Java në një ditë –ALABANIA FM 26 prill 2014

Foto e javës: Ministreshat e mbuluara takojne papa Franceskun.

Java në një ditë – 26 prill 2014

Selam alejkum të nderuar dëgjues të ALBANIA FM radio, unë jam Roald Hysa dhe dëgjohemi sërish pas një jave të zjarrtë me debate politike e diskutime nga më të ndezurat. Normalisht për të gjithë gazetat, radiot e kanalet televizive politika zen faqen e parë, kështu që edhe ne nuk mund ta injorojmë këtë gjë kollaj. Politika është buka e përditshme e jona dhe ajo që infekton gjithçka në këto vite, e po ashtu edhe në vitet në vijim. Politika është ajo që ndikon në jetën e përditshme të të gjithë shqiptarëve kudo qofshin, në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi e Maqedoni. Zgjedhjet në Maqedoni, reforme territoriale në Shqipëri, përplasjet e pushtetit lokal me atë qendror, ka tema sa të duash, të cilat mund t’i zesh në gojë dhe të vazhdosh me orë të tëra. Ka vazhduar debati i uljes së avionëve me drogë në Gjadër, ulen apo nuk ulen, kalojnë apo nuk kalojnë trafiku vazhdon, dhe jo vetëm këtu në Shqipëri, porse në të gjithë botën droga lëviz me të gjitha mjetet e mundshme të transportit, avionë, aeroplanë, motoskafë e kamionë. Ajo që po zhvlerësohet është jeta njerëzore, ku një 36-vjeçar është vrarë për një sherr banal. Një familje u vesh në zi, dhe disa fëmijë mbetën pa baba... tashti ka dalë edhe një problem tjetër ai i tokës së varrezave dhe nga e hëna nuk do të ketë as vend për t’u varrosur deklaron nënkryetari i Bashkisë. Për çdo orë që kalon shfaqet ndonjë problem i ri, po ashtu edhe gjatë ditëve që kaluan dolën probleme. Një gjimnaziste së cilës normalisht drejtori e ndalon me të drejtë dhe i thotë të mos largohet pa leje nga shkolla dhe ajo hidhet nga kati i dytë e copëtohet është një problem jo vetëm i drejtorit, por edhe i familjes së saj. Shpërthimet sikur nuk janë dëgjuar kësaj jave, apo ndoshta më kanë shpëtuar mua dhe më kanë dalë jashtë vëmendjes, nejse... po vazhdoj si zakonisht me ato që kam përzgjedhur kësaj jave.

Global Peace Index: Vendet më të pasigurta në Evropë, Shqipëria renditet e 69-ta

Global Peace Index (ose Treguesi Global i Paqes) ka publikuar raportin e vet vjetor nga Instituti për Ekonomi dhe Paqe, ku cilësohen vendet më të pasigurta në Evropë. Ndonëse duket sikur bota po bëhet gjithnjë e më mizore, sipas Indeksit Global të Paqes sot janë 20 shtetet më të qeta në botë që ja vlen të jetosh (Danimarka, Norvegjia, Islanda, Finlanda, Zvicra, Austri etj), duke ju referuar studimit të raportit të IGP me seli në Londër. Kurse nga vendet e Ballkanit, sipas këtij indeksi ndërkombëtar prin Sllovenia në vendin e 13, duke u ndjekur nga Kroacia në vendin e 28-të. Ndërkohë, sipas asaj që jepet në raport përcaktohet dhe vendi i Shqipërisë, e cila renditet e 69-ta, ndërsa Kosova në vendin e 72. Ndërsa Serbia është vendosur në vendin e 62-të, Bosnja dhe Hercegovina renditet në vendin e 71, Maqedonia dhe Mali i Zi në vendin e 79. Nëse bazohemi në këto të dhëna, duket e qartë pse azilkërkuesit më në numër në vendet e BE-së janë kryesisht nga këto vende të pasigurta as politikisht e as ekonomikisht. Ndërkohë, i fundit në këtë listë renditet Afganistani, në vendin e 162 në botë, duke mos harruar vendet arabe sidomos Siria, Iraku, Libia. Kur përpilohet ky rankim, kjo listë merr parasysh shumë parametra, duke përfshirë nivelin e krimit, marrëdhëniet me vendet fqinje, sulmet terroriste, vetëvrasjet dhe armët bërthamore. Sipas Institutit për Ekonomi dhe Paqe, zviceranët arrijnë të ruajnë një qeveri që funksionon mirë si dhe një kulturë politike të hapur. Një ilustrim i cilësisë së qeverisjes, Zvicra pati nivelin më të ulët të paqëndrueshmërisë politike. Është gjithashtu mes vendeve më të qeta në botë që ka edhe nivelin më të ulët të krimit. Ndonëse Zvicra njihet për neutralitetin e saj në çështjet politike rajonale, ndërkombëtare dhe globale, ajo ruan marrëdhënie diplomatike të forta me shumë vende të botës. Në fakt jemi diku aty nga mesi, dhe nga lajmet që shohim për ditë në kronikën e zezë duhet të na zbrisnin edhe disa shkallë. Të jeshi 69 në listën e pasigurisë nuk është edhe aq keq, por vetëm të mos përkeqësohet situata e mëtejshme prej tritolit.

Ish i dënuari politik tenton të vetëdigjet në transmetim live: Jam i dëshpëruar- 

Një ish i burgosur politik tenton të vetëdigjet përpara Parlamentit. Bëhet fjalë për ish-të burgosurin Kujtim Kaziun, i cili ishte pjesë e një proteste të ish-të burgosurve që po zhvillohej përpara Parlamentit. Teksa prononcohej për gazetarin e Neës 24, Kujtim Kaziu është lyer me benzinë dhe ka tentuar t’i vërë flakën vetës. “Jam pa punë, kam fëmijë të sëmurë, nuk blej dot as ilaçe për vajzën e sëmurë në spital. Kam marrë benzinë me vete dhe nuk ka seç më duhet jeta. Nuk jetohet kështu”, tha ai. Më pas është lyer me benzinë, por është ndaluar menjëherë nga policia. Policia e ka neutralizuar menjëherë. Për 15 minuta është mbajtur në trotuar, ndërsa më pas e ka shoqëruar në komisariatin nr.1. Ish- të burgosurit ishin mbledhur në një protestë përpara Parlamentit, ndërsa me anë të një letre drejtuar kryeministrit kanë kërkuar dëmshpërblim të menjëhershëm të atyre që janë gjallë, punësim për të aftët, etj. Ata deklaruan se do fillojnë demonstrata dhe grevë, “Duke u nisur nga Vlora, Kavaja, Tirana e gjithë Shqipëria. Të mos nxjerrin më nëpër gazeta shkrime të paqena me të burgosur që nuk ekzistojnë”, shprehet një ish tjetër i burgosur. Prej 23 vjetësh kjo shtresë kërkon të integrohet normalisht në jetën e përditshme, si dhe të marri një satisfaksion moral nëpërmjet dëmshpërblimit monetar, i cili ka filluar por që ka mbetur pa u marrë nga të gjithë ish-të burgosurit dhe familjarët e tyre.

Bozdo: Nga e hëna nuk ka më vend për varre, Rama të zhbllokojë buxhetin

Nga e hëna nuk gjen më vend për varr. Nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo ka dhënë alarmin për mungesën e hapësirave për varre në kryeqytet. Nisur nga ky fakt, ai i bën thirrje kryeministrit Edi Rama të zhbllokojë buxhetin e Bashkisë së Tiranës. “Jemi këtu në varrezat e Tufinës dhe në të vërtetë është vendi i fundit, që do kishim zgjedhur për të biseduar me mediat, por jemi të detyruar të bëjmë një gjë të tillë pasi duke filluar nga dita e hënë shërbimi funeral i Bashkisë së qytetit për familjet që humbin të dashurit e tyre nuk do të jetë më i mundur të ofrohet. Do u kërkoja të gjithë familjarëve që mes dhimbjes së tyre, t’i drejtohen zyrës së kryeministrit për të marrë një zgjidhje, sepse kryeministri ynë i ka të gjitha mjetet në dorë për të zhbllokuar buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe të lejojë shërbimin funeral të ofrojë shërbimet për të ndjerët e familjet e tyre. Pasi kryeministri ka zgjedhur të mos lerë të qetë të gjallët, tashmë po merret edhe me mbretërinë që nuk i takon, nuk po lë në prehje edhe të vdekurit. Kjo tregon edhe një herë tjetër, që konflikti dhe lufta politike me Bashkinë e Tiranës ka tejkaluar çdo limit të fundit dhe të imagjinueshëm", shprehet Bozdo. Bozdo më tej sqaroi se çështja e varreve nuk duhet të kthehet në "luftë politike". "Unë nuk jam këtu vetëm si nënkryetar i Bashkisë, por edhe si familjar që përballem çdo ditë me kërkesat nga të njohurit, miqtë që humbin njerëzit e tyre, për të gjetur një mundësi për t’i varrosur në mënyrë dinjitoze dhe shpresoj që kryeministri të heqë “veshët” politikë dhe të vendosë dëgjimin e qytetarit, i cili kërkon që mundësisht në këtë vend, pikërisht ku jemi ne, por edhe për këtë çështje kaq të ndjeshme, të mos kemi luftë politike, por të kemi një bashkëpunim. 
Shpresoj që ky mesazh të prekë sadopak zemrën e tij, sepse nuk ka ngelur gjë tjetër veçse t’i kërkojmë atij që të vërë dorën në zemër dhe t’i japë zgjidhje këtij problemi kaq të madh”. Një apel ndjenjave njerëzore i bërë nga nënkryetari, kur njerëzit vdesin për ditë dhe ajo është streha e tyre e fundit 2 metra vend. Njerëzit duhet t’i thërrasin mendjes, se në fakt vetëm ai dy metërsh iu takon në këtë dynja dhe duhet të dinë mirë se çfarë po bëjnë në këtë dynja....

'Droga', dëshmia e një banori nga Lushnja: 1 muaj më parë u ul një avion
Dyshimet për trafik droge me mjete të Forcave të Armatosura janë shndërruar prej disa javësh në temën kryesore të debatit politik dhe shoqëror në vendin tonë. Pas publikimit të një dokumenti të SHISH-it, në emisionin “Ajsberg” të gazetarit Artur Çani, ku jepen detaje se një avion i vogël sportiv i bardhë është ulur në aeroportin e Gjadrit, sigurohet një tjetër dëshmi që ngre dyshime për trafik droge edhe nga Lushnja. Një banor i fshatit Bedat të Lushnjes deklaron, se rreth një muaj më parë ka parë të ulet një avion në rrugën “Bedat Adriatik”, rreth orës 09:00 të mëngjesit. Ai bën të ditur, se avioni ka qëndruar rreth 30 minuta dhe më pas është ngritur sërish duke u larguar drejt bregdetit. “Po vija nga Bedati për peshkim. Këtu ishte një makinë ‘Fuoristradë’ që na bllokoi rrugën, derisa avioni u ngrit. Avioni ishte i vogël, i bardhë. Rruga u bllokua, u ngrit avioni na hapën rrugën. Unë e dija se ishte policia, ose një defekt. Thashë se avioni ra. U hap rruga, makina iku në drejtim të avionit kur u ngrit avioni, iku në bregdet. Avioni u ul për 25-30 minuta. Banorë të tjerë e dinë. Dëshminë time do ta jap pse mos e jap. Është e vërtetë. Nuk e kam parë vetëm unë por shumë banorë të kësaj zone. Këtu ishin bllokuar më shumë se 20 persona.”- deklaroi qytetari. Banori shprehet i gatshëm të japë dëshminë e tij edhe në prokurori, në rast se do t’i kërkohet. Sipas tij, këtë fakt e dinë dhe shumë banorë të tjerë të zonës, por kanë frikë të shprehen. “Banorë të tjerë e dinë. Dëshminë time do ta jap pse mos e jap. Është e vërtetë. Nuk e kam parë vetëm unë por shumë banorë të kësaj zone. Këtu ishin bllokuar më shumë se 20 persona atë ditë.”- shprehet Kuqi. E pra, e lagu se lagu, vazhdon debati i avionëve të drogës. Ulen apo nuk ulen, pista është me guriçka, nuk ulen, gjithsesi ajo punë po vazhdon të bëhet, droga në mos në Gjadër, do të kalojë në Bedat, e në mos në Lazarat, do të jetë ndonjë fshat tjetër që ta bëjë atë punë...

Vizita në Beograd, Rama: Do përgjigjemi për Kosovën nëse ata e trajtojnë si çështje

Kryeministri Rama në një intervistë për gazetën sebe Danas ka deklaruar se vizita e tij në Beograd është shtyrë për shkak të kalendarit politik në Serbi dhe se do realizohet në kohën e duhur. Ndërsa duke folur për Kosovën, Rama tha se do kërkojë nga Beogradi të trajtojë ashtu siç është, subjekt më vete, një shtet të barabartë me të tjerët, por gjithnjë nëse do i kërkohet të flasin për Kosovën. Ja dhe dy pyetje të gazetarit të Danasit...
Zoti Kryeministër Rama, më parë ishte paralajmëruar vizita juaj zyrtare Beogradit, por ajo është shtyrë pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi. A jeni duke pritur përsëritjen e ftesës pas krijimit të Qeverisë së re të Serbisë? A ka sinjale se në çfarë kohe do të mund të realizohet vizita juaj? 
Fillimisht, më lejoni të theksoj se e kam mirëpritur ftesën e ardhur nga Qeveria e Beogradit. Shtyrja e saj për shkaqe të kalendarit politik në Serbi, natyrshëm nuk ka ende një datë dytë përfundimtare, përderisa dhe procesi në Serbi vazhdon. Besoj se e rëndësishme është të nënvizoj në këtë rast prioritetin, që Shqipëria i jep bashkëpunimit të ngushtë me vendet e rajonit e padyshim, me Serbinë, me të cilën jam i mendimit se ka shumë hapësirë bashkëpunimi, koordinimi e bashkëbisedimi krejtësisht të pashfrytëzuar. Besoj se vizita do të realizohet në kohën e duhur, që uroj të jetë një kohë e shpejtë, gjithsesi pas përfundimit me sukses e në të mirën e popullit serb të procesit politik në vendin e tyre. 
Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, siç e dini, janë propozuar për Çmimin Nobel për Paqe. A e meritojnë ata këtë çmim? 
E kam përkrahur publikisht propozimin sapo ai është paraqitur. Jam i bindur se ky do të ishte një çmim shumë merituar për kurajën dhe largpamësinë që kanë treguar të dy kryeministrat në të thyerjen e miteve dhe tabuve politikë, por edhe kulturorë mes popujve dhe për kontributin në shndërrim e imazhit të Ballkanit nga një vend konfliktesh në një vend dorështrëngimesh, që padyshim s’janë thjesht imazh, por një realitet që po konsolidohet dita ditës në rajon. 
Normalisht këto do të ishin përgjigjet diplomatike të kujtdo që do të ishte në postin e kryeministrit shqiptar. Këto ishin përgjigje ndaj një vizite të pazhvilluar në Beograd, porse kryeministri Rama ka zhvilluar një vizitë në Vatikan ku është pritur nga Papa Françesku. Në një album me foto i shpërndarë në rrjetin social të FCB nga profili zyrtar i kryeministrit Rama i titulluar NJË VIZITË PËR T'U MBAJTUR MEND” na njoftohet: Sot në Vatikan me Atin e Shenjtë për audiencën private që u rezervohet krerëve të qeverive dhe takimin me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit Kardinalin Pietro Paroli, ku u fol për Shqipërinë, plagët e të shkuarës e sfidat e të sotmes, për paqen e arritur në rajon në këtë 100 vjetor të Luftës së Parë Botërore që shpërtheu pikërisht në Ballkan, për nevojën e madhe të rajonit tonë për Europën e Bashkuar po edhe të Europës së Bashkuar për rajonin tonë, e padyshim për Kosovën në rrugën e integrimit europian.
Ajo që të bie në sy përtej politikës, që është normale në kësi rastesh është edhe mbulimi i kokës nga ministreshat e pranishme në këtë takim, Mimi Kodheli e Lindita Nikolla. Jo se kemi ndonjë kundërshtim që ato janë mbuluar përpara papës, se është një gjë normale të zbatosh disa rregulla etike, por na kujtohen vajzat myslimane në Shqipëri, e sidomos ato në Kosovë që nuk po lejohen të vazhdojnë shkollimin e tyre pse janë të mbuluara. Kësaj i thonë i zoti e jep, tellalli nuk e jep...


Shënimi i JAVËS


Kësaj jave të nderuar dëgjues do të doja të sillja në vëmendjen tuaj një nga problemet sociale të pazgjidhur akoma i shtrirë në një kohë të gjatë prej 23 vjetësh. Normalisht jo se nuk ka qenë në vëmendje, por ngjarjet e fundit na i risjellin në vëmendje, jo vetëm mua por për të gjithë opinionin e gjerë publik. Një ish i burgosur politik tenton të vetëdigjet përpara Parlamentit. Ish- të burgosurit ishin mbledhur në një protestë përpara Parlamentit, dhe po kërkonin me ngulm të drejtat e tyre. Kujtim Kaziu një nga ish-të dënuarit politikë që pret të marrë këstin e parë të dëmshpërblimit tashmë të njohur ligjërisht nga qeveritë shqiptare të pas demokracisë ka dashur të vetësakrifikohet duke u djegur me benzinë. Pas problemit të pronave në Shqipëri ky është problemi i dytë më shqetësues, që i përket shoqërisë shqiptare dhe qeverive. Është një problem gjithashtu me një buxhet të madh financiar, kur dihet që janë më se 15,000 persona që në sasi të ndryshme monetare presin ta marrin këtë dëmshpërblim për punën e papaguar në burgje e internime. Problemi i pronës dhe i dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë kanë disa lidhje të përbashkëta. Të dy i lidh fatura financiare, që duhet të paguajë shteti për të dyja këto kategori njerëzish dhe kjo është një faturë e rëndë buxhetore. E dyta që i lidh këto probleme, se vetë këta persona apo trashëgimtarët e tyre kanë qenë ish-pronarë tokash, por edhe ish-të dënuar apo të përndjekur politikë. Kujtimi na përkujtoi varfërinë e tij dhe borxhet monetare, por nuk është vetëm ai që po përjeton momentet e krizës. Ajo që deri tashti nuk kanë arritur të marrin ish të burgosurit politikë është satisfaksioni moral dhe integrimi i tyre i natyrshëm i tyre në shoqërinë e  re demokratike. Ky është një shqetësim i tyre i ligjshëm, kur kujtojmë këtu se çfarë hoqën baballarët tonë nëpër burgjet e zeza të komunizmit, në një kohë kur e gjithë Shqipëria u shndërrua në një burg të madh ideologjik. Kur të gjithë ishin të internuar dhe internoheshin pasivisht. Nuk do të mjaftonte thjesht një faturë e rëndë financiare, e cila edhe sikur të merrte një zgjidhje ekonomike nuk do t’i lehtësonte shpirtrat e vrarë të këtyre njerëzve. Ata janë plakur e thinjur përpara kohe dhe kërkojnë ndonjë lek për të mbyllur njërin nga shumë hallet që ata kanë sot, si të gjithë njerëzit e tjerë. Ndërkaq unë do të vëreja se sot akoma nuk janë zbardhur përmasat e atij eksperimenti gjenocidal, që i kushtoi jetën drejtpërdrejt rreth 15,000 shqiptarëve, por që me pasojat e shkaktuara pati efekte mbarëkombëtare. E si mund të harrojmë ato qindra kosovarë, që për t’i shpëtuar regjimit serbosllav të Kosovës vinin për të gjetur shpëtim këndej dhe përfundonin burgjeve e internimeve. Akoma nuk dimë një numër të saktë të atyre hoxhallarëve që përfunduan burgjeve, pse ishin të tillë. Familjarët e hafiz Xhemal Naipit akoma nuk i kanë gjetur dot vendin ku është varrosur ai për të shkuar te varri e t’i bëjnë një lutje. Po ashtu hafiz Mustafa Varoshi, i cili vdiq për shkak të rrahjeve e torturave të pësuara. Hoxhallarëve ua shkulën mjekrat qime për qime nëpër tortura për t’i gjunjëzuar. E këto gjëra nuk janë thënë akoma publikisht dhe nuk kanë marrë vëmendjen e duhur. Ai regjim ka marrë një dënim moral publik, që i takon me të drejtë. Ndërkaq nuk shohim një dënim publik ndaj regjimit komunist dhe partisë komuniste, e cila udhëhoqi gjenocidin më të madh në historinë e re të Shqipërisë. Ky do të ishte satisfaksioni më i madh për të gjithë këtë shtresë. Kurdo që të vijë ai do të ishte i mirëpritur për të gjithë ne. Më mirë vonë se kurrë thotë populli. Ah të mos harrojmë, edhe ato paratë e dëmshpërblimeve na duhen...

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit