht dhe vetë gazetarët përpiqen ta shohin më thellë problemin, jashtë kornizave të trendit global anti-islam. Ata mundohen të zgjerohen dhe të paraqesin një informacion të pasur nëpërmjet reportazheve të përgatitura, apo dosierëve. Një rast interesant është ai i një reportazhi shkrimor dhe fotografik në “Tirana Observer” për një xhami në Kavajë të përshtatur në ambientet e një ish-fabrike me oxhakun e kthyer në minare nga imami Xhafer Shkodra. Pra, shihet se është një ligjërim i përpunuar dhe i qëllimshëm, që tregon se autorët ndoshta mund të mos kenë njohuri të plota mbi Islamin, porse kanë njohuri të pjesshme. Gjithashtu vërehet se disa gazeta e kanë si frymë të vazhdueshme armiqësinë ndaj Islamit. Kjo u vërejt te “Gazeta Shqiptare” së fundmi me problemin e mbulesës së kokës. Sado që unë pata kontakte me gazetaren që përgatiti shkrimin, që kishte të bënte me këtë problem dhe ia shpjegova dallimin midis ferexhesë dhe mbulesës islame, gjithsesi të nesërmen titulli kryesor që hapte faqen ishte: “Myslimanet: jo karta identiteti pa ferexhe”, ndërsa në brendi të gazetës titulli ndryshonte: “Myslimanët: protestë për kartat, Duam shamitë e kokës, nuk janë perçe”. Siç mund të shihet qartë sado objektiv të tregohet gazetari titulli në faqe të parë ndryshohet nga kryeredaktori dhe pikërisht kjo gazetë vazhdimisht është treguar armiqësore ndaj Islamit dhe nuk kemi të bëjmë aspak me islamofobi siç edhe mund të pretendohet. Ndërkaq kemi edhe një qëndrim tjetër po për këtë problem atë të gazetës “Koha Jonë”, e cila edhe kjo ka shfaqur vazhdimisht që në faqe të parë vazhdimisht qëndrime kokëforta dhe aspak miqësore ndaj problemeve të muslimanëve shqiptarë. Titulli i kësaj gazete është “Kartat, gratë myslimane: Jo fotografi pa perçe”. Në këto qëndrime kaq të ashpra dhe aspak objektive ka një ndikim të ndjeshëm edhe të qenit e të gjithë grupit mediatik të “Klanit” në krahun qeveritar të sotëm. Me këtë nuk po them që vetë qeveria e sotme dhe Partia Demokratike e kanë një qëndrim, nuk ka të bëjë me këtë. Ky qëndrim vjen si pasojë e të kundërshtimit të fortë musliman ndaj problemit të vazhdueshëm të mbulesës së kokës, si dhe të perceptimit të gjithë gazetarëve të këtij grupi mediatik të muslimanëve si opozitarë e për pasojë duke qenë në krah të qeverisë dhe pozitës marrin pozita kundërshtuese gjatë përcjelljes së lajmit. Kjo gjë u vu re edhe në transmetimet e lajmeve nga TV Klan, i cili theksoi faktin e perçes apo ferexhesë. Kemi të bëjmë me një brain wash, që i bëhet publikut me anë të medieve, në rastin konkret të atyre të shkruara.

Kështu nuk mund të themi se kemi “Islamofobi” në Shqipëri, sepse pjesa më e madhe e medieve dhe e gazetarëve të paktën kanë një njohje të përciptë të muslimanit dhe deri tashti nuk kanë shfaqur qëndrime që mund t’i interpretojmë si një frikë irracionale. Ata duan të kundërshtojnë kur japin opinionet e tyre dhe ne nuk mund të presim dashamirësi nga njerëz apo organe mediatike të tilla. Gjithashtu dua të kujtoj këtu debatin e para disa viteve të analistit Mustafa Nano me poetin dhe publicistin Ervin Hatibi në valët e TV Klan gjatë emisionit të lajmeve, ku ai u shpreh se kishte lexuar mjaftueshëm mbi shtyllat e Islamit, por edhe sot e kësaj dite është e ditur që ai nuk është shprehur miqësisht ndaj fesë islame dhe muslimanëve. Po ashtu mund të kujtojmë vizitat e politikanëve më të lartë shqiptarë me rastin e dy bajrameve dhe është vërejtur qartë, se ata para takimit me krerët e KMSH-së kanë lexuar diçka për Islamin dhe kur kanë dalë jashtë janë shprehur për mediat me fjali të tilla që tregonin se kanë marrë njohuri racionale mbi Islamin. Kështu nuk mund të thuash që mbizotëron mosnjohja për Islamin dhe për pasojë mund të vijë edhe një frikë irracionale, islamofobi. Kjo ndodh rëndom në Perëndimin e Krishterë, ku terreni, kultura, brumi dhe njerëzit janë të mbrujtur me mësimet e krishtera apo të çdolloj feje tjetër. Islamofobia nuk është problemi jonë, madje do të na shtynte në ndonjë qorrsokak përveç ndonjë përfitimi monetar momental, që mund të kenë njerëzit. Ndërsa neve si muslimanë duhet të priremi drejt të vërtetës dhe të saktës, ashtu si na porosisin mësimet kuranore dhe të Profetit Muhamed, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit