Islamofobia dhe presionet
Bota muslimane nën presionin e qarqeve islamofobike sërish
(Një film krejtësisht i trilluar me
nxitje të qarta islamofobike kuptohet që nuk synon të vërtetën, por reagimin e
ashpër të botës muslimane. Vazhdimisht gishti mediatik është ngritur ndaj
ekstremizmit dhe radikalizmit të Islamit, e fatkeqësisht kësaj i kanë shërbyer
ndjenjat euforike të disa muslimanëve.)
Një film krejtësisht i sajuar dhe i trilluar me akuza të rreme mbi Profetin
Muhamed alejhi selam dhe muslimanët si terrorista e vrasës ordinerë ka ngjallur
zemërimin e të gjithë botës muslimane. Reagimet kanë qenë tejet të ashpra madje
edhe kanë kaluar në ekstrem, ku janë sulmuar ambasadat amerikane në disa vende
muslimane pa qenë ato përgjegjësit e drejtpërdrejt të këtij filmi irritues e
fyes ndaj profetit tonë të dashur alejhi selam. Fatkeqësisht vrasja e diplomatëve
amerikanë në Benghazi ka përkuar edhe me përkujtimet e 11 shtatorit dhe kështu
duke krijuar konotacione negative e për pasojë duke e rritur në maksimum
tollovinë e krijuar nga këta njerëz meskinë. Një provokim i disa personave
islamofobë, të pajisur me një urrejtje të qartë ndaj profetit të Islamit ka
arritur të ndezë zemërimin e mbarë muslimanëve, e sidomos në vendet e Afrikës
veriore të sapodala nga revolucionet e pranverës arabe. “Çuditërisht” Libia dhe
Egjipti kanë qenë në qendër të këtij cikloni, e më tepër të bën përshtypje
Libia, një vend i cili po përjeton një atmosferë të ngjashme me atë tonën në
vitin 1998, kur armët akoma qarkullonin lirshëm dhe mund ta humbasësh jetën
edhe nga ndonjë plumb qorr. Ndërkaq të gjithë liderët arabë e muslimanë i kanë
dënuar me forcë këto shfaqje islamofobike, që kryen në emër të “lirisë së fjalës”,
por edhe dëmet e bëra nga protestuesit gjithashtu. Fatkeqësisht me diferenca
kohore të ndryshme po ndërmerren sulme ndaj figurës së dashur të profetit tonë
Muhamed, duke na treguar kështu se qarqe të ndryshme të interesuara ndaj
vendeve muslimane nuk dëshirojnë qetësimin dhe mbarështrimin e këtyre vendeve.
Tashmë ky është një mekanizëm i testuar qysh më 2006 me rastin e publikimit të
karikaturave fyese në gazetën daneze “Jylland Posten”, e cila po si edhe në
ngjarjet e fundit shkaktoi zemërimin e të gjithë botës muslimane me protesta të
ashpra. Asokohe qe një provokim si rrufeja në qiell të hapët, ndërsa sot vërehet
se presioni po ushtrohet mbi vendet e “pranverës arabe”.
U dhanë disa versione mbi realizimin e filmit, por ajo që është e sigurt
shihet në deklarimin e synimeve të producentit dhe sponsorëve të këtij filmi të
fëlliqur. Kjo video ishte projektuar për të shkaktuar zemërimin e muslimanëve
dhe pa dashje ne ua furnizuam këtë gjë. Porse duhet të kemi parsysh porosinë
kuranore, e cila thotë: "Le të jetë nga ju një grup që thërret në atë që
është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët
janë ata të shpëtuarit." (Kuran, 3: 104). Po ashtu duhet të kemi parasysh
se si ka vepruar Resuli alejhi selam në raste analoge. Kujtojmë këtu rastin e
hebreut që i tha: Vdeksh, dhe Profeti jonë me qetësinë më të madhe ia ktheu
gjithashtu. Gjithsesi ka pasur edhe reagime si në rastin e Britanisë, ku një
grup vëllezërish shpërndanë Kuranin falas, si dhe fletushka e broshura për
Muhamedin alejhi selam. Ky duhet të jetë një reagim ndaj të gjithë atyre që
provokojnë, sepse tashmë është bërë si normale të protestohet dhe kjo e fundit
më solli ndërmend statusin e facebook të një hoxhe, i cili me pak ironi dhe
shumë dashamirësi shkruante:
Kontrast: Në namaz të sabahut
një saf me pleq - Allahu i ruajtë; ndërsa nëpër protesta për ta
"ndihmuar" Pejgamberin me qindra e me mijëra të rinj dhe të reja-
Allahu i udhëzoftë!
Comments
Post a Comment