Java në një ditë- ALBANIA FM radio- 22 mars 2014


Java në një ditë
22 mars 2014

Selam alejkum të nderuar dëgjues të ALBANIA FM radios nga Roald Hysa. I rikthehemi përsëri temave të nxehta të javës që shkoi, e cila me të vërtetë që ka qenë shumë e nxehtë. Shumë gjëra kanë ndodhur dhe për të gjitha ato do të ishte mirë të tregohej një vëmendje e veçantë. Gjithsesi kjo gjë është e vështirë të tregohet në një emision të vetëm, prandaj do të mundohemi sadopak për të sjellë ato më të nxehtat. Tritoli rikthehet përsëri në vëmendje. Pak orë na ndajnë nga një shpërthim për të cilin nuk e dimë, që ka qenë thjesht një paralajmërim për atë fatziun, apo një fat i lumtur që shpëtoi për momentin. Gjithashtu pak kohë na ndajnë na përgjigjja që presim nga organizmat evropiane, a do të jemi pjesë aktive e BE-së apo jo! Me gjithë këto rrëmuja që ndodhin dhe që po sajojmë vështirë do ta kemi të fitojmë statusin kandidat. Gara politike për të bërtitur më fort se kush do ta çojë Shqipërinë në Evropë nuk ka mbaruar ende. Shumë zëra thonë se ne jemi vend me shumicë myslimane dhe se nuk do të na pranojnë, ndërsa ministrja e integrimit Gjosha pas një vizite evropiane deklaroi me plot gojën, se ne nuk paragjykohemi si të tillë. Po atëherë çfarë kërkojmë? Ndërkaq një valë sulmesh mediatike ka shpërthyer në mediat kryesore në vend, duke i vënë të gjithë muslimanët në qendër të vëmendjes pa të drejtë, duke bërë që të harrohen probleme më të mëdha. Në vend që të merret drejtësia me të ndaluarit, merren mediat dhe japin verdiktet e tyre. Ndërkaq pritet që të kemi sërish rritje taksash dhe për këtë ka pasur edhe debate të ashpra në Kuvend, ku deputetë të PD-së kanë shkëmbyer replika me kryeministrin Rama. Debati ka degjeneruar në fyerje ordinere, gjë e cila shihet e dëgjohet për herë të parë në publik. Jo më kot e cilësova këtë javë të nxehtë, sepse dhe vetë njerëzit me sa duket nën shembullin e politikës ecin. Një video ka qarkulluar para pak orësh, ku dy shofera shihen të rrihen paqësisht mu në mes të Tiranës, për shkak të një fërkimi të vogël të makinave të tyre. Ec e mos qesh pastaj. Kujt t’ia vemi fajin për të gjitha këto? Vështirë se faji mund t’i përkasë dikujt...

Statusi, Klajda Gjosha: Shqipëria nuk paragjykohet si vend mysliman

Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, sapo është kthyer nga vizita e fundit në Gjermani, prej nga ku ka nisur një tur që do të vijojë edhe në vende të tjera evropiane. Qëllimi i këtij turi, shpjegon ministrja Gjosha, në një intervistë ekskluzive është: “të dëshmojmë për vullnetin e palëkundur që kemi për të mos u ndalur për asnjë çast në këtë angazhim tonin”. E pyetur në lidhje me pritshmëritë për marrjen e statusit të vendit kandidat, në muajin qershor, ministrja e integrimit shprehet se “vendimi për dhënien e statusit të vendit kandidat u takon vendeve anëtare të BE. Ne jemi dhe kemi qenë gjithmonë shpresëplotë për të avancuar në këtë drejtim, për të qenë një hap përpara në këtë proces”. Po kështu ajo saktëson se “në asnjë moment Shqipëria nuk është paragjykuar si vend mysliman. Asnjë prej vendeve anëtare nuk e ka përmendur ndonjëherë përkatësinë fetare”. Në fakt kjo ka qenë një temë mjaft e diskutuar në kohën e refuzimit të statusit në muajin dhjetor. Ajo vlerëson si tepër të rëndësishëm bashkëpunimin me opozitën. Gjithashtu me nismën e Qeverisë dhe me përkrahjen e komuniteteve fetare kryetari i ri i Komunitetit Musliman do të bëhet pjesë e një turi evropian për të lobuar në favor të fitimit të statusit të vendit kandidat nga Shqipëria. Ky delegacion multi-fetar do të shërbejë si argument i harmonisë ndërfetare që mbizotëron në vend. Por a do t’ia dalin dot këta misionarë për të dhënë mesazhin e paqes, ndërkohë që mediat nxijnë imazhin e Shqipërisë me një fjalor tejet të rënduar me termat terrorista islamikë, celula terroriste, mjekra të gjata e pantallona të shkurtra.

Sistemi financiar në Shqipëri, raporti: Bilancet janë përkeqësuar

Raporti i vlerësimit të sistemit Financiar në Shqipëri, i realizuar nga ekspertë të Fondit Monetar dhe Bankës Boterore thekson, se “edhe pse Shqipëria e përballoi krizën e vitit 2008 relativisht mirë, ekonomia është e dobët, ç’ekuilibri makroekonomik është i madh dhe sektori financiar përballet me disa risqe”. Raporti, i cili u bë publik para pak ditësh, vëren se "politikat zbutëse kanë shteruar, ndërkohë që një pjesë e madhe e borxhit publik afatshkurtër përmban risqet e rinovimit. Me tregtinë dhe lidhjet e forta me zonën EURO, ekonomia është e ndjeshme dhe ndaj rreziqeve të jashtme",- shkruhet në raport. Sipas ekspertëve të Fondit Monetar dhe Bankës Botërore disa tipare të sektorit bankar shqiptar e rrisin dobësinë e tij kundrejt goditjeve. "Bankat zotërojnë sasi të mëdha të bondeve të emetuara nga qeveria, gjë e cila i ekspozon ndaj humbjeve të konsiderueshme, në rast të rivlerësimit të çmimit të borxhit. Bilancet – thuhet në raport - janë përkeqësuar për shkak të rritjes së shpejtë të kredive të këqija dhe rënia e fortë e përfitueshmërisë lë pak vend për t’u përballur me goditjet". Edhe orientimi i fortë ndaj Euros konsiderohet një burim tjetër dobësie, ndërkohë që vlerësohet se "rreziku sistemik është rritur së fundmi edhe me krijimin e fondeve të investimit. Ndërsa këto fonde kanë ndihmuar në diversifikimin e blerësve të bondeve qeveritare, ato nuk janë të monitoruar dhe rregulluar ashtu siç duhet",- vlerësohet në Raport ku propozohen dhe një sërë rekomandimesh të cilat duhet të mbahen parasysh nga autoritetet financiare shqiptare. Ndërkaq po nga FMN është propozuar si pjesë e zgjidhjes së situatës edhe rritja e 10 taksave. Kjo ka sjellë debate të ashpra dhe fyerje në seancën plenare të ditës së enjte ndërmjet opozitës dhe kryeministrit Rama. Seanca parlamentare u karakterizua nga debatet e ashpra, fyerjet e akuzat personale deri edhe përdorimi i fjalorit të rrugës mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të qeverisë, Edi Rama. Gjithçka nisi fill pas Berisha akuzoi qeverinë për vendime krejtësisht të papërgjegjshme, duke kërkuar të diskutohet në Kuvend marrëveshja me FMN-në, që propozon rritje të 10 taksave dhe ngrirje të rrogave. Eh, këtu na dhemb të gjithëve pa përjashtim, rritje taksash dhe mos rritje rrogash është pak e vështirë për t’u kuptuar nga njerëzit pavarësisht se këto po na i kërkon FMN-ja, e cila nuk është se ka treguar ndonjë herë mirëkuptim ndaj xhepave të njerëzve të thjeshtë.


Tiranë, shpërthim tritoli në pragun e derës së një biznesmeni

Gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të premtes një sasi tritoli ka shpërthyer në katin e katërt të një pallati në rrugën ‘Muhamet Butka’, te ‘Komuna e Parisit’. Burime nga policia bëjnë të ditur, se tritoli ishte vendosur te pragu i derës së një biznesmenit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Forcat e policisë dhe grupi hetimor mbërritën në vendngjarje menjëherë pas njoftimit, ndërkohë, po punohet për identifikimin e autorëve të shpërthimit. Kjo puna e tritolit u trash, presidenti sikur i thirri në takim policinë dhe përfaqësuesit e saj, apo jo... nuk po më kujtohet, por inshallah nuk po vazhdojnë më me tritolin...

Gjirokastër, Didi: Për Lazaratin Policia ka gati një plan veprimi

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë përgatitur njё plan-veprimi, me qëllim luftimin e fenomenit të mbjelljes së lëndës narkotike në Lazarat. Ka qenë drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi i cili ka zbuluar për herë të parë planin e minsitrit të Brendshëm për heqjen e Lazaratit nga harta e mbjelljes së kanabisit. Gjatë takimeve të tij në Gjirokastër, Didi ka kërkuar edhe mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e komunitetit në luftën ndaj këtij fenomeni. "Tё kemi rezultate, qё i presin njerëzit, qё i pret dhe populli i Lazaratit vetё",- ka thënë Didi. Ky i fundit nuk ka komentuar deklaratat e bëra disa ditë më parë, që të legalizohet kanabis sativa.
“Ministri i Brendshëm kërkon qё tё bashkëpunojnë tё gjitha strukturat nё varësi tё Ministrisё sё Punёve tё Brendshme, pra strukturat e pushtetit lokal, nёn varёsinё e Prefektit tё Qarkut, i cili ёshtё dhe pёrgjegjёs i Shtabit pёr luftën kundёr kultivimit tё bimëve narkotikёve”,- ka thënë Didi, gjatë një takimi në prefekturën e Gjirokastrës. Sipas kreut të Policisë së Shtetit, "faktorё të tjerё social dhe tё pushtetit lokal duhet qё tё japin mbështetjen e tyre, me qёllim qё tё kemi efikasitetin e duhur e tё marrim rezultatet e pritshme nё kёtё luftё, qё ne kemi kohё qё e kemi nisur e qё kёtё vit presim tё kemi rezultate, qё i presin njerëzit, qё i pret dhe populli i Lazaratit vetё, por qё edhe do tё na prezantojnë para strukturave shtetërore, para agjencive tё tjera, tё misioneve qё asistojnё policinё shqiptare apo tё organizmave tё tjerё tё Bashkimit Europian si njё strukturё e përgjegjshme dhe qё i përmbush objektivat e vendosur”. Kështu me sa thotë drejtori Didi nuk duket keq si plan veprimi, por sa të vullnetshme do të tregohen këto struktura ndaj këtij biznesi multi-milioner këtë nuk e dimë. Legalizim i drogës është të legalizosh të keqen sado e vogël qoftë ajo. Lufta kundër prodhimit të drogave fitohet me edukim parandalues dhe jo vetëm nga strukturat policore...


Përdoruesit e drogës, Muajt e fundit, 3 raste të reja me HIV/AIDS
Gjatë muajve të fundit janë konstatuar 3 raste të reja të prekur me virusin HIV/AIDS. Këtë e ka shprehur Shefi i Toksikologjisë, Zihni Sulaj gjatë një takimi të organizuar me Shoqatën e Toksikologëve lidhur me të dhënat e përdoruesve të drogës në Shqipëri. Sipas Sulajt, tre të prekurit janë përdorues droge, ndërsa ngre shqetësimin, se për shkak të mungesës së një studimi, nuk dihet nëse ka raste të tjera mes kësaj kategorie, të cilët rrezikojnë të jetë prekur nga HIV apo hepatitet. “S’ka studime për numrin total të të infektuarve me HIV e hepatite. Po kështu mungon skema specifike që mbulon të dëmtuarit nga drogat dhe alkooli. Sipas evidencave janë 6 mijë përdorues problematikë të drogës dhe janë kryesisht djem nga zonat urbane. Ndërsa numri total i përdoruesve shkon në 40.000-60.000. Vihet re rritje e përdoruesve të kokainës, si dhe kemi raste të përdoruesve të drogave të reja, si amfetamina. Në Shqipëri s’kemi ende klinike ambulatore me shërbim psiko-social. Ne në klinikë përballojmë vetëm 25% të rasteve që kanë nevojë për ndihmë”, tha Sulaj. Epo normal që edhe sëmundja e re e shekullit, nuk do të bënte përjashtim për ne. Gjërat vijnë zinxhir, prodhim droge, përdorues droge, sëmundje vdekjeprurëse dhe cilësi e ulët e jetesës, sado të ardhura të larta që të kesh. A mund t’i edukojmë njerëzit? Po, mjaft që ta kenë dëshirën edhe ata...


Rami Memushaj: Teatra? Akademikët e çartën drejtshkrimin!

Vërejtjet për vendimet e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe i kam bërë të njohura sa herë që janë publikuar përfundimet e mbledhjeve të tij për drejtshkrimin. Që nuk bëhet fjalë për përmirësime të normës, kjo duket në atë që prej dy vjetësh ky organizëm po merret me drejtshkrimin; e dëshmon edhe shkalla e ndërhyrjes në rregullat. Dhe në propozimet e tij, përfshirë edhe këto të fundit, mungon argumentimi shkencor dhe arsyetimi i nevojës për ndryshime kaq të thella të rregullave. Kjo anomali i ka rrënjët në mënyrën se si është kompozuar dhe se si funksionon ky organizëm. Nuk mund të fshihet më fakti se në orientimin e tij ka një frymëzim krahinor, që shprehet hapur qysh në "Orientimet" e vitit 2004 të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në të cilat shpallej si objektiv i vetëm ndryshimi i drejtshkrimit; ky orientim qe edhe boshti i konferencës së Durrësit të dhjetorit 2010. Një ndër anëtarët më të ekuilibruar të këtij këshilli, ndërsa po debatonim për ndryshimet, m'u shpreh në prani të disa kolegëve se "ju toskët nuk jeni fare tolerantë!" Pra, puna ka arritur deri aty sa të mendohet si gegë e si toskë. Duke parë këtë prapavijë jokombëtare, që ka infektuar edhe studiues me emër, po dhe përbërjen aspak të ekuilibruar gjeografikisht, më lind e drejta ta quaj Këshillin Ndërakademik të Gjuhës Shqipe një këshill krahinor. Kjo anomali përfaqësimi i ka tërhequr vëmendjen edhe një autori tjetër, mësuesit mirditor Preng Cub Lleshi, delegat në Kongresin e Drejtshkrimit, i cili jo njëherë është shqiptuar në mbrojtje të gjuhës standarde. Sipas tij, "nuk është e "rastit" që nga 16 akademikët e këtij "Komisioni", vetëm dy prej tyre janë "jugorë" (?!)" Këto që sapo dëgjuat janë vërejtjet e një gjuhëtari të vjetër në profesion. Gjithsesi ai vazhdon të ruajë të pandryshueshëm pozicionin pro kësaj norme letrare. Koha ka ndryshuar dhe shqipja ka pasur hyrje të reja e vazhdon të pësojë ndryshime. Tashti kufijtë politikë midis Kosovës e Shqipërisë janë lehtësuar dhe gati janë fiktivë. E sa për Toskë e Gegë, më kujtohet fjala e prof. Namik Resulit, i cili qysh në vitin 1945 iu kujtonte debatuesve për normën letrare, se numri më i madh i Shqiptarëve ishte ai që ndodheshin në veri të Shkumbinit.




Një problem që ikën, një tjetër që vjen, kjo është edhe përditshmëria e jonë. Mirëkuptimi dhe dashamirësia duhet të mbizotërojnë në zgjidhjen e problemeve. Acarimet nuk i bëjnë mirë atmosferës së përditshme. Kemi nevojë edhe për ushqim shpirtëror. Lodhja ka nevojë edhe për prehjen. Shpresojmë që kjo fundjave të sjelli prehje e qetësi për të gjithë dëgjuesit tonë. Ne i ftojmë ata të qëndrojnë vazhdimisht në valën tonë në 90,4 mgh, ALBANIA FM. Kjo ishte pjesa e parë e emisionit të sotëm dhe në vazhdim do të kemi të ftuarin tonë të radhës BUJAR HOXHA.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit