Java në një ditë- ALBANIA FM 16 mars 2014



Java në një ditë –
e dielë 16 mars 2014

Selam alejkum të nderuar dëgjues të Albania FM radios, i rikthehemi edhe këtë javë ngjarjeve më shqetësuese që kanë kaluar më herët. Unë jam Roald Hysa dhe ky është emisioni i përjavshëm, ku si zakonisht do të flasim për ato gjëra, që kanë bërë ose nuk kanë bërë bujë gjatë ditëve të kaluara. Ka qenë një javë me shumë trazira, politikë e probleme të ndryshme. Siria është rikthyer në vëmendjen e publikut tonë kësaj radhe me arrestime të bujshme, që janë kryer në pikë të sabahut, dhe mu kujtua një thënie e dikujt, që kur i shkuan për ta arrestuar në kohën e monizmit në mes të natës dhe i thanë: Në emër të popullit je i arrestuar; dhe ai iu përgjigj sigurimsave: Populli është duke fjetur gjumë, hajdeni nesër kur të zgjohet. Gjithsesi këto ndalime kanë sjellë shqetësime jo thjesht pse u ndaluan 7 veta, porse në të gjithë forumet e internetit sapo diskutohet rreth këtyre ngjarjeve plas një urrejtje e paparë, dhe ofendim jashtëzakonisht ordinere, saqë nuk mund t’i mendosh, që këta janë qenie njerëzore. Politika dhe dita e verës janë si ajo qershia mbi tortë që nuk mund të rrinin pa njëra tjetrën kësaj jave. Në kryeqytet janë përplasur policia bashkiake me atë të rendit për mbizotërimin e shesheve, ku do të festohej dita e verës. Qesharake kur e mendon, edhe pse ne nuk merremi me festa të tilla. Korrupsioni, vrasjet dhe ekonomia janë në rend të ditës, madje ato përbëjnë pjesën më të madhe të lajmeve, si dhe të motiveve të të gjitha ngjarjeve. Flitet që 40,000 vetë kanë humbur vendin e punës dhe pritet së fundmi të na rritet edhe çmimi i energjisë elektrike. Një krushk vrau krushkun e vet, për shkak se çifti u nda. Shumë e trazuar ka qenë kjo javë, por ne vazhdimisht shpresojmë për më mirë dhe nuk duhet të reshtim përpjekjet tona për ta përmirësuar realitetin tonë të përditshëm.

Rekrutimet për Siri, prangosen në xhami 2 imamë dhe 6 persona të tjerë
Policia ka vënë në pranga disa persona, mes të cilëve edhe 2 imamë xhamie, të dyshuar si të përfshirë në rekrutimin e disa qytetarëve shqiptarë për të luftuar në Siri. Personave iu janë gjetur armë zjarri që dyshohet se do përdoreshin për luftën në Siri. Arrestimet janë kryer në një xhami tek Unaza e Re e Tiranës. Të arrestuar janë shtetasit, Genc (Abdurrahim) Balla, imam në xhaminë e Unazës së Re, Bujar Hysa, imam në xhaminë e Mzezit, Edmond Balla, Verdi Morava, Fadil Myslimani, Zeqir Imeri, Almir Daçi dhe Orion Reçi. Mësohet se hetimi për arrestimin e këtyre personave ka zgjatur rreth 9 muaj dhe se është kryer nga SHISH. Aksioni përveç Tiranës është zgjeruar dhe në qytete të tjera, si Pogradec, Librazhd e Elbasan. Burimet zyrtare kanë thënë se personat akuzohen për terrorizëm, ndërsa dyshohet se dërgonin në Siri persona që më pas bëheshin pjesë e formacioneve luftuese atje. Policia ka publikuar edhe emrat e 4 personave të shpallur në kërkim për terrorizëm, si dhe emrat e 8 të arrestuarve. “Në kuadër të operacionit të zhvilluar gjatë ditës së sotme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit me strukturat e specializuara ne Luftën kundër Akteve Terroriste në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, u ekzekutuan vendimet e Gjykatës për Krimet e Rënda për shtetasit e mësipërm, si të dyshuar për veprën penale të “Rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste” dhe atë të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, si dhe të “Nxitjes së urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve'.”- bëhet me dije nga policia. Policia theksoi, se gjatë operacionit janë sekuestruar armë e municione, si dhe prova të tjera në cilësinë e provës materiale. Ndërkaq të dyshuarit nuk kanë pranuar ndonjë nga akuzat e bëra pasi janë nxjerrë përpara gjykatësit të krimeve të rënda Sandër Simoni. Gjatë këtyre ngjarjeve në forumet e internetit dhe në FCB është bërë një thirrje nga njerëz të panjohur për të dalë e për të protestuar te kryeministria ndaj arrestimit dhe burgosjes së këtyre njerëzve që akuzohen për terrorizëm. Pjesa më e madhe e hoxhallarëve iu kanë bërë thirrje besimtarëve të tyre publikisht, që të ruajnë qetësinë dhe të lejnë të qeta organet kompetente për të kryer detyrën e tyre. Për këtë gjë është shprehur edhe një nga organizmat e mirënjohur tashmë nga të gjithë besimtarët, Lidhja e Hoxhallarëve:
Thirrje për objektivitet, qetësi dhe vetëpërmbajtje
Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë, duke parë pakënaqësinë dhe klimën islamofobe, që ka provokuar arrestimi i disa besimtarëve muslimanë me akuzën për terrorizëm, u bën thirrje:
Së pari, besimtarëve muslimanë shqiptarë, të ruajnë qetësinë dhe vetëpërmbajtën nga emocionaliteti i tepruar dhe të mos provokohen nga nxitjet dhe thirrjet e nxituara, që bëhen sa andej këndej, sepse reagime të pamatura, sidomos në situata të tilla, jo vetëm që bien ndesh me atë çka na porosit Allahu dhe Profetit i Tij, por historia ka treguar, se gjithmonë kanë qenë të dëmshme për vetë muslimanët dhe fenë e tyre dhe përgjegjësia e gjynahut në të tilla raste bie si mbi atë që nxit, por edhe atë që i përgjigjet nxitjes. 
Rruga e duhur në këtë situatë është ndjekja e hapave ligjore, që ofron ligji duke lënë drejtësinë të bëjë punën e vet, si dhe lutjet e sinqerta, që Zoti të bëjë të mundur që sa më shpejt të zbardhet e vërteta. Nuk duhet të harrojmë po ashtu për asnjë moment se: mburoja më e mirë e besimtarit është lutja. 
Së dyti, i bëjmë thirrje të gjitha mediave, të tregohen të lartësinë e duhur të problemit, sa më objektive dhe të drejtë në trajtimin e çështjes, të shmangin spekulimet, analizat dhe lajmet e shumta të pasakta dhe aspak objektive, që po qarkullojnë në këtë rast dhe të jenë sa më të kujdesshëm me ndjeshmërinë e besimtarëve, duke mos provokuar me dashje ose padashje një klimë pakënaqësie që nuk i shërben askujt, por vetëm se nxit urrejtjen ndërfetare dhe prish qetësinë sociale të këtij vendi, që është më i rëndësishëm sesa interesat e ngushta të momentit.

Ministria e Financave: Gati dëmshpërblimi për ish-të përndjekurit politikë

Ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist, të cilët nuk kanë përfituar asnjë këst deri më tani do të marrin së shpejti dëmshpërblimin financiar. Ministria e Financave bëri me dije se do të shlyhen detyrimet ndaj atyre që nuk kanë arritur të përfitojnë asnjë këst, si dhe listat e të gjithë përfituesve. Ministria e Financave, publikoi në adresën e saj të internetit, se po përgatitet të shpërndajë dëmshpërblimin financiar, si dhe në adresën e Drejtorisë së Pagesës së Dëmshpërblimit, ku të interesuarit mund të shikojnë emrat përfitues dhe dosjen përkatëse. Drejtoria e Pagesave të Dëmshpërblimeve, pranë Ministrisë së Financave, gjithashtu njofton se në bazë të ligjit po përgatitet të shpërndajë dëmshpërblimin financiar për ish-të dënuarit politikë nga regjimi komunist, të cilët nuk kanë përfituar asnjë këst deri më tani. Në deklaratën për mediat bëhet e ditur, se “listën e plotë me emrat e përfituesve të parë mund ta gjeni në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave. Kjo listë përmban numrin e dosjes dhe emrin e ish-të dënuarit politik, emrat e trashëgimtarit ose trashëgimtarëve ligjorë, dokumentacionin që përmban dosja, si dhe dokumentacionin i cili i mungon dosjes përkatëse, duke i klasifikuar dosjet si të gatshme për tu paguar ose jo”. Në njoftim, sqarohet se “të interesuarit, dosjet e të cilëve kanë qoftë edhe një mungesë të vetme në dokumentacionin e kërkuar në bazë të dispozitave në fuqi, ta plotësojnë në një kohë sa më të shkurtër, për të përfituar pa vonesë këstin e parë të dëmshpërblimit”. Më në fund le të shpresojmë që kjo shtresë do të marrë një farë satisfaksioni moral pas 23 vitesh demokraci. Ndërkaq më vjen  ndërmend thënia e një ish-të dënuari politik, i cili nuk arriti ta marrë vesh, se do të dëmshpërblehet pasi vdiq së fundmi: E ç’më duhet dëmshpërblimi, se mos ma kthejnë dot rininë që humba burgjeve të regjimit komunist...

Dita e Verës, shqiptarët festojnë. 
Dita e Verës ka sjellë gjallëri në kryeqytet, dhe në qytetin e festës Elbasanin, ku qytetarë të shumtë festuan largimin e dimrit. Diell, muzikë, aktivitete dhe mjaft produkte shqiptare ka ofruar Dita e Verës për gjithë qytetarët e kryeqytetit. Prej orëve të para të mëngjesit, Bulevardi u popullua nga grupmosha të ndryshme, si dhe nga të gjitha periferitë e fshatrat rreth e rrotull falë edhe temperaturave mjaft optimale, ndërsa tezgat anash rrugës hodhën rrënjë duke ofruar produkte nga më të ndryshmet. Kryeministri Rama dhe kreu i opozitës Basha iu bashkuan festës në Tiranë dhe Elbasan, duke uruar të gjithë shqiptarët për optimizëm e ditë të gëzuara. Nuk munguan në kryeqytet kësaj radhe përplasjet midis policive bashkiake dhe asaj të rendit për problemin e zënies së shesheve dhe të ashtuquajturave leje përkatëse. Ndërsa ata që me të drejtë e festuan këtë ditë ishin muslimanët, që iu drejtuan xhamive dhe iu falën Zotit, larg riteve pagane.

Tiranë, goditen me gurë 5 autobusë, shkak konkurrenca mes linjave

Autobusi i linjës Tiranë-Korçë dhe 3 autobusë që bënin linjën Tiranë-Elbasan janë goditur me gurë, teksa udhëtonin në afërsi të zonës së Mulletit. Rreth orës 20:30 minuta të mbrëmjes të enjten u njoftua se u sulmua me gurë dhe autobusi i linjës Tiranë-Lundër-Farkë. Fatmirësisht në asnjë nga rastet nuk pati të lënduar. Autobusi i linjës Tiranë-Korçë, ishte i mbushur me pasagjerë në momentin e goditjes, por fatmirësisht asnjë prej tyre nuk është lënduar. Mësohet se nga goditja me gurë e autobusëve janë thyer xhamat e tyre. Policia bën me dije se ende nuk ka identifikuar personat që qëlluan në drejtim të autobusëve. Ndërkohë që në vendngjarje kanë nisur hetimet. Autobusi që u godit me gurë ishte i mbushur me pasagjerë.
Për autobusin e fundit, shkak dyshohet konkurrenca mes linjave. ‘Unë jam pronari i kësaj linje. Kam 3 vjet që e bëj këtë rrugë. Del një person i dytë e thotë lëre linjën se do e mbaj unë. Nuk kam konflikt me njeri tjetër. E kam licencën të vlefshme. Del ky tipi më kërcënon çdo ditë.”. “Kam një javë që shkoj në rajon, Policinë e Shtetit. Thanë nuk bëjmë ndërhyrje pa u ankuar kryetari i Komunës. Shkuam te Kryetari i Komunës tha nuk bëj dot gjë. Tani ai na kërcënon çdo ditë lëreni linjën, e dua unë, dhe Policia e Shtetit nuk lëviz gishtin”,- thotë bashkëshortja e drejtuesit të mjetit. Kurse një prej pasagjerëve shprehet: “Çfarë bëhet kështu, jemi të lodhur, në punë tërë ditën. Kthehemi në shtëpi me autobus dhe kur fap vjen guri në xham. Thamë na qëlluan me plumba”. Dardha e ka bishtin mbrapa, - thotë një fjalë e urtë popullore. Kjo ndodh tashti pasi furgonat u hoqën nga tregu. Zaptimi dhe monopolizimi i linjave do të jetë një luftë në vazhdim. Ndërsa liberalizimi i tregut të linjave, nuk do ta linte që situata të degjeneronte në përplasje nga të cilat pasagjerët mund të përfundojnë me koka të çara e manikota nëpër spitale.

DASH publikon raportin: Shqipëria vend burimi për prodhimin e marijuanës

Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër narkotikëve Shqipëria cilësohet si një vendburim për marijuanën e destinuar për tregjet evropiane, por edhe për konsumin vendas. Raporti citon se gjatë 2013-ës volumi i lëndës narkotike të prodhuar, arrestimet dhe bllokimet e tyre mbeten në nivele të larta sidomos për sa i takon kanabis sativas. Përmirësimi i trajnimit dhe teknikave policore, duke përfshirë edhe analizën e riskut në pikat e kalimit kufitar ka çuar në rritjen e sasisë së bllokuar të lëndës narkotike dhe arrestimeve në këtë drejtim. Bazuar në sasinë e bllokuar të lëndës narkotike prodhimi lokal i marijuanës mbetet në nivele të larta, megjithëse nuk ka vlerësime të sakta se sa është kultivimi total. "Duke përjashtuar kanabisin, Shqipëria nuk është një prodhues i rëndësishëm i drogave të jashtëligjshme, si përbërësit kimikë dhe drogat sintetike. Qeveria shqiptare nuk ka bazë të saktë të dhënash se sa është përdorimi i drogës, por duket se konsumi i hashashit në Shqipëri nuk është një dukuri e zakonshme. Pavarësisht kultivimit të lartë të kanabisit, gjatë vitit 2013, Shqipëria ka arritur rezultatet në luftën kundër trafikimit të drogës". 
Raporti citon të dhënat e Policisë së Shtetit dhe statistikat e saj, sipas të cilave gjatë vitit 2013 janë sekuestruar rreth 33 ton kanabis, ndërsa një vit më parë kjo sasi e sekuestruar ishte 21.2 ton. Ndërsa është bërë e mundur që gjatë 2013-ës të sekuestrohen edhe 47.3 kilogramë heroinë dhe 16.1 kg kokainë. Policia e Shtetit së bashku edhe me policinë kufitare arrestoi 803 persona të lidhur me trafikun e drogës, ndërsa në vitin 2012 numri i të arrestuarve ishte 729. 
Në vitin 2013, Prokuroria e Krimeve te Rënda hetoi 276 raste për trafikimin e lëndëve narkotike ku nga ky total, 87 ishin çështje të trajtuara nga viti i mëparshëm dhe 189 ishin çështje të ardhura për shqyrtim gjatë vitit 2013. Po gjatë këtij viti Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi për gjykim 63 çështje të lidhura me lëndët narkotike dhe Gjykata e Krimeve te Rënda mori 83 vendime duke i shpallur fajtor të akuzuarit. Qeveria shqiptare vazhdon të marrë asistencë nga SHBA dhe Shtetet Evropiane për të rritur aftësitë në luftën kundër narkotikëve. Por vetëm se Lazarati është bërë barcaletë, dhe policia akoma nuk ka hyrë në Lazarat dhe të marrë masat e duhura. Çaji dhe bari i Lazaratit konsumohet lirisht në të gjitha shkollat e mesme të Tiranës, dhe po shkakton shumë probleme.

Durrës, i kthyen vajzën 2 javë pas martesës, 50-vjeçari vret krushkun me armë zjarri

Ndarja e një çifti të rinjsh ka përplasur dy familje në zonën e Kënetës në Durrës. Konflikti ka degraduar deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Për pasojë një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur. Martesa mes dy të rinjve, Xhuljan Hoxha dhe Antoneta Ndoj, ka zgjatur vetëm dy javë, dhe familja e dhëndrit e ka kthyer vajzën në shtëpinë e babait të saj. Por babai i vajzës Andon Ndoj rreth 50 vjeç, me origjinë nga Mirdita, ka reaguar ashpër duke dhunuar krushqit dhe më pas duke qëlluar me një pushkë në drejtim të tyre. Për pasojë janë plagosur me armë Përparim dhe Xhuljan Hoxha, ndërsa shtetesja Nurie Shahini, kalimtare e rastit, është prekur aksidentalisht nga një plumb. Të plagosurit u dërguan menjëherë në spitalin e Durrësit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Por 52-vjeçari Përparim Hoxha nuk arriti të përballonte plagët e rënda dhe humbi jetën pas rreth një ore në reanimacionin e spitalit të Durrësit. Ndërkohë policia ka shoqëruar shtetasin Andon Ndoj, i dyshuar si autor i plagosjes, ndërsa po punon për të zbardhur plotësisht ngjarjen e rëndë. Çfarë të thuash, më mirë do të kishte qenë të tregonin kujdes përpara se t’i bëjnë krushqitë…




Kështu u mbyll edhe kjo javë. Nesër na pret një ditë e re dhe një javë e re. Besimi në vetvete ngjall forcat edhe tek njerëzit e tjerë që na rrethojnë. Shpresa është ajo që e mban gjallë besimin tonë në të ardhmen dhe na bën që të zgjohemi për ditë me optimizëm. Optimizmin duhet ta ushqejmë nëpërmjet mësimeve të mira dhe punëve të mbara. Orientimi për nga punët e mbara dhe të dobishme do të ulte ndjeshëm mosmarrëveshjet sociale që e mbizotërojnë shoqërinë tonë. Kemi nevojë për ushqim shpirtëror dhe qetësi, dhe këtë mund ta gjejmë në mësimet e hoxhallarëve tanë të nderuar. Po ashtu ju të nderuar dëgjues mund ta ushqeni shpirtin dhe mendjen nga programacioni i pasur i radios tonë. Ju do të dëgjoni porosi të vyera kuranore me përmbajtje të thellë. Ju do të ndiqni edhe ngjarje e porosi profetike shumë të dobishme për jetën. Ju uroj të gjithë juve një fundjave të mirë, si dhe e lusim Zotin t’ju japi bereqet në javën në vijim. Ne do të dëgjohemi sërish javën që vjen, po nga 90,4 mgh vala e ALBANIA FM radios, dhe unë do të jem sërish me ju inshallah. Deri atëherë eselamu alejkum nga Roald Hysa.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit