Shoqeria Moderne pa zot dhe ekstremizimi i saj


Shoqëria moderne pa zot dhe ekstremizimi i saj


Roald A. Hysa


(Po nuk pate pare, dekën e ki hak,- Gold Ag- këto janë fjalët e reperit kosovar, i cili e ka përshkruar me dy fjalë mentalitetin e shoqërisë së sotme laike, kudo në trojet shqiptare. I varfri nuk e meriton të jetojë, Zot ruajna.)

Jo vetëm historia e shenjtë e fesë, por edhe ajo profane na rrëfen se të gjitha fetë e kanë burimin në monoteizëm, pra e kanë bazën tek adhurimi i një Zoti. Brenda një kohe të shkurtër njerëzit e korruptuan atë në politeizëm dhe i shumëfishuan zotat në mënyra të ndryshme. Për çdo emër dhe cilësi të Zotit sajuan një zot tjetër, p.sh. Krijuesi, i Shenjti, i Drejti etj.; hyjnizuan fuqitë e mëdha të natyrës, si: ajrin, ujin, tokën, zjarrin, yjet, qiellin, diellin etj.; pastaj hyjnizuan baballarët e fiseve dhe të popujve të ndryshëm. Pastaj ranë edhe më poshtë, në idhujtari, në adhurimin e pamjeve, të simboleve të të gjitha atyre zotave të shumëfishuar, dhe së fundmi ranë në teprimin e vetë këtij teprimi në fetishizëm. Kjo është pak a shumë rruga e ndjekur nga popujt e ndryshëm në korruptimin e fesë primare, asaj të adhurimit të një Zoti të vetëm në shumëfishimin e zotave sipas interesave e konjukturave thjesht njerëzore. Regjimi komunist 50-vjeçar i mëshoi gjerësisht kësaj tabloje, por duke krijuar zotat e rinj, katër klasikët e marksizmit, të cilëve iu shtoi një të pestë. Tashmë gjendemi përpara një materializimi ekstrem të shoqërisë, ku varfëria nga një virtyt, siç shihej më herët nga shoqëria dhe iu ofrohej dora e ndihmës nga kushdo që e kishte një mundësi të tillë; sot po shihet si një gjendje e vajtueshme dhe e pamerituar, e për pasojë këta individë dhe kategori shihen edhe si të padenjë për të jetuar midis nesh, e në raste ekstreme edhe për të marrë frymë.

Kjo shoqëri ka krijuar fetishet e saj të përbashkëta dollarin, euron e Merilin Monronë. Tashmë po përflitet edhe për një monedhë krejt të re e të padukshme "bitcoin", monedha elektronike - internetare. Kjo është ta ekstremizosh edhe më tej jetën njerëzore, duke e globalizuar me para dhe vlera që nuk shihen, por që tejkalojnë kufijtë e imagjinatës dhe të padukshmes. Shoqëria njerëzore përherë e më tepër po i drejtohet parasë, si mjet për të arritur gjithçka. Por vetëm se kanë harruar që paraja nuk është lumturia. Mund të krijohen të mira, porse paraja është mjet këmbimi dhe pushteti. Në të shkuarën lufta e klasave gjatë regjimit komunist krijoi monstruozitete, ku babai dënonte djalin e djali babain, gruaja padiste burrin për në burg e burri gruan. Ndërsa sot, megjithëse të mirat materiale janë të arritshme është krijuar efekti i kundërt, dhuna dhe vrasja brenda familjes është kthyer në një trendy fatkeq, ku njerëzit po dëmtohen pa i menduar pasojat fare. Ekstremizimi dhe ekstremet favorizojnë të paaftët dhe diktaturat, favorizojnë shtrembërimet dhe për pasojë mbizotëron më pas padrejtësia në mungesë edhe të parametrave shpirtërore. Shoqërisë së sotme i nevojitet një rikthim i menjëhershëm në burimet origjinale shpirtërore të përfaqësuara nga besimi monoteist në një Zot, si burim mëshire dhe bamirësie. I pasuri do ta shihte të varfrin me butësi, dhe do të fitonte kështu mirënjohjen që i takon, duke  i rikthyer kësaj shoqërie dinjitetin që i mungon. Si dhe i varfri jo vetëm që do të lehtësohej nga barra e halleve, por do të ndihmonte në futjen e parametrit të mëshirës në shoqërinë e sotme moderne, së cilës i ndjehet mungesa sot. 

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit