Java në një ditë- ALBANIA FM radio -90,4 mgh


“Java në një ditë”
22 shkurt 2014


Selamu alejkum të nderuar dëgjues të ALBANIA FM nga unë Roald Hysa, po dëgjohemi përsëri në valët e radios tonë pas një jave. Ditët shkuan një nga një dhe ne gjendemi pak më të plakur disa, e disa të tjerë mungojnë, kurse disa rriten dhe nisin udhëtimin e vështirë të jetës në këtë botë. Këto ditë kanë qenë të pasur me lloj lloj ngjarjesh, sa nuk di nga t’ia filloj kësaj radhe. Kronika e zezë ka qenë shumë e nxehtë kësaj radhe, një autobus del nga rruga e rrëzohet ndoshta edhe për shkak të shoferit, të cilët në më të shumtën e rasteve tregohen të pakujdesshëm. Tashmë e shoh si urgjente jo thjesht disiplinimin e shoferëve dhe drejtuesve të mjeteve nëpërmjet ligjit, por duhet patjetër të sensibilizohen të gjithë pa përjashtim për rregullat e trafikut, brenda qytetit dhe jashtë. Ndoshta një orë mësimi nëpër shkolla duhet të bëhet mbi rregullat dhe lëvizjet në rrugë për të gjithë. E këtu nuk mund të harrojmë pa përmendur, se aksidentet në rrugë me lëndime e pasoja vdekje janë një shfaqje e rëndomtë në mediat tona. Protesta e furgonëve vazhdon dhe rreth 15 mijë njerëz ndjehen të rrezikuar në punën e tyre dhe nuk lejohen direkt apo indirekt të vazhdojnë të punojnë e të nxjerrin bukën e gojës. Ndërkaq një foto e një statuje skënderbejane ka bërë xhiron e të gjithë internetit dhe rrjeteve sociale, dhe është bërë lajm. Një Skënderbe i përçudnuar është lënë në buzë të rrugës, duke bërë të preken ndjenjat kombëtare të shumë njerëzve. Në fakt edhe ideja e jonë për Skënderbeun ashtu është, sepse gjithkush e sheh nga këndvështrimi i vet në kohët moderne kur po jetojmë. Skënderbeu njeri ka qenë dhe nuk ka qenë kaq perfekt sa duam ta shohim ne, ose ne nuk jemi aq të mirë sa duhet dhe kështu që nuk e shohim atë si duhet parë, meqë kanë kaluar 600 vjet. Politika vazhdon të gjenerojë lajme dhe t’i japë tonalitetin jetës tonë. Opozita ka kujtuar rënien e një statuje tjetër, asaj të Enver Hoxhës me një megaprotestë që nisi nga Sheshi Skënderbej dhe u mbyll përpara kryeministrisë, duke i kujtuar Ramës premtimet e bëra në fushatë. Jeta vazhdon dhe unë po vazhdoj me pjesën tjetër të emisionit tonë “Java në një ditë” nga 90,4 mgh...

'Skënderbeu me bisht', pronari i tokës ku u gjet statuja: E hodhën nga një kamion

Bëhet publike fotoja e statujës së dyshimtë të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e cila u gjet në anë të rrugës automobilistike në zonën e njohur si Qafë Kashar në Tiranë. Fotoja e statujës 3 metroshe është postuar në rrjetet sociale nga arkitekti Artan Shkreli me diçiturën “shaka, surrealizëm apo përdhosje?” Kjo pasi në foto Heroi ynë Kombëtar është me bisht. Vetë Shkreli në një prononcim tha se, statuja e heroit, me shpatë e përkrenare, ishte e përçudnuar. Pjesët intime të tijat ishin të dëmtuara dhe në fundkurriz mbante një bisht. Sipas tij,  shtatorja ishte gjysmë cjap e gjysmë njeri, madje kishte edhe bisht. Shkreli shtoi se, organet gjenitale të skulpturës ishin shumë të mëdha. Tek këmbët e shtatores shkruhej “Scanderbeg”. Gazetari Spartak Koka raportoi nga vendngjarja, se statuja i përket figurës së Skënderbeut dhe mendohet të jetë shkulur nga diku e më pas është hedhur në rrugë. Por policia nuk ka lejuar mediat që të afrohen në vendin e ngjarjes, ndërsa e ka zhvendosur statujën nga rruga. Besimet popullore totemike kështu e shohin Skënderbeun me brirët e dhisë, po kështu na thotë edhe një studiues i etnologjisë. Ndërsa një nga komentet më të bukura na vjen nga FCB: Pse mërziten kaq shumë këta njerëz kur në shkollat tona na mësojnë akoma se e kemi prejardhjen nga majmunët me bisht, pse të mos jetë edhe Skënderbeu me bisht.

Biznesi fason, Gjika: Nëse nuk na mbështet qeveria do të largohemi

Biznesi fason i ka paraqitur një paketë me kërkesa qeverisë në të cilën kërkohet heqje e pagës minimale, tatimi mbi fitimin të bëhet zero  dhe nëse kjo është e pamundur të ulet në 10% dhe jo 15% saç është aktualisht, si dhe disa lehtësira të tjera. Sipas Kryetarit të Dhomës së Fasonëve, Gjergji Gjika fasonët janë në një gjendje të vështirë pasi konkurrohen edhe nga fqinjët tanë, të cilët kanë kushte më të favorshme të të bërit biznes. “Biznesi fason është në pikën më të keqe. Maqedonia, Serbi dhe Bosnja Hercegovina ofrojnë mundësi të shumta për investitorët e huaj. Në këto vende ka mbështetje të madhe shtetërore gjë që nuk ndodh tek ne. Jemi në pozita të pabarabarta. Dy kompani të mëdha italiane kanë ndërprerë negociatat me ne pasi ofronin më shumë mundësi fqinjët. Kostot e prodhimit tek ne po rriten, rritja e tatim-fitimit ndikon drejtpërdrejtë. Është rritur taksa për një godinë, është 5 apo 6-fishuar. Taksat e fshehta po na dalin më të larta se taksat reale. Paketa fiskale ka prekur direkt biznesin fason.”
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Biznes Albania, Bardhi Sejdarasi tha se është përgatitur edhe një libër ku janë shtruar të gjitha problematikat, që hasen pjesë e së cilës janë edhe problemet e fasonëve. “Sektori i këpucëve ka pësuar rritje të madhe, sektori i veshjeve ulje më të madhe. 20.6% më të ulëta eksportet se viti i kaluar. Këtu ndikon kriza ekonomike dhe politika e brendshme. Shumica e kompanive u larguan nga ky vend, disa produkte prodhohen në Shkodër dhe tregtohen në Itali. Viti 2013 pati trend rritës për të ulur humbjet.”
Biznesi fason i ka kërkuar qeverisë që të ngrijë pagën minimale për 4 vjet. Sejdarasi theksoi se qeveria duhet të heq dorë nga caktimi i pagës minimale. “Duhet qeveria të heqë dorë nga caktimi i pagës minimale. Qeveria të marrë parasysh studimin që thotë për çdo përqindje të përcaktimit të pagës minimale ulet punësimi i të rinjve. Nuk ka pagë më të ulët se 256 mijë lekë të vjetra.” Sipas Sejdarasit biznesi fason është zotuar se pjesën e fitimit nga ngrirja e pagës minimale do e investojë duke marë më shumë njerëz në punë. 
Zëvendës ministrja e Zhvillimit Ekonomik Brunilda Paskali u shpreh se qeveria ka vendosur pagën minimale për të mbrojtur shtresat më vunerabël të shoqërisë. Epo qeveria duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me fasonet, që të mos dalin papunë disa mijëra punëtorë, që të paktën çojnë diçka në shtëpi, përndryshe i mori lumi këta familjarë....



Marshimi opozitar, Basha: Rama mashtrues, nis punën ose largohu!

Opozita e bashkuar, e mbështetur nga mijëra qytetarë nga mbarë vendi, të zhgënjyer nga qeveria, zhvilloi në mesditën e 20 shkurtit protestën e paralajmëruar që më parë në Tiranë. Marshimi protestë nisi në vendin ku u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha, vijoi drejt sheshit 'Skënderbej' për t’u ndalur para Kryeministrisë. Turma e madhe drejtohej nga kryetari i PD Lulzim Basha, ndërsa ishte i pranishëm edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Pikërisht para kryeministrisë nisën edhe fjalimet e njerëzve të larguar nga puna, qytetarëve të zhgënjyer për legalizimet, etj. Ndërkaq përpara Kryeministrisë u rreshtuan oficere femra, të cilat ruajtën godinën gjatë kohës së marshimit. Po sot qytetarë nga e gjithë Shqipëria udhëtuan drejt Tiranës për t’u bërë pjesë e protestës. Transporti i tyre u organizua me furgonë e autobusë, nga Partia Demokratike. Protestuesit e shumtë mbanin në duar pankarta "E duam Shqipërinë si gjithë Europa", 'Rilindja doli rrenë", "Rama mashtruesi". Kryetari i PD-së Lulzim Basha në fjalën e tij para protestuesve opozitarë tha se kjo është protesta e atyre shqiptarëve që ngrihen ndaj qeverisë Rama-Meta, e cila do ta kthejë vendin pas, duke çmontuar vlerat evropiane. ‘Keni vërshuar si asnjëherë më parë në këtë bulevard, ju drejtohem ju e mijëra të tjerëve që u nisën dhe u ndaluan të jetë pjesë e këtij marshimi protestë me mirënjohjen më të thellë. Ne vijmë për të përkujtuar një ditë të shënuar me germa të arta 20 shkurt ’91, ku të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë rrëzuan shtatoren e Enver Hoxhës personifikimin e shtypjes, mjerimit dhe gënjeshtrës, që mbante këtë vend nën thundrën e sundimit. Nderim dhe respekt të gjithë atyre që na e lanë këtë ditë si pasuri e ndërgjegjes sonë kombëtare, është shembull për përballjet e reja. Gjetja më e bukur në gjithë këtë histori ishte e ministrit të rendit Saimir Tahiri, i cili rreshtoi police femra për të mbrojtur kryeministrinë. Ai e kontrollonte situatën nga lart në tarracë, vetëm se protestuesit nuk e patën mendjen te ky fakt dhe vazhduan të protestojnë paqësisht.

Pazaret për drogën, 2 të rinj i vrasin dhe më pas i djegin.

Një ngjarje e rëndë është shënuar në zonën e ‘Kënetës’ në Durrës, ku 2 persona janë gjetur të shkrumbuar brenda një automjeti. Dy të rinjtë janë vrarë me plumba në kokë në një banesë dhe më pas trupat e tyre janë djegur në një makinë. Policia bën me dije se shkak ka qenë një mosmarrëveshje e mundshme mbi pazaret e trafikut të drogës. Brenda automjetit ndodheshin trupat e pajetë të 2 personave të djegur tërësisht. Nga hetimet rezultoi se viktimat janë nga fshati Kamberas i Fushë-Krujës, Shaban Babasi dhe Albert Kasalla. Mësohet se Babasi ishte banakier i një lokali në qendër të fshatit Kamberas, ndërsa Kasalli punonte në një gurore në Fushë Krujë. Personat e vrarë dyshohet se janë me precedente penale. Nga ekspertiza në vendin e ngjarjes dyshohet se vdekja është shkaktuar pasi të rinjtë janë qëlluar me plumb. Sipas policisë, dy viktimat u ekzekutuan pas orës 22:00 të së enjtes dhe më pas i është vënë zjarri automjetit. Policia bën me dije se ka identifikuar autorin e krimit, Odise Verboshi, në banesën e të cilit u gjet dhe u sekuestrua edhe një sasi e konsiderueshme lëndë narkotike dhe dy pistoleta. Sipas hetimeve paraprake, ngjarja mendohet se ka ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës. 32-vjeçari Verboshi është shpallur në kërkim. Një katastrofë njerëzore dhe morale, krime mbi krime, nuk mjaftohen me vrasjen fizike, por duan t’i ndëshkojnë kundërshtarët edhe pas vdekjes. A mundet që forcat e rendit të rivendosin drejtësinë duke e dërguar përpara një gjykatësi këtë kriminel? Shumë e vështirë për t’u gjetur ky rebus....

Venizelos takon Ramën: Statusi kandidat, prioritet kyç i presidencës greke të BE-së

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me zëvendës/kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Evangjelos Venizelos, i cili vizitoi Tiranën në vijim të turit Ballkanik në kuadër të Presidencës greke të Këshillit të Bashkimit Evropian. Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur, se në fokus të bisedës ishte perspektiva evropiane e Shqipërisë, për të cilën Kryeministri Rama u shpreh besimplotë për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në muajin qershor, gjatë Presidencës greke të Bashkimit Evropian. Nga ana e tij, zëvendës/kryeministri grek vlerësoi angazhimin e qeverisë shqiptare dhe e siguroi Kryeministrin Rama se marrja e statusit të Shqipërisë gjatë Presidencës greke të BE-së është një prioritet kyç i kësaj presidence. Mësohet se Venizelos i ofroi Kryeministrit Rama mbështetjen për bashkëpunim edhe në nivel teknik, me ekspertë të vendit të tij, për të përshpejtuar procesin e afrimit të Shqipërisë me BE-në. Ndërkohë Kryeministri Rama e njohu zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë edhe me reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit. Kryeministri Rama i shprehu kryediplomatit grek gatishmërinë e qeverisë shqiptare për t’i dhënë përmasa të reja bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në gjithë fushat, në kuadër të miqësisë e të fqinjësisë së mirë dhe të partneritetit strategjik. “Çështja e toponimeve nuk është politike dhe më vjen mirë që edhe z. Bushati nuk e karakterizoi të tillë. Ne do të punojmë që kjo çështje të zgjidhet në përputhje me standardet ndërkombëtare”. Kështu u shpreh zv/kryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm i Greqisë, z. Evangjelos Venizelos gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që zhvilloi në Tiranë me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati. Zgjidhja e këtij problemi u zvarrit edhe më, emigrantët tonë do të përplasen përsëri nëpër dyert e zyrave shtetërore. Ndërkohë që vetë Greqia i ka thyer shpesh standardet ndërkombëtare këto kohët e fundit, dhe kjo gjë më kujtoi një shprehje shumë të vjetër: Kur të jep dorën greku, para se të largohesh numëro gishtat a i ke të gjithë?

Llalla: Masa të larta dënimi për krimin ekonomik dhe korrupsionin

Në analizën e Prokurorisë së Apelit në Tiranë ka qenë i pranishëm edhe kryeprokurori, Adriatik Llalla. Drejtori i Prokurorisë së Apelit, Shkëlqim Hajdari gjatë kësaj analize vuri në dukje përhapjen e gjerë të veprave penale e korrupsionit, ndërsa kreu i organit të akuzës këshilloi mbajtjen e një qëndrimi të ashpër ndaj këtyre veprave penale. Llalla u shpreh më tej se do të ketë, masa të larta dënimi për krimin ekonomik dhe korrupsionin. “Nga të dhënat statistikore konstatohet se për vitin 2013 vërehet re një rritje e numrit të vendimeve të mosfillimit në raport me cështjet e dërguara për gjykim. Po kështu konstatohet se ka tendencë në rritje edhe të vendimeve të pushimit. Duke marrë shkas nga rritja e vendimeve të mosfillimit, konstatoj se shkak kryesor për këtë rezulton të jetë se, materialet e referuara nga institucionet e tjera, apo edhe të kallëzuara qytetarët nuk plotësojnë kriteret e parashikuara në ligj, nuk janë të shoqëruar me prova, apo në disa raste fakti nuk përbën element të veprës penale. Një fokus i veçantë në këtë drejtim duhet organizuar me punën e Policisë së Shtetit, institucioni që sjell materiale drejt institucionit tonë”, tha Llalla ndër të tjera. E pra, na paska fluturuar lopa me gjithë bisht dhe këta të Prokurorisë s’po dinë nga t’ia mbajnë tashmë. Nuk po na sjellin provat, e për pasojë kriminelët do të fluturojnë. Ligji dhe Maliqi, një parabolë e rëndomtë këndej nga anët tona...

Braktisja e mësimit, me 30% të mungesave ngel në klasë
Ashpërsohen ndëshkimet për nxënësit që lënë orët e mësimit. Marrja e disa mungesave mund t'i përjashtojë nga viti shkollor, ose mund t'i çojë drejt vjeshtës. Kjo edhe në rastet kur mungesat mund të jenë të shoqëruara me raportin përkatës mjekësor. Numri i lartë i mungesave që raportohen nga shkollat e arsimit 9-vjeçar, si dhe gjimnazet, ka detyruar Ministrinë e Arsimit dhe Sportit që të marrë masa shtrënguese për të frenuar braktisjen e orëve të mësimit. Raportet e Drejtorive Arsimore flasin për një shifër shumë të lartë të braktisjes së orëve të mësimit, veçanërisht nga gjimnazistët dhe kryesisht ata të kryeqytetit. Por, për këtë vit shkollor duket se këto largime nuk do të lejohen më, pasi në Dispozitat Normative për Arsimin Parauniversitar janë përcaktuar detyrime të reja lidhur me mungesat në shkollë. Me 30 për qind të mungesave në një lëndë të caktuar nxënësi digjet në lëndën përkatëse, ndërsa me 30 për qind të mungesave në planin mësimor vjetor nxënësi mbetet në klasë. Me dy lëndë të mbetura nxënësi ka mundësi që t'i marrë gjatë vjeshtës, por nëse bëhen 3, ai duhet më pas të përsërisë gjithë vitin. Pastaj ne ankohemi për të gjitha ato që na ndodhin. Fëmijët tanë ia mbathin nga shkolla, por kur mësojnë ata, apo mësojnë nëpër baret shik të kryeqytetit ku bëhet jetë vipash…

.....


Këto ishin ato që desha t’ju përcjell të nderuar dëgjues. Ato gjëra që përmenda, dhe ato që nuk i përmenda na përkasin të gjithëve. Hallet e përditshmërisë tonë vazhdojnë të na lodhin, por le të mundohemi të gjejmë pak qetësi në këtë fundjavë. Jeta nuk ndryshon kollaj dhe duhet të përballemi me realitetin papushim nga një herë. Një fundjave me meditim e pushim do të ishte mirë... ndërkaq nga valët e radios tonë ju përcillen këshillat më të mira të mundshme për të përballuar javën në vijim. Kemi nevojë të ngutshme dhe të vazhdueshme për ushqim shpirtëror dhe këtë me siguri që do ta gjeni në mësimet dhe këshillat që transmetohen në valët e ALBANIA FM radio. Do të dëgjhemi përsëri javën e ardhshme deri atëherë selam alejkum nga Roald Hysa....

http://gazetamendimi.com/albania-fm/

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit