Java në një ditë – ALBANIA FM radio 19 prill 2014


Java në një ditë – 

19 prill 2014


Selamu alejkum të nderuar dëgjues të ALBANIA FM radio nga Roald Hysa... java shkoi dhe ne po takohemi përsëri në 90,4 mgh në emisionin Java në një ditë. Ngjarjet nga më të ndryshme kemi dëgjuar këto ditë dhe njeriut të shkretë nuk i mbetet kohë kë të përcjelli, se sapo dëgjon diçka interesante në pak minuta më vonë i duhet të dëgjojë ndonjë histori tronditëse. Ajo që me të vërtetë është bërë shqetësuese këto ditë ka qenë vdekja e një vogëlushi 13-vjeçar. Bledi thjesht vari veten! Nuk e dimë me siguri, por familjarët i apelojnë shtetit të hetojë për vetëvarjen e birit të tyre. Ata si edhe disa familjarë të tjerë prej disa vitesh e drejtojnë gishtin nga Dëshmitarët e Jehovait. Një tjetër vdekje i shqetësoi shqiptarët kësaj jave. Ajo e G. G. Markesit, që vdiq në një moshë të madhe 87 vjeç. Një mendje e shquar dhe një nga penat më përfaqësuese të rrymës letrare të realizmit magjik. Politika kësaj radhe ka qenë protagoniste më tepër me sherret në parlament. Akuza të rënda janë bërë për transportin e drogës nëpërmjet strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes. Por nuk ka qenë vetëm kjo i ftohti dhe bora kanë dëmtuar rreth 500 shtylla tensionit të lartë në veri të vendit, ku një pjesë e madhe e kësaj zone ka mbetur në errësirë. Liqenet  e HEC mbushen, por rryma nuk mbërrin dot në shtëpitë e njerëzve. Vazhdon të vendoset tritol në komisariatin e Fushë-Krujës, një lojë me zarar kjo. Ndërkaq më tej do të keni edhe një thirrje për ndihmë, që shpresojmë se dikush do të përgjigjet. Në këto kohë të vështira njerëzit kanë nevojë për ndihmë, sidomos në fushën e shëndetësisë, që është edhe më e kushtueshmja, jo vetëm për xhepin, por në radhë të parë po nuk pate para dëmton rëndë shëndetin. Agathonas Lakovidhis, një këngëtar grek nëpërmjet muzikës së tij dhe fjalëve të një kënge ka dënuar vrasjen e Kudret Kumit dhe paburrërinë e 15 gardianëve grekë, që e torturuan të shkretin deri sa e çuan të vdesi atë. Por le të vazhdojmë më tej me ato që kam përgatitur për ju të nderuar dëgjues të ALBANIA FM...

Vetëvarja e 13-vjecarit, të afërm: U ndikua nga fletushkat e dëshmitarëve të Jehovait

Pse e vrau veten 13-vjecari? Kjo është pyetja që tashmë po i mundon familjarët e të voglit Bledar Xhajxha, që u gjet i vetëvarur në sektorin ‘Rinia” në Durrës. Jo vetëm në familjen Xhajxha me origjinë nga Dibra, por edhe tek të afërmit, banorë të fshatit Rinia dhe në të gjithë Durrësin ka shkaktuar hidhërim të thellë vetëflijimi i 13-vjeçarit. Bledar Xhajxha, nxënës i klasës së gjashtë. Shokët e tij e kanë gjetur të varur në degën e një peme fiku, pak metra pas banesës ku jetonte me nënën e tij, pak para perëndimit të diellit, ndërsa mësohet se minoreni nuk kishte asnjë problem apo konflikt në familje në shkollë. Të afërmit e tij kanë hapur dyert e mortit. Ata tregojnë për momentet sesi e kanë gjetur të varur shokët, që e thërrisnin për të luajtur. “Ka qenë me shokë, ka luajtur e ka qëndruar me ta gjithë ditën. Në mbrëmje një prej fëmijëve i thërriste, ‘O Bledar, O Bledar, hajde të luajmë me top’. I thoshte që, ‘pse nuk më përgjigjesh, pse je mërzitur me mua?’. Nuk e dinte se ai ishte varur. Luante ditë për ditë me fëmijët”,- shprehet një prej të afërmve. Sipas familjarëve, shkaku është ende i paqartë. Ata besojnë se Bledi mund të ketë pasur idenë, se mund të ringjallesh, ashtu siç citojnë disa fletushka të shpërndara nga dëshmitarët e Jehovait. “Gjetëm buletinet e dëshmitarëve të Jehovait, dhe për ato dyshojmë. Ai nuk ka pasur asnjë problem në shkollë. Ka qenë fëmijë i shkathët, por jo grindavec. I vetmi shkak që mund ta ketë çuar në vetëflijim, është ndikimi nga broshurat e Jehovait. I gjetëm në banesë. Në një prej tyre thuhej se Jezusi ka vdekur duke perënduar dielli dhe ka shkuar në parajsë. Fashikulli thoshte se, pas vdekjes do të ringjallet prapë. E kishte pranë vetes atë fashikull. Ashtu siç thoshte fashikulli ka vepruar, ka varur veten. Po bëhet propagandë ndaj fëmijëve, të ndalohet kjo gjë”. “Djali ishte në klasë të gjashtë dhe ka qenë shumë i lëvizur. Nuk dihet si ka menduar, është absurde se pas vdekjes do të rikthehej nga parajsa. Bledi ishte i katërti i katër djemve, më i vogli i tyre”,- thotë një prej xhaxhallarëve. Pasi kanë mësuar lajmin e hidhur, i ati dhe dy vëllezërit e Bledarit janë kthyer me shpejtësi nga Greqia, ku punonin si emigrantë prej vitesh. Me lot në sy vëllai i madh tregon se si është lajmëruar. “Na thanë hajdeni se ka varur veten, Bledi. Ishim në Greqi dhe për gjithë natën udhëtuam. Kisha tre ditë që isha larguar, nuk kishte asnjë problem, e lashë mirë si gjithmonë pas asnjë shqetësim asgjë s’kishte nuk i mungonte asnjë gjë. Ne nuk kemi as probleme ekonomike dhe as probleme apo konflikte në familje apo me njerëz të tjerë". Por familjarët i bëjnë apel strukturave të shtetit të veprojnë. “Apeli jonë është që prokuroria t’i zbardhë këto ngjarje kaq të rëndë. Nuk ka pse të rrinë duarkryq, kemi të gjithë fëmijë. Jemi të trishtuar se çfarë na kanë parë sytë dje. Të gjithë kanë fëmijë dhe duhet që shteti të hetojë për të zbardhur shkaqet. Fëmijët ndikohen nga telenovelat, nga broshuarat e Jehovait. Ndalojini!’. Janë rreth 13 raste vetëvrasjesh në vite të ndryshme për të cilat akuzohen drejtpërdrejt Dëshmitarët e Jehovait nga të afërmit e viktimave, ku 9 prej tyre janë nën moshën madhore, pra fëmijë... nuk mund të vazhdohet kështu dhe këta njerëz të na trokasin nëpër dyert tona dhe të bezdisin vazhdimisht. Në Fushë-Krujë fëmijët e një shkolle i kanë denoncuar haptas pikërisht për këto fjalë, që kush vdes do të shkojë në parajsë... me çfarë tagri i thonë këto fjalë këta njerëz.. si mund t’i çokan këta njerëzit në parajsë?...

Sekui i jep “lamtumirën” Shqipërisë: Vendi po bën progres drejt BE-së

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi ka zhvilluar sot takimet e lamtumirës me përfaqësues të politikës shqiptare. Ambasadori Sequi do të largohet nga delegacioni i BE-së, për të marrë një pozicion kyç në Ministrinë e Jashtme Italiane, atë të shefit të kabinetit të kësaj ministrie. Ambasadori ka marrë pjesë sot në takimin e kryeminsitrit Rama me ambasadoret e vendeve europiane në vendin tone, dhe më pas ka zhvilluar një takim me kreun e opozitës si dhe është përshëndetur edhe me ministrin e Jashtëm Bushati. Në takimet e tij, ambasadori është shprehur se përgjatë tre viteve të qëndrimit në Shqipëri si ka parë progres të vendit në rrugëtimin drejt BE-së. Ettore Sequi ka mbajtur postin e kreut të delegacionit të BE-së në Tiranë që prej janarit të 2011-ës. Ndërkaq në rrethet politike dhe mediatike qarkullon një variant tjetër për largimin e Sekuit nga Shqipëria. Janë zhdukur pa lënë gjurmë nja 900,000 euro dhe ato shefat e vet po e largojnë me shumë lezet nga Shqipëria. Me siguri që kush vjen këtu edhe infektohet nga pazaret e pista, se nuk është i vetmi funksionar i huaj që përflitet për marrje ryshfeti. Ka edhe shumë të tjerë, por e veçanta e këti është se po largohet me faqe të bardhë e me tufa lulesh....

Gazetarja Irena Vreto në gjendje të rëndë, UGSH: Thirrje kryeministrit për fond kurimi

Gjendja e rëndë shëndetësore e gazetares Irena Vreto, me një karrierë prej katër dekadash mbi supe, ka ngjallur reagimin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Kreu i këtij Unioni Aleksander Çipa ka bërë thirrje direkte për kreun e qeverisë, ministrin e Shëndetësisë dhe sensibilizim për opinionin publik. “Ne reagojmë në emër të koleges, në emër të jetës së saj dhe shëndetit të saj për një kontribut nga shumë aktorë të shoqërisë shqiptare. Së pari i drejtohemi qeverisë së Shqipërisë, kryeministrit Edi Rama, ministrit të Shëndetësisë, që të përfshihet edhe kolegia jonë me një kontribut gati 40 vjeçar në gazetarinë e vendit për të shpëtuar jetën e saj.”- u shpreh kreu i Unionit të Gazetarëve. Sipas Çipës, kjo fushatë për mbledhjen e ndihmës financiare do vijojë edhe më tej. “Unioni i Gazetarëve Shqiptarë nga kjo konferencë për shtyp paralajmëron dhe i fton ministrin e Shëndetësisë, që ditën e shtunë në orën 11:00, ne para Ministrisë së Shëndetësisë të dalim së bashku në një reagim ku të konfirmojmë një ndihmë konkrete dhe reale për shpëtimin e jetës dhe shëndetit të koleges Irena Vreto. Ftojmë të gjithë gazetarët shqiptarë të bëhen pjesë e këtij sensibilizimi. Ne i konfirmojmë asaj jo vetëm solidaritetin profesional dhe prej koleges, por mbi të gjitha solidaritetin human, njerëzor.”- deklaroi Çipa. Familjarët kanë vënë në dispozicion edhe numrin e llogarisë bankare: Union Bank IBAN no AL60214411030410315521020113, për të gjithë ata që duan të bëjnë diçka për të siguruar shëndetin e gazetares së mirënjohur Irena Vreto. Kush ka mundësi të japi sadopak mirë është. Dora që jep është më e mirë se sa dora që merr- thuhet në një hadith.

Shuhet shkrimtari Gabriel Garcia Marquez, fitues i çmimit “Nobel”

Ka ndërruar jetë shkrimtari me famë botërore, Gabriel Garcia Marquez. Autori i shumë librave dhe fitues i çmimit “Nobel”, u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare nga pneumonia, sëmundje që e vuante prej kohësh. Lajmi për vdekjen e shkrimtarit kolumbian është bërë i ditur nga familjarët për mediat e huaja. 100 vjet vetmi dhe Dashuri në kohërat e kolerës janë dy vepra të mirënjohura të këtij shkrimtari kolumbian në gjuhën shqipe. Aty ai dukshëm shkëputet nga realiteti për të krijuar një tjetër realitet magjik. “Koha kalon pa bërë zhurmë...” është një nga thëniet e arta të këtij gjeniu të letrave botërore. E kështu koha kaloi pa bërë zhurmë për të dhe ndërron jetë duke lënë një trashëgimi të pasur për letërsinë botërore dhe për të gjithë ata që duan të lexojnë një libër.

Shpërthim tritoli në derën e Komisariatit të Fushë Krujës

Sulmet me tritol në Fushë-Krujë nuk kanë të ndalur. Një sasi eksplozivi është hedhur mbrëmjen e sotme në derën e pasme të Komisariatit të Fushë-Krujës, fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar uniformat blu, të cilët kanë nisur hetimin për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. Shpërthimet seri me eksploziv në Fushë Krujë kanë alarmuar policinë. Më 20 janar të këtij viti, rreth orës 19:00 dhe më 3 mars po në të njëjtën orë është sulmuar me tritol godina e komisariatit të policisë së Fushë-Krujës. Sapo bien rehat policët e Fushë-Krujës iu hedhin pak tritol për t’i vënë në lëvizje. Ndërsa lajmi më i keq për rendin ishte ai i rrahjes së policëve në Lushnje. Kjo që po ndodh me forcat e rendit është një zhvlerësim i imazhit të uniformës, i cili po dëmtohet dita-ditës edhe më rëndë. Kjo dëmton edhe efikasitetin e goditjeve nëpërmjet operacioneve të ndryshme policore. Në këto muaj të parë të këtij viti është krejtësisht e patolerueshme kjo që po ndodh.

Shqiptarët e Odesës që duan Rusinë, por jo ndarjen e Ukrainës

Ndonëse jeton në Ukrainë, Piotr Kirpikut i pëlqen të bëjë humor me faktin, se në fshatin e tij ukrainasit janë pakicë. Rreth 200 vjet më parë, fshati Zhovtneve u themelua nga shqiptarë, gagauzë dhe bullgarë, të ndihmuar edhe nga politikat shtetërore cariste. Truallin për të ngritur një fshat ua dhuroi Perandoresha ruse e kohës: Katerina II, e cila kishte nevojë për krah pune të kualifikuar dhe popullsi të re për të populluar tokat e djerra. Emocionet për Moskën mes fshatarëve janë të forta këtu, më të forta se në Kiev. Dhe ankthi i tyre po vjen duke u rritur për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve. “Ka mbështetje shumë të madhe për Rusinë këtu”, thotë Kirpik. Gjysma e 2,800 banorëve të Zhovtneve janë shqiptarë etnikë. Ata jetojnë kryesisht përgjatë bregut lindor të Lumit Karasulak. Në anën tjetër të lumit jetojnë kryesisht gagauzët, një grup me origjinë turke, që gjendet më shumë përtej kufirit, në Moldavi, ku edhe gëzojnë autonomi rajonale. Fshati ka 11 grupe etnike, mes tyre edhe moldavianë, rusë dhe bjellorusë. Kirpik, i cili është gjysëm shqiptar e gjysëm gagauz thotë se flet lirisht pesë gjuhë të huaja. Ajo që e shqetëson atë është e ardhmja e gjuhës ruse në Ukrainë. Por jo vetëm puna e gjuhës. Në pamje të parë duket sikur je në një fshat të zakonshëm të rajonit Odesa. Por nëse sheh më me kujdes do të zbulosh shtëpi që janë të stërgjatura, të mbështetura nga njëra anë me kollona. Janë shtëpi tradicionale shqiptare, që ngjajnë me një seri dhomash që ndjekin njëra-tjetrën. Ja që edhe shqiptarët me dashje apo pa dashje janë përfshirë në konfliktin ruso-ukrainas. Më e bukura është se bëjnë tifozllëk për Putinin dhe Rusinë dhe dashkan më tepër Ukrainën. Si gjithmonë njerëzit reagojnë çuditshëm....

Shënimi i JAVËS

Vazhdimisht kronika e zezë na ka përcjellur aksidentet rrugore me pasoja vdekjen e njerëzve të ndryshëm. Po marrim shkak nga një aksident i ndodhur së fundmi ku një djalë i ri përplasur dy gra të moshuara. Dy gratë e moshuara kanë humbur jetën në periferi të Korçës, pasi janë përplasur nga një automjet. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur, se ngjarja ka ndodhur në Lagjen 10 të qytetit, kur dy gratë ishin duke kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Gjithashtu mësohet se makina Benz i ka përplasur për vdekje kalimtaret dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka identifikuar drejtuesin e mjetit dhe ka bërë të mundur arrestimin e tij pak minuta pas aksidentit. Një rast shumë i dhimbshëm, por që na vendos para shumë problemesh njëkohësisht, ku secili kërkon vëmendje të posaçme. Mungesa e dritave dhe terreni i lagët mendohet të kenë qenë nga faktorët e aksidentit. Gratë kanë qenë të moshuara dhe shoferi me sa duket ka qenë një djalosh i ri dhe i paduruar në timon. Situata përkeqësohet më tej, sepse ai largohet nga vendngjarja, duke mos dhënë asnjë ndihmë të parë për të moshuarat, të cilat po përjetonin grahmat e fundit. Pavarësisht se djaloshi ndalohet shumë shpejt nga policia, ky është një tregues i rëndë për rendin në përgjithësi. Fenomeni i mësipërm është më shumë shoqëror dhe si i tillë duhet trajtuar. Nëse shoqëritë perëndimore janë të suksesshme në këto 50 vitet e fundit është se ato kanë treguar kujdes për rendin, duke u munduar të parandalojnë fenomenet dhe jo vetëm duke i ndëshkuar ligjërisht abuzuesit e rendit. Ikja e djaloshit tregon edhe mungesë mëshire për dy gratë e moshuara dhe jo vetëm dëshirën e tij për t’i shpëtuar policisë dhe dënimit që do të pasojë. Mungesa e dritave tregon mungesë vëmendje të pushtetit lokal për komunitetin. E kështu me radhë do të rendisnim një seri problemesh. Ndërkaq një bilanc duhet bërë dhe përgjegjësit kryesorë nuk duhet të jenë vetëm ata që kanë qenë shkaktarët e drejtpërdrejtë të këtyre aksidenteve. Një shikim i thelluar duhet të hidhe edhe pse kanë ndodhur dhe si kanë ndodhur këto aksidente. Edukimi, shkollimi, sensibilizimi, respektimi i rregulloreve rrugore duhet të sillet në vëmendje të qytetarit. Ato që kanë nevojë më tepër për edukim dhe sensibilizim janë moshat e reja. Kujdesi për moshën e tretë nuk mund të bëhet vetëm në ndonjë ditë të caktuar, ku nuk mbetet njeri pa shkuar në azilet e pleqve dhe janë politikanët dhe pasanikët e këtij vendi të parët ata që i kanë çuar në azilin e pleqve prindërit e tyre. Po të shkosh në azil secili prej atyre pleqve ka një histori të veçantë e të dhimbshme. Ne vazhdimisht iu kemi përcjellur lajme nga valët e radios tonë për aksidente të ndodhura në rrugët e vendit, ku viktima kanë qenë moshat e mëdha. Ku me pak pasoja e ku me më shumë pasoja, këto aksidente kanë sjellë dëme. Ajo që është shqetësuese është se asnjë segment i shoqërisë tonë nuk po merret seriozisht me këtë fenomen. Rrugë të reja janë shtruar plot, vizimet e tyre dhe shenjat në rrugë janë vendosur rregullisht, por përsëri aksidentet kanë ndodhur. Megjithëse në rrugët kryesore të qyteteve tona i gjen vijat e bardha të këmbësorëve një pjesë e madhe e njerëzve nuk kalon aty. Po ashtu edhe drejtuesit e automjeteve i shohin kalimtarët në rrugë dhe askush prej tyre nuk e ka ndjenjën, që t’i japë përparësi këmbësorit, të ndalojë e të presë sadopak që të kalojë këmbësori. Është e nevojshme krijimi i një kulture që na mungon dhe këtë ne duhet ta nisim nga vetja. Etika dhe moralet e mira janë premisat e duhura nga duhet të nisim gjithçka. Respekti ndaj të moshuarve dhe ndaj fëmijëve duhet të zërë vend tek të gjithë, se nuk është e largët dita kur secili prej nesh do të moshohet dhe do të ketë nevojë për ndihmë. Dikush duhet t’i kishte zgjatur dorën atyre grave që vdiqën dhe i pari duhet të ishte ai djaloshi që i përplasi me Benzin e vet. Unë jam Roald Hysa dhe ky ishte shënimi i javës që kisha përgatitur për ju dëgjues të ALBANIA FM radios. Ju përshëndes me selam të gjithëve dhe qoftë java që vjen një javë e paqshme për të gjithë. Vazhdoni të rrini në shoqërinë e emisioneve tona, ku mund të gjeni ushqimin tuaj shpirtëror. Deri javën tjetër selamu alejkum.


Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit