DEBATET
Debatet në internet dhe pasojat
Roald A. HYSA
Mungesa e etikës dhe e
qëndrimit konstruktiv është një nga të metat themelore e debateve të brendshme,
por në veçanti e atyre që po zhvillohen në internet. Facebook-u, listat e
e-mailave dhe blogjet e ndryshme e kanë rritur shpejtësinë e transmetimit të
informacionit dhe të komunikimit publik, por etika e komunikimit ka mangësi të
theksuara.
Mungesa e thelluar e
mirëkuptimit dhe e tolerancës gjatë diskutimit dhe debatit është një nga
defektet kryesore që vërehet. Kjo gjendje me solli ndërmend mexhliset e
hershme, kur njerëzit e dijes (qoftë nxënës apo dijetarë, apo hoxhallarë)
mblidheshin dhe garonin, se kush mund te ishte më i zoti në të shprehurit e
mendimit të tij në lidhje me temën që diskutohej dhe arritja e rezultateve
pozitive në përfundim të tyre.
Me këtë desha të them se
këto lloj mexhlisesh na mungojnë krejtësisht këtu në hapësirën tonë. Por një
problem tejet i ndjeshëm së fundmi janë debatet që hapen në e-mail listat e
internetit, si dhe së fundmi në rrjetin social të Facebook-ut, ku etika e
debatit dhe e kundërshtimit të njëri-tjetrit lë shumë për të dëshiruar. Nuk po
mundohem të sjell shembuj këtu, sepse me të vërtetë që do të ishte humbje kohe
për të gjithë, kur pjesa më e madhe e jona janë të anëtarësuar nëpër listat e
ndryshme. Sa për diskutimet në forumet tona internetare, ato nuk i plotësojnë
kushtet e një mexhlisi të vërtetë apo siç e parashoh unë, për disa arsye:
1: janë krejtësisht
virtuale
2: njerëzit që debatojnë
në të shumtën e rasteve nuk e njohin nga afër njëri-tjetrin dhe kjo le shteg
për të dëshiruar.
3: personat që diskutojnë
e bëjnë këtë nga vende të ndryshme dhe shumë herë reflektojnë pa dashje gabime
me mosnjohjen e duhur të problemit për të cilin diskutohet apo debatohet.
4: personat që diskutojnë
meqenëse janë me formime të ndryshme shkollore gjithmonë përpiqen t'i shikojnë
gjërat sipas shkollimit që kanë marrë, apo po marrin (Një avokat sheh bazën
ligjore të gjithçkaje, një imam e sheh nga pikëpamja fetare, një sociolog sipas
shkollave përkatëse sociologjike etj.)
5: nëse personat që
diskutojnë e bëjnë këtë nga dy vende te ndryshme, bie fjala- një shqiptar nga
Amerika me një shqiptar nga Shkupi, apo Tirana, apo Prishtina, do të kishim nga
një anë njërin nga diaspora dhe në anën tjetër me dy vendalinj puro, që kanë
probleme të tjera nga ato të emigrimit, si dhe me një shqiptar që jeton në një
qytet si Shkupi, ku më të paktën ky qytet banohet nga dy kombësi (pra,
diskutimi mund të marri një kolorit të paparë në bazë të këtij ekuacioni të
tillë logjik.).
Pasi numërova pesë arsye
që e diktojnë krejt sfondin kuptimor të diskutimit dhe të debatit në forumet
internetare, FCB apo e-mail listat do të merrja në shqyrtim vetë mexhlisin, jo
si etimologji fjale, por si realitet.
Mexhlisi ndërtohet në tre
përmasa, le të përdorim këtë term të gjeometrisë jo-euklidiane. Njerëz të caktuar,
që mblidhen në një vend të caktuar në një kohë të caktuar për të diskutuar për
një temë apo problem të caktuar. E parë nën këtë këndvështrim mund të themi se
rrethanat përbërëse janë të cunguara dhe nëse do të fillonim të bënim
analogjitë, atëherë të gjithë së bashku do të vërenim:
1: a) Njerëzit lëvizin nga listat, ku mund të
anëtarësohen dhe mund të largohen sipas dëshirës. Gjithashtu, megjithëse mund
të jenë të anëtarësuar ata nuk marrin pjesë dhe diskutantët nuk mund ta dinë
nëse heshtjen e tyre mund ta marrim si pohim apo abstenim, pra duke mos e ditur
se kush është i pranishëm në atë diskutim-debat.
b) Pjesëmarrësit fizikë në
një mexhlis marrin pjesë më gjallërisht edhe me heshtjen e tyre, duke u
interpretuar kjo heshtje si pranim ndaj mendimit dominues.
2: Vendi: është i përbashkët, lista
e-mailit dhe në mexhlis vendi ku do të diskutohet, por këtu mungon elementi i
kontaktit fizik, pra, diskutimi apo debati zhvillohet pa pasur ndonjë kontakt
fizik të drejtpërdrejt, për pasojë këtu analogjia nuk mund të themi se vendoset
e plotë.
3: Koha: Diskutimi apo debati nuk mund
të zhvillohet në të njëjtën kohë, pra, është shumë më i shtrirë në kohë.
4: Problemi apo tema e caktuar: Kjo është
krejtësisht e përbashkët, por gjykimet dhe mendimet është e vështirë të jenë të
përbashkëta dhe nuk mund të vijnë drejt unifikimit për shumë arsye të tjera (që
kanë të bëjnë edhe me bindjet e njerëzve, të cilat janë shumë të rëndësishme,
ndërsa nuk janë këto ato që po shqyrtojmë këtu), por që vështirësohen
maksimalisht për të gjitha arsyet që i kam përmendur më sipër.
Gjithashtu
një komponentë tejet e rëndësishme është etika e debatit dhe e mospërputhjes
(ihtilafit), që i mungon në më të shumtën e rasteve debateve tona. Kështu nuk
mund të habitemi, se si nëpër listat tona bisedat personalizohen krejt, kur nuk
kanë të bëjnë me ne drejtpërdrejt, por me punët tona. Problemet tona janë po
ato, mbeten po ato dhe do të mbeten po ato, po nuk i zgjidhëm në mënyrën e
duhur, por edhe se ne deri tashti nuk jemi përpjekur aq sa duhet, duke e
drejtuar vëmendjen në bazë të një utilitarizmi ordiner që mund të vërehet
qartas. Ndërkaq një pjesë e këtyre problemeve mund të shmangen shumë mirë, kur
ne të reflektojmë gjallërisht etikën e lartë islame, të cilën neve duhet ta
fitojmë vazhdimisht nëpërmjet shembullit të njeriut tonë më të dashur Muhamedit alejhi salatu ue selam, si dhe të shokëve të tij të
afërt. Gjithashtu njohja e etikës së ihtilafit (mospërputhjes) do të ishte
shumë me vend për të shtuar kapacitetin tonë të debatit.
Comments
Post a Comment