Tirana dhe xhamite


Roli i xhamisë në qytetin mesjetar shqiptar e në Tiranë

ROALD A. HYSA

Xhamia ka luajtur rolin e orientuesit në këto ndërtime. Ndërtimi i xhamive pranë pazareve, është gjithashtu një dukuri e përhapur për kohën. Roli organizues i xhamive në qytetin mesjetar, shoqërohet edhe me theksimin e dalluar të tyre në pamjen e lagjeve, për shkak të kompozimit karakteristik të hedhur në lartësi[1], ku në peizazhin urbanistik të qytetit, që larg dalloheshin minaret e tyre. Megjithëse pjesë organike të një njësie unitare, qytetit, lagjet ruajnë disa dallime dhe më tej, paraqesin një farë pavarësie relative brenda zonës së banuar të qytetit. Kjo e fundit shprehet në ekzistencën thuajse në çdo lagje të xhamisë, veçanërisht në qytetet e zhvilluara zejtaro-tregtare, e shpesh pranë saj të furrës, eventualisht hamamit, pranë të cilave një shesh i vogël me një çezëm është një shfaqje e zakonshme[2].
Duke studiuar urbanistikën e qytetit të Tiranës, pjesë e pandarë e së cilës është edhe pazari, studiuesi Koço Miho e thekson këtë këtë zhvillim spontan. Ecuria ndërtimore bëhet në mënyrë centrifugale nga qendra në periferi dhe sërish në qendër. Ai e ndan Tiranën në katër bërthama urbanistike, të cilat ishin të lidhura ngushtë me xhamitë.
-          Bërthama e parë urbanistike përbëhej nga Xhamia e Vjetër, banja, furra, hamami, hani dhe pazari.
-          Bërthama e dytë ishte lagjja e Xhamisë së Fires, e ndërtuar në fillim të shekullit XVIII, aty ku sot ndodhet gjimnazi “Sami Frashëri”.
-          Bërthama e tretë ishte ajo rreth xhamisë së Zajmit në vitet 1775-1777.
-          Bërthama e katërt ishte e ngritur rreth xhamisë së Et’hem Beut.[3]
Në shekullin XIX, Pazari i Vjetër i Tiranës kufizohej në cepat e tij nga katër xhami:
-          Xhamia e Vjetër në cepin juglindor
-          Xhamia e Et’hem Beut në cepin jugperëndimor
-          Xhamia e Karrapicit në cepin veriperëndimor
-          Xhamia e Stërmasit në cepin verilindor.
Siç mund të konstatohet xhamitë në rastin e Tiranës, qëndronin në cepat e pazarit. Katër xhami për një sipërfaqe të kufizuar 2-3 hektarë duket se kanë qenë të tepërta në një pamje të parë. Por po ta vështrosh më me hollësi, ky fakt tregon se xhamitë nuk ishin ndërtuar vetëm për zejtarët e zakonshëm, por edhe për të gjithë blerësit që e frekuentonin pazarin javor dhe panairin vjetor. Gjithashtu ky fakt tregon, se pavarësisht nga tregtia, njerëzit që vinin këtu ishin të kujdesshëm që edhe pse një ditë në qytet, të mos linin asnjë rit fetar pa kryer. Në këtë mënyrë, teza e indiferentizmit fetar të shqiptarëve nuk shkon shumë për rastin e Tiranës dhe të fshatrave të saj[4]. Kështu çdo lagje kishte xhaminë e vet në qendër të saj, e cila shoqërohej me çezma ose dhe me hamam[5].



[1] Riza, Emin; Qyteti dhe banesa shqiptare e Mesjetës së vonë, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Tiranë 1990, fq. 33.
[2] Po aty, fq. 25.
[3] Miho, Koço. Trajta të profilit urbanistik të qytetit të Tiranës, 8 Nëntori, Tiranë 1987, fq. 54-55.
[4] Hysa, Armanda; Pazari i vjetër i Tiranës. Vështrim etnologjiko-historik, temë masteri, Tiranë 2004.
[5] Meksi, Aleksandër; shkrimi cituar, fq. 191.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit