Shënimi i JAVËS


Shënimi i JAVËS


Vazhdimisht kronika e zezë na ka përcjellur aksidentet rrugore me pasoja vdekjen e njerëzve të ndryshëm. Po marrim shkak nga një aksident i ndodhur së fundmi ku një djalë i ri përplasur dy gra të moshuara. Dy gratë e moshuara kanë humbur jetën në periferi të Korçës, pasi janë përplasur nga një automjet. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur, se ngjarja ka ndodhur në Lagjen 10 të qytetit, kur dy gratë ishin duke kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Gjithashtu mësohet se makina Benz i ka përplasur për vdekje kalimtaret dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka identifikuar drejtuesin e mjetit dhe ka bërë të mundur arrestimin e tij pak minuta pas aksidentit. Një rast shumë i dhimbshëm, por që na vendos para shumë problemesh njëkohësisht, ku secili kërkon vëmendje të posaçme. Mungesa e dritave dhe terreni i lagët mendohet të kenë qenë nga faktorët e aksidentit. Gratë kanë qenë të moshuara dhe shoferi me sa duket ka qenë një djalosh i ri dhe i paduruar në timon. Situata përkeqësohet më tej, sepse ai largohet nga vendngjarja, duke mos dhënë asnjë ndihmë të parë për të moshuarat, të cilat po përjetonin grahmat e fundit. Pavarësisht se djaloshi ndalohet shumë shpejt nga policia, ky është një tregues i rëndë për rendin në përgjithësi. Fenomeni i mësipërm është më shumë shoqëror dhe si i tillë duhet trajtuar. Nëse shoqëritë perëndimore janë të suksesshme në këto 50 vitet e fundit është se ato kanë treguar kujdes për rendin, duke u munduar të parandalojnë fenomenet dhe jo vetëm duke i ndëshkuar ligjërisht abuzuesit e rendit. Ikja e djaloshit tregon edhe mungesë mëshire për dy gratë e moshuara dhe jo vetëm dëshirën e tij për t’i shpëtuar policisë dhe dënimit që do të pasojë. Mungesa e dritave tregon mungesë vëmendje të pushtetit lokal për komunitetin. E kështu me radhë do të rendisnim një seri problemesh. Ndërkaq një bilanc duhet bërë dhe përgjegjësit kryesorë nuk duhet të jenë vetëm ata që kanë qenë shkaktarët e drejtpërdrejtë të këtyre aksidenteve. Një shikim i thelluar duhet të hidhe edhe pse kanë ndodhur dhe si kanë ndodhur këto aksidente. Edukimi, shkollimi, sensibilizimi, respektimi i rregulloreve rrugore duhet të sillet në vëmendje të qytetarit. Ato që kanë nevojë më tepër për edukim dhe sensibilizim janë moshat e reja. Kujdesi për moshën e tretë nuk mund të bëhet vetëm në ndonjë ditë të caktuar, ku nuk mbetet njeri pa shkuar në azilet e pleqve dhe janë politikanët dhe pasanikët e këtij vendi të parët ata që i kanë çuar në azilin e pleqve prindërit e tyre. Po të shkosh në azil secili prej atyre pleqve ka një histori të veçantë e të dhimbshme. Ne vazhdimisht iu kemi përcjellur lajme nga valët e radios tonë për aksidente të ndodhura në rrugët e vendit, ku viktima kanë qenë moshat e mëdha. Ku me pak pasoja e ku me më shumë pasoja, këto aksidente kanë sjellë dëme. Ajo që është shqetësuese është se asnjë segment i shoqërisë tonë nuk po merret seriozisht me këtë fenomen. Rrugë të reja janë shtruar plot, vizimet e tyre dhe shenjat në rrugë janë vendosur rregullisht, por përsëri aksidentet kanë ndodhur. Megjithëse në rrugët kryesore të qyteteve tona i gjen vijat e bardha të këmbësorëve një pjesë e madhe e njerëzve nuk kalon aty. Po ashtu edhe drejtuesit e automjeteve i shohin kalimtarët në rrugë dhe askush prej tyre nuk e ka ndjenjën, që t’i japë përparësi këmbësorit, të ndalojë e të presë sadopak që të kalojë këmbësori. Është e nevojshme krijimi i një kulture që na mungon dhe këtë ne duhet ta nisim nga vetja. Etika dhe moralet e mira janë premisat e duhura nga duhet të nisim gjithçka. Respekti ndaj të moshuarve dhe ndaj fëmijëve duhet të zërë vend tek të gjithë, se nuk është e largët dita kur secili prej nesh do të moshohet dhe do të ketë nevojë për ndihmë. Dikush duhet t’i kishte zgjatur dorën atyre grave që vdiqën dhe i pari duhet të ishte ai djaloshi që i përplasi me Benzin e vet. Unë jam Roald Hysa dhe ky ishte shënimi i javës që kisha përgatitur për ju dëgjues të ALBANIA FM radios. Ju përshëndes me selam të gjithëve dhe qoftë java që vjen një javë e paqshme për të gjithë. Vazhdoni të rrini në shoqërinë e emisioneve tona, ku mund të gjeni ushqimin tuaj shpirtëror. Deri javën tjetër selamu alejkum. 

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit