Java në një ditë- emision radiofonik në ALBANIA FM radio...


Java në një ditë –
1 shkurt 2014


Selam alejkum të nderuar dëgjues të Albania FM radios. Përsëri jemi së bashku në këtë fund jave në emisionin tonë Java në një ditë- me mua Roald Hysa, për të sjellë sadopak në vëmendje ato gjëra të rëndësishme që kanë ndodhur gjatë kësaj jave të stuhishme politike. Ekonomia dhe politika është vazhdimisht në qendër të vëmendjes, gjuha shkon atje ku dhemb dhëmbi. Sindikalistët e urbanëve në Tiranë bllokuan trafikun për katër, sepse nuk kishin marrë pagat, por njëkohësisht kërkuan edhe rritjen e çmimit të biletës së urbanit. Edhe kërkuan pagat e tyre, por edhe ndihmuan pronarët e tyre duke kërkuar rritjen e çmimit të biletës. Bravo. Një nga problemet më të rëndësishme që e kanë shqetësuar opinionin kësaj jave është tritoli, po, po tritoli. Ka filluar të shitet lirshëm si çdolloj sendi tjetër. Me pak përpjekje e gjen. Diversione të tipit se krimin po e nxit opozita, se SHISH po pengon punën e policisë, se mediat po çirren kundër qeverisë etj., nuk sjellin ndonjë përmirësim të ndjeshëm në terren dhe nuk e shfajësojnë dot kreun e rendit. Përkundrazi, ato janë shenja të qarta të pafuqisë së qeverisë për të ndryshuar gjendjen. Ajo nuk mund të ndryshohet nga një ministër me bllok gjobash në dorë dhe një kryeministër që merret me peshën dhe veshjet e doganierëve. Sajesat me komplote e sabotime bien erë që larg pavarësisht ndërrimit të aktorëve. Ato janë të destinuara për të mos mbajtur gjatë, madje sa më shumë të përdoren aq më shumë provokojnë indinjatën e qytetarëve që ndihen të vënë në lojë. Akoma qytetarët po kërkojnë transparencë për lumin Radika dhe projektet lidhur me devijimin e ujit të përrenjve të faqes së malit Korab. Ndërkaq neve na duhet më shumë punë për të ecur përpara. Më shumë punë dhe më pak fjalë. Më shumë dije e informacion dhe gatishmëri për t’u mirëkuptuar. Megjithatë le të merremi me temat e kësaj jave që kam përzgjedhur për ju...

Shqiptarët, krenarë për mbrojtjen që iu bënë hebrenjve
Në ditën ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të Holokaustit, Bashkia Tiranë në bashkëpunim me ambasadën e Izraelit dhe UNDP organizuan një përkujtimore në Muzeun Historik Kombëtar. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi ka theksuar në fjalën e saj se krahas përkujtimit të afro 6 milion hebrenjve të vrarë brutalisht nga regjimi nazist, shqiptarët kanë arsye të ndjehen krenarë për rolin dhe kontributin e tyre në mbijetesën e afro 2,000 hebrenjve. 

“Ne shqiptarët kemi të drejtë të jemi krenarë sot përpara popullit hebre, përpara Izraelit sepse në ditët më të vështira të tyre, midis halleve tona të mëdha, midis varfërisë dhe vuajtjeve të luftës, vatra e shumë familjeve shqiptare e bëri një vend të ngrohtë për ata që po vuanin dhe mundoheshin t’i fshiheshin masakrës dhe persekutimit kolektiv. Me sinqeritetin dhe dlirësinë e zemrës, duke respektuar kodin themelor moral të tyre, besën, shqiptarët duke marrë parasysh rrezikun që i priste, strehuan më shumë se 2000 hebrenj, ashtu pa zhurmë, pa bujë saqë do t’ju duhej puna e historianëve më pas për ta pasqyruar shumë vonë dhe qartësisht këtë kontibut të tyre të vyer. Ne sot ndjehemi të respektuar kur në memorialin e ngritur në kujtim të Shoahut lexojmë dhe emrat e familjeve shqiptare që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.” Përkujtimorja ka vijuar më pas me një ekspozitë fotografike dhe ndezje qirinjsh. Por dikush tjetër ka një mendim krejt ndryshe, krejtësisht ndryshe edhe për shkak të shifrave dhe hartës së krimit tejet të zgjeruar, e cila përfshin mbarë globin dhe të pesë kontinentet. Ja se ç’thotë ky zë i panjohur për ne, duke na paralajmëruar:
27 është Dita e Kujtesës!!! Të mos harrojmë tmerret e nazizmit në kampet e shfarosjes,...
por nuk duhet të harrojmë me miliona të vdekur në gulaget ruse, apo të diktaturës komuniste në Korenë e Veriut, ose në Kamboxhian e Pol Potit, apo pushtimin e Tibetit nga ana e Mao Ce Dunit, apo kampet e shfarosjes në Kubë të Çe Gevarës dhe Fidel Kastros. Do të ishte çmenduri të kërkosh të rilindësh nazizmin, ashtu siç është sigurisht çmenduri të vazhdosh të mbështetësh komunizmin… dy fytyra të së njëjtës medalje! Ne nuk harrojmë!...- PO, ne nuk duhet të harrojmë asnjë nga këto krime.



Blushi: pse Gjinishi ambasador në Arabi?
Deputeti i PS-së Ben Blushi ka kundërshtuar kandidaturën e Ermir Gjinishit në postin e ambasadorit në Mbretërinë e Arabisë Saudite. “Ne jemi shtet laik ndërsa Ermir Gjinishi është i njohur si përfaqësues i një komuniteti fetar, pse ministria e Jashtme e zgjodhi?- ngriti pyetjen deputeti Blushi në mbledhjen e Komisionit parlamentar i Politikës së Jashtme, ku ministria e Jashtme prezantoi kandidatët për ambasadorë të jashtëm në Slloveni, Arabinë Saudite dhe në Serbi. Në përgjigje përfaqësuesi i ministrisë së Jashtme tha, se ishin vlerësuar njohuritë e mira që Gjinishi kishte mbi kulturën, gjuhën dhe traditat e Arabisë Saudite. "Ne vlerësuam faktin që Gjinishi njeh shumë mirë kulturën dhe traditat e këtyre vendeve si dhe gjuhën. Nuk besojmë se bindjet e tij fetare e pengojnë në ushtrimin e detyrës si përfaqësues i një shteti laik."- tha përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme. Nga ana e tij Ermir Gjinishi u shpreh " unë asnjëherë nuk kam qenë kundër shtetit laik, edhe kur jam shprehur për çështje fetare kam qenë për respektimin e tyre në kuadrin e shtetit laik dhe të drejtat e njeriut." Nuk është e rëndësishme nëse Gjinishi caktohet ambasador apo jo, por ajo që është shqetësuese në këtë rast është gjuha e Ben Blushit, i cili është i shquar tashmë për sulmet ndaj bashkësisë myslimane shqiptare me islamofobinë e tij. Blushi harron që muslimanët janë kontribuentë dhe taksapagues të rregullt të këtij shteti dhe nuk mund të vazhdohet duke i lënë në margjinat e jetës sociale.

Alarm fals për bombë pas godinës së Bashkisë së Tiranës

Një alarm për bombë në ambientet mbrapa Bashkisë së Tiranës është dhënë rreth orës 10:20 nga një telefonatë në sallën operative. Telefonuesi ka thënë se një bombe mund të shpërthejë brenda pak minutash në zonën pas Bashkisë. Policia ka rrethuar menjëherë zonën ku dyshohej, se mund të jetë vendosur bomba. Ekspertet xheniere dhe specialistë anti-eksplozivë kontrolluan automjetet në zonën pranë "Sahatit", Bashkisë dhe Xhamisë së  Et’hem beut në Tiranë. Sipas policisë telefonuesi ka thënë se është vendosur një sasi tritoli e pa përcaktuar në një nga automjetet e parkuara në zonë, por pa dhënë vendin e saktë. Polica ka nisur kontrollet në katin e nëndheshëm të Bashkisë. Pas kontrollit te plotë të zonës dhe automjeteve policia konfirmon, se bëhej fjale për një alarm fals ndërkohë qe vazhdojnë hetimet për të identifikuar personin që ka kryer telefonatën. Disa ditë më pare një alarm për lëndë eksplozivi shkaktoi kaos në shkollën ‘1 Qershori’. Nxënësit dhe mësuesit e shkollës u evakuuan, pas njoftimit se në ambientet e shkollës ishte vendosur një bombë. Ekspertë të policisë kontrolluan të gjithë shkollën dhe konfirmuan se alarmi ka qenë fals. Policia zbuloi se telefonata ishte bërë nga një i mitur. Ndoshta edhe kësaj radhe telefonata është bërë nga një i mitur, por hajde na e mbush mendjen... është bërë ves i keq për t’i zgjidh punët me mjetin më të keq të mundshëm...

Berat, largohet nga puna, mësuesja vjedh regjistrat e shkollës
Një mësuese në shkollën 9-vjeçare të fshatit Tozhan në Berat,pas largimit të saj nga puna,ka menduar të vetëhakmerret, duke vjedhur 2 regjistra të kësaj shkolle. 36-vjeçarja Margarita Zenuni, ishte mësuese më kontratë në këtë shkollë dhe jepte mësim në ciklin e ulët,por pas përfundimit të kontratës,drejtoria e arsimit nuk e ka rinovuar kontratën për arsye se dega histori-gjeografi që ajo kishte mbaruar nuk përshtatej me lëndët që jepte në ciklin e ulët. Pas konstatimit të mungesës së regjistrave në shkollë,drejtoria e shkollës por edhe drejtoria arsimore kanë bërë denoncim në polici, ku pas hetimeve të kryera ka rezultuar se ka qenë pikërisht mësuesja Margarita Zenuni ajo që i kishte vjedhur. Ç’të thuash, ajo që duhet t’i mësojë kalamajtë me rregullat më normale të etikës sillet për faqe të zezë. Dënimi i saj duhet të jetë të mos japë mësim më në ndonjë shkollë, të paktën në Shqipëri ajo nuk duhet të japë. Dyert e arsimit duhet të mbyllen për këtë lloj personi.

Adnan Januzaj, i thotë 'PO' Anglisë

As Kosova, as Shqipëria dhe as Belgjika. Adnan Januzaj duket se ka vendosur dhe i ka thënë "po" Anglisë. Supertalenti nga Istogu i është premtuar kombëtares se "Tre Luanëve". Lajmin ekskluziv e bën të ditur tabloidi "The Sun", që na zbuloi se Januzaj u ka thënë shokëve të tij, që do të luajë për ekipin e Roy Hodgson dhe se tashmë nuk ka më asnjë dileme se ngjyrat e kujt shteti do të përfaqësojë. Gjithsesi nga ato që zbulohen thuhet se vendimi zyrtar ende nuk është marrë pasi atë do e marrë babai i Januzajt, Abedini. "The Sun" shkruan se tashmë Januzaj në Angli ndihet si në shtëpi, ai e njeh futbollin britanik dhe është i impresionuar nga stadiumet dhe tifozët. Po ashtu Januzaj tashmë e ka refuzuar Belgjikën dhe është i lumtur edhe që të presë për të luajtur me ishullorët. Shpresa e vetme në këtë rast për Shqipërinë apo edhe Kosovën është Abedin Januzaj pasi edhe tabloidi britanik argumenton, se e vetmja pengesë që Januzaj të luajë për Anglinë mund të jetë babai i tij, i cili ndikon shumë në jetën e Adnanit dhe është pikërisht ai që do të marrë vendimin përfundimtar. Januzaj thuhet se mund të përfaqësojë Anglinë edhe në Kampionatin Botëror "Brazil 2014". Një javë më parë, po nga ky emision shpreha mendimin se Januzaj do të ishte një budalla po të luante për Shqipërinë apo për Kosovën. Me sa duket ia qëllova, jo për parashikim, porse tashmë bota është bërë një fshat global dhe metropolet angleze janë më joshëse se sa qytetet tona.

Rama në Itali fton investitorët: 1 euro për kapanonet ushtarake
Kryeministri Edi Rama ka pasur një seri takimesh me sipërmarrësit e rajonit të Lombardisë. Sipas agjensisë së lajmeve ANSA nga selia e kompanisë Bosch kreu i qeverisë Rama ka deklaruar se Shqipëria është gati, për të mirëpritur ndërmarrjet italiane, duke iu ofruar hapësira me qira për një euro për të gjithë jetën. Sipas kryeministrit “mund të vihen në dispozicion struktura ekzistuese për t’u rikostruktuar, siç mund të jenë kapanone, baza ushtarake që do të marrin me qera për një euro, pavarësisht nga metrat katror.” – citon ANSA – Kryeministri ishte i mendimit se më shumë investime italiane duhet të ketë në Shqipëri, dhe fusha me interes janë energjia dhe turizmi. Sipas tij, pas Norvegjisë, Shqipëria është vendi më i pasur në Evropë në burimet hidrike. Përsa i përket hapave të qeverisë për t’u afruar me BE-në, Rama theksoi vendosmërinë për të vijuar luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, dhe reformat strukturore të nevojshme për hyrjen në Bashkimin Evropian. Kjo qeraja 1 euro na kujton pararendësin e Ramës, i cili po të njëjtën shumë iu ofroi bizneseve të huaja për të investuar në Shqipëri. Mendoj se kjo është një zhvillim i mirë: Shqipëria 1 euro të kthehet sërish...

Urdhri i Infermierit: Ka infermierë me 8 klasë dhe kurse 6 mujore
27 % e infermierëve në vendin tonë, në sistemin publik nuk kanë nivelin e duhur profesional, ndërsa prej tyre ka edhe me kurse 6 mujore apo arsim tetë-vjeçar. Kritika për shërbimin infermieror ka ardhur nga vetë kreu i Urdhrit të Infermierit Sabri Skënderi. “Kemi akoma 27% të punonjësve tanë me nivel të ulët formimi, për të mos thënë kemi akoma punonjës dhe me kurse 6 mujore dhe me arsim 8-vjeçar, që janë të paktë dhe janë në prag pensioni. Shërbimet i gjen të mbushura me familjarë, të cilët i popullojnë ato më shumë se punonjësit e shëndetësisë dhe pacientët. Dhe kjo do të ndodhë, kur infermierja e vendos serumin dhe harron, dhe detyrohet ta heqë familjari.”- deklaroi Skënderi. Gjetjet e urdhrit të mjekut u publikuan gjatë konferencës për reformën shëndetësore në Shqipëri, ku ka marrë pjesë edhe zv/ministrja e Shëndetësisë, Milva Ikonomi. Pra,... mesazhi ka arritur lart, nuk ka rënë në vesh të shurdhër inshallah. Kush e di sa ngushëlluese iu duket ky lajm njerëzve që kanë të sëmurë në spitalet tona?!... jemi në pritje për sistemin shëndetësor. Gjithsecili prej nesh mund të sëmuret dhe mund të bjeri në dorë jo vetëm të mjekëve të pandërgjegjshëm, por edhe të ashtuajturave infermiere gjashtë-mujore. Katastrofë....

.....


Të gjithë ato që ju përmendëm më sipër janë nga tendencat dhe zhvillimet më të fundit. Pritet që nesër qytetarët të dalin te Piramida përsëri për të protestuar. Dikush përveçse të shkojë të punojë i duhet të zgjidhë hallet e familjes së vet. Na duhet të jetojmë me këmbë në tokë. Realiteti është shumë i hidhur dhe jeta e përditshme vështirësohet edhe më tej, por edhe sikur njerëzit mos ta vështirësonin ajo e tillë është. Njerëzve iu duhet të ballafaqohen me realitetin e përditshëm, të luftojnë betejat e tyre, dhe në fund të ditës të fitojnë apo të humbasin. Lodhja vjen njësoj, si të fitosh, si të humbasësh... por kur humbet dyfishohet e trefishohet ajo. Në këto sfida që na presin kemi nevojë për mbështetje, për një shtyllë, për një vend të qetë, për një oaz për të pushuar... këshillat e hoxhallarëve janë një pjesë e prehjes që mund të gjeni këtu në valët e radios tonë. Xhamitë janë oazet e besimtarit dhe Zoti sjell ngushëllim mbi ta. Këto ishin ato pak gjëra që deshëm t’i ndanim me ju nga valët e ALBANIA FM radio në këtë të shtunë të parë të muajit shkurt. Le të shpresojmë që ky muaj do të jetë më i begatë për të gjithë juve dëgjues të nderuar, po ashtu e lusim Zotin t’ju japë sukses dhe hajër në punët e juaja. Deri në javën e ardhshme mirë u dëgjofshim përsëri, nga unë Roald Hysa, selam alejkum.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit