Java në një ditë- ALBANIA FM radio 90,4 mgh 8 mars 2014


Java në një ditë
8 mars 2014

Selam alejkum të nderuar të dëgjues të ALBANIA FM radio. Unë jam Roald hysa dhe po dëgjohemi sërish në 90,4 mgh në këtë të shtunë të dytë të marsit në emisionin tim të përjavshëm “Java në një ditë”. Ditët trokasin njëra pas tjetrës në shpinën tonë për të ikur e për të mos u kthyer mbrapsht. Sipas ditëve që kaluan ka pasur shumë ulje e ngritje në jetën tonë të përditshme. Çmime të ngritura dhe niveli i krimeve që nuk bie. Protestat kanë vazhduar dhe qeveria i ka etiketuar ato si partiake. Partiake apo jo kjo nuk ka kurrfarë rëndësie. Problemet dhe hallet që kanë paraqitur njerëzit nëpër këto mitingje qëndrojnë. Një zhvillim i mirë është se njerëzit e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre, duke i qëlluar me vezë e me gurë qeveritarët e tyre. Nga karafilat e kuq kemi kaluar te karafilat e bardhë të sindikalistëve. Po ashtu goxha para kanë bërë këto ditë dyqanet e luleve dhe të dhuratave dhe ky është një lajm i mirë besoj. Nxënës të lumtur dhe mësues të lumtur të paktën për një ditë në vit. Kujtojmë këtu përpjekjet e bëra nga shumë patriotë në dobi të arsimit tonë, ku një vend të rëndësishëm zenë Elbasani dhe Korça. Hafiz Dalliu është një emër që duhet ta dinë të gjithë mësuesit në të gjithë Shqipërinë dhe në të gjithë vendin. Pa emrin dhe përkrahjen e tij dhënë Normales së Elbasanit vështirë se do të kishim pasur shkollën e parë, e cila do të furnizonte me mësues të gjithë Shqipërinë. I këtij mendimi ka qenë i pari Luigj Gurakuqi. Të lexosh një libër është bërë e vështirë këto ditë dhe na vjen mirë, që Ministria e Kulturës do të subvencionojë librin. Hallet me sa duket nuk kanë të mbaruar dhe rendi vazhdon të jetë pika e dobët e javës që shkoi, po ashti si edhe për disa javë që shkuan. Policëve iu duhet të mos flenë natën, sepse krimi punon natën më shumë se sa ditën. Rregullimi i jetës sociale dhe edukimi e shkollimi e ulin nivelin e krimit. Megjithatë ka pasur disa tendenca dhe le t’i ndjekim ato së bashku.

Petrit Vasili goditet me vezë, ndalohet autori

Një incident ka ndodhur para selisë së Presidencës, ku kreu i grupit të LSI-së Petrit Vasili është qëlluar me vezë nga një 65-vjeçar. Zoti Vasili doli përpara mediave pas takimit këshillimor që zhvilloi me kreun e shtetit, në lidhje me zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës së Lartë, kur u sulmua nga 68-vjeçari Mustafa Gjyzeli, i cili mësohet se ka goditur me vezë makinën e Vasilit edhe një vit më parë. Kreu i grupit të LSI-së ka ruajtur qetësinë, duke vijuar deklaratën për mediat, ndërsa efektivët e Gardës kanë bërë të mundur ndalimin e autorit të sulmit, i cili u dërgua në Komisariatin Nr. 2.  I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë incident, Vasili tha se nuk kishte asnjë dijeni për personin që kreu këtë veprim. 68-vjeçari është marrë në pyetje nga policia dhe aty ka sqaruar motivet që e kanë shtyrë të ndërmarrë këtë veprim. Burime nga policia kanë bërë të ditur se Gjyzeli e kreu veprimin në shenjë hakmarrje ndaj prishjes që iu bë një lokali, biznes i familjes së tyre në vitin 2004-2005. Ai akuzoi politikën për shkatërrimin e lokalit e si rrjedhojë, ekonomisë së familjes. Pas 8 orësh ai është lënë i lirë dhe po ndiqet penalisht në gjendje të lire. Sipas policisë, Gjyzeli e kreu veprimin në kushtet e një gjendje të rëndë depresive. Ndërsa pothuajse për të njëjtat arsye është qëlluar edhe kryebashkiaku i Pogradecit me gurë. Normal që njerëzve iu ka ardhur në majë të hundës, prandaj shprehen me gurë e me vezë. Dikush do të thoshte, se kjo është rritje e nivelit të demokracisë. Po, ashtu është; kush guxonte më parë të kundërshtonte... por edhe që na ka ardhur në majë të hundës na ka ardhur.

Furgonat, sindikalistët protestojnë para Kuvendit

Ashtu siç ishte paralajmëruar shoferët e taksive 8+1 janë mbledhur para godinës së Kuvendit të Shqipërisë për të protestuar ndaj vendimit për mosmarrjen e pasagjerëve në kthim. Protestuesit mbanin në duar karafila të bardhë, si simbol që protesta është paqësore dhe kërkojnë tryezë bisedimi me përfaqësues të shtetit. Kreu i Bashkimit të Sindikave Gëzim Kalaja e konsideroi anulimin e seancës plenare që ishte parashikuar për ditën e enjte si një veprim të pa precedentë. “E pa precedente që deputetët të tremben të mbyllin parlamentin të anulojnë seancën plenare. Sot në duart tona ndodhen karafilat e bardhë nuk ndodhen, as bombat as tritoli që ka pushtuar Shqipërinë. Ne nuk jemi kriminelë jemi njerëz paqësore. Kërkojmë dialogun social në tavolinën e bisedimeve. 35 ditë nga protesta kemi pasur mbështetjen e sindikatave. Ju keni marrë kredi, keni marrë borxhe, ju keni votuar në 23 qershor për ditë më të mira. Deputetët e parlamentit shqiptar duhet të ishin takuar me ju dhe të dëgjonin kërkesat tuaja dhe sot Parlamenti Shqiptar duhet ta kishte kthyer seancën parlamentare, edhe në qoftë se nuk do të kishte Kuvend.”- u shpreh Kalaja. Kreu i Bashkimit të Sindikatave ka theksuar se një nga kërkesat e protestuesve është ndryshimi i ligjit të vitit 1998 për taksitë. Ai theksoi se për kërkesat e protestuesve janë vënë në dijeni edhe krerët e grupeve parlamentare. Kalaja kërkoi që shoferëve të taksive 8+1 t’u lihej kohë para se të zbatohej urdhri i ministrit Haxhinasto. Me sa duket qeveria dhe ministria ka vendosur të mos tërhiqet, dhe të fusi një shërbim alternativ urbanësh. Kur hiqet diçka patjetër që do të zëvendësohet me diçka tjetër, se nuk mund të lihet bosh vendi ashtu kot. Tashti Sindikalistët dhe shoferët do të mendohen dy herë para se të votojnë përsëri.


Mjekët refuzojnë mjekimin, 2 fëmijë talasemikë protestojnë para spitalit

Dy fëmijë talasemikë, së bashku me babain e tyre, kanë protestuar para spitalit të Vlorës , pasi mjekët e këtij spitali iu kanë refuzuar mjekimin e dy të miturve, pavarësisht urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë. Babai i dy fëmijëve Thimi Mino akuzon bluzat e bardha në Vlorë, që sipas tij, jo se nuk munden, por nuk duan të marrin përsipër trajtimin e dy fëmijëve përmes transfuzionit të gjakut. Një procedurë e nevojshme kjo për jetesën normale të vogëlushëve. “Më kanë ofenduar, më kanë thënë dhe i çmendur dhe psiqik. Dhe për ketë denoncoj fort dhe për këta dy foshnje dhe nuk i ndahem këtij denoncimi që kam bërë deri në fund; derisa këta mjekë të marrin atë që meritojnë. Kam vajtur në Ministrinë e Shëndetësisë ku më kanë dhënë një shkresë. Dhe me këtë shkresë përsëri, drejtoresha e spitalit ka thënë nuk dua të di fare as për të, merre dhe batanijen shtrihu aty natë ditë, këtu nuk do kurohen më fëmijët e tu.”- deklaroi Mino. Por shefi i pavijonit të pediatrisë në Vlorë, Fatmir Brahimaj shprehet, se mundësitë e spitalit të këtij qyteti janë të kufizuara. Kjo dhe për faktin se njëri prej fëmijëve reagon keq fizikisht gjatë transfuzionit, duke pësuar reaksion. “Rasti është kompleks sepse janë dy fëmijë dhe kuptohet kanë vështirësi për trajtimin e tyre. Për këtë është filluar trajtimi këtu në spitalin tonë ku dhe janë diagnostikuar. Kemi mundur që të marrim masën eritrocitare, pra rruazat e kuqe të gjakut për t’ja transfuzuar këtu në spitalin tonë. Por tani ka filluar gjaku ka dhënë reaksion dhe mjekët për vështirësitë që paraqesin kanë firmosur një dokument ku thonë që nuk mund të marrin përsipër një rast të tillë. ”- u shpreh Brahimaj. Mjeku Brahimaj përdor si argument dhe një urdhër që sipas tij ka ardhur nga Banka Qendrore e Gjakut, sipas të cilit dy fëmijët duhet të trajtohen në mënyrë të specializuar. Prindi i dy fëmijëve, pak ditë më parë ka regjistruar dhe një kallëzim penal në ngarkim të mjekes që kryen transfuzionin, duke e akuzuar për neglizhencë. Një tragjedi e vërtetë kur e dëgjon. Sistemi spitalor le shumë për të dëshiruar. Mjekët japin arsyet pse nuk ndihmojnë, por nuk iu japin drejtim pacientëve...


Revokohen 121 leje minerare, Ministria e Energjisë: Nuk kanë përmbushur detyrimet

Përfundimi i afateve të lejeve fillestare, apo moszbatimi i kërkesave për lejet dhe detyrimet financiare nga shteti, ka bërë që Ministria e Energjisë dhe Industrisë të revokojë 121 leje minerare. Vendimi ka ardhur pas urdhrit të ministrit Damian Gjiknuri për të kontrolluar subjektet që janë pajisur me leje për zhvillimin e aktivitetit minerar. Gjatë këtij auditi, krahas subjekteve të cilat zhvillojnë aktivitet minerar në zbatim të kërkesave ligjore, janë evidentuar edhe disa subjekte të tjera, të cilat megjithëse janë pajisur me leje minerare të rregullta, nuk zbatojnë me korrektësi kërkesat për lejet minerare që kanë në zotërim dhe detyrimet financiare ndaj shtetit. Kështu ministri Gjiknuri ka firmosur fillimin e procedurave për revokimin e 121 lejeve minerare, që përbëjnë rreth 16% të totalit të lejeve të lëshuara, ndërsa për disa të tjera janë vendosur penalizime me gjoba. Një pjesë tjetër e subjekteve rezultojnë të zhvillojnë aktivitet të rregullt minerar, por nuk janë korrekt me pagesat e garancive për zhvillimin e këtij aktiviteti. Ndërsa një tjetër kategori subjektesh janë konstatuar se zhvillojnë aktivitet minerar në zona të mbrojtura mjedisore dhe që u ka mbaruar afati fillestar i lejes. Këto subjekte, megjithëse kanë kërkuar zgjatjen e afatit të lejes, kjo nuk është pranuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, pasi në zonën e licencuar nuk lejohet aktiviteti minerar. Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të vazhdojë procedimin e auditimit edhe për subjektet që veprojnë në minierat e bitumit dhe bakrit. Tashmë sindikatave iu është rritur volumi i punës dhe kanë arsye për të protestuar përsëri. Deri tashti kemi dëgjuar vetëm penalizime dhe sindikatat nuk duhet të heshtin...

7 Marsi festohet në të gjithë vendin -Urime e dhurata për mësuesit

Lulet kanë qenë dhurata më e preferuar në këtë ditë të veçantë të festës së mësuesit, 7 Mars,  por nuk kanë munguar as dhuratat materiale. Vetë prindërit shprehen se dhuratat janë më e pakta që ata mund të bëjnë për të shprehur mirënjohjen për ata që u japin dije fëmijëve të tyre. Ndërkohë që kjo ka qenë një ditë e mbarë edhe për shitësit e luleve, të cilët kanë “pushtuar” hyrjet e shkollave në të gjithë vendin. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ishte në Elbasan, për të përcjellë urimet e saj, por edhe për vizituar Drejtorinë Arsimore të këtij qyteti me rastin e 100 vjetorit të krijimit të saj. "Përulem me respekt përpara arsimtarëve elbasanas, sepse ky qytet është djepi i arsimit kombëtar. Elbasani i ka dhënë 3 kryetarë Akademisë së Shkencave të vendit tonë dhe prandaj ndjehem krenare sot"- tha Nikolla. Më tej ajo shtoi se, " për 6 muaj të qeverisë Rama arsimi ka sot një mekanizëm rregullator midis mësuesve, prindërve dhe rektoratit. Ne kemi rritur rrogat për 40 mijë mësues dhe i kemi ulur taksat, pra mësuesi sot ndjehet më i vlerësuar dhe më i paguar". Një ditë më parë ministrja e Arsimit, e cila ndodhej për një vizitë zyrtare në shtetin helen, ka takuar mësuesit shqiptarë që japin mësimin plotësues të gjuhës shqipe falas për fëmijët e emigrantëve shqiptar, që punojnë e jetojnë në Greqi.  Nuk mund ta harrojë mësuesin e parë kushdo prej nesh. Tashmë pretendimet për dhurata janë rritur, si nga mësuesit, po ashtu edhe nga nxënësit që ua dhurojnë. Një lule është thjesht diçka simbolike...

Arvizu darkon me Donald Lu në Uashington, i tregon Shqipërinë



Ambasadori i ri i SHBA-së Donald Lu po vjen në Shqipëri më së fundi. Aleksandër Arvizu ka publikuar një foto në facebook, ku ai po darkon me diplomatin Donald Lu, i cili është edhe ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Darka në Uashington tregon se largimi i Arvizusë nga Shqipëria është çështje ditësh. Darka do të ketë shërbyer si mundësi për t'i përcjellë pasardhësit të tij situatën politiko-ekonomike në Shqipëri, por dhe këshillat si të sillet me krerët e politikës shqiptare duke u mbështetur tek eksperienca e tij në Shqipëri. Shpresojmë që t’i ketë dhënë këshilla të vlefshme pasardhësit të vet, se ai vetë ka pasur shumë telashe në këto vite të mandatit të tij.

Mblidhet Këshilli Kombëtar i Librit -2014 shpallet viti i De Radës

Në ambientet e Ministrisë së Kulturës u mblodh për herë të parë që nga viti 2008, Këshilli Kombëtar i Librit. Gjatë mbledhjes u përkrah ideja e shpalljes së vitit të De Radës dhe përgatitjes së veprës nga studiues dhe autorët arbëreshë. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin Ministrja Mirela Kumbaro, anëtarë të shtëpive botuese dhe autorë e përkthyes të librit në vendin tonë. Në fjalën e saj ministrja Kumbaro, theksoi rëndësinë e mbledhjes së këtij Këshilli, si një organ këshillimor i rëndësishëm i dikasterit që ajo drejton. “Ka gati më shumë se dy vjet që Këshilli Kombëtar i Librit nuk është mbledhur. Unë besoj se çdo ministër ka nevojë, por edhe detyrë të këshillohet e të shkëmbejë mendime me komunitetin e fushave me të cilat lidhen vendimmarrjet e ministrisë”, tha Kumbaro. Ndër të tjera zonja Kumbaro shtoi se Ministria e Kulturës ka për qëllim të mbështesë edhe financiarisht autorët për të shtuar larminë e librave për lexuesin. “Në politikën që duam të zhvillojmë, duam të krijojmë më shumë hapësira për të mbështetur krijuesit ku pa më të voglin dyshim përfshijmë autorët njësoj si dhe përkthyesit. Duke promovuar mendimin krijues, debatin, edukatën e leximit, jo vetëm kryejmë detyrën tonë në politikat edukuese të publikut, por ndihmojmë edhe krijuesit sepse u shtojmë lexuesit, por edhe botuesit sepse u shtojmë klientët”,- përfundoi Ministrja Kumbaro. Ndërkaq, me rastin e vitit të De Radës, propozime të shumta për aktivitete u lanë të hapura që të shqyrtohen në mbledhjet e radhës. Në jetën kulturore të njeriut libri zë një vend të rëndësishëm. Shtimi i titujve të botuar e ndihmon politikën e librit. Subvencionimi i titujve shkon në favor të xhepave të botuesve të mëdhenj, që njëkohësisht janë edhe drejtuesit e shoqatave të botuesve. Ndërkaq politika më e mirë do të ishin fushatat sensibilizuese në favor të leximit, se po na shtohen analfabetët funksionalë, që merren me FCB dhe e kanë të vështirë të lexojnë qoftë edhe një gazetë...



Hallet e librit nuk janë vetëm të javës që iku. Libri është shoku më i mirë i kujtdo. Një këshillë pa rezerva të nderuar dëgjues. Libri nuk gjendet vetëm në libraritë ku shitet, por edhe në bibliotekat publike. Mund t’i drejtoheni normalisht atyre. Le të kujtojmë këtu kohën kur shkëmbenim libra me njëri tjetrin. Përpara një filxhani çaji apo kafeje të mirë mund të bëhet muhabet shumë mirë, por edhe mund të merret një libër me rrëfime dhe studentët mund të lexojnë librat e shkollës më mirë. Koha është po ajo, libri mbetet libër dhe nevoja për të lexuar e për t’u ndriçuar është po ajo. Po e risjell në vëmendje edhe një herë këshillën e Rilindasit Naim Frashëri – dhe dritë e diturisë përpara do të na shpjerë. Mos harroni dhe qëndroni me programet tona të ALBANIA FM radios, ku vazhdimisht do të gjeni prehje dhe këshilla të vlefshme. Këto ishin ato që kisha veçuar për ju të nderuar dëgjues, besoj se hallet tuaja janë edhe hallet tona. Le të shpresojmë për mirë në ditët në vijim. E lusim Zotin t’ju japë një javë më të mirë dhe deri të shtunën tjetër mirë u dëgjofshim e selam alejkum nga Roald Hysa dhe stafi i radios tonë.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit