Shënimi i JAVËS 7 QERSHOR 2014




Shënimi i JAVËS

7 QERSHOR


Përurimi i katedrales ortodokse javën që shkoi ishte një nga evenimentet më të mëdha për komunitetin ortodoks. Në këtë ngjarje morën pjesë funksionarë të lartë shtetërorë me në krye presidentin Nishani dhe kryeministrin Rama etj. Deri këtu nuk ka gjë, por pjesa tjetër ishte shumë shqetësuese për të gjithë opinionin vendas. Prania e peshkopëve serbë Ireneut dhe Amfilohijes ishte burimi kryesor i shqetësimit vendas. Ky shqetësim u shtua më tepër nga deklaratat e peshkopit serb Ireneut, i cili vazhdon ta konsiderojë Kosovën djepin e Serbisë së Vjetër, dhe për më tepër reagimi qeveritar ndaj këtyre deklaratave ishte i vakët, thjesht sa për të bërë një reagim. Plagët e shqiptarëve të Kosovës akoma nuk janë mbyllur dhe vazhdojnë disa mijëra kosovarë të mbeten të zhdukur. Reçaku kullon gjak dhe pret të rivarrosen edhe shumë të tjerë që akoma nuk gjenden. Ndërkaq një fakt i ka munguar vëmendjes së medieve vendase, trualli ku është ndërtuar kjo Katedrale i është dhuruar Shtetit Shqiptar për ta bërë lulishte nga arkitekti dhe patrioti i mirënjohur kolonjar Qemal Butka. Regjimi monarkik e bëri lulishte duke u ruajtur kështu deri vonë amaneti i Qemal Butkës. Me gjithë kundërshtimet e opinionit publik ky truall iu dha dhuratë në shkëmbim të truallit ku gjendet sot hotel Tirana, i cili më parë kishte qenë kishë ortodokse. Ndërkaq shërbimet policore garantuan me shumë besnikëri mbarëvajtjen e kësaj ceremonie, duke mos lënë asnjë grup protestuesish të protestojnë, madje edhe ndonjë individ i guximshëm u dërgua me urgjencë dhe u izolua në rajonet policore të kryeqytetit. Nikolas Gejxhit nuk iu prish qetësia kësaj radhe, madje ai ndodhej në radhët e para të kësaj ceremonie, megjithëse 20 vite më parë ai do të shpallej persona non grata për shkak të anti-shqiptarësisë së tij patologjike. Ndërkaq i gjithë ky kujdes ofendoi thellësisht ndjenjat e muslimanëve kudo në vend, të cilët edhe sot e kësaj dite Bajramin dhe ditën e xhuma e falin nëpër rrugë, për shkak të numrit të madh të besimtarëve frekuentues. Pikërisht këtë ditë dhe më tepër në Xhaminë e Et’hem Beut vërehet përherë e më tepër ky problem tejet i ndjeshëm për të gjithë muslimanët kryeqytetas: Ai i nevojës urgjente të Xhamisë së Madhe. Në këtë ditë të xhuma, të gjithë besimtarët pa u ndjerë dhe me shumë përkushtim kryejnë faljen e kësaj dite të shenjtë dhe shumë të ndritur për të gjithë ne. Ato falen në trotuarin përpara xhamisë pa u ankuar duke shpresuar të fitojnë kënaqësinë e Zotit, ndërsa ata më me fat falen brenda xhamisë në ditët me shi dhe të ftohta të dhjetorit, apo me diell të nxehtë të verës që sapo ka hyrë. Imamit i duhet ta nxitojë xhumanë, duke ndjerë keqardhje për bashkëbesimtarët e vet, që me durim presin jashtë në të ftohtë e në të nxehtë. Neve jemi Komuniteti fetar më i madh në vend, por që akoma nuk kemi zënë vend siç duhet në fizionominë e kryeqytetit. Dy kisha të përmasave të mëdha janë ndërtuar tashmë në zemër të kryeqytetit. Pikërisht ishin ditët e fundit të dhjetorit kur nisën lëvizjet demokratizuese në të gjithë vendin. Ishte pikërisht në këto ditë kur Hafiz Sabri Koçi me një grup besimtarësh rihapën Xhaminë e Plumbit në Shkodër, duke i dhënë jetë një reaksioni zinxhir, i cili do të kishte pasojat e veta në të gjithë Shqipërinë. E pra sot na mungon një Xhami e madhe në kryeqytet, në një kohë kur Qeveria po hesht për Xhaminë e Namazgjasë. Çuditërisht po hesht edhe vetë Komuniteti Mysliman i vetmi përfaqësues dhe i interesuar i drejtpërdrejtë për të ngritur një objekt kulti i denjë për vetë shifrat që përfaqësojmë. Një vello misteri e ka mbuluar Namazgjanë dhe interesi ynë është i ligjshëm për këtë problem. Asnjë info në këtë drejtim, të gjithë drejtuesit qeveritarë e fetarë heshtin dhe vetëm heshtin ndaj interesit të shfaqur të besimtarëve, se kur do të marrë fund telenovela e Xhamisë së Namazgjasë. Për ironi të funksionarëve të KMSH-së që kalojnë për ditë përpara Namazgjasë qëndron tabela e lejes komplekse të Namazgjasë e dhënë nga ish-kryeministri Sali Berisha, së bashku me kryebashkiakun Lulzim Basha. Edhe sa do të presim? Të tjerët i hanë kumbullat e tharta, neve na mpihen dhëmbët...

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit