Java në një ditë - ALBANIA FM – 12 prill 2014



Java në një ditë –
12 prill 2014


Selam alejkum të nderuar dëgjues të ALBANIA FM radio, unë jam Roald Hysa dhe ky është emisioni im i përjavshëm tashmë Java në një ditë. Ditët ikin, por edhe javët ikin si pa kuptuar, hallet shkojnë e vijnë e përsëriten pothuajse me të njëjtin ritëm. E shkuara rikthehet, flitet shumë për të, por njerëzit e përkujtojnë pa vënë mend nga ato që kanë ngjarë. Vazhdimisht përkujtohet fakti që hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore u shpëtuan nga muslimanët, e për më tepër u fshehën në xhami, por vetë hebrenjtë tashmë po sillen më keq se nazistët me Palestinën, Gazën dhe Bregun Perëndimor. Qarkullojnë shumë epitete ofenduese dhe për buzëse për çifutët në të gjithë Evropën, po ashtu edhe këtu te ne, të cilat po më vijnë ndërmend tashti. Ndërkaq nuk ka qenë kjo gjë bumi i kësaj jave. Një SMS që i atribuohet kryeministrit ka sjellë përplasje të forta në parlament e komisionet e tij, si dhe gazetat e kanalet televizive i kanë bërë një jehonë të fortë pro et contra. E gjithë kjo gurgule e ka fryrë akoma më shumë kazanin e politikës, duke na përkujtuar që buka e përditshme e politikës janë pikërisht këto gjëra. Nuk mund të rrimë pa një çikë debat, pa konfrontim. Lazarati dhe tritoli janë dy emra që kanë vazhduar të lakohen gjatë të gjithë kësaj jave në kronikën e zezë. Madje kryetari i komunës së Lazaratit i ka kërkuar ministrit të mos vazhdojë të bëjë shou me Lazaratin. Akuzat sa nga njëri krah në tjetrin kanë qenë shumë të ashpra, por edhe ato që kanë ngjarë nuk kanë qenë të pakta. Gjithsesi po ju përcjellim atë që kemi përgatitur për këtë radhë...

Shqipëria, një vend musliman që shpëtoi hebrenjtë në xhami

"Shqipëria, një vend musliman, që shpëtoi mijëra hebrenj". (“Das muslimische Land, das Tausende Juden rettete”) Ky është titulli, që në gazetën prestigjioze gjermane “Die Welt” duke trajtuar bujarinë e shqiptarëve gjatë kohës së nazizmit. Shkrimi nis me historinë e familjes hebreje të Johanna Neumann. Në shtatorin e 1943, para se të persekutoheshin nga nazistët, hebrenjtë u larguan për në Shqipëri. Vendi i vogël i mbrojti ata, sepse banorët e saj ndjenë kodin e lashtë të mikpritjes. Një prej tyre ishte edhe Johanna Neumann. Ajo ka lindur në vitin 1930 në Hamburg. Shtatë vjet më vonë, prindërit e saj vendosën të iknin. Me tren, familja shkoi në Itali, e më pas një anije i solli ata në Shqipëri. Ndërkohë, Mbreti Ahmet Zogu ishte si shumica e shtetasve të tij, musliman. “Ne ishim të mirëpritur e me krahë hapur dhe gjetëm shume shokë shqiptarë", thotë Johanna Neumann, e cila sot jeton në Washington DC, transmeton “Presheva jonë” shkrimin tek "Die Ëelt". Madje edhe atëherë, Shqipëria ishte në fakt një protektorat italian dhe vendi më i prapambetur në Evropë. Ajo nuk kishte hekurudha dhe kishte vetëm disa qindra kilometra rrugë të asfaltuara, vështirë për lidhje telegrafike dhe me pak shkolla të mesme. Deri para rënies së Musolinit dhe marrjen e kontrollit gjerman në shtator 1943, Hebrenjtë që ishin në territorin e Mbretërisë së Shqipërisë mundën të shpëtonin dhe u ndien të sigurt. Prej rreth 2.000 refugjatësh, 300 ishin hebrenj, që kanë jetuar në atë vend. Por ndryshe nga shtetet e tjera naziste të tilla si Kroacia, ku përveç serbëve dhe hebrenjtë u persekutuan me përgjakje, në Shqipëri ata mbetën të patrazuar. Të gjithë shqiptarët u mbështetën në “Kanun”, kodin shqiptar të nderit, që u miratua gojarisht brez pas brezi. Në këtë Kod përfshihet një virtyt, që është quajtur “besa shqiptare". Me besë ishte shumë e lehtë që të merrej një i huaj, për ta ndihmuar atë, duke përfshirë edhe mbrojtjen e jetës. Kush do të dorëzonte një të huaj në nevojë do të ishte i pandershëm".  Fillimisht familja e Johanna Neumann ishte vendosur në një xhami, e më pas ajo u zhvendos fshehurazi në një vend tjetër. Më vonë atë e mori një familje muslimane për të jetuar me ta. Ndërsa babai i saj ishte fshehur në një shtëpi, në një fermë në fshat, Johana dhe nëna e saj jetonin bashkarisht me famljarë të tjerë. Kjo ka ndodhur me shumë hebrenj. Të tjerët ishin vendosur në spitale apo stacione. E pra, shumë reklamë po ju bëhet shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri dhe besës që treguan shqiptarët asokohe, ndërkaq pasardhësit e këtyre hebrenjve, të cilët janë edhe përgjegjësit për ngritjen e Izraelit, duhet t’i bëjnë një thirrje këtij shteti të mos i vrasi dhe të mos i persekutojë palestinezët në Gaza, Bregun Perëndimor e Izrael. Të mos veprojnë ashtu si u sollën persekutorët e tyre nazisto-fashistë.... 

Nishani: Frenoni sulmin politik. Tahiri, dacibao kineze ndaj meje

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me anë të një analize me titull “Mbi përgjegjësitë” i bën thirrje qeverisë të ndalë urgjentisht shantazhimin e gjyqtarëve dhe sulmet politike në adresë të tij. Reagimi i kreut të shtetit, vjen si përgjigje ndaj letrës që ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i dërgoi pak ditë më parë, ku i kërkonte të nxiste KLD-në që të shqyrtojë vendimin e gjyqtarëve Edmond Gogo, Fatmira Hajdari dhe Gramoz Levanaj për të lënë në detyrim paraqitje Gjin Nikën i cili u vra rreth një javë më parë. Dacibaot apo fletërrufetë në shqip i kishim harruar, por ja që na i solli ndërmend politika. Revolucioni kulturor i viteve 70 të shekullit kaluar, nuk mund të harrohet kollaj nga ata që i kanë përjetuar ato vite të vështira.

Shkodër, bllokohen 4 mina me telekomandë dhe arsenal armësh, dy në pranga

Sekuestrohen katër mina me telekomandë në qytetin e Shkodrës. Gjatë këtij operacioni të ndërmarrë nga policia, u bllokuan në cilësinë e provave materiale, 4 copë mina me telekomandë, 6 copë kapsolla elektrike, aksesorë ndihmës për vënien në funksionim të minave me telekomandë, 4 armë zjarri pistoletë, rreth 30 fishekë pistoletë, 50 fishekë automatiku dhe një silenciator. Ndërkohë, u bë e mundur arrestimi në flagrancë i dy shtetasve, Pjetër Babaj, 58 vjeç, banues në lagjen “Tre heronjtë” të qytetit të Shkodrës dhe Lulëzim Toska, 36 vjeç, banues në lagjen “29 nëntori”të qytetit të Shkodrës. Çfarë me thanë mor shok... TRITOL

Noka: Mesazhi i Ramës “vrasjet u dyfishuan”. Tahiri: SMS-ja ime, ua dërgova vartësve

Një mesazh telefonik, i bërë publik nga ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka, i cili pretendon se është nisur nga kryeministri Rama në drejtim të ministrit Tahiri, ka ngjallur debate të forta në komisionin hetimor të ngritur për largimet, lëvizjet dhe emërimet në Policinë e Shtetit. Sipas deputetit Noka, kryeministri Rama konstaton rritje të vrasjeve gjatë muajit mars, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe i kërkon ministrit Tahiri të marrë masa. Nga ana e tij, Ministri Tahiri deklaroi se mesazhi në fjalë ekziston, por është nisur nga telefoni i tij në drejtim të vartësve. Më pas Tahiri u pyet për shkarkimin e punonjësve të policisë, ku ministri theksoi se ‘largimi i tyre ishte i merituar dhe se ata nuk duhet të kthehen më në detyrë’. 
Po kështu dhe rreth arrestimit të babait të tij, Bashkim Tahiri. Një pyetje specifike iu drejtua dhe për sms-në, që Tahiri pranoi se e ka dërguar tek vartësit dhe nuk është marrës i kësaj të fundit. Tahiri i pohoi komisionit se gjendja në muajin Mars vërtet ka qenë e rëndë, porse performanca e policisë sot është dyfish më e mirë se një vit më parë. Debati herë ashpërsohej dhe herë me tone të buta, ku nuk munguan as batutat.
Sipas Nokës, ja SMS e plotë e Ramës ndaj Tahirit
"Nga muaji mars 2014 dyfish vrasje krahasuar me muajin Mars 2013, gjithashtu janë përkeqësuar gjithë treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët dhe shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues statistike. Kjo nuk është kurrkund ajo që ke marrë përsipër përballë qytetarëve, pra si unë edhe ti. Është e përsëritur thirrja për hir të punës dhe dashamirësisë njerëzore karshi teje, por ky kufi nuk mund të shkelet me neglizhencë fatale si ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë nuk jam shumë larg së menduari se problemi je ti dhe jo vartësit e tu dhe nëse janë të paaftë ata, nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty. Unë besimin që të kam dhënë, detyra dhe pritshmëria e publikut se meritojnë gjëkundi këtë pritshmëri. Flasim nesër për më tepër, por këto orë që kanë mbetur bëj më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar, cnuk bëre mirë e cdo bësh për të riparuar në qoftë se mundesh". Sipas një analisti opozita ka rënë në kurthin e pozitës duke i bërë pa dashje reklamë kryeministrit me gjithë këtë gurgule që solli kjo SMS. A thua të jetë edhe kjo?!!!... njëra dorë lan tjetrën, të dyja së bashku lajnë fytyrën...

Skandali me “Crown agents”, shpenzon 400 mijë euro për mjete që ndalohen nga BE

“Crown Agents” duket se e ka nisur punën me një hije të madhe skandali. "Kompania britanike, që po asiston doganat shqiptare në mbledhjen e të ardhurave, ka shpenzuar plot 400 mijë euro për të blerë automjete që nuk plotësojnë as nivelet minimale ruajtjes ndaj mjedisit, madje ndalohet të qarkullojnë në vendet e Bashkimit Europian"- bëhet me dije në një kronikë televizive të "Vizion plus". Në kronikë thuhet që dokumentet tregojnë, se kompania që ka si qëllim të reduktojë evazionin në doganat shqiptare, e ka nisur punën duke falsifikuar dokumentet pikërisht në doganë. “Crown agents” ka blerë 10 automjete “Land Rover defender”, që do të shërbejnë gjatë punës në terren. Por këto makina kanë hyrë në Shqipëri me parametra të ndryshuar. Duke ju referuar këtij dokumenti, këto karakteristika tregojnë se makinat me të tillë parametra kanë një certifikatë euro 2, dhe jo euro 5 sikundër ka deklaruar kompania britanike në doganë. Automjete të tilla me certifikatë euro 2 përdoren në vendet si Pakistan, Indi apo në shtetet e Afrikës, pasi kanë një nivel të lartë ndotjeje. Tenderi për blerjen e këtyre automjeteve është organizuar nga një zyrë ligjore “Kalo & Associate”. E meqenëse një nga kushtet paraprake të tenderit ishte fakti që automjetet duhej të ishin të kategorisë mjedisore euro 5, firma fituese që ka sjellë 10 automjetet për të kapërcyer këtë pengesë ka falsifikuar dokumentet pasi i ka futur makinat në portin e Durrësit. Në tender morën pjesë 5 kompani, katër prej të cilave i kanë dërguar një letër ankese “Crown agents”, ku i kanë argumentuar falsifikimin, që ata pretendojnë se ka ndodhur në këtë tender, duke bërë që firmat të skualifikon padrejtësisht. Automjetet e mbërritura nga Anglia dyshohet se kanë kushtuar më lirë, pikërisht për ndikimin e rëndë që kanë në mjedis. Vetë kompania britanike thotë se është në dijeni të shqetësimit të ngritur nga ofertuesit, por është në fazën e investigimit të çështjes dhe me pas do të ketë edhe sqarimet e nevojshme për skandalin në fjalë. Me siguri që pas hetimit të bërë nga vetë Crown agents do të dalë në dritë e vërteta. Kështu ia kanë varur mëlçitë ujkut në qafë dhe ai do t’i rregullojë me siguri.

Bumçi: MM të japë shpjegime për përfshirjen e ushtrisë në trafikun e drogës

Nga selia blu, ka reaguar deputeti Aldo Bumçi, i cili i bëri thirrje Ministres së Mbrojtjes të mos fshihet pas deklaratave mediatike. Bumçi i ka kërkuar këtij institucioni të bëjë transparencën mbi përgjegjësitë e institucionit që drejton në lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës, nëpërmjet vënies në dispozicion të infrastrukturës së forcave të armatosura. “Partia Demokratike është thellësisht e shqetësuar për këtë dhe për dëmtimin e rëndë që i bëhet reputacionit të vendit në sytë e aleatët tanë euroatlantikë. Deri në këtë moment Ministrja e Mbrojtjes ka refuzuar të përgjigjet në lidhje me këtë çështje. Në këto kushte, ne i kërkojmë zonjës Ministre të Mbrojtjes, të shprehet qartë”-ka thënë gjatë fjalës së tij Bumçi. Deputeti Bumçi i ka drejtuar disa pyetje, ministres Kodheli, duke evidentuar faktin nëse ajo është në dijeni të shqetësimit për përdorim të mundshëm të infrastrukturës së forcave të armatosura në trafikun e drogës. Një tjetër pyetje ishte nëse ministrja ka informacion se si ka ndodhur që kjo strukturë e rëndësishme e shtetit, pjesë e NATO-s, është përdorur në trafikun e drogës. Duke marrë shkas nga këto probleme, Bumçi i është drejtuar ministres se çfarë masash ka marrë ajo përballë këtyre ngjarjeve të rënda. “Ne i kërkojmë zonjës ministre të bëjë publike sa më shpejt informacionin që ajo ka. Kjo do të ishte në shërbim të interesit publik, transparencës, në shërbim të forcave të armatosura dhe të shtetit shqiptar.”- përfundon deklaratën deputeti Bumçi. Edhe kjo kishte mbetur për t’u bërë, tashmë droga e Lazarati së bashku me Croën Agents janë të lidhura apo nuk janë të lidhura me njëri tjetrin veç një Zot e di...


Shënimi i JAVËS

Shumë gjëra e kanë shqetësuar publikun shqiptar gjatë të gjithë javës që shkoi, dhe ne pjesën më të rëndësishme të tyre ua përcollëm më sipër. Politika dhe ngjarjet e kronikës së zezë janë si buka që hamë për ne gazetarët, por ajo që do të doja të sillja në vëmendjen e gazetarëve dhe të gjithë opinionit në këtë shënim redaksional është vrasja e Kudret Kumit alias Ilia Karelit. Shumë është përfolur e diskutuar mbi këtë të gjorë dhe torturat e vuajtjet që hoqi ai deri sa dha shpirtin në qelitë famëkëqija greke. Shumë dhimbje e ankesa ka pasur nga familjarët dhe ajo që është më shqetësuese janë fotot e bëra, ku duket qartas si drita e diellit çfarë ka pësuar Kudreti nga duart e fëlliqura të gardianëve e policëve shovinistë grekë. Imtësi tragjike përveç letrës së fundit që i drejtohej nënës së vet kanë dalë pikërisht nga mediat greke, të cilat me dashje apo pa dashje i kanë hedhur benzinë zjarrit. Dita ditës si në një film tragjik makabër na janë përcjellë me besnikëri edhe nga mediat tona horroret e pësuara nga Ilia apo Kudreti, siç e ka emrin e tij të vërtetë. Një udhëtim tragjik ishte ai i sjelljes së trupit, por akoma edhe më i dhimbshëm e më tragjik ishte udhëtimi i zemrës së shkulur, e cila erdhi shumë ditë më pas dhe kjo me këmbënguljen e vëllait të Kudretit. Më pëlqen më shumë ta thërres me emrin e tij të vërtetë Kudret, se sa me atë që u detyrua ta zëvendësojë. Ti je mysliman do të më thoshte dikush, prandaj edhe kërkon ta thërrasësh Kudret. Jo, nuk është ashtu, mua më pëlqen ta themi të vërtetën ashtu siç është, dhe jo ashtu si shtrembërohet nga halli. Hollësitë tragjike të vdekjes së Kudretit përbëjnë zemrën e lajmeve të kësaj jave, por ato na përkujtojnë shumë gjëra njëkohësisht. Njëra prej tyre është edhe ajo etike; a nuk mund t’ia kishim kursyer të gjitha këto horrore familjes së vet, e sidomos nënës së vet të gjorë... foto që u shpërndanë nga të gjitha mediat tona, së bashku me komente të shumta. U gjeneruan pafundësisht në FCB dhe Tuiter, bënë xhiron e botës mbarë. Këto foto e hollësitë shqetësuan jo vetëm nënën e Kudretit, por të gjithë nënat e atyre bijve që punojnë në Greqi për një jetë më të mirë dhe tremben tashmë. Asaj nëne dhe të gjitha nënave tona duhet t’ua kishim kursyer këto horrore. Zemrat e nënave janë të dobëta në këtë drejtim.
Shumë shqiptarë gjenden në burgjet greke, dhe ne nuk jemi një popull engjëjsh. Ajo që ka sjellë shqetësim në opinion ka qenë edhe mos-reagimi i Ministrisë së Jashtme së paku me një deklaratë formale proteste. Nga detyrimet kushtetuese të qeveritarëve tonë është edhe kujdesi ndaj qytetarëve jashtë vendit. Ne jemi në pritje, ne presim që koha ta shërojë këtë plagë të vazhdueshme tonën. Ky ishte shënimi ynë që kishim përgatitur për ju kësaj radhe të nderuar dëgjues të ALBANIA FM radio. Ky ishte emisioni JAVA NË NJË DITË, unë jam Roald Hysa nga 90,4 mgh, mirë u dëgjofshim përsëri dhe vazhdoni të qëndroni me emisionet tona... selam alejkum


Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit