Java në një ditë - ALBANIA FM radio- 1 mars 2014



Java në një ditë –
1 mars 2014

Selam alejkum të nderuar dëgjues të ALBANIA FM radios nga unë Roald Hysa në këtë ditë të parë të marsit kohë kur sythet e pemëve kanë filluar të çelin dhe në këtë muaj pritet të hyjë pranvera. Jemi përsëri në emisionin tonë Java në një ditë për të parë se çfarë ka ndodhur këtë javë që shkoi. Kjo javë ishte shumë e mbarsur me zemërim dhe probleme akute. E mbushur plot me virozat e stinës, por edhe për hall edhe me gripin e derrit, që rikthehet edhe një herë. Fëmijët e kanë vuajtur më tepër hallin e virozëve të stinës dhe në ditët në vijim na duhet të tregojmë më tepër kujdes për ta. Rreth pesë shpërthime të ndryshme kanë tronditur qytetet shqiptare, saqë mund të themi me plot gojën, se kjo paska qenë java e tritolit. Dikush humbi këmbët dhe nuk do të jetë në gjendje më të eci i lirë dhe mund të kishte humbur edhe jetën. “Tritoli ishte vendosur gabimisht” në makinën e dikujt është një nga deklaratat e policisë pas hetimeve, e po pastaj kjo do të thotë se dikush tjetër krejtësisht i pafajshëm mund ta kishte pësuar duke shkuar tek makina e vet. Furgonat edhe kësaj jave kanë qenë në qendër të vëmendjes së medieve. Kësaj radhe shoferët tentuan të hyjnë në Tiranë dhe të bllokojnë trafikun për të tërhequr vëmendjen e publikut. Shkopinjtë e gomës nuk arritën t’i ndalojnë shoferët, të cilët kanë vendosur të këmbëngulin në kërkesat e tyre të ligjshme. Ngjan sikur hallet na janë shtuar kësaj radhe, por shpresojmë në Zotin, që do të na lehtësohen ato.

Sulmohet me eksploziv biznesmeni tiranas dhe shpërthime të tjera
Janë hedhur në erë ambientet e një lokali në kryeqytet, të cilat që prej muajit maj të vitit të kaluar përdoreshin si zyra pune për biznesmenin e ndërtimeve, 37-vjeçarin Armando Çeka. Bashkë me këtë të fundit, të plagosur nga shpërthimi kanë mbetur edhe dy punonjësit e tij, më konkretisht, juristi i zyrës, në të njëjtën kohë edhe shoferi i tij, 28-vjeçari Julian Çela, si dhe truproja i biznesmenit, 46-vjeçari Artur Sharra. Menjëherë tre të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Traumës, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Mësohet se Çela ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka pasur djegie të nivelit të dytë në të gjithë trupin dhe i janë prerë të dyja këmbët. Në gjendje të rëndë shëndetësore ndodhet edhe biznesmeni Çeka, të cilit i është prerë këmba e majtë, ndërkohë që ka plagë në kokë, djegie në këmbën e djathtë, si dhe ka pësuar shembje dhe thyerje të brinjëve. I vetmi që duket se ka marrë dëmtime të lehta nga atentati është vetëm 46-vjeçari Sharra, i cili ka vetëm gërvishtje dhe plagë të lehta në trup. Një tjetër biznesmen tiranas është sulmuar me 500 gram tritol në Vorë. Dy automjete kanë shpërthyer mbrëmjen e së premtes në Fushë Krujë dhe Burrel, fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar. Kjo është java e tritolit, që nuk po bën më përshtypje në opinion. Tashmë edhe një shashkë të pëllcasë nuk bën më përshtypje. Më shumë përshtypje bën Big Brother, se sa gjithë këto shpërthime,- deklaroi një nga analistët shqiptarë duke shprehur zemërimin e vet.

Interkonjeksioni, kompania e Damir Fazlliç ndërton linjën në pjesën shqiptare

Pas lajmit të publikuar në media, për përfshirjen e firmës boshnjake “Energoinvest”, në pronësi të biznesmenit Damir Fazlliç, në ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën, Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaron se “kompania kroate “Dalekovod” do të ndërtojë linjën në pjesën e Kosovës ndërsa kompania nga Bosnje Hercegovina “Energoinvest” (me pjesën kryesore të kapitalit shtetëror) do të realizojë ndërtimin në pjesën e Shqipërisë.” Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaron, se “pas periudhës së zvarritjes dy vjeçare nga qeveria e Shqipërisë, amendimi i kontratës së konsulencës për procedurën e ritenderimit është kryer më 4 shkurt 2013. Njoftimi për procedurën e re të tenderimit për këtë projekt u krye më 20 mars të vitit 2013. Më 11 qershor 2013 është kryer hapja e procedurës së tenderimit, marrja e ofertave dhe hapja e zarfit të postkualifikimit. Më 9 gusht 2013 është bërë hapja e ofertës teknike, ku është kryer edhe skualifikimi i disa ofertave, duke bërë që më 1 nëntor 2013 (kur u hap oferta financiare) të kishte mbetur vetëm kompania Energoinvest. Më 12 dhjetor 2013 është kryer firmosja e kontratës për Lot 1 me Energoinvest.”  “Selektimi dhe përzgjedhja, deri në ofertën teknike është kryer nga drejtuesit e OST-së dhe konsulentët e bankës KFW, gjatë qeverisjes së shkuar. E gjithë procedura është ndjekur dhe zhvilluar nën konsulencën e bankës gjermane e cila ka certifikuar procesin deri në firmosjen e kontratës më 12 dhjetor 2013.”- thuhet në njoftimin e Ministrisë. Lajmi për pjesëmarrjen në këtë tender jepet dhe në vetë njoftimin e firmës “Energoinvest: dhënë më 23 dhjetor të vitit 2013. Kontrata prej 29 milionë eurosh për ndërtimin e linjës së transmisionit 400 kilovolt, ndërmjet Tiranës dhe Morinës është firmosur në Prizren nga drejtori i OST-së, Engjëll Zeqo, dhe përfaqësuesi i “Energoinvest”, Enes Çengiq, në prani të përfaqësuesit të Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW). Sipas projektit parashikohet rritja e shkëmbimit energjetik për Kosovën nga 250 megavat në mbi 600 megavat, ndërsa rrjeti i interkonjeksionit do të shtrihet në 241.5 kilometër. Epo kjo, çfarë nuk e shanë tjetrin kur ishin në opozitë dhe tashti i firmosin edhe kontratën. Madje na prekën edhe në ndjenjat e Shqiptarisë, kur na thanë se ai ishte serb, armik i popullit etj. Prandaj duhet të kesh kujdes për atë që thua, se do të duhet ta lëpish më pas atë që ke thënë për armikun e popullit Fazlliçin...


DASH: Korrupsioni shkelja kryesore e të drejtave të njeriut në Shqipëri

Departameti Amerikan i Shtetit thekson në një raport të botuar pak ditë më parë, se problemet kryesore në Shqipëri në fushën e të drejtave të njeriut, kanë të bëjnë me korrupsionin e përhapur në të gjitha degët e qeverisë, veçanërisht në sistemin e drejtësisë. Në raportin e tij të përvitshëm për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, Departamenti i Shtetit thekson se ndër problemet e tjera kryesore në Shqipëri gjatë vitit 2013 kanë qenë bllokimi i reformave, veçanërisht bllokimi i luftës kundër korrupsionit, ndërsa partitë politike e përqendruan vëmendjen në zgjedhjet e qershorit. Pandëshkueshmëria, thuhet në raport, është një tjetër problem. Përpjekjet e qeverisë për të ndëshkuar zyrtarë që kanë kryer shkelje kanë qenë sporadike dhe jo të vazhdueshme. Zyrtarët qeveritarë dhe politikanët, si dhe gjykatësit dhe ata me interesa të fuqishme biznesi, shpesh i kanë shpëtuar drejtësisë. Disa zyrtarë më të vegjël janë ndëshkuar për shkelje. Disa zyrtarë qeveritarë, që ishin përfshirë qartazi në raste abuzimesh, u hoqën nga postet e mëparshme dhe u vendosën në poste të tjera qeveritare, pa asnjë lloj ndëshkimi. Shkelje të tjera serioze për Shqipërinë në fushën e të drejtave të njeriut, sipas raportit, janë dhuna në familje dhe diskriminimi i grave. Korrupsioni është kthyer në një gangrenë sociale, e kjo nuk do, as mend, as kalem...

Ministri Tahiri takim me drejtues të lartë të policisë

Gjatë orëve të vona të ditës së enjte ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është takuar me drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Tiranës. Takimi është zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Nga informacionet e marra temë e takimit kanë qenë ngjarjet e ndodhura gjatë ditëve të fundit në vend, kryesisht në kryeqytet, ku vetëm gjatë 2 ditëve të fundit kanë ndodhur 2 shpërthime me eksploziv, duke i marrë jetën një personi dhe duke lënë të plagosur 3 të tjerë. Ndërsa gojët e këqija kanë thënë, se në këtë mbledhje nuk është diskutuar vetëm për tritolin, por edhe si të pengohen për të hyrë në kryeqytet furgonat me shoferët protestues. Edhe këta problem më vete janë.


Shoferët e furgonëve protestojnë para Kryeministrisë, ministri Haxhinasto: Do zbatohet ligji!

Ishte parashikuar të protestohej para kryeministrisë, por ka nisur në Tiranë me herët seç pritej ditën e premte protesta e shoferëve të furgonave, që qarkullojnë në mbarë vendin. Rreth orës 09:00, drejtuesit e furgonave kanë tentuar të hyjnë në kryeqytet së bashku me mjetet e tyre, por policia ka vendosur që furgonat të parkohen në disa pika periferike të Tiranës, ndërsa theksoi se protestuesit duhet të protestonin pa mjete. Tensione pati kur u bllokua Rruga e Elbasanit nga protestuesit. Bllokohet dhe aksi tek Zogu i Zi nga protestuesit. Tek rruga e Elbasanit, ndërhynë Forcat Speciale, që u përleshën me protestuesit. Protesta nisi sërish nga sheshi 'Nene Tereza' dhe protestuesit iu drejtuan bulevardit 'Dëshmorët e Kombit' dhe nën thirrjet 'Duam bukë!', protestuan para kryeministrisë. Rreth orës 14:00, ministri i Transporteve Haxhinasto reagoi lidhur me protestën dhe tha se nuk do të tërhiqet nga vendimi i shpallur mbi furgonat 8+1. Protestuesit garantuan se protesta do të vijojë. Kreu i Sindikatës së Transporteve Gëzim Kalaja u shpreh se nesër do të vijojë protesta sërish në Tiranë. Pas fjalës së Haxhinastos, protestuesit u shprehën se do të vijojnë protestën e tyre. “Ministri u tall me ne. Sot Tirana u blindua e tëra. U bë presion i madh ndaj nesh. Ata nuk na lejuan të futeshim në Tiranë, të protestonim. E nisën të parët bllokimin e rrugëve. Me shumë debat dhe këmbëngulje na lejuan të futeshim në Tiranë. Por tek Fakulteti Ekonomik, na futën makinat me forcë në një parking tek Qyteti Studenti. Policia ishte me numër shumë të madh, e u soll ndaj nesh sikur të ishim kriminelë. Ne jemi ngritur se kemi 20 vjet që punojmë, u kemi shërbyer shumë komod njerëzve. Zgjidhja që është ofruar, brenda qarkut, është e padrejtë. Është punuar në mënyrë të pakontrolluar, puna e zezë, konkurrenca e padrejtë. Kemi paguar çdo taksë, këta që sheh këtu, kemi shlyer çdo detyrim ndaj shtetit dhe kërkuam që të hiqet konkurrenca e padrejtë. U ulëm në tryezë me ministrin Tahiri, por ai vetëm ministër nuk është. Tha do luftojmë konkurrencën e pandershme. Lulëzoi konkurrenca e pandershme më shumë nga të gjithë. Ministri tek transportet e kanë vënë aty, por ai nuk merr vesh nga transporti. Ai nuk merr vesh as nga nafta, cfarë bëri ndryshimi i çmimit. Nuk ka kuptim që të vij nga Korça me 8 veta dhe të kthehem bosh, ndërkohë që i hedh 60 mijë lekë karburant makinës. Ç’të bëj të rris çmimin për qytetarët, t’ua dyfishoj atyre çmimin për të udhëtuar, e padrejtë”. Nuk është për t’u habitur kur të na rrisin edhe çmimin, megjithëse nafta në tregjet botërore ka pësuar ulje.

Shënohet viktima e parë nga virusi AH1N1, vdes 30-vjeçarja shtatzënë

Një grua 30 -vjecare 13javëshe shtatzënë është bërë viktima e parë në Shqipëri nga virusi AH1N1 i njohur ndryshe në popull edhe si “gripi i derrit’. Lajmi bëhet me dije nga Ministria e Shëndetësisë. 30-vjeçarja ka ndërruar jetë dy ditë më parë në spitalin e Senatoriumit në Tiranë, ku ishte shtruar për probleme me frymëmarrjen. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë ajo vuante edhe nga sëmundja e diabetit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në vendin tonë janë konstatuar 26 raste të prekura nga virusi AH1N1.  Në shërbimin e reanimacionit të Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, pacientja ka marrë trajtim intensiv përfshirë edhe ventilim mekanik. Në paraditen e datës 27/02/2014 pacientja ka ndërruar jetë. Në pasditen e datës 27/02/2014 nga përgjigjet rezulton se pacientja ka qenë pozitive me virusin A/H1. “- bëhet me dije nga Ministria e Shëndetësisë. Kjo ministri sqaron se po merren masa për shpërndarjen e tamiflusë dhe për pajisjen me maska mbrojtëse. Rikthimi i virusit AH1N1 në Shqipëri u bë me dije disa ditë më parë kur një 50-vjeçar u shtrua në gjendje të rëndë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ky virus u shfaq për herë të parë në vendin tonë në vitin 2009 dhe medikamenti për luftimin e tij është 'Tamiflu'. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se në vendin tonë janë rreth 16 500 raste me virozën e gripit. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik Arjan Bregu sqaron se kjo virozë gripale nuk ka vend për panik.  Ai gjithashtu bën me dije, se në Shqipëri janë 26 raste me virusin AH1N1 dhe se mënyra e parandalimit është vaksinimi. Edhe gripi i derrit na duhej me gjithë hallet... çfarë të blejmë më parë, na duhet një farmaci e tërë ta kesh të gatshme në shtëpi. Po ato që kan nga katër e pesë fëmijë çfarë duhet të bëjnë në kësi rastesh?

Nxiti urrejtjen fetare, hetohet "profeti"

Prezantohej si i dërguar i Zotit dhe nxiste urrejtje tek qytetarët për fenë e tyre. Nëpërmjet komunikimit mjaft "inteligjent", një 39-vjeçar nga Elbasani ka arritur të bindë disa femra të grupmoshës 18 deri në 25 vjeç, që të dëgjonin predikimin e tij për fenë më të re të zbuluar nga ai. Mësohet se brenda një kohe rekord I. Hida, banues në lagjen "5 Maji" të këtij qyteti, ka arritur që vajzat, me të cilat kishte kontaktuar t'i bindeshin verbërisht për çdo orientim që jepte. Pas denoncimit të bërë nga familjarët, Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj Hidës. Burime zyrtare nga kjo drejtori bënë me dije se 39-vjeçari po hetohet për veprën penale "Nxitje e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave apo feve". Sipas hetuesve të çështjes, dyshohet që I. Hida i përket një sekti fetar mjaft të rrezikshëm. Gjithashtu, dyshohet se ky sekt ka një financim të fuqishëm, që ka si qëllim prishjen e harmonisë fetare në Shqipëri. Kjo është një nga vlerat me të cilat shqiptarët krenohen para gjithkujt. Me gjetjen e formave të presionit nga më të paskrupulltat, 39-vjeçari u kërkonte vajzave që ato të mos besonin askënd veç atij. Në këtë mënyrë ai ju mbushte mendjen të rejave që ta shihnin atë si Perëndi. "Me këtë fe dhe me mua, jeta është shumë e bukur. Ju jeni aq të zgjuara saqë të përqafoni këtë lloj feje që jua bën jetën të bukur e të lumtur", u thoshte ai. Menjëherë pas kallëzimit të familjarëve, policia ka nisur hetimet për aktivitetin e I.Hidës, i cili dyshohet se ka ushtruar terror psikologjik tek të rinjtë, sidomos tek femrat, në disa qytete të vendit. Profetët e rremë do të shfaqen për ta mashtruar miletin, por edhe njerëzit nuk duhet të mashtrohen kaq lehtshëm nga i pari që iu del në rrugë. Rruga për tek Zoti nuk është kaq e lehtë sa jua bëjnë disa njerëz, edhe jeta nuk është kaq e lehtë sa i pari mashtrues që kalon atypari t’i besosh jetën tënde, nderin tënd….




Dhe dritë e diturisë përpara do të na shpjerë,- thoshte Naimi. Rruga te Zoti gjendet kollaj, por duhet një udhëzues e orientues për të ndriçuar rrugën për tek Zoti, dhe jo të tregojë për nga vetja. Mësimet duhen dhe mësuesit i gjen nëpër shkolla, për këtë janë edhe institucionet e kultit xhamitë ku adhurohet Zoti një. Të nderuar dëgjues trashëgimia jonë duhet ruajtur dhe familja është një institucion i shenjtë për të cilin na duhet të lodhemi papushim. Shpresoj që të kaloni një fundjave të këndshme me njerëzit tuaj të afërt. Rrini me njerëzit që i doni, por mos harroni edhe të na ndiqni në 90,4 mgh, vala e ALBANIA FM radio. Ju uroj gjithë të mirat jo vetëm për këtë fundjavë, por edhe për ditët e javës në vijim, deri të shtunën tjetër mirë u dëgjofshim dhe selam alejkum nga Roald Hysa.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit