JAVA NË NJË DITË – ALBANIA FM RADIO 90,4 mgh



JAVA NË NJË DITË

8 shkurt 2014


Selam alejkum të nderuar dëgjues të Albania FM radio në këtë të shtunë të dytë të shkurtit nga unë Roald Hysa. Shpresoj që të kemi kaluar një javë të mirë dhe ju uroj një fundjave të këndshëm sinqerisht kësaj radhe.  Java iku shpejt dhe tashti po e shohim, se ajo ka shtuar diçka mbi barrën e halleve që kemi. Kronika e zezë e shoqërisë tonë si brenda familjes, po ashtu edhe jashtë vazhdon të pasurohet brenda ditës. Katër djem të një bande grabitësish karburantesh janë kapur pasi janë regjistruar nga kamerat e sigurisë dhe opinioni publik i tmerruar ka ndjekur pamjet se si punonjësit e karburanteve goditeshin vazhdimisht me grushte e kaçavida për t’ju grabitur paratë. Me siguri që do të dënohen me aq vite burg sa parashikon ligji, por a do të marrin dënimin e merituar? A do të zhdëmtohen ato njerëz që u goditën barbarisht në kokë e në trup me kaçavida? Vallahi e dyshoj këtë gjë! Politika vazhdon përplasjet e veta në Kuvend e Presidencë, ligje e kundërligje, lëvizje e kundërlëvizje, tashti po shihet përplasja e dy filozofive qeverisëse. Rritja e pranisë së Shtetit në jetën publike dhe rritja e sektorëve të privatizimit. Ndërkaq tarifat e urbanëve me siguri do të rriten përsëri dhe njerëzve në Tiranë do t’iu duhet të nxjerrin më shumë para nga xhepi, sidomos atyre që iu duhet të lëvizin me dy ose tre urbanë për të shkuar në punë. Këtyre të fundit iu duhet të dalin qysh në ora 6 e gjysëm nga shtëpia për të sosur në punë në ora 8, sepse urbanët ecin shumë ngadalë në një trafik të rënduar. Kjo është pak a shumë një ditë e zakonshme në Tiranë. Po le të vazhdojmë më tej me emisionin tonë...

Konfliktohen për pronat, babë e bir vrasin me armë zjarri të riun

Konflikti për pronësinë çon në viktimën e radhës. Këtë herë ngjarja e rëndë është shënuar në Peshkopi, ku 28-vjeçari Blontin Lusha, i cili sapo ishte kthyer nga emigracioni në Greqi është ekzekutuar me armë zjarri në qendër të qytetit. Autor të kësaj ngjarja janë Ramiz dhe Endrit Cena babë e bir, të cilët pasi kanë qëlluar për vdekje të riun janë larguar nga vendi i ngjarjes. Mësohet se prej vitesh dy familjet kishin një konflikt pronësie, pasi lokali i familjes Cenaj ndodhet në tokën e familjes Lusha, gjë që kishte çuar në mosmarrëveshje mes tyre. Mbrëmjen e së martës 28-vjeçari është kofliktuar fillimisht me autorët, por gjithçka ka përfunduar në përdorimin e armëve duke sjellë edhe vdekjen 28-vjeçarit Blontin Lusha. Toka është një nga gjërat më të shenjta për njeriun, ndërsa zaptimi i saj dhe pronësimi i saj nuk mund dhe nuk duhet të zgjidhet me vetëgjyqësi. Po tashti kush do ta gëzojë atë dyqan dhe atë copë truall. Ajo pronë i duhet kthyer të zotit, për të qenë në rregull, edhe me qeverinë, edhe me Zotin.

Tiranë, pas 3 tentativash dështimi shembet me eksploziv godina 5-katëshe

Pas disa tentativave të dështuara, në ora 15:39 minuta realizohet me shpërthim shembja e një ndërtese pa leje e bllokuar nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar në zonën e ‘Vilave Gjermane’, në kryeqytet. Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik realizoi shpërthimin me eksploziv të komanduar të godinës tek Rruga e Elbasanit. Shkak i dështimeve ka qenë një moskoordinim i fijes ndezëse detonuese me sasinë e eksplozivit të vendosur në godinë. Kështu pavarësisht numërimit mbrapsht nga forcat e xhenios, 3, 2,1, shpërthimi nuk ndodhi rreth orës 15:00, as pas 2 tentativave te tjera, por me tentativën e 4. Tashmë nga godina 5 kate lartësi dhe 2 nëntokë kanë mbetur vetëm inerte. Pavarësisht shpërthimit me fuqi të madhe, dëmet materiale tek godinat pranë ndërtesës ishin të vogla. Dikush u ankua vetëm për thyeje xhamash. Por do t’iu japim disa kuriozitete qe nuk iu kanë interesuar gazetarëve:
Tirane 21 Tetor 2013. Shpërthimi i parë: Godina pronë e Markagjonajve, votues te PD
Vlore 27 Tetor 2013. Shpërthimi i dyte: Godina pronë e njerëzve te njohur ANTI PS
Vlore 14 Dhjetor 2013. Shpërthimi i trete: Godina pronë e njerëzve të PD
Tirane 5 Shkurt 2014. Shpërthimi i katërt: Godina pronë e njerëzve të PD.
Ngjan me një skenar filmi dhe dikush do të shtonte me sarkazëm: Te gjitha këto janë koincidenca dhe çdo përngjashmëri me fakte dhe njerëz reale është rastësi. Çfarë me thanë më tepër, shteti deshi të tregonte forcë dhe dështoi rregullisht me shpërthimet e minatorëve të paaftë që punëson.

1967 dhe ndalimi i fesë

6 shkurti përmendet si dita e fillimit të shkatërrimit të objekteve të kultit dhe përndjekjes së fesë. Kuvendi Popullor me unanimitet të plotë i nxjerr jashtë ligjit të gjitha komunitetet fetare, si dhe shkatërron të gjitha institucionet përkatëse, duk u munduar të fshijë 600 vjet histori dhe identitet të një populli që beson në Zot dhe në shenjtërinë e këtyre institucioneve fetare. Xhamitë mbyllen për t’u kthyer në magazina, qendra kulturore e argëtimi në rastin më të mirë, ndërsa në të gjitha rastet e tjera shkatërrohen për të mos mbetur asnjë gjurmë. Minarja si tipar i veçantë zhduket nga peizazhi urbanistik shqiptar për t’i lënë vend godinave pa shije të realizmit socialist. Xhamia e Dine Hoxhës në kryeqytet kthehet në Ndërmarrjen e Dekorit, e cila zbukuronte qytetin për parakalimin e 1 majit me flamujt fitimtarë të socializmit dhe fytyrat e njeriut të ri, ku stampohej lumturia false njerëzore. Ndërkohë që nëndheshëm shoqëria vuante dhe ziente vazhdimisht në heshtje. Njerëzit e ruanin Zotin dhe dashurinë për fenë në mendje e në zemër. E vetmja fije që mbajti lidhjen e njerëzve me Zotin, ku fshatrave pati diçka më tepër lidhje. Shumë njerëz në fshat e lanë me amanet të varroseshin me qefina e me hoxhë. E kjo atje ishte më e mundur se në qytet, ku publiku i gjerë të vëzhgonte e të shqyrtonte më me imtësi. Për 45 vite rresht njerëzit u dënuan, sepse e donin fenë. Shumë hoxhallarë përfunduan burgjeve me dëshmi të rreme e me akuza të sajuara, vetëm pse ishin fetarë. Me ndonjë përjashtim vuajtën edhe monumentet e kultit xhamitë, të cilave iu zhdukën shenjat e tyre ku ruheshin me qindra vite histori. Pllakat me mbishkrimet e xhamive, ku përfshihej historia e një populli që e donte Zotin dhe ndëtonte shtëpitë e tij ku të adhurohej Allahu një dhe i vetëm u zhdukën. Ky ishte fati i mbishkrimit të xhamisë themeluese të Tiranës Sulejman Pashës, e cila deshi Zoti ta ruajë tekstin e saj në faqet e revistës Kultura Islame. Në dhjetor 1990 në Xhaminë e Plumbit në Shkodër dhe në janar 1991 në Xhaminë e Et’hem beut në Tiranë ndërmjet shfaqjeve të një gëzimi ekstrem dhe mllefi të akumuluar popullor kryen ceremonitë e para fetare pas një heshtje 23 vjeçare.

Thikë mes ushqimeve, ndalohet në burg gruaja e të dënuarit për vrasje

Një grua, bashkëshortja e një të dënuari për vrasje është ndaluar sot në burgun e Burrelit, teksa shkonte për të takuar të shoqin. Gjatë kontrollit, gruas i është gjetur një thikë mes ushqimeve që i dërgonte bashkëshortit Haxhi Voshi, i dënuar për vrasje. Pasi u kap me thikën mes ushqimeve gruaja u mor në pyetje nga policia e burgut të sigurisë së lartë në Burrel. Ajo ka deklaruar se e kishte lënë thikën gabimisht mes ushqimeve. Ndërkaq, policia deklaron se vijojnë hetimet për këtë rast. E pra në mënyrë të përsëritur popullsia e burgjeve nuk po e kupton, se tashmë duhet të kryejnë dënimin që iu takon. Drenova dhe kjo ngjarje janë sinjale për qeverisjen, se duhet rritur siguria në burgje dhe duhen ndërmarrë programe riedukimi për këta njerëz.

Gol brazilian, Tirana triumfon ndaj Partizanit në derbin “e çmendur”



Tirana fiton minimalisht derbin e 137-të me Partizanin dhe kërcen “samba”. Është pikërisht një brazilian, Gilberto, ai që ka vendosur fatin e një ndeshjeje të luftuar fort, që ka pasur për “kryefjalë” bardheblutë, ndërsa të kuqtë kanë qëndruar tërë kohës në mbrojtje. Mjafton të evidentojmë vetëm dy goditje në portën e Ilion Likës nga Partizani, për të kuptuar qasjen krejtësisht difensive të skuadrës së Likës. E palidhur mes reparteve, skuadra e kuqe ka vuajtur tërë kohës presionin e 24 herë kampionëve të vendit, që kanë nxjerrë nga vetja e tyre gjithçka. Tërë ai volum loje, ato aksione të shumta drejt portës së Alban Hoxhës janë konkretizuar në minutën e 76-të falë një veprimi spektakolar të brazilianit Gilberto. Me kurriz nga porta e Partizanit, sulmuesi i bardhebluve bën një roveshatë të bukur, duke mposhtur Alban Hoxhën, që një minutë më parë kishte evituar një gol të sigurt me grushtimin e tij. Tri pikë shprese për Tiranën, që bind në ndeshjen më të rëndësishme, duke kënaqur pa masë tifozerinë e zjarrtë bardheblu, por edhe jep sinjale kthese drejt largimit nga zona e ftohtë e mbijetesës. Pas golit të shënuar nga ekipi i Tiranës, tifozët e ekipit të Partizanit në shenjë irritimi u kanë vendosur flakën stolave të stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’. Por në atë moment ka ndërhyrë menjëherë policia e kryeqytetit së bashku me zjarrfikësit për të shuar zjarrin. Një gol i artë për tri pikë me mjaft vlera. Në këtë përmblidhet në vija të trasha ky derbi, që prodhoi emocione të pafundme në tribunat e stadiumit, të mbushura plot e përplot, ndërsa në fushë mungoi spektakli i duhur. Triumfoi këmbëngulja dhe dëshira e madhe e Tiranës, që në vijimësi duket se do të jetë një pengesë e pakalueshme për të gjithë kundërshtarët. Po ashtu në ditët para këtij derbi u pa një përplasje e ashpër verbale midis dy tifozerive kryeqytetase në rrjetet sociale, duke ia shtuar më tepër tensionin kësaj ndeshje. Bardhë e blu dhe e kuqja ishin dy ngjyrat partiake në qendër të vëmendjes së sharjeve të tifozëve të dy skuadrave.

Protestat  para Universitetit në Prishtinë

Policia e Prishtinës ka konfirmuar se vetëm gjatë ditës së enjte janë arrestuar 33 persona, studentë dhe të shoqërisë civile, ndërsa 29 oficerë policie kanë pësuar lëndime. Në një prononcim zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci bëri fajtorë protestuesit për dhunën e përdorur, kurse për policinë tha se ata ishin në nivelin e përgjegjësisë. Sipas tij studentët kanë përdorur mjete të forta, që u kanë shkaktuar policëve lëndime të ndryshme. Borovci po ashtu tha se policia është në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve, pra edhe të protestuesve, të cilët kanë të drejtën e protestës, por pa rrezikuar lirinë e sigurinë e të tjerëve, ka thënë ai për mediat. Ndërsa nuk ka konfirmuar asnjë të dhënë për protestues të lënduar.  Protesta e studentëve para Rektoratit të U.P “Hasan Prishtina” vijoi edhe sot me një numër më të madh pjesëmarrësish, se ditët e tjera, gjithnjë me kërkesën për dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi. Po ashtu përplasja midis policisë e protestuesve vazhdon. Policia ka përdorur forcë të shtuar ndaj protestuesve, të cilët po ashtu nuk kanë kursyer mjetet ndaj tyre. Policia ka përdorur forcën që të pengojë protestuesit të hyjnë në ambientet e institucionit më të lartë arsimor kosovar dhe ka përdorur edhe ‘spraj’ për të kthyer pas studentët. Në hyrje të objektit vazhdimisht ndodhen pjesëtarë të njësisë speciale të policisë, si dhe punonjës të sigurimit të Rektoratit. Pjesëmarrësit brohorisnin “Universitet, jo pushtet!”, “Marre!”, “Dorëheqje!”... Kjo është dita e dhjetë e protestës së studentëve dhe anëtarëve të një numri organizatash të shoqërisë civile. Studentët po kërkojnë dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi pas zbulimit, se ai kishte publikuar punime shkencore në një revistë të rreme në Indi. Rankimi i universiteteve është një histori më vete, por edhe marrja e titujve kërkon një rankim më vete për të mos pasur fiktivitet atje ku përgatiten kuadrot e ardhshme.

Ndizen pishtarët e "Sochi 2014"

Startojnë në Rusi lojërat olimpike "Sochi 2014". Në stadiumin olimpik të Ficht u zhvillua ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike Dimërore. Në këtë Olimpiadë do të marrin pjesë 2900 atletë të 15 disiplinave të ndryshme, mes të cilëve edhe dy shqiptarë; Suela Mëhilli dhe Erjon Tola. Ceremonia hapëse e Olimpiadës nisi me një klip, ku përshkruhej historia e Rusisë dhe personazheve të këtij vendi. Në ceremoninë hapëse morën pjesë shumë personazhe të njohur nga të gjitha fushat dhe nga e gjithë bota. Presidenti rus Vladimir Putin premtoi se do të jetë një eveniment i paharrueshëm.  Në ceremoninë e hapjes së Olimpiadave më të shtrenjta të historisë morën pjesë 40 liderë botërorë, ndërsa do të qëndrojnë bosh karriket e shumë liderëve të tjerë të botës dhe të qeverive perëndimore. Siç është deklaruar edhe më herët, mospjesëmarrja e tyre bëhet në shenjë proteste për shkak të politikave të vendosura nga Moska zyrtare. Presidenti Putin është shprehur se bota mbarë po pret këtë eveniment sportiv, ku po ndihet atmosfera speciale dhe energjia pozitive. Ai shtoi se Rusia kërkon të realizojë sa më mirë këtë projekt olimpik, duke bërë ç`është e mundur që Olimpiadat e Sochi-t të jenë një evenimet dëfryes dhe i paharruar. Qeveria ruse ka investuar 86 milionë dollarë çdo vit, për 7 vite, për një total prej 602 milionë, që nga momenti që u vendos se këto Lojëra Olimpike do të zhvilloheshin në Sochi. Janë investuar gjithashtu 374 milionë dollarë në infrastrukturë sportive në përgatitje të kombëtares ruse, që do të marrë pjesë në këto lojëra. Organizimi i Olimpiadave të Sochi-t ka kushtuar më shumë se çdo Olimpiadë tjetër e organizuar më parë. Shpenzime pa fund dhe propagandë pa fund. Lindje versus Perëndim, përsëri përplasje sportive Rusi-Perëndim. Ndërkaq është më se e vërtetë që kemi nevojë për sportet, qoftë dimërore apo verore...



Kjo javë u mbyll me telashet e zakonshme për njerëzit. Drama dhe tragjeditë janë bërë diçka e zakonshme për njerëzit, dhe ne si media nuk po arrijmë t’ua kursejmë sadopak ditën njerëzve tonë, të afërmve tonë. Gjendemi përpara një presioni të përbashkët, prandaj edhe njerëzit kanë nevojë të dinë dhe në shumë raste të justifikohen nëpërmjet këtyre medieve që kemi krijuar. Kemi nevojë për pushim e relaks dhe pjesërisht arrihet duke shkuar nëpër stadiume e teatro për të parë një shfaqje cilësore. Rrallë se mund të gjenden këto në Elbasan, Durrës apo Tiranë. Kemi nevojë për prehje dhe për të dëgjuar një fjalë të mirë. E keni një mundësi  të mirë në valët e radios tonë. Këshilla dhe fjalë të mira nga hoxhallarët me vargjet e Kuranit Famëlartë dhe porositë profetike të Muhamedit alejhi selam. Porosi të vlefshme për jetën tonë shpirtërore dhe në marrëdhënie me të gjithë njerëzit që na rrethojnë. Shpresojmë dhe urojmë për një fundjave të këndshme për të gjithë ju që na dëgjoni nga valët e Albania FM radio. Deri në javën e ardhshme mirë u dëgjofshim dhe selam alejkum nga Roald HYSA.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit