Java në një ditë- ALBANIA FM radio 15 shkurt 2014



Java në një ditë
15 shkurt 2014


Selamu alejkum të nderuar dëgjues të ALBANIA FM radio nga unë Roald Hysa. Pas një jave po dëgjohemi përsëri në valët e radios tonë në pritje të javës në vazhdim, e cila shpresojmë se do të jetë më e mirë. Shumë halle e shumë telashe iu ranë mbi shpinë njerëzve tonë gjatë kësaj jave dhe ndoshta ky fundjave do të jetë më i mirë për të gjithë ne. Shumë nëna u veshën me të zeza, e shumë njerëz derdhën lotë për të afërmit e tyre të vrarë në aksidentet automobilistike. Një bilanc tragjik na thotë se brenda një dite javën që shkoi humbën jetën e tyre 13 frymë të moshave të ndryshme... të nderuar dëgjues asgjë nuk i sjell më në jetë ata njerëz, kini kujdes për më tej. Bota e artit humbi disa nga ata artistë që mbajtën peshën kryesore të një të kaluare. E qeshura e Skender Sallakut u fik dhe pritet edhe ajo e Met Begës, në mos është shuar në këto çaste që po flasim. Politika vazhdon rrugëtimin e vet të përditshëm me shfaqjet e saj për konsum. Të rinjtë janë në qendër të vëmendjes së politikës, e cila po drejtohet nga burra të pjekur në moshë. Ndërkaq janë shoferët e furgonave dhe të transportit urban ato që kanë sjellë turbullirat në këtë javë, madje dita e të dashuruarve u prish nga greva e urbanëve në Tiranë dhe nga shiu me shkulme që nuk pushoi gjatë gjithë paradites. Njerëzit rendin për të zgjidhur hallet e tyre me spitalet dhe shëndetin, ndërkaq ne do të vazhdojmë të mbështesim apelet e tyre nga valët e radios tonë, e cila është e hapur në këtë drejtim. Po le të vazhdojmë pa humbur kohë t’ju sjellim në vëmendjen tuaj ato probleme të përbashkëta të javës që shkoi.

Met Bega prej 10 vjetësh me Parkinson

“Epilogu” i trishtë i një jete artisti. Po sjellim në vëmendje jetën e artistëve të mëdhenj të skenës shqiptare, të cilët kanë shënjuar në zemrat e shqiptarëve, por jetojnë të zhytur mes vështirësive në harresën e atyre që duhet t’i kthejnë sytë tek ata dhe t’u shtrijnë dorën.  Ka qenë vajza e artistit Met Bega, e cila ka bërë publike në media dhe rrëfeu vështirësitë me të cilat përballet i ati, i cili vuan prej 10 vjetësh nga sëmundja e parkinsonit. Matilda Bega deklaroi se askush nuk është interesuar dhe nuk ka pyetur për babain e saj, por edhe kur ai ka trokitur vetë në dyert e institucioneve nuk ka marrë asnjë përgjigje. “Askush nuk ka pyetur për babain. Madje kanë arritur në ekstrem, nuk i jepnin as pensionin minimal që i takon, 20 mijë lekë. Është dashur ndërhyrja e Fiks Fare, u sensibilizuan se Met Begën e kishin lënë pa pension. Merr disa ilaçe shumë të shtrenjta. Babi është i paralizuar, është në krevat prej më shumë se 2 muajsh. Ilaçet afërisht 300 mijë lekë të vjetra, plus një grua që kujdeset për të. Askush nuk ka telefonuar kurrë. Të vetmit që kanë telefonuar janë biznesmenët, apo njerëz nga jashtë vendit. Shteti shqiptar besoj nuk e di është gjallë apo jo, Ndërkohë që njerëzit e dinë. Është e turpshme të paguhet 20 mijë lekë në muaj. Të gjitha shpenzimet përballohen nga vëllai im, që jeton jashtë. Falë zotit është ai. Babi ka shkuar kudo, në presidencë, në parti, në Ministrinë e Kulturës, në zyrën e kryeministrit paraardhës.”- u shpreh vajza e artistit Met Bega. “Gjej rastin ti bëj thirrje ministres së kulturës për ndihmë. Ai tashmë është drejt fundit, sëmundja përparon shumë shpejt dhe ai ka nevojë për ndihmë. Megjithatë di të them që shpresë nuk kam. Ministrja mund të bëjë një kërkesë për një pension të veçantë.”- deklaroi Matilda Bega. Një jetë e famshme në skenën e ekranit dhe të teatrit, tashmë po shuhet pa lavdi, duke shtrirë dorën për ndihmë. E si mund të kujtohen për Metin, kur janë të zënë me makro e mikro-politika kulturore? E si mund të kujtohen për Metin, kur sot dominon humori vulgar e banal?

Ndahet nga jeta një prej ikonave të humorit, ‘Artist i Popullit’, Skënder Sallaku

Ndahet nga jeta në moshën 79-vjecare një prej ikonave të humorit, Skënder Sallaku. I konsideruar si një prej ikonave të humorit shqiptar, Sallaku vuante kohët e fundit nga një sëmundje e rëndë. Në 10 ditët e fundit gjendja e tij shëndetësore u rëndua së tepërmi. Brenda një harku kohor të shkurtër ai kreu 3 ndërhyrje kirurgjikale. Skënder Sallaku lindi në Tiranë më 1935, dhe është konsideruar si një nga aktorët tanë më të mirë të humorit; me skeçe dhe parodi të ndryshme ai e ka bërë publikun shqiptar të qeshë me shpirt. Aktori është nderuar edhe me titullin e lartë ‘Artist i Popullit’. Sallaku njihet dhe si ish-kampion kombëtar në mundjen klasike. Brenda një kohe të shkurtër vdekja rrëmbeu 4 kolosë të artit shqiptar, klarinetistin Laver Bariu, violinistin Ibrahim Madhi, këngëtaren Vaçe Zela dhe së fundmi dhe humoristin Skënder Sallaku. Brenda një kohë kaq të shkurtër opinioni publik humbi 4 gjigandë, që lanë pas një emër të çmuar, që e vunë përmes veprave të mëdha që i përcollën sa ishin gjallë, vepra që do të kujtohen për një kohë të gjatë nga populli. Njëri pas tjetrit po shuhet ai brez artistësh që bëri epokë për një gjysëm shekulli të mileniumit që shkoi. Ata i përkasin brezave të regjimit të vjetër, por që sollën sadopak kënaqësi në jetën e një regjimi të ashpër e jo njerëzor. Brezi i artistëve të diktaturës do t’i emërtonte dikush.

'Furgonat', Shoferët: Na mbajnë me bukë. MTI: Fund konkurrencës së pandershme

Në ditën e 7 të protestës, drejtuesit e furgonave 8+1 kanë reaguar dhe mbi deklaratat e ministrit të Transporteve Edmond Haxhinasto dhe atij të Brendshëm, Sajmir Tahiri, që kërkuan ndalimin e transportit me furgona. Nga Korça, shoferët u shprehën se janë tepër të indinjuar me vendimin drastik që përfshin paketa e re e masave mbi sigurinë rrugore që pritet të miratohet nga qeveria. Sipas zërit unanim të drejtuesve të furgonave, me këtë punë mbahen familjet e tyre. “Me këtë punë mbajmë me bukë fëmijët. Tahiri të ndëshkojë përgjegjësit e aksidenteve dhe jo njerëzit e ndershëm”. Më tej shoferët protestues i bënë thirrje qeverisë të mbajë premtimet për përmirësimin e ekonomisë së shqiptarëve dhe jo të rrënojë më tej jetët e tyre. Protestës së drejtuesve të furgonave taksi 8+1 të Korçës iu bashkuar fillimisht edhe ata të Kukësit. “Është e pafalshme, nuk duhen bllokuar furgonat. Për ne janë buka e gojës, kështu mbyllen vende pune nuk hapen vende pune. Kjo qeveri të kontrollojë transportin e paligjshëm, jo ne të ligjshmit”, u shprehën drejtues të furgonave të transportit të pasagjerëve në Kukës. Sipas shoferëve, nëse ky vendim i qeverisë do të zbatohet atëhere protesta do të përshkallëzohet deri në bllokimin e rrugëve nacionale. Ministria e Transporteve ka reaguar për protestën e furgonave 8+1, që tashmë vazhdon prej disa ditësh dhe ka marrë shtrirje thuajse në të gjitha qytetet e vendit. Në një njoftim për shtyp nga kjo ministri bëhet me dije se nisma e qeverisë synon zbatimin e kuadrit ligjor dhe zbatimin rigoroz të ligjit në fushën e transportit. Sipas ministrisë kjo nismë do t’i japë fund konkurrencës së pandershme në transportin ndërurban. Në Fier, Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan, Lushnjë, Burrel janë zhvilluar protesta dhe reagimet kundër deklaratës së Ministrave Haxhinasto dhe Tahiri që parashikon ndalimin transportit të udhëtarëve me furgonë. Rirregullimi i transportit ndërurban nuk mund të bëhet me goditjen e furgonave të licencuar dhe gjobitjen e tyre të rregullt nga ana e rrugorëve. Terminalet moderne dhe ndërtimi i tyre nëpër qytetet e ndryshme të vendit do ta licensonte edhe më tej këtë fushë të transportit dhe kjo duhet të bëhet pjesë e axhendës së pushtetit lokal.

Lulzim Basha: 20 Shkurti një ndarje mes dy epokave

Kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha u takua me strukturat e partisë demokratike në Elbasan në kuadër të turit të tij mbarëkombëtar me strukturat e kësaj partie. Gjatë fjalës së tij në këtë takim Basha theksoi se PD është parti moderne dhe evropiane dhe se asaj i janë bashkuar qindra anëtarësime të reja. Ai e vlerësoi 20 Shkurtin, ditë kur opozita ka paralajmëruar, se do të zhvillojë një protestë të fuqishme, si ditën që do të bëjë një ndarje mes dy epokave. “Të gjithë së bashku në luftën e drejtë opozitare. Mirëpresim në PD, ata që duan fitoren e shpejtë. Jemi për bashkim dhe ribashkim të demokratëve.”- u shpreh Basha. Ai vlerësoi themeluesit e Partisë Demokratike. Sipas Bashës asnjë parti nuk ka të ardhme pa brezin e rinisë. Çdo qytetar shqiptar, sipas zotit Basha, ka sot arsye të mjaftueshme për t’ju bashkuar më 20 shkurt marshimit të protestës. “Për ti thënë ndal abuzivizmit, arrogancës, korrupsionit, varfërisë, papunësisë, taksave të larta, çmimeve të larta, me 20 shkurt në orën historike 14.00 në sheshin historik Skënderbej, në marshin tonë të protestës popullore. Të gjithë së bashku në luftën e drejtë opozitare për të shembur nga themelet antivlerat që po na i imponon ky pushtet” -deklaroi lideri i opozitës, Lulzim Basha. Është një thirrje krej normale që po bëhet nga opozita. E vështirë do të jetë të risillen ato ndjenja të papërshkrueshme për të gjithë shqiptarët, e në veçanti për të gjithë ata të përndjekur e të burgosur të regjimit famëkeq enverist, normal që ata do t’i shihnin me skepticizëm këto përpjekje.

Aksidente në Pogradec e Kurbin, 3 persona të vdekur, 2 të plagosur

Aksidentet me makina kanë përgjakur sërish rrugët e vendit. Tre aksidente të ndryshme janë shënuar në 3 qytete të vendit, ku viktima kanë mbetur kalimtarë dhe në një prej tyre një person me bicikletë. Të tre janë përplasur nga automjete që qarkullonin tej normave të lejuara të shpejtësisë. Aksidenti i parë, makina përplasi 2 kalimtarë, njëri humb jetën në vendin e ngjarjes, tjetri dërgohet në gjendje të rëndë në spital. I plagosur dhe shoferi  i automjetit. Gati njëkohësisht me aksidentin në Pogradec, një aksident tjetër i rëndë me pasojë vdekjen e një personi u shënua në Laç. Një i moshuar rreth 75 vjec ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasi u përplas me një makinë. Në momentin e aksidentit, i moshuari Gjon Kola ishte duke lëvizur me një biçikletë. Një aksident i tretë u shënua, kësaj radhe në Kurbin, ku viktimë mbeti një kalimtare. Ngjarja ndodhi në fshatin Skuraj ku një automjet ka përplasur për vdekje këmbësoren, Dava Pjetri. Mësohet se Dava Pjetri kishte mësuar për aksidentin e Gjon Kola në Laç dhe nga fshati Skurje është nisur të mbërrijë në Laç, por fatkeqësisht një makinë e ka përplasur teksa ajo po kalonte rrugën. Pa harruar këtu aksidentin e rëndë në Kukës, ku brenda një jave humbasin jetën rreth 19 njerëz. Pakujdesia njerëzore dhe mos-respektimi i rregullave të qarkullimit janë shkaqet më të rëndomta pas hetimeve të bëra nga specialistët rrugorë. Njerëzit në timon nuk po tregohen të kujdesshëm dhe pasojat më pas janë të rënda.

24-vjeçarja luftë me vdekjen

Brunilda është vetëm 24 vjeç. Prej kohësh ajo po lufton me sëmundjen e saj të trashëguar që njihet si pika gjaku kancerogjene. Pak kohë më parë ajo ka humbur syrin e majtë, ndërsa sot nga syri i djathtë shikon vetëm 25%. Prej vitesh kurohet në Athinë, meqenëse atje ka jetuar, por sipas familjarëve që tashmë janë kthyer në Fier, ndërhyrja kirurgjikale që ju bë atje në kokë nuk ka qenë e suksesshme dhe vajza rrezikon tashmë edhe jetën. Familjarët që prej vitesh kanë harxhuar gjithçka, një muaj më parë i kanë bërë analizat 24 vjeçares në Lozanë të Zvicrës. Mjekët zvicerianë i kanë këshilluar që urgjenca kryesore mbetet shpëtimi i jetës së 24-vjeçares dhe më pas të sigurojë mbajtjen e shikimit në masën 25%, për të cilin duhet të kryejë operacionin që kushton 30 mijë euro. Duke qenë se mundësitë e familjes janë të pakta vetë Brunilda apelon për të gjithë ata që mundet ta ndihmojnë. “Kam këtë problemin me syrin, janë pika gjaku kanceroze. Unë kërkoj ndihmë, kam nevojë për ju. Ju lutem merreni seriozisht gjendjen time dhe më ndihmoni, sepse jam 24 vjeçe, jam me një sy”, shprehet ajo. Kushërira e saj Jola Hoxhaj i është drejtuar mediave për të kërkuar sensibilizim, pasi në Ministrinë e Shëndetësisë nuk i kishin dhënë shpresë. Ajo tregon se i ati i Brunildës pak vite më parë në moshën 48-vjecare ka ndërruar jetë po nga e njëjta sëmundje dhe që kushërira e saj të mos ketë fatin e të atit, ajo apelon për ndihmë. Edhe ne si radio i bashkohemi kësaj thirrje për ndihmë, duke apeluar tek dëgjuesit tanë ta ndihmojnë Brunildën. Sot është ajo që ka nevojë për ndihmën tonë, por ndoshta do të jemi ne që do të kemi nevojë për ndihmë. Jetës nuk i dihet, sot je shëndoshë e mirë, nesër ke nevojë urgjente për mjekun...


Dramat njerëzore me sëmundjet e tyre fizike kanë qenë pjesë e vëmendjes së publikut, por nuk janë bërë pjesë e zgjidhjes tonë. Flitet shumë për rininë, por ëndrra e saj është të rrinë bareve gjithë ditën duke pirë kafe e konsumuar thjesht llafe të kota. Rini pa ideal. Nuk po themi që të mos argëtohen njerëzit, por ne duhet të gjejmë kohë edhe të ndihmojmë. Dora që jep është më e mirë se dora që merr,- na porosit profeti jonë Muhamedi. Tendenca e shoqërisë sonë sot është vetëm të marri dhe përfitimet materiale e monetare janë në qendër të vëmendjes, e cila po harron se ka vlera shpirtërore për të ruajtur e zhvilluar. Ajo po materializohet maksimalisht dhe nuk po shohin përtej hundës së vet. Ndihma nuk është vetëm materiale, jeta nuk është vetëm të fitosh para, e të mbledhësh mall, por edhe të japësh nga ajo që fiton. Begatia nuk shprehet duke marrë, por duke dhënë. Dhe jo t’i japësh thjesht atij që ke afër para. Mirësia e veprimit qëndron edhe në mënyrën se si e kryen atë mirësi. Të mos e shohi dora e majtë se çfarë po jep e djathta, është një tjetër këshillë e vyer dhe porosi e hoxhallarëve tonë. Dita fillon e mbaron shpejt, po ashtu edhe java shkoi e iku, dhe kështu kanpër të ikur ditë e javë të tjera. Iku edhe 14 shkurti, por dashuria nuk mbahet me një ditë në vit. Viti ka 360 ditë dhe ja se çfarë thotë Rumiu:
Nuk e ke idenë se sa e vështirë ishte të gjeja një dhuratë për ta sjellë.
Asgjë nuk më dukej gjëja e duhur.
Cfarë kuptimi ka t’i sjellësh ar një miniere ari, apo ujë oqeanit?
Cdo gjë që gjeja ishte si të sillja erëza të Lindjes.
Nuk mund të dhuroj zemrën time as shpirtin tim, sepse ato janë tashme të tuat...
Kështu që të solla një pasqyrë...
Shikohu dhe me kujto!!!

Po e mbyllim këtë transmetim me këto vargje dhe pa komente të mëtejshme. Ishit deri tashti në valët e ALBANIA  FM radio me mua Roald Hysën. Do të dëgjohemi përsëri javën e ardhshme në po të njëjtën frekuencë 90,4 mgh, deri atëherë gjithë të mirat e Selam Alejkum.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit