Hasan ibn Thabit


Hasan ibn Thabit

Poeti i parë i Islamit dhe zëdhënësi i profetit Muhamed a.s. në Medine

Hasan ibn Thabiti ishte një nga poetët e mëdhenj arabë të kohës së vet, gjithashtu edhe një nga sahabet apo shokët e Profetit Muhamed, paqja e Allahut qoftë mbi të. Në këtë shkrim të shkurtër do të mundohemi të japim një pasqyrim të përmbledhur mbi jetën dhe veprën e tij. E gjithë vepra e tij qarkullon në formën e një divani, i cili është i përhapur gjerësisht edhe në bibliotekat e botës, edhe në perëndim. Vargjet e tij janë studiuar dhe përkthyer edhe në gjuhët perëndimore, po ashtu edhe në anglisht e rusisht. Madje në të dyja këto gjuhë ka një traditë të pasur përkthimi nga kolosët e lindjes muslimane, ku prej rusishtes janë përkthyer e botuar në një përmbledhje këta kolosë. Tradita e përkthimit në gjuhën shqipe e letërsisë arabo-persiane është e hershme dhe nis qysh me Mevludin e Hasan Zyko Kamberit, po ashtu edhe format e vargëzimit sipas traditave arabo-muslimane datojnë qysh herët me letërsinë alhamiade. Mirëpo situata nuk është aq bardhë e zi se sa e shohin studiuesit shpesh, sepse të gjithë ata poetë apo dijetarë fetarë që i kanë përkthyer në gjuhën shqipe këto poezi apo mevlude në të shumtën e rasteve kanë qenë njohës dhe përdorues shumë të mirë të tri gjuhëve klasike të Lindjes Muslimane arabishtes, turqishtes osmane dhe persishtes, të cilat të trija kanë pasur specifikat e veta të përdorimit. Në traditën e festimit të Mevludit të profetit Muhamed në vendet e ndryshme muslimane, duke nisur qysh nga Erbili me sulltan Kejkaburin, për të cilin mendohet se e nisi i pari këtë traditë, duke vazhduar me Fatimijtë e Egjiptit dhe duke vazhduar me Perandorinë Osmane, nuk ishte thjesht leximi i atij Mevludi, të cilin ne kemi parasysh në vizionin tonë lokalist. Festimet e Mevludit kryheshin me ceremoni të mëdha, ku përfshiheshin jo vetëm këndimi i Mevludit tradicional që kemi parasysh, por edhe poezitë e hershme e ilahitë, si “Taleal Bedru Alejna”, “Kasidei Burdah” e Kab ibn Zuhejrit, Hemzija e Hasan ibn Thabitit, “Kasidei Burdah” e Busejriut e vargje nga poetë të ndryshëm sipas kohës kur përjetoheshin këto lloj ngjarjesh. Pra, duke parë përhapjen e kësaj tradite në të gjithë botën muslimane, si dhe duke pasur parasysh se kjo traditë pjesërisht ka zënë vend edhe në trojet tona, po ashtu edhe një pjesë e hoxhallarëve tonë i kanë njohur më së miri këto tradita e siç ishin të pajisur ata edhe me gjuhët klasike mund të themi, se një numër i konsiderueshëm prej tyre kanë qenë të njohur me figurën e Hasan ibn Thabitit dhe poezitë e Divanit të tij. Këtë do ta shohim edhe në vijim, ku do të citojmë edhe vargjet në shqip të Hasanit.

Pak fjalë për jetën e tij
Ai ka lindur në Jethrib (pas shpërnguljes së Profetit Muhamed Jethribi u quajt Medine Nebevije apo Qyteti i Profetit, shkurt Medine) dhe ishte anëtar i fisit të Benu Hazrexhit. Në rininë e vet ai ka udhëtuar shumë në zonat e El-Hirah dhe të Damaskut, pra, në zonën e Shamit dhe më pas vendoset në Medine. Ai ishte një nga poetët më të mirë të kohës dhe arriti të fitojë në shumë konkurse poetike, që organizoheshin nga mbretër të ndryshëm, apo në panairet tregtare. Ai fitoi famë të madhe në oborret e mbretërve arabë të krishterë gasanidë të Sirisë dhe të mbretërve lakhmidë të El-Hirah të Irakut, ku u takua edhe me poetët të tjerë të mëdhenj si Nabigu dhe Alkame. Ai ishte një shembull i shkëlqyer se si muslimanët e parë arritën të përdorin talentet e tyre në shërbim të kauzës së Islamit.
Hasani u martua me Sirinin, motrën e gruas së Muhamedit a.s., Maries Kopte (Kibtije). Motrat ishin të Krishtere Kopte nga Egjipti, skllave që iu dërguan si dhuratë Muhamedit a.s. nga Mukokasi, sundimtari i Egjiptit rreth vitit 628. Ndërron jetë në vitin 674[1].
Bashkë me Kab ibn Zuhejrin kanë qenë dy poetë që i thurën lavde Muhamedit, paqja e Allahut qoftë mbi të, dhe e ndihmuan profetin me poezinë e tyre, duke ia vënë në shërbim aftësitë e tyre poetike. Porse Hasani dallon nga Kabi për gjuhën e tij të fortë satirizuese, të cilën e përdori me efikasitet të lartë për të sulmuar armiqtë e profetit Muhamed, paqja e Allahut qoftë mbi të, dhe të Islamit, si një nga shokët më të afërt të profetit.
Në vijim do të gjeni një përmbledhje të shënimeve hyrëse të Divanit të Hasan ibn Thabitit, marrë nga botimi “The Diwan of Hassan B. Thabit”, edited by HARTWIG HIRSCHFELD, Ph.D. University of Toronto, 1910, nga fq. 1 - 8.

Hyrje e botimit të Divanit[2] të Hasan ibn Thabitit
Ky botim i Divanit mbështetet në katër botime të tjera, që janë:
Cod. Brit. Mus Add 19,539 (L. për London).
Cod. Berlin, Sprenger, 1121 (B.).
Cod. Paris, Suppl. 1432 (P.).
Cod. St. Peterbourg Mus. As. 18 (Pt.).
Teksti i poemës paraqet një recension të Muhamed bin Habibit (vd. 245h-859), i cili ia diktoi të njëjtën poemë nxënësit të tij Ebu Seid Sukarit (vd. 275h-888). Ky diktim merr fund me nr. CCI (201), siç na deklarohet nga Sukariu në një shënim bashkëngjitur poemës. Pjesën e mbetur të 28 poezive ai e ka kopjuar nga koleksioni i mësuesit të tij, ku këtë të fundit nuk e konsideronte si autentik. Pra ky është një nga përmbledhjet më të plotësuara dhe të saktësuara të Divanit të Hasanit të ardhura deri më sot në arabisht dhe të përkthyer në një gjuhë perëndimore, pra, në anglisht. Hasani pa dyshim është një nga poetët më popullorë të Islamit, saqë mund të konsiderohet edhe si babai i poezisë fetare, e cila në shekujt në vijim do të përdorej edhe në të gjitha fushat e fesë. Hasani ka qenë nga Ensarët e Medines dhe në fund të jetës së tij ai pati ndikim edhe në politikë. Ai ka qenë një nga ithtarët e zjarrtë të kalifit Osman, madje shkroi edhe një elegji me rastin e vrasjes së tij. Shumë nga vargjet e tij zunë vend në shumë përmbledhje të tjera popullore të shpërndara gojarisht nga bardët popullorë.
Një veçori e rëndësishme e poemës së Hasanit është se mbështetet në ajetet e Kuranit dhe në historinë e hershme të Islamit. Në vargjet e tij takohen një numër i madh frazash kuranore. Duke pasur parasysh se dijetarët muslimanë të vonshëm e kanë kundërshtuar përdorimin e frazave të Kuranit në poezi, futja e frazave të tilla tregon në mënyrë të pagabueshme, se në kohën kur i ka shkruar Hasani këto poema Kurani nuk ishte mbledhur akoma në formën përfundimtare. Vargjet e Hasanit janë gjithashtu ilustruese të pjesëve të ndryshme të Kuranit. Mallkimi i Muhamedit a.s. i lëshuar ndaj xhaxhait të tij Ebu Lehebit (Kurani Fisnik, S. Mesed, 111), i ribëhet jehonë në poemën 217 të Divanit. Kur një Mekas u tall me Profetin Muhamed, duke i tundur një kockë të thyer dhe e pyeti nëse edhe ajo do të ringjallej në Ditën e Gjykimit, Profeti iu përgjigj me ajetin 78 të sures 36 të Kuranit. I njëjti incident është tema kryesore e poemës 55 të Divanit. Ai mendohet, se ka hyrë në Islam pak kohë pas hixhretit të Profetit Muhamed. Pas betejës së Bedrit kohë kur fillon e rritet fuqia e tij politiko-ushtarake, Hasani kompozon disa poema, në të cilat përqesh armikun e mundur. Sidoqoftë ai ia doli të tërheqë vëmendjen e Muhamedit a.s., i cili vlerësoi tek ai fuqinë e satirës, megjithëse nuk shfaqi ndonjë admirim për talentin e tij poetik. Hasani e lavdëroi Profetin Muhamed në poemën nr. 91, në të cilën ai shpall besimin e tij tek Muhamedi, si i Dërguar i Zotit. Ai i lavdëroi Ensarët me poezinë e vet për ndihmën që i dhanë Muhamedit, dhe u kujdes ta fusi veten në radhët e tyre (këngët 6, 9, 17, 161), sidoqoftë ai luftoi për Islamin jo me shpatën e tij, por vetëm me fjalën e vet. Këtë gjë ai e bëri në mënyrë të efektshme. Me vargjet e tij ai na ilustron incidente të mëdhenj dhe të vegjël. Ai iu këndoi fitoreve të Muslimanëve, hidhërimin e të mundurve, mbajti zi për vrasjen e dëshmorëve, ndërmjet tyre edhe të vëllait të vet Eusit (kënga nr. 7). Megjithatë ka edhe arsye të tjera për miqësinë ndërmjet Hasanit dhe Profetit Muhamed. Megjithëse Muhamedi në përgjithësi nuk i donte dhe nuk i pëlqente poetët, ai e favorizoi Hasanin, sepse në poemat e tij veçanërisht në nr. 96, 97, 168, ai i konsideroi si të merituara ndëshkimet: vrasjen e disa personave armiqësorë ndaj kauzës së Muhamedit, dëbimin nga Medina të dy fiseve hebreje, megjithëse kishin nënshkruar marrëveshje dhe privilegjet e vjetra që gëzonin ato, si dhe vrasjen e të gjithë anëtarëve meshkuj të një fisi tjetër hebre.
Një nga ngjarjet më të mëdha të Islamit të hershëm është natyrisht marrja e Mekës, e cila u fitua jo me rrethime ushtarake apo me sulme, por me një marifet. Megjithatë Muhamedi a.s. e festoi këtë “fitore” në dy zbulesa (Kurani 28: 1, dhe 60: 1)[3]. Fitore është fjala kyç e një poeme të gjatë të Hasanit Nr. 1 e kompozuar mu për nder të kësaj ngjarje. Janë shumë popullore një seri poemash me nr. 12, 13, dhe 15, të cilat supozohen se Hasani i ka recituar në mbrojtje të Islamit përpara delegatëve të pacipë të disa fiseve ende të pakonvertuar në Islam. Vetëkuptohet se poetët kundërshtarë e deklaruan veten të mundur nga talenti superior i Hasanit dhe u konvertuan në vend. I një interesi të veçantë janë dy elegji me rastin e vdekjes së Muhamedit me nr. 133 dhe 134. Ato dallohen nga ndjenjat e thella dhe me të vërtetë e kompensojnë lexuesin për amështinë e poemave të tjera. Në një poemë tjetër me nr. 19 po për Muhamedin, dhe ka mundësi të jetë kompozuar pas vdekjes së tij ne gjejmë një shpallje të rëndësishme, që Profeti Muhamed ka shpenzuar pak më shumë se 10 vite të jetës së vet në Meke (pas marrjes së profecisë). Natyrisht që ky fakt nga një bashkëkohës është i një vlere më të madhe, se sa të dhënat e tradicionalistëve dhe historianëve më të vonshëm. Gjithsesi poema në fjalë përsërit një pohim të pathemeltë, që autori ka qenë ndërmjet atyre që e ndihmuan Muhamedin me pasurinë dhe me trupat e tyre. Në të kundërtën, ka qenë Muhamedi, që e ka shpërblyer Hasanin për shërbimet e tij me një dhuratë të dyfishtë, një çiflig dhe një bashkëshorte. Realisht interesante është vargu i fundit i poemës së sipërpërmendur, sepse përmban në formë poetike formulën e konfesionit të një Muslimani (shehadetin).
Hasani i mbijetoi jo vetëm kohës së Muhamedit, por edhe në atë të kalifëve Ebu Bekrit, Omerit dhe Osmanit. Ndërrimi jetë i dy të parëve bëri që ai të shprehte zinë në dy poema me nr. 34 dhe 135, por për vdekjen e Osmanit Divani i tij përmban jo më pak se shtatë elegji me nr. 20, 30-33, 162, dhe 163. Ndoshta ato nuk mund të jenë autentike të gjitha, megjithatë Hasani ka pasur arsye të forta personale për lidhjen që kishte me Osmanin. Kur Muhamedi hyri në Medine tregoi se ishte një shtetar i madh, duke i bashkuar të shpërngulurit (muhaxhirët) mekas me ndihmëtarët (ensarët) medinas. Osmani gjeti strehë në shtëpinë e Eusit, vëllait të Hasanit dhe për këtë gjë siç na e shpreh Ibn Is’haku “Hasani e deshi atë dhe mbajti zi për vdekjen e tij”.

Karakteri i poezisë së Hasanit
“Unë vjedhur nuk kam nga poetët/ as këngët e tyre s’barazohen me të miat.” Këto janë fjalët e poetit për të përshkruar talentin e tij, poema Nr. 8, vargu 19. Ne nuk duhet t’i marrim shumë seriozisht këto mburrje, sepse ato shprehin shpirtin e asaj kohe, të cilat e njohin fakhr-in- vetëlavdërimin si një subjekt të ligjshëm në poezi. Megjithatë letërsia arabe nuk u ndikua aspak nga opinioni i mirë për vetveten që kishte Hasani. Jo çdo element është kaq i përfaqësuar në poezinë e Hasanit sa fakhr-i, dhe ai përshkon madje edhe poemat në nder të Muhamedit dhe heronjve të tjerë të tij. Ai lavdëron stërgjyshërit, fisin, familjen, besnikërinë, lirinë dhe në veçanti shpatën e tij, e cila nuk u largua kurrë nga këllëfi. Për fuqinë e satirës së tij u fol pak më lart. Kur i sulmonte armiqtë e tij ai nuk i kursente fjalët, por i shpenzonte pa hesap dhe në mënyrat më ofenduese. Vargjet e tij janë një pasqyrë e vërtetë e karakterit të tij, po aq sa edhe të kushteve të kohës kur ai jetoi. Kurdo që ai flet për bëmat e tij luftarake i duhen marrë me rezerva, por kur ai lavdëron mprehtësinë e gjuhës së vet, ne duhet t’i besojmë plotësisht atij.

Muhamedi a.s. miraton recitimin e Hasan ibn Thabitit në xhami
Tashmë le të shkëputemi nga Divani i Hasanit dhe le t’i referohemi haditheve apo thënieve të Profetit Muhamed, paqja e Allahut qoftë mbi të, të nxjerra nga dy koleksionet e haditheve të Buhariut dhe Muslimit të pranuara gjerësisht nga e gjithë bota muslimane.
Na rrëfehet nga Sejid ibn Musejibi: Omeri erdhi në xhami ndërsa Hasani po recitonte një poemë. (Omeri nuk e miratoi atë.) Për këtë Hasani tha: “Unë kam recituar poezi pikërisht në këtë xhami në prani të atij (Profetit a.s.), që ka qenë më i mirë se sa ty.”- Atëherë u kthye nga Ebu Hurejre dhe i tha atij: -“Unë po të pyes ty, Pasha Allahun, a e ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut të më thotë: -Përgënjeshtroji ata në emrin tim. O Allah! Mbështete atë me Shpirtin e Shenjtë?” Ebu Hurejra tha: “PO”. (Sahih Buhari, V. 4, Libri 54, nr. 434.)
Na rrëfehet nga Berrai, se Profeti a.s. i ka thënë Hasanit: “Sulmoji ata (me poemat e tua), se Xhibrili është me ty.” (Nëpërmjet një grupit tjetër transmetuesish) Berra ibn Azibi thotë: Në ditën e rrethimit të Benu Kurejdhave i Dërguari i Allahut i tha Hasan ibn Thabitit: “Sulmoji ata (me poemat e tua), se Xhibrili është me ty.” (Sahih Buhari, V. 5, Libri 59, nr. 449.)
Sahihu Muslimit, Libri 31, nr. 6081: Aishja r.a. na raporton, se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: Të satirizosh Kurejshët (jobesimtarët prej tyre) është më e rëndë kjo për ata, se sa dhimbja e një shigjete.- kështu që ai (Profeti a.s.) dërgoi dikë tek Ibn Raviha dhe i kërkoi t’i satirizojë ata, dhe ai kompozoi një satirë, por ajo nuk i pëlqeu atij. Ai dërgoi më pas tek Kab ibn Maliku (të bënte të njëjtën gjë, por ajo që kompozoi ai nuk i pëlqeu të Dërguarit të Allahut). Ai më pas dërgoi dikë tek Hasan Ibn Thabiti. Kur u paraqit përpara tij Hasani tha: -Tashti ti ke thirrur këtë luan, që i godet armiqtë me bishtin e vet.- Atëherë ai nxori jashtë gjuhën e tij dhe filloi ta lëvizë atë, dhe tha: - Pasha Atë, që të ka dërguar ty me të vërtetën; Unë do t’i shqyej ata me gjuhën time, ashtu siç shqyhet lëkura.- Pas kësaj i Dërguari i Allahut tha: - Mos u ngut, lëre Ebu Bekrin, që është njohësi më i mirë i vijës së prejardhjes së Kurejshëve të heqë një vijë dalluese në lidhje me prejardhjen time, sepse prejardhja ime është e njëjta me të tyren. –Pas kësaj Hasani shkoi tek Ebu Bekri (i cili ka qenë i mirënjohur ndërmjet Kurejshëve, si person që i dinte shumë mirë gjenealogjitë e tyre.) dhe pasi e hetuan së bashku, u kthye tek ai (Profeti a.s.) dhe i tha: O i Dërguari i Allahut, ai (Ebu Bekri) ka hequr një vijë dalluese në prejardhjen tënde (dhe asaj të Kurejshëve). Pasha Atë që të dërgoi ty me të vërtetën, unë do ta largoj nga ata (emrin tënd), ashtu siç largohet fija e flokut nga mielli.- Aishja thotë: Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s. t’i thotë Hasanit: -Në të vërtetë Ruhul Kudusi do të vazhdojë të ndihmojë ty për aq sa do të mbrosh në emër të Allahu e të Dërguarit të Tij.- dhe ajo tha: Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s. të thotë: -Hasani i satirizoi ata dhe i dha kënaqësi Muslimanëve dhe i shqetësoi jo-muslimanët.
Në këto hadithe vërehet qartë se si Hasani e kishte fituar kënaqësinë e Muhamedit, paqja e Allahut qoftë mbi të, duke përdorur gjuhën e tij poetike duke sulmuar në shërbim të tij. Njëkohësisht vërejmë këtu se këto lloj duelesh me forma të ndryshme vargëzimi kanë qenë mënyra më e mirë dhe më e shpejtë e përhapjes së lajmeve dhe të fitoje miratimin e popullit të gjerë, duke ia ulur emrin kundërshtarit. Pra, bejtet dhe poemat ishin një lloj mediumi, i cili përcillej gojarisht nga këta poetë, të cilët shquheshin jo vetëm për aftësinë e thurjes së bejteve apo vargjeve, por edhe për kujtesën e fortë me të cilën i riprodhonin ato vargje nëpër mexhliset e ndryshme, në panaire apo oborret e udhëheqësve të asaj kohe.
Madje është një praktikë e njohur e vendeve muslimane, që shumë dijetarë fetarë janë shprehur me vargje, ku nga imamët e mëdhenj mund të përmendim imam Shafiun, si dhe shumë kalifë e funksionarë të lartë muslimanë kur merrnin postet e tyre qeverisëse fjalimet e tyre i thurnin në vargje.
Ndërkaq Hasani ka qenë i njohur gjerësisht nga hoxhallarët e brezave të ndryshëm, siç na e tregon edhe H. Ibrahim Dalliu në vargjet e veta, ku ka përfshirë pak vargje të Hasanit për ilustrimin e paraqitjes së profetit Muhamed, paqja e Allahut qoftë mbi të.

Hassan bini Thabit’ i famshmi poet
Shifni si e ka përshkruë t’ madhin profet:
Ma t’ bukur se ty kurrë s’ kan paë sytë e mië,
Ma t’ hieshëm se ti s’ kan pjellë gratë ndoj fëmijë,
Ti je krijuë n’ dynjatë pa as nji të metë
Sikur se me qenë krijuë si ke dash vetë[4].
Nga mënyra se si i referohet Hafiz Dalliu Hasanit len të kuptohet shumë mirë se ai ka qenë i mirënjohur për të apasionuarit pas poezisë. Edhe studiuesit kosovarë e kanë vërejtur një gjë të tillë dhe shihet të përmendet gjerësisht Hasan ibn Thabiti në kumtesat e një sesioni shkencor të mbajtur në Prishtinë mbi temën “Mevludi tek Shqiptarët” 2009. Ndërsa studiuesi Qemajl Morina vëren në këtë sesion: “Pas poetit Al-A’sha dhe Kab ibnu Zuhejrit vjen Hasan ibnu Thabiti, i cili ishte poeti më i madh i Pejgamberit a.s., i cili dallohej me sinqeritetin dhe përkushtimin e tij ndaj Pejgamberit a.s. Me gjithë poezitë e tij të fuqishme, sipas shumë kritikëve letrarë ato nuk mund të radhiten në mesin e lavdërimeve për Pejgamberin a.s., sepse ai i thurte poezitë e tij me qëllim që t’iu kundërvihej kundërshtarëve të Muhamedit a.s. Poezia më e fuqishme që kishte thurur për Muhamedin është  “al-Ajnije”, “al-Hemzije” etj.[5]
Kurse Hajrulla Hoxha nga Prishtina vargjet e kasidesë së Hasan ibnu Thabitit kushtuar profetit Muhamed, paqja e Allahut qoftë mbi të, që i dhamë më sipër të përkthyera nga Hafiz Dalliu i sjell në këtë formë:
“Më të mirë se ty s’kanë parë kurrë sytë e mi,
Më të bukur se ty s’kanë lindur gratë ndonjë fëmi’.
Ti je krijuar i pastër nga çdo e metë.
Sikur t’ishe krijuar ashtu si ke dashtë vetë.[6]
Vargjet e përcjella nuk kanë ndonjë ndryshim në kuptim, përveç se Hafiz Dalliu na i jep në formën e gegënishtes gjuhë e përdorur rëndom asaj kohe në të shkruar.
Në mbyllje mund të themi se vlerat e Hasan ibn Thabitit si poet janë të padiskutueshme, porse ai nuk është i njohur gjerësisht me veprën e tij për publikun artdashës shqiptar. Njohja e tij shtrihet në rrethe të ngushta dhe do të ishte gjë me vlerë sikur të përktheheshin kasidetë e tij kushtuar profetit Muhamed, paqja e Allahut qoftë mbi të. Shpresojmë që pas këtij shkrimi njohës për Hasan ibnu Thabitin të pasohet me përkthime dhe shkrime të tjera.



Përmbledhje
Hasan ibn Thabiti ishte një nga poetët e mëdhenj arabë të kohës së vet, gjithashtu edhe një nga sahabet apo shokët e Profetit Muhamed, paqja e Allahut qoftë mbi të. Në këtë shkrim të shkurtër do të mundohemi të japim një pasqyrim të përmbledhur mbi jetën dhe veprën e tij. E gjithë vepra e tij qarkullon në formën e një divani, i cili është i përhapur gjerësisht edhe në bibliotekat e botës, edhe në perëndim. Vargjet e tij janë studiuar dhe përkthyer edhe në gjuhët perëndimore, po ashtu edhe në anglisht e rusisht. Një veçori e rëndësishme e poemës së Hasanit është se mbështetet në ajetet e Kuranit dhe në historinë e hershme të Islamit. Në vargjet e tij takohen një numër i madh frazash kuranore. Duke pasur parasysh se dijetarët muslimanë të vonshëm e kanë kundërshtuar përdorimin e frazave të Kuranit në poezi, futja e frazave të tilla tregon në mënyrë të pagabueshme, se në kohën kur i ka shkruar Hasani këto poema Kurani nuk ishte mbledhur akoma në formën përfundimtare. Le t’i referohemi haditheve apo thënieve të Profetit Muhamed, paqja e Allahut qoftë mbi të, për Hasanin të nxjerra nga dy koleksionet e haditheve të Buhariut dhe Muslimit të pranuara gjerësisht nga e gjithë bota muslimane. Hasani ka qenë i njohur gjerësisht nga hoxhallarët e brezave të ndryshëm, siç na e tregon edhe H. Ibrahim Dalliu në vargjet e veta, ku ka përfshirë pak vargje të Hasanit për ilustrimin e paraqitjes së profetit Muhamed nw veprwn e vet. Vlerat e Hasan ibn Thabitit si poet janë të padiskutueshme, porse ai nuk është i njohur gjerësisht me veprën e tij për publikun artdashës shqiptar.



[2] Koleksion ose përmbledhje poezish e gjinive të ndryshme (shën. përk).
[3] Një nga besimet më të përhapura gjerësisht në Perëndim është, se autor i Kuranit Fisnik është vetë Muhamedi. Ky besim është trajtuar me argumentet e duhura nga shumë dijetarë të shquar muslimanë në librat ku trajtohen çështjet themelore të besimit dhe është hedhur poshtë.
[4] Hafiz Ibrahim Dalliu “E lemja e të madhit Pejgamber dhe jeta e Tij A.S.”, Tiranë, Shtypshkronja Shkodra, 1934. Vargjet janë lënë si në origjinal.
[5] Mr. Qemajl Morina, “Mevludi në Letërsinë Arabe” në sesionin shkencor “Mevludi tek Shqiptarët”, fq. 44.
[6] Hajrullah Hoxha “Qëndrimi i ulemave islamë për Mevludin” në sesionin shkencor “Mevludi tek Shqiptarët”, fq. 49.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit