Java në një ditë ALBANIA FM radio 5 prill 2014


Java në një ditë

5 prill 2014

SELAM ALEJKUM  të nderuar dëgjues të ALBANIA FM radios. Unë jam Roald Hysa dhe ky është emisioni im i përjavshëm “Java në një ditë” me aktualitetin tonë të përditshëm e të përjavshëm. Padyshim që ditët ikën përsëri dhe ne ja ku u takuam në valët tona fm 90,4 mgh. Një nga një si ditët mund të numërojnë dhe ngjarjet e ndryshme që na kanë goditur kësaj jave. Një nga ngjarjet më tronditëse të të gjithë kohëve të fundit ishte edhe ajo e vrasjes së Kudret Kumit alias Ilia Karrelit, e cila ka qenë në fokusin tonë gjatë gjithë kësaj jave. Për ditë ka pasur diçka të re, për ditë na është goditur veshi me gjëra të reja, por dhuna dhe vrasja e Ilias me të vërtetë kanë qenë të jashtëzakonshme. Dikush vuri tritol përsëri, por tashti tritoli është bërë një tipar i zakonshëm, saqë nuk po shqetëson njeri. Edhe një shashkë më parë i shqetësonte njerëzit, megjithëse vetëm zhurmë bënte. Tashmë nuk na bën përshtypje. Policia arriti të hynte në Lazarat dhe t’u jepte këshilla kalamajve, se si t’i këshillonin prindërit e tyre për të hequr dorë nga mbjellja e bimës së hashashit. Ministra dhe funksionarë të lartë të shtetit kanë dalë nëpër botë duke kërkuar ndihmë ndaj korrupsionit. Një hua 300 milionëshe ka shkaktuar debate të forta në parlamentin shqiptar- ta marrim, mos ta marrim, ta marrim, mos ta marrim... FMN akoma nuk e ka lëvruar këstin e parë, i cili do të mbulonte nevojën e madhe të tregut shqiptar për para kesh. Ngjarjet politike ndërthuren me jetën shoqërore të njerëzve dhe ndikojnë në të gjitha drejtimet. Ndërkaq shumë drejtues të rinj të policisë kufitare janë të skeduar për trafiqe ilegale drogash dhe në mesjavë një nga të përditshmet do të botonte një e-mail të kryeministrisë, ku iu kujtonte se do të kishin probleme drejtuesve të dikastereve të ndryshme në rast mosdeklarimi. Gjithsesi shumë nga këto halle do t’i ndiqni në vijim dhe pa humbur kohë po vazhdojmë ...

Ekspertiza: Ilia Karelit i shkulën zemrën në Greqi, Prokuroria nis hetimet

Skandal grek me vdekjen e Ilir Karelit. Shqiptarit që vrau gardianin në burgun e Malandrinos i është shkulur zemra dhe nxjerrë njëri sy. Torturat çnjerëzore që i shkaktuan vdekjen në qelitë e burgut të Nigritës janë konfirmuar nga ekspertët e mjekësisë ligjore, të cilët, me urdhër të Prokurorisë së Fierit i bënë autopsinë të ndjerit, Ilir Kareli alias Kudret Kume. Hetimet për rastin në fjalë, nisën pas denoncimit, që bëri vëllai i viktimës, i cili këmbëngulte, se 40-vjeçari kishte gjetur vdekjen nga torturat çnjerëzore, që i ishin bërë në qelitë e burgut. Ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë nxjerrë në dritë fakte të tjera tronditëse, që dëshmojnë dhunën barbare dhe të pamëshirshme ndaj Karelit, i cili goditi për vdekje me thikë gardianin Jorgos Cironis, pasi nuk iu dha leje të takonte nënën. Sipas ekspertizës paraprake rezulton, se kufoma e Karelit është dhunuar barbarisht. Skandali duket se merr përmasa të mëdha, pasi ekspertët e mjekësisë ligjore kanë konstatuar se të ndjerit Kareli i ishte shkulur zemra. Gjithashtu, mjekoligjorët kanë konstatuar thyerje të kafazit të kraharorit të viktimës, mungesë të thonjve, shputat e këmbëve të të ndjerit ishin të thyera, ndërsa shputat e duarve, të djegura dhe të lidhura me zinxhir. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, rezulton se Ilir Kareli ka pasur dëmtime të mëdha në kokë. Një tub metalik i është futur në pjesën e pasme të kokës dhe i ka dalë në sy, duke ia nxjerrë tërësisht. Torturuesit kanë tentuar t’i shkulin dhe organet gjenitale. Nga hetimet e deritanishme për vrasjen e shqiptarit Ilia Kareli në burgjet greke, është mësuar se 42-vjeçari u rrah egërsisht nga 4 ish-komando. Sakaq, sot nis seanca e parë gjyqësore për 15 gardianë të akuzuar për rrahje. Prokurori në Serres Gjeorgji Toutonutzi tha se “U bëj thirrje të gjithë të akuzuarve, të kërkoni falje nesër”. Por a mund të kalohet e gjithë kjo tragjedi me një falje të thjeshtë? Amnesty International pas kësaj ngjarjeje deklaroi se dhuna dhe rrahjet e të burgosurve nëpër burgjet greke është një tipar i zakonshëm. Po ashtu është racizmi që shfaqet rëndom në kurriz të emigrantëve të huaj. Shqiptarët kanë vite që e ndjejnë në kurrizin e tyre, e sidomos kur edhe duan të sjellin kursimet e tyre për t’i investuar në atdhe. Qeveria dhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë duhet të kishin dalë me një deklaratë për këtë ngjarje të dhimbshme e tragjike, por deri tashti heshtje...

Mirush Kabashi magjeps Kosovën

“Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit", monodrama e interpretuar nga Mirush Kabashi, ka ngjallur emocione të forta në Prishtinë. "Të qash dhe të qeshësh në të njëjtën kohë, kjo është mjeshtëria e një aktori i cili nëpërmjet interpretimit të tij të bën t'i përjetosh të dyja këto ndjenja në sekondën më të shkurtër", shkruan një e përditshme. Sipas gazetës, të njëjtën gjë bëri edhe aktori i mirënjohur shqiptar Mirush Kabashi me interpretimin e tij në monodramën e autorit francez Eric Emmanuel Schmitt, "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit", e cila u shfaq para një numri të madh të publikut, disa ditë më parë, në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Dashuria njerëzore ndërmjet një çifuti dhe një myslimani, të cilët ishin komshinj në një nga lagjet e Parisit, ka qenë njëra ndër mesazhet kryesore të kësaj monodrame, e cila u prezantua në kuadër të Javës Frankofone atje. Mjeshtëria e transformimit të personalitetit në shtatë karaktere të ndryshme për një kohë shumë të shkurtër bëri që publiku në sallë të magjepsej nga interpretimi i jashtëzakonshëm i aktorit Mirush Kabashi. Monodrama trajton jetën e një çifuti në Paris të quajtur Moisi, i cili kishte fqinj një mysliman të quajtur Ibrahim. Ai kishte një dyqan ushqimor, ku banorët e lagjes e quanin "dyqani i arabit". Moisiu, që ishte braktisur nga nëna e tij menjëherë pas lindjes, në moshën e adoleshencës braktiset edhe nga babai, i cili pas një kohe kryen vetëvrasje. "T'i respektosh njerëzit është detyrë, por t'u falësh dashuri është mirësi", ishte kjo, njëra ndër këshillat e shumta që zotëri Ibrahimi i jepte djalit të tij të birësuar, Moisiut, e që më vonë do të vdiste po në duart e tij, pas një aksidenti me veturë që Ibrahimi pësoi. Vdekja e Ibrahimit në fundin e monodramës ishte ai momenti që bëri jo vetëm sytë e aktorit të mbusheshin me lot, por edhe një pjesë të të pranishmëve në sallë, të cilët u emocionuan nga mjeshtëria e aktorit Kabashi, i cili, për ta realizuar në mënyrën sa më të mirë këtë monodramë, ka punuar pesë vite me radhë. Ky ishte udhëtimi i Moisiut për t’u kthyer në Musa, i cili disa vite më parë okupoi edhe skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Të skeduar nga BE-ja për trafik droge Drejtorët e Policisë Kufitare

Sipas Arben Hajdarmataj ish drejtorit të policisë kufitare të Durrësit personat e emëruar në kufi janë të skeduar në Bashkimin Evropian për trafik droge. Ish krerë te policisë akuzojnë drejtuesit e rinj të kufirit, se kanë hapur portat e trafikut të drogës me vendet fqinje. Sipas Hajdarmatajt edhe pse policia mund të parandalojë këtë trafik, portat detare dhe tokësore vazhdojnë të jenë të pamonitoruara, duke bërë që sasi të mëdha droge të kalojnë kufirin. Të skeduarit për trafik droge janë emëruar në postet më të larta të kufirit shqiptar duke riaktivizuar sipas ish krerëve të policisë, linjat e trafikut me vendet fqinje. Arben Hajdarmataj deklaron se tonelatat e drogës të sekuestruara në Itali dhe Greqi faktojnë trafikun, korrupsionin, si dhe paaftësinë e policisë. Në dy operacione të ndryshme në Greqi dhe Itali u kapën mbi 300 kilogramë marijuanë, e cila vinte nga Shqipëria. Sipas autoriteteve të dy vendeve grupi shqiptar i rrjetit të trafikantëve prej kohësh transportonte drogë drejt Greqisë nëpërmjet Igumenicës, ndërsa në Itali bashkëpunonin dhe me familje mafioze. Akuza të rënda këto që vijnë nga një ish-drejtues, po më parë nga lëvizte droga. Ironike është se drejtues të policisë kanë shkuar në Lazarat, duke iu kërkuar fëmijëve të ndalojnë baballarët e tyre të mbjellin hashashin...

Naço-kryeprokurorit të Përgjithshëm të SHBA: Luftë korrupsionit, FBI të na ndihmojë

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço zhvilloi takime të nivelit të lartë, në kuadër të vizitës zyrtare që po bën ai në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në takimin e radhës Ministri Naço është pritur nga Zv/Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së z. James M. Cole, të cilit i ka kërkuar ndihmën e FBI për trajnime dhe veprime operacionale të përbashkëta. Sic bën të ditur zyra e shtypit e MD, gjatë diskutimit Ministri Naço e ka informuar z. Cole lidhur me rëndësinë që do të kishte prezenca e FBI-së për trajnime dhe veprime operacionale të përbashkëta. “Jemi të vendosur për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet dhe me çdo mjet. Paketa ‘Antikorrupsion’ do të na ndihmojë për ta dekurajuar këtë fenomen”, theksoi Naço. Z. Cole ka përshëndetur reformat ligjore antikorrupsion dhe e ka inkurajuar Ministrin Naço për t’i vijuar ndryshimet e nevojshme në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurave Penale. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, duke sjellë si model Njësitë e Përbashkëta Hetimore. 
Shkëmbimi i informacionit është cilësuar nga z. Cole, si një element i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sic bëri të ditur zyra e shtypit, Naço i ka kërkoi z. Cole vazhdimësinë e mbështetjes përmes programeve të ndihmës në fushën e drejtësisë, nëpërmjet organizmave të OPDAT, ICITAP dhe USAID, ndërsa ka shprehur mirënjohjen për kontributin e këtyre programeve në drejtim të thellimit të proceseve reformuese. Ndërkohë, më herët Ministri Naço ka zhvilluar takime edhe me kongresmenët Gary Peters dhe Eliot Engel, ku ndër të tjera ka diskutuar edhe mbi proceset integruese të Shqipërisë. Gjatë takimit Ministri Naço ka kërkuar nga kongresmenët edhe krijimin e mundësive për lehtësimin e regjimit të vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Antikorrupsioni nuk është thjesht një betejë ligjore dhe nxjerrja e ligjeve. Përpara se të bëhen këto gjëra duhet arsimuar rinia dhe populli, dhe kjo më kujton një shqetësim të Hafiz Dalliut, i cili gati për çdo numër të gazetës së tij DAJTI fliste vazhdimisht për arsimimin e popullit. Kohët ndryshojnë, por kjo kërkesë mbetet e njëjtë...

Totozani: 384 të larguar nga puna Nuk zbatohen vendimet e Gjykatës

Anëtarët e Komisionit të Ligjeve dhe të Sigurisë në një seancë të përbashkët kanë dëgjuar raportin vjetor të Avokatit të Popullit, Igli Totozani. Kreu i këtij institucioni ndër problemet që shqetësojnë qytetarët ka nxjerrë në pah edhe të larguarit nga administrata shtetërore, ku për vitin 2013 numërohen rreth 384 punonjës të larguar. Për këtë çështje Avokati i Popullit po përgatit edhe një raport të posaçëm, që do të dorëzohet së shpejti në Kuvend. "Sensibiliteti i madh që ka patur gjatë kësaj periudhe çështja e administratës publike është në përfundim të një raporti të posaçëm mbi situatën në administratën publike të cilën do ta keni në parlament brenda disa ditësh. Na rezulton 384 persona të larguar nga shërbimi civil në Shqipëri. Njerëzit janë larguar nga puna pa paralajmërime, pa periudhën e duhur të njoftimit, që mund të jetë dy muaj deri në 3 muaj. Në përgjithësi nuk ju njihet vjetërsia në punë. Por një problem i madh dhe i rëndësishëm është dhe elementi i fundit i vendosjes së një të drejte, që është zbatimi i një vendimi gjyqësor", tha Totozani. Në raportin e Avokatit të Popullit, vend të veçantë zënë edhe ankesat ndaj policisë së rendit dhe asaj rrugore. "Problematika të rasteve të konstatuara në 2013 konsistojnë kryesisht në keqtrajtim dhe kryerje të veprimeve të dhunshme ndaj qytetarëve apo dhe gjatë shoqërimit në ambientet e policisë. Vendosje e gjobave administrative në mungesë nga policia rrugore, por pa zbatuar procedurën e njoftimit sikurse parashikohet në nenin 139 të Kodit Rrugor." u shpreh Avokati i Popullit. Probleme të tjera mbeten edhe dëmshpërblimet e të persekutuarve apo zvarritjet e marrjes së pagesave, për të cilat Avokati i Popullit ka rekomanduar që të vendoset afat. Nuk është thjesht largimi i këtyre njerëzve nga administrata e re dëmtim i të drejtave të tyre qytetare. Këta persona po i fitojnë gjyqet me ish-punëdhënësit e tyre, dhe kjo sjell për pasojë edhe një faturë financiare, të cilën do ta paguajë buxheti i shtetit. 384 pranon Avokati, por opozita thotë se janë 2,500, e kjo nuk është shaka... apo është një shaka shumëmilionëshe me buxhetin e Shtetit.

Berat, shpërthen një automjet, policia: Pranë u gjet 1 celular me disa tela

Një automjet ka shpërthyer të premten në Berat, fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se në momentin e ngjarjes automjeti, tip “Benz” ishte i vendosur para ish-Kombinatit të Tekstileve. Pas hetimeve të para, ekspertë të policisë dyshojnë se shpërthimi ka ndodhur si pasojë e vendosjes së një sasie të vogël eksplozivi. Policia sqaron se pronari i mjetit ka qenë në lëvizje në momentin që ka dëgjuar një shpërthim poshtë automjetit. Vetë i zoti i automjetit gjeti pranë tij një celular me disa tela. Celulari ishte vendosur në marmitën e mjetit, por është shkëputur dhe ka rënë në tokë. Sipas policisë rënia e celularit bëri që të mos shpërthente lënda eksplozive e lidhur me të. Ndërkohë hetimet për zbardhjen e ngjarjes vazhdojnë. Pronari i makinës është  marrë në pyetje për të mësuar, nëse ka patur ndonjë konflikt që mund të ketë lidhje me shpërthimin në automjetin e tij. Tashmë biznesmenët para se të vozisin mjetet e tyre duhet t’i kontrollojnë ato. Po ashtu duhet të lejnë dhe amanetet, se ky qytetari beratas shpëtoi për fat, po sikur të mos shpëtonte dot...

....


Kjo puna e amanetit do parë me vëmendje nga të gjithë, ku i dihet se si shkojnë punët... e pra kemi hyrë tashmë në fundjave dhe shpresojmë, që do të kalojë mirë për të gjithë. Ndoshta ndonjë shfaqje si ajo “Lulet e zotit Ibrahim” do të na e këndellte gjendjen tonë shpirtërore. Porse ju kujtoj, se ushqim për shpirtin dhe jetën e përditshme do të gjeni në programet e përditshme të radios tonë. Kjo është ALBANIA FM radio në 90,4 mgh, unë jam Roald Hysa dhe kjo ishte pjesa e parë e emisionit “Java në një ditë”. Në pjesën e dytë do të vazhdojmë bisedën me të ftuarën tonë Armanda Kodra
. Mos u shkëputni, por vazhdoni të rrini me ne...

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit