RRETH ZGJEDHJEVE TË XHEMATIT



RRETH ZGJEDHJEVE TË XHEMATIT

Sikundër e patëm shkruë në numrin e kaluem sod fillojnë zgjedhjet e xhemati Islamijes, e mbarojnë në pesë të Qershurit, ku në pesmëdhetë t’ati mueji hapet kongresi në kryeqytet, i cili ka për detyrë (për veç kontrollimit të veprimeve dy vjeçare) me rizgjedh (në qoftë nevoja) edhe kryetarin e antarët e këshillit të naltë të sheriatit.
Duë t’i urojë vllaznit t’onë për kta zgjedhje të cilat po bahen me lirië e qetësië të plotë nën hijen e flamurit të Qeveriës Republikane. Sa do që shtet i ynë nuk asht i mështetun në ndonji fe zyrtare por si mbas nenit të posaçëm të statutit, Qeverija, tri feënat që gjinden në Shqipnië i nderon; jo vetëm se i nderon, por edhe me sa mundet ju ndihmon: prandaj si në të gjitha punët shtetnore, ashtu edhe në pikpamje fetare, komb’ i ynë asht fort i lumtun.
Dihet se feëja asht nji nga ndjenjat naturale të njerziës, për ket shkak si kur doherë edhe sod, s’ka as nji komb në faqe të dheut që t’jetë pa feë; na shqiptarët si gjithmon ashtu edhe ndashti jemi fetarë të fortë; me kte lavdërohemi përballë të ç’do kombi, por për m’u mbajtë e m’u forcue feëja, si lypset, e me i dhanë fëmiëeve edhe nipavet t’onë nji edukatë fetare të kulluët, duhet të kujdesohemi për së tepri në zgjedhjen e delegatve, të cilët do të ngarkojnë atë barrë të randë e tepër të shêjtë. Poh, sikundër thotë Perëndija me madhnië të Vet në Kurani qerijm: Pa dyshim All-llahu ju urdhënon juve që t’ja epni punën në dorë t’ati që asht i zot’ i asajë pune.
Pra o vllazën Muhammedan! Vëxhgoni me dërguë si delegat n’at kongres, njerëz tepër të dishëm e të ndershëm, se për ndryshe do të tradhtoni Zotin e pejgamberin edhe atdheun i cili nuk përmbahet vetëm se tu i dhanë biëvet të tij nji edukatë fetare e komtare; (terbijei dinije ve mil-lije) të cilën punë ka me e siguruë ai kongres.
B.D. (Inicialet e H. Ibrahim Dalliut, gjuha është lënë pothuajse si në origjinal)
Gazeta “DAJTI”, nr. 78, Tiranë e enjte 21 maj 1925


Ky është editoriali gazetës “DAJTI”, me drejtor përgjegjës patriotin dhe rilindasin e mirënjohur H. Ibrahim Dalliu, i cili i këshillon publikisht të gjithë xhematin musliman shqiptar për të zgjedhur njerëz të ndershëm e të dijshëm për në Kongresin e Dytë të Xhamisë, i cili u zhvillua ato ditë dhe ku morën pjesë delegatë të zgjedhur nga të gjitha qytetet dhe krahinat shqiptare. Në këtë kongres u morën vendime të rëndësishme mbi funksionimin e rregullt administrativ të KMSH-së, si dhe për forcimin e punës dhe lidhjet e ngushta më pas me xhematin. Ajo çka të bën përshtypje është se Hafiz Dalliu përcjell një shqetësim të vazhdueshëm njerëzor, por edhe të një intelektuali kalibri për cilësinë e delegatëve, si kusht themelor për cilësinë e punës. Ky shqetësim i Hafiz Dalliut mbi përzgjedhjen e njerëzve u vërejt më pas edhe në ditën e parë të Kongresit kur u kontrolluan me kujdes mandatet dhe rregullsia e zgjedhjeve të kandidatëve. Interesan është botimi për disa numra rresht edhe i procesverbaleve të mbledhjeve të këtij Kongresi po në faqet e kësaj gazete, e cila mund të themi pa frikë, se u bë një referencë për kohën. Hafiz Dalliu ka derdhur mundin e tij intelektual për rreth dy vjet e një çerek në faqet e kësaj gazete, duke na dhënë një mesazh të lartë përkushtimi intelektual e atdhetar. Ai vazhdimisht i ka kushtuar një vëmendje të posaçme elementit musliman dhe gjendjes së tij në kushtet e krijuara në Shtetin Independent të asaj kohe.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit