Java në një ditë- ALBANIA FM radio 29 mars 2014-


Java në një ditë –
29 mars 2014

Selam alejkum të nderuar dëgjues të ALBANIA FM radios nga Roald Hysa. Përsëri jemi në valët e radios tonë në këtë të shtunë të fundit të muajit, ku pasi kemi kaluar një javë me plot ngjarje të ndryshme, shpresojmë që do të kemi një fundjave të qetë. Kryelajmi i javës ka qenë ditëlindja e Ilir Metës në Gjirin e Lalzit me 600 të ftuarit e tij. Kjo është elita e sotme shqiptare, ku mungonin krerët e opozitës. Meta si politikan diti të godasë fort edhe një herë, duke bërë një shou të jashtëzakonshëm. Megjithatë kjo, as që i pakësoi hallet tona, normal as që edhe i shtoi ato. U harruan ca gjëra, sepse në të gjitha NJUZET u rikthye TRITOLI. Fushë Kruja ka qenë në vëmendjen e kësaj jave, ku një efektivi të policisë së këtij qyteti. Rendi ka reaguar duke i bërë një vizitë dhe duke ndaluar një furgon me tritol të firmës Babasi, e cila merret me shfrytëzimin e një guroreje dhe dinamitin e ka bazën e punës së vet. Një akt i paprecedent ka ndodhur në qytetin e Fierit duke u ngritur flamuri grek mu në qendër, ndërkohë që një i burgosur në burgjet greke vritet barbarisht pa marrë akoma gjykimin e duhur për krimin e bërë. Ndjenjat nacionaliste janë trazuar dhe shumë njerëz janë shqetësuar për këto ngjarje domethënëse. Flamur Pisli dhe Adriatiku nuk janë harruar akoma. Njerëzit vazhdojnë të vuajnë nga varfëria dhe problemet sociale janë në qendër të jetës sonë të përditshme. Ah se për pak harrova një problem tjetër ka qenë ai i shoqatës së kafshëve, ku disa aktivistë kanë protestuar për vrasjen e qenve të rrugëve. Gjithsesi ne po vazhdojmë më tej me ato probleme e halle që na kanë shqetësuar javën që shkoi:

Shpërthen me eksploziv makina e një efektivi policie

Tjetër sulm me eksploziv ndaj punonjësve të policisë në Fushë Krujë. Këtë herë shënjestër ka qenë efektivi i policisë Dilaver Boga, të cilit i është vendosur një sasi lëndë plasëse në automjet. Ngjarja është shënuar rreth orës 03:00 të mëngjesit në fshatin Halim, ndërsa automjeti ishte i parkuar pranë banesës. Për pasojë nga shpërthimi fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e saj. Nga hetimet paraprake dyshohet, se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës. Shpërthimi i sotëm shënon rastin e 4 të sulmeve ndaj punonjësve të komisariatit të Fushë Krujës. Sulmi i parë u shënua ndaj një efektivi të policisë në Bubq. Ndërkohë, në 23 janar një sasi tritoli u hodh në oborrin e komisariatit të policisë. Shpërthimi tjetër do shënohej sërish 3 me mars, me po të njëjtin skenar. Për këto ngjarje, deri më tani asnjë person nuk është vënë në pranga. Ndërkaq ka ndodhur edhe një atentat ndaj kryetarit të komunës së Farkës, Fatbardh Plaku. Ngjarja është shënuar rreth orës 02:00 të mëngjesit të martën, teksa një predhë ka goditur banesën e kryekomunarit. Fatmirësisht nga kjo goditje nuk ka pasur lëndime të familjes Plaku, por vetëm dëme të vogla materiale. Vetë kreu i komunës së Farkës nuk e di se pse e kanë sulmuar dhe nuk dyshon tek asnjë person. Në një intervistë Plaku ka sqaruar, se nuk ka konflikte dhe se asnjëherë gjatë pesë mandateve të tij, nuk i ka ndodhur një sulm i tillë. Po ashtu ersona të paidentifikuar kanë hedhur një shashkë në makinën e portierit të dytë të Tiranës, Xhino Sejdo, ndërkohë që ky po kryente stërvitjen e zakonshme. Ngjarja ka ndodhur para dy ditësh në kryeqytet, dhe fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar. Kjo punë u kthye në barcoletë dhe nuk po bën përshtypje aspak, megjithëse ministri i rendit Saimir Tahiri ka kërkuar ashpërsimin e dënimeve të atyre që do të kapen. Policia i ka shtuar përpjekjet dhe hetimet dhe ka ndaluar një furgon të firmës Babasi, e cila merret me shfrytëzimin e guroreve në Fushë Krujë, një biznes shumë i përhapur në këtë zonë, dhe që nuk është i vetmi. Asnjë nuk është i dyshuar, dhe askush nuk është ndaluar deri tashti për këto shpërthime.

14-vjeçari me tumor lëngon në shtrat, nëna dhe njerka apel për ndihmë

Në familjen Lami në fshatin Unjatë të Matit një 14- vjeçar rri dergjur në shtrat prej më shumë se një viti. Tek koka i qëndrojnë ditë e natë nëna biologjike dhe njerka. Djali Lutfi Lami vuan prej vitesh nga një tumor në këmbë.  Lutfiu është në mëshirën e fatit pasi nëna dhe njerka nuk kanë 15 mijë euro për ta dërguar djalin në një spital të specializuar në Ankara të Turqisë, siç iu kanë thënë mjekët në Tiranë. Me lot në sy njerka e 14- vjeçarit tregon për kalvarin e vuajtjeve, sa në spitalin e Burrelit e në Tiranë për të kuruar djalin. Por më kot. “Ndenji djali një vit pa ju shfaqur plaga, por në krye të vitit ju shfaq përsëri. Për moshën e tij është një spital fëmijësh në Ankara dhe na kanë thënë ta çojmë atje. Ju lutem për ndihmë ta çojmë në spital të heq merakun dhe ishallah shpëton”,- shprehet mes lotëve njerka e 14-vjeçarit Sanie Lami. Për 13 vjet jeta e tre pjesëtarëve të familjes është vuajtje e halle. Kryefamiljari ka vdekur prej vitesh. Ndërsa 2 gratë kanë bashkuar forcat duke e dërguar në spital djalin sa herë është dashur. Nëna biologjike Lirie Lami tregon, se ka shitur gjithçka për t’i shpëtuar jetën birit të saj. Djali ka nevojë të shkojë për kurim të vazhdueshëm të këmbës në Tiranë dy herë në javë. Për vetëm 15 mije euro jeta e djalit do të ndryshonte. Lirie Lami kërkon ndihmë urgjente: “Duhen 15 mijë euro, unë nuk mund ti përballoj. Deri tani shita gjithçka dhe i përballova, tani kërkoj ndihmë nga shteti, po pati mundësi të më ndihmojë.”- shprehet nëna e Lutfiut. Varfëria është ulur këmbëkryq në banesën e grave përveç thesit me miell, në tavan varen misra për t’u tharë. Por jo vetëm kaq, gratë kanë shitur çdo gjë, lopët, bagëtitë e imta, si dhe deri tek pulat, për t’i ardhur në ndihmë djalit të sëmurë. I bëjmë thirrje dëgjuesve tonë të japin ndihmën e tyre për këtë rast, qoftë edhe sikur t’i paguajnë vajtjen në Tiranë për të kuruar plagën.
NUMRI KU MUND TË NDIHMONI FAMILJEN LAMI 
Nr cel: 068 50 87 479

Precedenti “Krimea”, Qendra e Sigurisë Kombëtare: Serbia mund të sulmojë Kosovën

Qendra Kombëtare e Sigurisë, nëpërmjet një studimi voluminoz që i bën përshkallëzimit të situatës në Ukrainë paralajmëron implikime edhe në Ballkan, duke dhënë veçanërisht alarmin për mundësinë e një agresioni ushtarak të Serbisë ndaj Kosovës, marrë shkas nga ekspansioni rus në Krime. Agjencia në varësinë e ministrisë së Mbrojtjes i sugjeron qeverisë që për këtë arsye, Shqipëria, si vend anëtar në NATO, të dalë me një qëndrim edhe më të qartë lidhur me situatën në Ukrainë, si edhe të japë kontributin e saj në garantimin e integritetit territorial të këtij shteti. Por në raportin prej 20 faqesh nuk jepen të dhëna konkrete, nëse ekzistojnë informacione konkrete nga shërbimet inteligjente shqiptare lidhur me një përgatitje të mundshme të Beogradit për nisjen e një agresioni ushtarak ndaj Kosovës. Thjesht Tirana zyrtare paralajmërohet nga agjencia në varësi të ministrisë së Mbrojtjes për mundësinë e ekzistencës edhe të këtij skenari. Kjo analizë strategjike që prej pak javësh qarkullon në zyrat e krerëve më të lartë të shtetit përbën njëherazi edhe kritikën më të ashpër zyrtare, që Shqipëria ka artikuluar deri më tani ndaj Moskës për sa i përket çështjes së Krimesë. Në këtë material Rusia shprehimisht krahasohet me Gjermaninë naziste ndërkohë që nuk mungojnë as epitetet në adresë të Presidentit, Vladimir Putin, i cili cilësohet si “delirant”, “paranojak” dhe me “mentalitet perandorak”. Tashti superfuqitë këtë mentalitet kanë do të thoshte dikush, por ajo që më shqetëson mua dhe shumë të tjerë në këtë çështje është, pse Krimea paska të drejtë të kërkojë bashkimin me Rusinë dhe Kosova me ne JO? Shumëkush mund të gjente përgjigjen dhe vështirësitë që hasen për të realizuar këtë dhe nuk është thjesht një fjalë goje. Ndërsa shumë mirë precedenti i Krimesë mund të shfrytëzohej për mirë.

“RiverWatch” alarm sos për të mos lejuar ndërtimin e digave në Shqipëri

“RiverWatch” me seli në Vjenë dhe organizata gjermane “EuroNatur” me seli në Rheinbach pranë Bonnit, kanë lëshuar alarmin SOS për të mos lejuar ndërtimin e digave në lumenjtë që përshkojnë Shqipërinë e Ballkanin. Ulrich Eichelmann, Drejtor Ekzekutiv i Organizatës ndërkombëtare për mbrojtjen e lumenjve, “RiverWatch” flet për “Deutsche Welle” në lidhje me dëmin e madh, që sjell ndërtimi i digave për ekosistemet. “Digat e shkatërrojnë lumin krejtësisht. Është një lloj si të bllokosh arterien e qarkullimit të gjakut. Kjo shkakton infarkt. Digat nuk bllokojnë vetëm ujin, ato bllokojnë migrimin e peshqve dhe më e rëndësishmja transportin e zallit, zhavorrit të lumit. Lumenjtë prodhojnë rërën për plazhet. Nëse ngre diga,lumi nuk çon në det zall dhe rërë,”- shprehet Ulrich Eichelmann. Drejtor i “RiverWatch” thotë se në vende si Shqipëria dhe Mali i Zi ka lumenj që 60 % të ujërave të tyre janë krejt të pastër dhe të pandotur. Kjo përqindje pastërtie është e lartë nëse krahasohet me atë të lumenjve në Gjermani apo Austri. “Në Gjermani lumenjtë janë 10% të pandotur, kurse në Austri vetëm 6 %.“ thotë Ulrich Eichelmann. Pikërisht të qenit të pandotur i bën lumenjtë e Ballkanit një pasuri të jashtëzakonshme të biodiversitetit dhe ekosistemeve të Evropës. Ku ishin deri dje këta ambientalista, ndërkohë që shumë ambientalistë të tjerë mund të ngrejnë pretendimet që liqenet e Hidrocentraleve mund të shfrytëzohen për të mirën e ekosistemit aty rrotull. Me siguri këto që flasin tashti janë opozita.

Greqi, ekspertiza: I dënuari shqiptar, Ilia Kareli vdiq si pasojë e rrahjeve

lia (Ilir) Kareli, shqiptari që vrau rojën në burgun grek të Malandrinos, u gjet para mesnate i vdekur në qelinë e burgut të Nigritas në Serres, ku ishte transferuar për izolim dhe mbrojtje nga ndonjë hakmarrje e mundshme. Minutë pas minute po hidhet dritë mbi vdekjen e shqiptarit Ilia Kareli ne burg. Rezultatet e autopsisë së trupit të 40-vjecarit shqiptar Ilia Kareli tregojnë se vdekja e tij erdhi si pasojë e traumave nga goditjet. Rezultatet e autopsisë konfirmojnë se 40-vjeçari kishte thyerje në kafazin e kraharorit dhe lëndime të shumta në trup. Sipas mjekëve që kanë firmosur rezultatet e ekspertizës, goditjet janë shkaktuar para më shumë se 24 orësh dhe jo me duar, por me mjete të tjera. Ndërkohë për TV SKAI mjeku ligjor ka deklaruar, se veç thyerjeve e goditjeve të shumta, Kareli duhet të jetë torturuar. Në pëllëmbë kishte shenja tronditjeje, që po interpretohen në media si shenja të elektroshokut. Trupi i shqiptarit pritet të bëjë rrugëtimin nga Selaniku në Nigrita për t’u marrë nga të afërmit e tij, e të kthehet në atdhe. 
Ja se si shprehet dikush në një status në FCB për këtë ngjarje shumë të rëndë- Sokol Shameti:
Ne nuk e dimë nëse Ilir Kareli, i cili ishte dënuar dhe lënë të kalbej në burgjet e Greqisë e meritonte apo jo dënimin që i ishte dhënë. Por ne dimë se janë me qindra shqiptarët, që vuajnë dënime të padrejta, të padenja dhe të pamerituara në këto burgje, thjesht sepse janë shqiptarë, thjesht sepse janë qytetarë të dorës së dytë, sepse janë të varfër dhe sepse janë të pambrojtur e të paragjykuar. Ne nuk e dimë nëse Ilir Karelit, i cili vrau një gardian grek, i ishte kryer vërtet ndonjë padrejtësi nga ato që të detyrojnë te kryesh një çmenduri të tillë. Por ai e kreu atë dhe ishte gjykata ajo që duhej ta peshonte, hetonte dhe gjykonte veprimin e tij. Ajo që dimë ne është, se një shqiptari në një burg grek, i thyen kockat për së gjalli deri sa vdiq si një qen. Nuk i është bërë kjo asnjë italiani, gjermani apo turku, që ka shkelur Greqinë si pushtues. Nuk i është bere Adolf Eichmann-it ne Jeruzalem. Nuk i është bërë Charles Manson-it në Amerikë. U bëhet shqiptarëve, sepse jane jetimë, të braktisur nga atdheu e të injoruar nga qeveria e vet.
Ndërkaq ajo që e shton edhe më shqetësimin e opinionit vendas është edhe ngritja e flamurit grek, në vend të atij shqiptar mu në mes të Fierit. Kjo është një sfidë e ulët që i bëhet të gjithë Shqiptarëve. Përgjegjësit duhet të dënohen për këtë paturpësi, dhe këtu nuk bëhet fjalë aspak për protokollin zyrtar, hyjmë apo s’hyjmë në BE, kjo nuk ka rëndësi. Kur kemi pritur kaq vjet, aq na bën të presim edhe nja 6 muaj të tjerë...

.....
.....

Shumë fjalë dhe orë të konsumuara, shumë probleme të mbartura dhe të papritura plot në këtë javë. Politika vazhdon me intensitet të lartë të tërheqë vëmendjen e publikut, po aq sa edhe kronika e zezë. Kemi nevojë të marrim frymë paksa dhe të qetësohemi shpirtërisht në këtë fundjave. Kemi nevojë të bëjmë vepra të mira, prandaj dhe do t’i vazhdojmë thirrjet për të ndihmuar njerëzit që kanë nevojë. Kur i heq dikujt një shqetësim, njëkohësisht ndjen një lehtësim të madh brenda vetes. Të ndihmosh të tjerët duke ndihmuar veten tënde. Mesazhe pozitive, kjo është ajo që kemi nevojë, si dhe për modele të gjalla jetësore, të cilat vështirë se mund t’i gjesh në realitetin tonë shqiptar. Na duhet t’i ndërtojmë dhe në valët tona do t’i gjeni këto mësime dhe mbështetjen e vazhdueshme për ta gjetur modelin e duhur. Kjo që sapo ndoqët ishte pjesa e parë e emisionit të përjavshëm JAVA NË NJË DITË. Do të kemi në pjesën e dytë një bisedë më të zgjeruar me të ftuarit tonë mbi zhvillimet e fundit në Turqi dhe zgjedhjet lokale që priten të zhvillohen kësaj të diele. Unë jam Roald Hysa dhe kjo është ALBANIA FM radio në 90,4 mgh, mund të na ndiqni edhe on line në adresën gazetamendimi.com

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit