Java në një ditë 14 qershor 2014 ALBANIA FM


Java në një ditë 14 qershor 2014



Selam alejkum të nderuar dëgjues të ALBANIA FM radios nga 90,4 mgh, unë jam Roald Hysa dhe ky është emisioni im i përjavshëm nga aktualiteti shqiptar, i cili përherë e më tepër të emocionon me lajmet që na vijnë. Të nderuar dëgjues, edhe kjo javë vazhdon të jetë e mbarsur me ngjarje nga më të ndryshmet dhe më tensionueset, pasi edhe temperaturat e motit kanë qenë të larta dhe ka nisur vapë e madhe. Politika dhe parlamenti vazhdojnë të bëjnë zhurmë në media, ndërkaq që policia tashmë e ka drejtuar vëmendjen te policët e vet. Një i tillë u ndalua në Laç, për shkak se kishte mbledhur një arsenal të tërë armësh dhe eksplozivi, kush e di se kujt i shërbente?... Çekia dhe Franca me sa duket janë dy vendet që do ta mbajnë peng marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë. Qeveria po merret me këtë problem seriozisht dhe ka marrë një seri masash, të cilat do t’i merrni vesh në vijim, sidomos për ata që nuk paguajnë dritat. Kot nuk thonë që qeveria e ze lepurin me qerre. Ngarkesat e drogës dhe arrestimet e korrierëve të drogës vazhdojnë dhe ato nuk janë vetëm nga Lazarati, por edhe nga Progonati. Dhe jo vetëm nga Progonati, por edhe gjetkë... perspektiva e Shqipërisë është e gjerë dhe Franca na mbështet në këtë drejtim. Lulzim Basha kryebashkiaku i Tiranës paraqiti projektin e tramit, por me sa duket qeveria akoma nuk ka arritur të fusi siç duhet në qarkullim autobusat e Rilindjes dhe njerëzit vazhdojnë të presin nëpër stacionet e ndryshme të vijë urbani. Me siguri që do të presim edhe për ca kohë, jo vetëm për tramin, por edhe për shumë gjëra. Vera sapo ka filluar dhe pritet të jetë shumë e nxehtë, një gjë na ngushëllon këtë muaj, kampionati botëror dhe ndeshjet emocionuese. Kafenetë deri tashti kanë qenë plot, ndërsa me kampionatin botëror do të shtohet puna dhe të ardhurat. Edhe kjo një mënyrë fitimi është, si dhe ndihmon zyrat e punës duke shtuar vende pune të reja. Gjithsesi po vazhdojmë me emisionin tonë....


Statusi, ‘Le Parisien’: Franca mund të jetë kundër. Elysee: Mbështesim perspektivën e Shqipërisë

“Përtej pritshmërive” e cilësoi kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama takimin me presidentin e Francës, Francois Hollande, duke u shprehur mjaft optimist për qëndrimin e saj ndaj statusit të Shqipërisë. Por, në një shkrim e përditshmja franceze, Le Parisien thekson se Franca mund të jetë kundër statusit. Kryeministri Edi Rama u takua me presidentin francez Francoi Hollande, për ti kërkuar mbështetje për pranimin e vendit të tij në Bashkimin Evropian… Por Franca është kundër”- shkruan e Le Parisin. Ndërkaq, ne deklaratën e “Elysee” lidhur me takimin, thuhet se u sigurua informacion mbi përafrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, në veçanti, çështja e dhënies së statusit kandidat për Shqipërinë, pas publikimit të raportit të Komisionit më 4 qershor. 
“Presidenti Hollande përsëriti mbështetjen e Francës për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe ka inkurajuar zotin Rama për të vazhduar me kalimin e kohës përpjekjet për të përmirësuar qeverisjen dhe sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsioni dhe krimit të organizuar në vend.”- thuhet në deklaratën e presidencës franceze. Autoritetet franceze do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për qeverinë shqiptare për të zbatuar reformat e pritshme për këtë qëllim. Rama dhe Hollande kanë rënë dakord gjithashtu për të shtuar bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Edhe kjo e fundit një ndihmë e madhe është, megjithëse ndonjë gojë e ligë do të thoshte pa ngurruar aspak: Fjalët e mira e gurët të trajse. Edhe Franca na duhej

Tenderat publikë, kush ka borxhe te CEZ përjashtohet

Asnjë kompani private nuk do të mund të marrë pjesë në tenderat publikë pa paraqitur një vërtetim që ka shlyer faturat e energjisë. Vendimi ku vendoset rregulli i ri është miratuar nga Këshilli i Ministrave, me qëllim ndërgjegjësimin social të pagesës së energjisë elektrike si një mall konsumi, por edhe për të përmirësuar financat e kompanisë së furnizimit me pakicë "CEZ Shpërndarje". "Një vërtetim që konfirmon shlyerjen e të gjitha detyrimeve të maturuara të energjisë elektrike të kontratave të energjisë që ka operatori ekonomik, që është i regjistruar në Shqipëri. Mosshlyerja e detyrimeve të energjisë elektrike përbën shkak për skualifikimin e operatorit ekonomik, përveç rastit kur rezulton se detyrimet e papaguara të energjisë elektrike, të konfirmuara në vërtetimin e lëshuar nga furnizuesi, janë në proces ankimi në gjykatë. Furnizuesi i energjisë elektrike është i detyruar që ta lëshojë këtë vërtetim jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e depozitimit të kërkesës nga operatori ekonomik", përcakton vendimi i djeshëm i Këshillit të Ministrave. Ore këto të CEZ-it paskan qenë të fortë së bashku Shtefan Fylen, ca para i morën edhe çekët e francezët, e megjithatë votën e tyre e kanë deklaruar kundër. Si janë bërë këta njerëzit sot, mos të gjetshin në hall, se të rrjepin të gjallë.

Fushë Krujë, 4 persona të armatosur grabisin një firmë

Një grabitje me armë ka ndodhur në Fushë-Krujë. Ngjarja ka ndodhur, në firmën “Shijaku SHPK”, ku katër persona të armatosur dhe maskuar kanë hyrë në ambientet e saj, duke e grabitur. Si fillim, grabitësit i kanë marrë armën rojës së firmës, duke bërë kështu më të lehtë kryerjen misionit të grabitjes. Autorët kanë vjedhur të gjithë xhiron ditore. Mësohet se kjo firmë, merret me aktivitetin e ndërtimeve, hekurishteve, dhe me shitje materialesh ndërtimi. Ndërkohë, policia e Krujës dhe Forcat e Ndërhyrjes së shpejtë po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikim dhe kapjen e autorëve të grabitjes. Edhe ky ndoshta do të jetë një nga rastet e shumta në statistikat e policisë së Krujës. Tashmë e gjithë kjo zonë është bërë shumë problematike me rastet e dhunës, drogës, e tritolit...

23-vjet PS, Rama: Jo më luftë të ftohtë, keqardhje që nuk erdhi Basha, humbi dollinë

Pas shfaqjeve të pamjeve të ndryshme, arritjeve të PS-së, fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit me video-projeKtor, mori fjalën e rastit kryeministri Rama, i cili i kushtoi jo pak vëmendje mungesës së kreut të PD-së Basha, në këtë festë. Sipas tij, mazhoranca dhe opozita nuk duhet të jenë më pjesë e një lufte të ftohtë tashmë që vendi synon t'i bashkohet BE. Rama shtoi se ai do marrë pjesë në festën e PD-së, nëse i vjen një ftesë. Në festë ishte i pranishëm edhe Ben Blushi, ndërsa nga opozita merrte pjesë deputeti Tritan Shehu. Në kuadër të 23-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama, njëherësh dhe kryetari i ka uruar ditëlindjen partisë së tij. Me anë të një mesazhi në rrjetin social “Twitter”, Rama ka uruar progresistët dhe socialistet për festën e krijimit të PS-së. “Socialisteve e progresisteve u uroj gëzuar ditëlindjen e PS - forca e interesave kombëtare për Shqipërinë Europiane”-citohet në mesazhin e Edi Ramës. Ish-kryetari Fatos Nano ka lënë të kuptohet në prononcimet e tij për mediat në vend se nuk do jetë prezent në këtë mbrëmje të organizuar nga selia rozë, duke u shprehur se nuk kishte ftesë, megjithëse nga Kryeministria thanë se ftesa i ka shkuar. Ndërkohë që të njëjtën gjë ka lënë të kuptohet edhe ish-presidenti socialist, Rexhep Meidani, i cili i pyetur nga MAPO nëse do të ishte i pranishëm sot, tha: “Ta shikojmë…”. I shpejtë ka qenë edhe reagimi i Lulzim Bashës, i cili ka deklaruar, se Rama e ka marrë një ftesë nga PD-ja, por që Rama nuk denjoi të ishte i pranishëm.  Ndoshta Rama e ka pasur fjalën për ftesën që mund t’i vijë në vijim. Por edhe një gjë u bë e qartë, megjithëse u festua themelimi i PS-së mund të thuhet rehat, se u festua ndryshimi i emërtimit të saj në kushtet post-demokratike.

Operacion Shqipëri-Kosovë, laborator droge një vilë në Mamurras, sekuestrohen armë-

Në sajë të një operacioni antidrogë nga Policia e Shtetit, është bërë e mundur sekuestrimi i një sasie të madhe heroine, kokaine dhe marijuane. Janë sekuestruar deri më tani mbi 57 kilogramë kokainë, 18 kilogramë heroinë, 150 kg marijuanë, 9 armë të tipeve të ndryshme, 3 snajpera, granada, eksploziv dhe makina të blinduara. Operacioni i gjerë antidrogë është ndërmarrë nga Policia e Shtetit, Sektori Kundër Krimit të Organizuar, si edhe drejtoritë e policisë në Lezhë e Durrës. Mësohet gjithashtu se operacioni është shtrirë edhe në Kosovë, ku deri më tani janë sekuestruar rreth 50 kg kokainë. Sakaq, policia ka rrethuar edhe një vilë trekatëshe në Fushë Kuqe të Mamurrasit, ku dyshohet të jetë ngritur një laborator i drogave të forta, e ku policia ka vërejtur ngritjen e disa pikave kontrolli të fortifikuara. Mësohet se vila 3-katëshe është në pronësi të shtetasit me iniciale Xh.Ç i shpallur në kërkim nga policia. Ai është babai i Gezim Çelës, i arrestuar disa kohë me parë, i njohur si bos i madh i drogës. Ndërkohë sipas burimeve të deritanishme bëhet me dije se disa persona janë shoqëruar në qytetin e Laçit, ku janë sekuestruar 18 kg heroinë e 150 kg hashash, si edhe janë gjetur 9 armë zjarri, 3 snajper, granata, makina, të blinduara etj. Në pikën kufitare të Morinës, janë sekuestruar në një makinë 7 kg kokainë, ndërsa në pranga është vënë drejtuesi i mjetit nga Tirana. Mësohet se në Kosovë pas njoftimit nga prokuroria e krimeve të rënda janë arrestuar 3 persona, dhe janë sekuestruar rreth 50 kg heroinë e Kokainë. Ja kështu bashkëpunimi politik pozitë-opozitë sjell rezultate të mira. Opozita në parlament ka kohë që bën zhurmë rreth trafiqeve ilegale të drogës dhe policia tashmë finalizon me sukses kapjen e drogave të shtrenjta dhe të trafikantëve. Po ashtu edhe në Itali është kapur përsëri kanabis që vinte nga Shqipëria me tonelata. Ç’është me za, s’asht pa gja,- thotë një fjalë e urtë.

Pukë, zjarr në kurorën e qytetit. Zjarrfikësit kërkojnë forca shtesë

Temperaturat e larta kanë rikthyer problematikën e zjarreve në zona të ndryshme të vendit. Pasditen e së premtes flakët kanë përfshirë kurorën e qytetit të Pukës, duke u përhapur me shpejtësi për shkak të erës. Mësohet se janë evidentuar dy vatra zjarri pranë njëra-tjetrës, ndërsa nuk dihet ende nëse zjarri ka qenë i qëllimshëm. Zjarrfikësit e kanë të pamundur ndërhyrjen në zonë, për shkak të shkurreve që pengojnë depërtimin pranë vatrave të zjarrit. Zjarrfikësit kërkojnë angazhimin e forcave shtesë për të vënë nën kontroll flakët që vijojnë të përhapen gjithnjë e më shumë. Prej vitesh pyjet tona dëmtohen prej zjarreve dhe akoma nuk është ndërtuar një forcë e posaçme për parandalimin dhe shuarjen e tyre. Pyjet janë një pasuri e pallogaritshme, por që deri tashti armiku kryesor i tyre ka qenë vetëm njeriu me pakujdesinë e tij. Ndoshta duhet ta nisim me fushata sensibilizuese dhe me përpjekjet për një riorganizim shumë më të mirë të të gjithë Shërbimit Pyjor e zjarrfikës.

Shënimi i JAVËS


Greva e urisë e ish-të përndjekurve politikë në një çadër të ngritur para parlamentit ka tre javë të mira që vazhdon. Qysh në momentin e parë të hyrjes në grevë u vu re një ndërhyrje e policisë së rendit për ta ndaluar këtë grevë. Po ashtu u veprua me grevën e punonjësve të administratës të larguar nga puna me vendime të padrejta. Edhe dy mitingje më herët u ndaluan nën justifikimin absurd, se nuk kemi forca rendi të mjaftueshme për të garantuar mbarëvajtjen e tyre, porse justifikimi i heshtur ishte statusi i vendit kandidat të Shqipërisë. Tingëllon paksa absurde kjo, kur duam të hyjmë në BE dhe shkelim të drejtën elementare qytetarit, atë që garantohet me ligj. Pikërisht të drejtën për të protestuar, në një kohë që kjo gjë është krejtësisht normale për një shoqëri pluraliste dhe demokratike. Por për çfarë po protestojnë ish-të përndjekurit? Ata përsëri po kërkojnë dëmshpërblimin dhe kësaj radhe edhe një kërkesë për të cilën shoqëria jonë duhet të shqetësohet, atë të dënimit të komunizmit dhe atë që ai përfaqësoi për gati pesë dekada rresht në Shqipëri. Dënimin e një regjimi totalitar që e shkatërroi sistematikisht Shqipërinë dhe të gjithë Shqiptarët. Ai regjim totalitar ngriti njeriun e ri, pikërisht atë njeri të paskrupullt, i cili përsëri po minon me shumë dredhi të ardhmen e këtij vendi. Ribëhet një ligj i ri për të dëmshpërblyer ish-të përndjekurit politikë, ndërkohë që një ligj i tillë ekziston. E reja që mund të sillte ky ligj do të ishte të rritej kuota e dëmshpërblimit, por jo asgjë të re nuk ka. Vetëm se sipas ministrit do të shihen me përparësi ata që janë gjallë dhe gratë. Po pse kaq e vështirë paska qenë kjo, sa të bëhej një ligj i posaçëm për dëmshpërblimin. A nuk do të mjaftonte një VKM për ta zgjidhur këtë problem, apo e gjitha kjo është fjalë dhe vetëm fjalë zotëri ministër... krimet e komunizmit nuk janë dënuar ende, dhe ne jemi në pritje të bëhet një gjë e tillë, megjithëse më pesë maj asistuam në një shfaqje të shëmtuar të rishfaqjes publike të pionierëve socialistë, që nderojnë me grusht në Varrezat e Dëshmorëve. Ndoshta greva e urisë e këtyre njerëzve nuk do të kishte kuptim, sikur qeverisja t’i kishte lënë mënjanë retorikat boshe dhe partia socialiste të ishte shkëputur një herë e mirë me të shkuarën. Nga 8 nëntori 1941 një grup njerëzish me bindje komuniste e kanë nisur mbajtjen peng të Shqipërisë dhe aspiratave të saj. Më 1948 partia komuniste do të kthehej  në parti të punës dhe do ta qeveriste vendin me dhunë, duke shkaktuar dëme të pallogaritshme. Në vitin 1991 partia e punës do të kthehej në parti socialiste dhe do të bëhej për këto 23 vitë tranzicion njëra nga dy alternativat qeverisëse të vendit. Sistemi politik është polarizuar, por ajo që është me të vërtetë shqetësuese nuk është krijimi i një force të tretë, si alternativë për ta prishur barazpeshën e pushteteve. Shqetësimi kryesor është se partia socialiste nuk ka ndryshuar mentalitetin e saj punist. Ajo po ndëshkon opozitën dhe kështu kërkon të garantojë pushtetin e vet. Opozita është cjapi i mëkateve dhe të gjitha bateritë e propagandës janë drejtuar kundër saj. Festimi i 23 vjetorit të PS-së është thjesht një shou mediatik, kur nuk ka ndryshuar asgjë për këtë parti. Tashmë ajo është në duart e disa arrivistëve arrogantë, të cilët kujdesen më tepër për lookun e tyre personal, se sa për t’i dhënë këtij vendi. Asgjë nuk ka ndryshuar për partinë, dhe kjo shihet që edhe një kongres i zakonshëm nuk po zhvillohet dot për t’i dhënë frymën e zakonshme kësaj partie. Kështu, kushdo qofshin ata ish-të përndjekur politikë, jo vetëm kanë dhe po ushtrojnë të drejtat e tyre ligjore në bazë të ligjeve dhe të kushtetutës së këtij vendi, por kanë edhe të drejtën e tyre morale. Kjo e drejtë morale iu vjen atyre, për shkak se asgjë nuk po bëhet për ata. Gjithashtu me të drejtë ata e mendojnë se të drejtat e tyre nuk mund t’i marrin nga bijtë e atyre që deri dje i persekutuan. Nuk mund t’i marrin pikërisht nga ajo parti, e cila për asnjë sekondë nuk e ka dënuar të shkuarën e vet. Janë po ata njerëz sot në pushtet, që dëmshpërblyen menjëherë dhe pa këste Aranit Çelën e kompani pasi e morën pushtetin në vitin 1997. Këto dhe shumë të tjera i japin të drejtën morale grevës së urisë që po zhvillohet përpara parlamentit. Gjërat mund të ndryshojnë, rrethanat ndryshojnë, Shqipëria do të eci përpara dhe të gjithë ish-të përndjekurit politikë e shpresojnë shumë këtë gjë. Një gjë po duhet të kërkohet deri sa të shkojë në vend, ai regjim që shkoi, së bashku me njerëzit e vet duhet të dënohet publikisht. Historia e ka thënë të vetën, porse njerëzit sot duhet të shprehen hapur, që të ndahemi një herë e mirë me të shkuarën tonë të errët 50-vjeçare. Komunizmi ishte dhe do të mbetet shkatërrim për njerëzimin, pavarësisht nga forma që na shfaqet. Në këto ditë të nxehta ne shpresojmë që ish-të përndjekurit politikë ta marrin dëmshpërblimin të gjithë pa përjashtim dhe të gjithë shumën. Por ajo që duhet të jetë shqetësim i përbashkët është dënimi i regjimit totalitar edhe nga vetë bijtë e tyre për të shkuar në një katarsis politik e shpirtëror.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit