Java në një ditë ALBANIA FM 7 qershor 2014





Java në një ditë 7 qershor 2014

Selam alejkum të nderuar dëgjues të ALBANIA FM nga 90,4 mgh nga Roald Hysa. Si për çdo javë po takohemi përsëri në valët e Radio Albanias për të ndarë me ju disa nga hallet dhe problemet shqetësuese. Shenjtërimi i Katedrales Ortodokse nga në një festë është kthyer në një burim shqetësimi për të gjithë. Katedralja është rrethuar me forcat speciale të policisë shqiptare, të cilat kanë garantuar mbarëvajtjen normale të ceremonisë, dhe njëkohësisht nuk kanë lejuar asnjë lloj demonstrimi kundër këtij eventi. Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë funksionarët më të lartë të Shtetit Shqiptar, presidenti Nishani, kryeministri Rama etj., si dhe një mori patriarkësh ortodoksë nga e gjithë Lindja. Në të gjithë rrjetet sociale shpërtheu një valë zemërimi ndaj deklaratave të peshkopit serb Ireneut, që e cilësoi në një deklaratë Kosovën tokën e shenjtë të Serbisë. Një nga vizitorët e shquar të Janullatosit ka qenë edhe Nikolas Gejxh i njohur për anti-shqiptarinë e tij patologjike. Reagimet ndaj kësaj deklarate nga i gjithë vendi dhe Kosova kanë qenë të ashpra. Vizita e komisionarit për zgjerim të BE-së Shtefan Fyle është mirëpritur nga të dy krahët e politikës. Ai ka përsëritur për herë të tretë PO-në e tij për statusin e Shqipërisë si vend kandidat. Pozita e ka përshëndetur me ovacione PO-në e Fyles, ndërsa opozita e ka mirëpritur por pa ndonjë entuziazëm të madh, duke vërejtur lidhjet e Fyles me çekët e CEZ-it. Epo e gjithë kjo botë mbi interesa është e ndërtuar. Edhe të dish të mbash të ashtuquajturat lidhjet nepotike, është një art më vete. Droga vazhdon të lëvizë me shumicë dhe një pjesë e saj po ndalohet nga policia, si për këtej kufirit dhe për andej kufirit. Opozita po e akuzon haptas e pa doreza qeverisjen e sotme për trafikimin e lëndëve narkotike. Punonjësit e larguar nga administrata e ndërprenë grevën e tyre të urisë dhe vendosën ta ndjekin në rrugë të tjera, kurse ish-të përndjekurit politikë po vazhdojnë me kërkesat e tyre, sidomos po këmbëngulin për dënimin e figurës së Enver Hoxhës. Një tjetër minë ishte vendosur në Fushë-Krujë dhe për fat kjo nuk arriti të shpërthejë, duke i kursyer dëmet në njerëz që mund të kishte bërë. Një thirrje të dyfishtë për ndihmë do ta ndiqni në vijim, si për t’ju sjellë në vëmendje që ne duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin pikërisht atëherë kur njeriu ka më shumë nevojë. Ndërkaq po fillojmë me ngjarjen e javës...


Nikolas Gejxh në shenjtërimin e Katedrales në Tiranë. Nuk rezulton në sistemin TIMS

Në shenjtërimin e Katedrales Ortodokse “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë ka qenë i pranishëm edhe një prej përfaqësuesve të mbrojtjes së etnisë greke, Nikolas Gejxh, i cili nuk ka kursyer edhe qëndrimet antishqiptare. Në fotot e publikuara në media duket qartë se ultranacionalisti Gejxh ndodhet në krah të Vasil Bollanos, ish-kryebashkiaku i shumëpërfolur i  Himarës. Por zyrtarisht nuk rezulton të ketë hyrë në Shqipëri në vitin 2014. Mediat kanë siguruar të dhënat e sistemit TIMS, që verifikojnë hyrje-daljet e shtetasve në Shqipëri. Sipas këtyre të dhënave, rezulton se Nikolas Gejxh, ka hyrë për herë të fundit në Shqipëri në janar të vitit 2005. Shtetasi amerikan Nikolas Gejxh është regjistruar në sistemin TIMS në datën 19 janar në ora 17:22 dhe ka dalë të nesërmen 20 janar, në orën 13:44, duke qëndruar në Shqipëri më pak se 24 orë. 
Nuk dihet pse hyrja e tij e fundit nuk është regjistruar në sistemin TIMS, ndërkohë që fotot e bëra publike e vërtetojnë më së miri praninë e tij në Shqipëri, së paku në datën 1 qershor 2014, ditën e shenjtërimit të Katedrales së re Ortodokse. Ministria e Brendshme (MB) reagoi duke sqaruar se Nikolas Gejxh është regjistruar në sistemin TIMS. “Nga verifikimet e kryera rezulton se NICHOLAES GAGE, (emri ne anglisht) me nënshtetësi amerikane ka hyrë në Shqipëri në datë 31.05.2014, i ardhur nga Greqia dhe është larguar në datë 02.06.2014. Ai u është nënshtruar të gjitha rregullave standarde të kontrollit dhe regjistrimit të shtetasve, përfshirë edhe regjistrimin në sistemin TIMS”, citon zyra e shtypit të ministrisë së Brendshme. Ministria e Punëve të Brendshme siguron më tej opinionin publik se sistemi i kontrollit dhe regjistrimit të personave në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar të vendit është i sigurt dhe procedurat standarde të ndjekura nga strukturat përkatëse të policisë janë të verifikueshme në çdo rast. Si të jetë regjistruar, si të mos jetë regjistruar prania e tij në Tiranë është një ofezë për vendin tonë. Një armiqtë patologjikë të shqiptarëve lejohet dhe katedralja ruhet me forca të shumta policie. Po ashtu peshkopët lindorë kanë sjellë edhe bodigardët e tyre privatë që t’i ruanin. Ndërkaq rrjeti social në FCB ka përcjellë goxha sarkazmin e shumë muslimanëve që janë ndjerë të fyer, sepse nuk është treguar kaq kujdes dhe përkushtim ndaj ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë nga kjo qeverisje, e cila nuk po jep shenjën më të vogël të vullnetit për ta ndihmuar ndërtimin e saj.

Statusi, Bushati: Rekomandimi i KE, për herë të parë i qartë si kristali. Reagon Bregu

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryediplomati Ditmir Bushati theksoi, se Shqipëria ka marrë për herë të parë nga KE-ja një rekomandim të qartë e të pakushtëzuar për statusin e vendit kandidat. Sipas ministrit Bushati, opozita shqiptare duhet t’i kërkojë ndjesë opinionit publik për akuzat e bëra lidhur me krimin dhe korrupsionit, të rrëzuara sipas tij, në raportin e përgatitur nga KE-ja për Shqipërinë. “Duhet ta themi siç është, kemi për herë të parë një propozim i cili është i qartë si kristali, i pakushtëzuar dhe i palidhur me disa reforma që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare. Duhet ta shohim rekomandimin e KE-së si një përgjegjësi të madhe, dhe për t’i thënë Europës, që ne jemi një faktor politik shqiptar me impakt të qartë në rajon, që e di shumë mirë ku e ka vendin”- deklaroi Bushati. Duke iu përgjigjur ministrit Bushati, ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu theksoi se “nuk ka shqiptar që të mos e dijë që rekomandimi i KE-së për statusin po u shkon për të tretën herë në tryezë vendeve anëtare të BE-së”. “Në vitin 2012 shkoi me 3 kushte, votoni 3 ligjet. Nga tetori i 2012-ës deri në dhjetor ju kishit gati 100 ditë për t’i votuar, nuk e bëtë, i votuat në majit të 2013-ës, pasi kishte mbaruar. U propozua në tetor të 2013-ës pa asnjë kusht dhe hezitim që Shqipëria të marrë statusin kandidat. Ky është një raport që bëhet për të bindur vendet anëtare që Shqipëria ta marrë këtë status të vonuar, që do ta kishte marrë me kohë nëse do të kishit votuar ligjet”- deklaroi Bregu. Jo vetëm kaq, por opozita në FCB ka lëshuar akuza korrupsioni ndaj lidhjeve të Fyles me drejtues të lartë të CEZ që jetojnë në Çeki. Lidhjet më të vështira për t’u shkatërruar janë ato nepotiket, dhe mirëmbajtja e tyre është një art më vete.

Bari, kapen 250 kg kokainë e fshehur në banane, vinte drejt Shqipërisë

Në portin Bar të Malit të Zi është sekuestruar një sasi rekord kokaine, që kishte si destinacion Shqipërinë. Bëhet fjalë për 250 kilogramë kokainë e cilësisë së lartë, që do vinte në Shqipëri, e fshehur në kutitë e bananeve. Policia malazeze e Portit në Bar bën me dije se, ka konfiskuar sasinë e drogës, të fshehur në kutitë e bananeve që vinin nga Ekuadori. Droga është gjetur në një nga tre kontejnerët që sillte banane nga Ekuadori drejt Shqipërisë. Duke përdorur një skaner, oficerët e policisë doganore kanë zbuluar kokainën e fshehur poshtë dyshemesë prej druri të kontenierit. Mësohet se droga ishte e ndarë në 223 pako. Vlera e llogaritur e shitjes së drogës arrin deri në 12.5 milionë Euro. Edhe gjermania 'Bild', shkruan për sasinë më të madhe të drogës të kapur ndonjëherë në Malin e Zi. Të njëjtat burime saktësojnë se bëhet fjalë për substancë "jashtëzakonisht të pastër". Për sasinë më të madhe të kokainës së pastër, të kapur në historinë e Malit të Zi, sic shkruajnë mediat malazeze ka folur edhe Drejtori i Autoritetit të Doganave, Vladan Jokoviç, i cili u shpreh se kontenieri është dërguar nga kompania "Vimticorp SA", nga Ekuadori, ndërsa marrësi ishte kompania shqiptare ‘Rrapo’, shkruan 'Vijesti'. Sipas tij, droga u zbulua në një kontroll rutinë nga zyrtarët e departamentit të luftës kundër kontrabandës. Sipas regjistrit zyrtar të Shqipërisë, 'Rrapo' është një kompani e regjistruar në mars të vitit 2013 nga Nazike Rrapi. Kompania u krijua për të importuar fruta, dhe sipas regjistrit kjo është dërgesa e saj e parë. Ajo që dihet është se bananet kishin si destinacion Shqipërinë, ndërsa ende nuk saktësohet se ku do shpërndahej kokaina e pastër pasi të mbërrinte në Shqipëri. Me siguri që ne si vend transiti që jemi, do të dërgohej në Itali apo Greqi, ku edhe ka treg për këtë lloj substance narkotike. Gjithsesi trafiku i narkotikëve sikur po lulëzon më tepër, me gjithë përpjekjet titanike të policisë tonë. Akuzat më të rënda vijnë nga Italia, e cila po dëmtohet më shumë nga ky trafik dhe sasi të tjera droge janë kapur edhe në Itali.

9-vjeçari nevojë për transplant veshke, familja: Na ndihmoni ti shpëtojmë jetën

Ky është Ledion Malaj, djaloshi 9 vjeçar, i cili prej një muaji është diagnostikuar me hepatit autoimun. Për ditë me radhë ai i është nënshtruar analizave dhe mjekimeve pranë pediatrisë së qendrës spitalore universitare në kryeqytet. Mjekët shprehen se vogëlushit i është dhënë ndihma maksimale mjekësore, por spitalet tona, nuk mund ta trajtojnë më tej këtë rast, pasi për të, duhet një ndërhyrje më e specializuar. Mjekët kanë dërguar dosjen e tij pranë Ministrisë së Shëndetësisë, për të mundësuar një transplant veshke jashtë vendit. Neës24, i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për të marrë një përgjigje lidhur me rastin në fjale. Zyrtarët e ministrisë sqaruan se pasi u shqyrtua rasti i Ledionit, u kryen procedurat e nevojshme me Ministrinë e Shëndetësisë turke, për të mundësuar kurimin e 9 vjeçarit në Turqi. Pikërisht këtë të enjte erdhi përgjigja që të gjithë familjarët prisnin me padurim, por fatkeqësisht nuk ishte ajo e dëshiruara. Ministria e Shëndetësisë së Turqisë solli një përgjigje negative për rastin e 9 vjeçarit, edhe pse shteti shqiptar ka një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë me Turqinë. Familja Hoxha nga qyteti i Ballshit, e cila prej një muaji i ngrys netët dhe zbardh ditët në korridoret e spitalit, pohon se djali ka qenë i shëndetshëm, dhe gjithçka filloi një muaj më parë, kur u shfaqën edhe shenjat e sëmundjes. Që atë ditë, edhe pse në spital, shëndeti i djalit vazhdon të përkeqësohet. I ati i Ledjonit, Sokol Hoxha erdhi pranë televizionit Neës 24 për ta bërë rastin publik, me shpresën se mund të gjendet një zgjidhje për shëndetin e të birit. “Kemi një muaj tek Nënë Tereza, mjekët kanë ngritur duart lart se nuk bëjnë dot gjë. Na kanë ta dërgojmë diku, ta dërgojë Ministria, në Turqi apo Itali. Sot na ka ardhur një përgjigje negative sot nga spitali turk se nuk bëjnë transplante të tilla.”-shprehet për Neës24 babi i Ledjonit. E teksa koha kalon, shpresat për shëndetin e Ledjonit sa vijnë e pakësohen. Familja Hoxha bën apel çdo kujt që ka mundësi, të kontribuojë në shpëtimin e jetës së vogëlushit, duke mundësuar kurimin e tij në një vend tjetër. Edhe ne si radio i bashkëngjitemi thirrjes për ndihmë për vogëlushin dhe kush ka mundësi të ndihmojë duhet ta bëjë atë pa hezituar aspak. Njerëzit kanë nevojë më tepër kur janë në vështirësi dhe sot prindërit e Ledjonit kanë nevojë më tepër se kurrë për ndihmën tonë.

Protestat në Belsh, Prençi: Situata e dramatizuar, po verifikohen dëmet

Një ditë pas protestës së banorëve të Belshit, të cilët kërkonin ndihmë nga shteti për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 19 maj, ka reaguar drejtori i Emergjencave Civile Shemsi Prençi. Ai ka thënë se situata është dramatizuar pasi nuk është shpallur gjendja e emergjencës, ndërsa po punohet për verifikimin e dëmeve. “Ne për atë nivel të lartë të tërmetit duhet të jemi optimist për faktin që s’kemi patur humbje në jetë njerëzish. Drejtoria e Emergjencave Civile ka asistuar në të gjithë territorin. Është bërë praktikë në Shqipëri që pasi marrin 5 familje ndihmë, kërkojnë dhe të tjerët”, ka thënë Prençi. Banorët e Belshit dolën në protestë menjëherë pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti dhe kërkuan që t’u riparohen banesat dhe deri sa të ndodhë kjo t'u sigurohen çadra pasi nuk kanë nuk jetojnë. Sipas banorëve shtëpitë e tyre janë bërë të pabanueshme. Tërmeti i 19 majit ishte me Magnitudë 5.2 të shkallës Rihter. Ky nuk është tërmeti i parë që ka rënë në këtë zonë dhe ka shkaktuar dëme. Ndërkaq nga fondi i emergjencave civile do të ishte mirë të rezervohej diçka për banorët e kësaj zone. Një apel për ndihmë qeverisë ne po e lëshojmë, por qeverisja sipas Prençit nuk e ka ndërmend të lëvizë ndonjë gur. Banorët duhet të heqin dorë nga ideja e çadrave e t’i dalin zot vetes, se Shemsiut nuk i bjen ndërmend që ata kanë dalë jashtë e po shuhëllehen në diell.


Shënimi i JAVËS

Përurimi i katedrales ortodokse javën që shkoi ishte një nga evenimentet më të mëdha për komunitetin ortodoks. Në këtë ngjarje morën pjesë funksionarë të lartë shtetërorë me në krye presidentin Nishani dhe kryeministrin Rama etj. Deri këtu nuk ka gjë, por pjesa tjetër ishte shumë shqetësuese për të gjithë opinionin vendas. Prania e peshkopëve serbë Ireneut dhe Amfilohijes ishte burimi kryesor i shqetësimit vendas. Ky shqetësim u shtua më tepër nga deklaratat e peshkopit serb Ireneut, i cili vazhdon ta konsiderojë Kosovën djepin e Serbisë së Vjetër, dhe për më tepër reagimi qeveritar ndaj këtyre deklaratave ishte i vakët, thjesht sa për të bërë një reagim. Plagët e shqiptarëve të Kosovës akoma nuk janë mbyllur dhe vazhdojnë disa mijëra kosovarë të mbeten të zhdukur. Reçaku kullon gjak dhe pret të rivarrosen edhe shumë të tjerë që akoma nuk gjenden. Ndërkaq një fakt i ka munguar vëmendjes së medieve vendase, trualli ku është ndërtuar kjo Katedrale i është dhuruar Shtetit Shqiptar për ta bërë lulishte nga arkitekti dhe patrioti i mirënjohur kolonjar Qemal Butka. Regjimi monarkik e bëri lulishte duke u ruajtur kështu deri vonë amaneti i Qemal Butkës. Me gjithë kundërshtimet e opinionit publik ky truall iu dha dhuratë në shkëmbim të truallit ku gjendet sot hotel Tirana, i cili më parë kishte qenë kishë ortodokse. Ndërkaq shërbimet policore garantuan me shumë besnikëri mbarëvajtjen e kësaj ceremonie, duke mos lënë asnjë grup protestuesish të protestojnë, madje edhe ndonjë individ i guximshëm u dërgua me urgjencë dhe u izolua në rajonet policore të kryeqytetit. Nikolas Gejxhit nuk iu prish qetësia kësaj radhe, madje ai ndodhej në radhët e para të kësaj ceremonie, megjithëse 20 vite më parë ai do të shpallej persona non grata për shkak të anti-shqiptarësisë së tij patologjike. Ndërkaq i gjithë ky kujdes ofendoi thellësisht ndjenjat e muslimanëve kudo në vend, të cilët edhe sot e kësaj dite Bajramin dhe ditën e xhuma e falin nëpër rrugë, për shkak të numrit të madh të besimtarëve frekuentues. Pikërisht këtë ditë dhe më tepër në Xhaminë e Et’hem Beut vërehet përherë e më tepër ky problem tejet i ndjeshëm për të gjithë muslimanët kryeqytetas: Ai i nevojës urgjente të Xhamisë së Madhe. Në këtë ditë të xhuma, të gjithë besimtarët pa u ndjerë dhe me shumë përkushtim kryejnë faljen e kësaj dite të shenjtë dhe shumë të ndritur për të gjithë ne. Ato falen në trotuarin përpara xhamisë pa u ankuar duke shpresuar të fitojnë kënaqësinë e Zotit, ndërsa ata më me fat falen brenda xhamisë në ditët me shi dhe të ftohta të dhjetorit, apo me diell të nxehtë të verës që sapo ka hyrë. Imamit i duhet ta nxitojë xhumanë, duke ndjerë keqardhje për bashkëbesimtarët e vet, që me durim presin jashtë në të ftohtë e në të nxehtë. Neve jemi Komuniteti fetar më i madh në vend, por që akoma nuk kemi zënë vend siç duhet në fizionominë e kryeqytetit. Dy kisha të përmasave të mëdha janë ndërtuar tashmë në zemër të kryeqytetit. Pikërisht ishin ditët e fundit të dhjetorit kur nisën lëvizjet demokratizuese në të gjithë vendin. Ishte pikërisht në këto ditë kur Hafiz Sabri Koçi me një grup besimtarësh rihapën Xhaminë e Plumbit në Shkodër, duke i dhënë jetë një reaksioni zinxhir, i cili do të kishte pasojat e veta në të gjithë Shqipërinë. E pra sot na mungon një Xhami e madhe në kryeqytet, në një kohë kur Qeveria po hesht për Xhaminë e Namazgjasë. Çuditërisht po hesht edhe vetë Komuniteti Mysliman i vetmi përfaqësues dhe i interesuar i drejtpërdrejtë për të ngritur një objekt kulti i denjë për vetë shifrat që përfaqësojmë. Një vello misteri e ka mbuluar Namazgjanë dhe interesi ynë është i ligjshëm për këtë problem. Asnjë info në këtë drejtim, të gjithë drejtuesit qeveritarë e fetarë heshtin dhe vetëm heshtin ndaj interesit të shfaqur të besimtarëve, se kur do të marrë fund telenovela e Xhamisë së Namazgjasë. Për ironi të funksionarëve të KMSH-së që kalojnë për ditë përpara Namazgjasë qëndron tabela e lejes komplekse të Namazgjasë e dhënë nga ish-kryeministri Sali Berisha, së bashku me kryebashkiakun Lulzim Basha. Edhe sa do të presim? Të tjerët i hanë kumbullat e tharta, neve na mpihen dhëmbët...


Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit