Shënimi i JAVËS 14 qershor 2014

Policet duke penguar hyrjen ne greven e urise


Shënimi i JAVËS
14 qershor 2014




Greva e urisë e ish-të përndjekurve politikë në një çadër të ngritur para parlamentit ka tre javë të mira që vazhdon. Qysh në momentin e parë të hyrjes në grevë u vu re një ndërhyrje e policisë së rendit për ta ndaluar këtë grevë. Po ashtu u veprua me grevën e punonjësve të administratës të larguar nga puna me vendime të padrejta. Edhe dy mitingje më herët u ndaluan nën justifikimin absurd, se nuk kemi forca rendi të mjaftueshme për të garantuar mbarëvajtjen e tyre, porse justifikimi i heshtur ishte statusi i vendit kandidat të Shqipërisë. Tingëllon paksa absurde kjo, kur duam të hyjmë në BE dhe shkelim të drejtën elementare qytetarit, atë që garantohet me ligj. Pikërisht të drejtën për të protestuar, në një kohë që kjo gjë është krejtësisht normale për një shoqëri pluraliste dhe demokratike. Por për çfarë po protestojnë ish-të përndjekurit? Ata përsëri po kërkojnë dëmshpërblimin dhe kësaj radhe edhe një kërkesë për të cilën shoqëria jonë duhet të shqetësohet, atë të dënimit të komunizmit dhe atë që ai përfaqësoi për gati pesë dekada rresht në Shqipëri. Dënimin e një regjimi totalitar që e shkatërroi sistematikisht Shqipërinë dhe të gjithë Shqiptarët. Ai regjim totalitar ngriti njeriun e ri, pikërisht atë njeri të paskrupullt, i cili përsëri po minon me shumë dredhi të ardhmen e këtij vendi. Ribëhet një ligj i ri për të dëmshpërblyer ish-të përndjekurit politikë, ndërkohë që një ligj i tillë ekziston. E reja që mund të sillte ky ligj do të ishte të rritej kuota e dëmshpërblimit, por jo asgjë të re nuk ka. Vetëm se sipas ministrit do të shihen me përparësi ata që janë gjallë dhe gratë. Po pse kaq e vështirë paska qenë kjo, sa të bëhej një ligj i posaçëm për dëmshpërblimin. A nuk do të mjaftonte një VKM për ta zgjidhur këtë problem, apo e gjitha kjo është fjalë dhe vetëm fjalë zotëri ministër... krimet e komunizmit nuk janë dënuar ende, dhe ne jemi në pritje të bëhet një gjë e tillë, megjithëse më pesë maj asistuam në një shfaqje të shëmtuar të rishfaqjes publike të pionierëve socialistë, që nderojnë me grusht në Varrezat e Dëshmorëve. Ndoshta greva e urisë e këtyre njerëzve nuk do të kishte kuptim, sikur qeverisja t’i kishte lënë mënjanë retorikat boshe dhe partia socialiste të ishte shkëputur një herë e mirë me të shkuarën. Nga 8 nëntori 1941 një grup njerëzish me bindje komuniste e kanë nisur mbajtjen peng të Shqipërisë dhe aspiratave të saj. Më 1948 partia komuniste do të kthehej  në parti të punës dhe do ta qeveriste vendin me dhunë, duke shkaktuar dëme të pallogaritshme. Në vitin 1991 partia e punës do të kthehej në parti socialiste dhe do të bëhej për këto 23 vitë tranzicion njëra nga dy alternativat qeverisëse të vendit. Sistemi politik është polarizuar, por ajo që është me të vërtetë shqetësuese nuk është krijimi i një force të tretë, si alternativë për ta prishur barazpeshën e pushteteve. Shqetësimi kryesor është se partia socialiste nuk ka ndryshuar mentalitetin e saj punist. Ajo po ndëshkon opozitën dhe kështu kërkon të garantojë pushtetin e vet. Opozita është cjapi i mëkateve dhe të gjitha bateritë e propagandës janë drejtuar kundër saj. Festimi i 23 vjetorit të PS-së është thjesht një shou mediatik, kur nuk ka ndryshuar asgjë për këtë parti. Tashmë ajo është në duart e disa arrivistëve arrogantë, të cilët kujdesen më tepër për lookun e tyre personal, se sa për t’i dhënë këtij vendi. Asgjë nuk ka ndryshuar për partinë, dhe kjo shihet që edhe një kongres i zakonshëm nuk po zhvillohet dot për t’i dhënë frymën e zakonshme kësaj partie. Kështu, kushdo qofshin ata ish-të përndjekur politikë, jo vetëm kanë dhe po ushtrojnë të drejtat e tyre ligjore në bazë të ligjeve dhe të kushtetutës së këtij vendi, por kanë edhe të drejtën e tyre morale. Kjo e drejtë morale iu vjen atyre, për shkak se asgjë nuk po bëhet për ata. Gjithashtu me të drejtë ata e mendojnë se të drejtat e tyre nuk mund t’i marrin nga bijtë e atyre që deri dje i persekutuan. Nuk mund t’i marrin pikërisht nga ajo parti, e cila për asnjë sekondë nuk e ka dënuar të shkuarën e vet. Janë po ata njerëz sot në pushtet, që dëmshpërblyen menjëherë dhe pa këste Aranit Çelën e kompani pasi e morën pushtetin në vitin 1997. Këto dhe shumë të tjera i japin të drejtën morale grevës së urisë që po zhvillohet përpara parlamentit. Gjërat mund të ndryshojnë, rrethanat ndryshojnë, Shqipëria do të eci përpara dhe të gjithë ish-të përndjekurit politikë e shpresojnë shumë këtë gjë. Një gjë po duhet të kërkohet deri sa të shkojë në vend, ai regjim që shkoi, së bashku me njerëzit e vet duhet të dënohet publikisht. Historia e ka thënë të vetën, porse njerëzit sot duhet të shprehen hapur, që të ndahemi një herë e mirë me të shkuarën tonë të errët 50-vjeçare. Komunizmi ishte dhe do të mbetet shkatërrim për njerëzimin, pavarësisht nga forma që na shfaqet. Në këto ditë të nxehta ne shpresojmë që ish-të përndjekurit politikë ta marrin dëmshpërblimin të gjithë pa përjashtim dhe të gjithë shumën. Por ajo që duhet të jetë shqetësim i përbashkët është dënimi i regjimit totalitar edhe nga vetë bijtë e tyre për të shkuar në një katarsis politik e shpirtëror.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit