Shënimi i JAVËS Albania fm

Kujtim Kaziu

Shënimi i JAVËS

Kësaj jave të nderuar dëgjues do të doja të sillja në vëmendjen tuaj një nga problemet sociale të pazgjidhur akoma i shtrirë në një kohë të gjatë prej 23 vjetësh. Normalisht jo se nuk ka qenë në vëmendje, por ngjarjet e fundit na i risjellin në vëmendje, jo vetëm mua por për të gjithë opinionin e gjerë publik. Një ish i burgosur politik tenton të vetëdigjet përpara Parlamentit. Ish- të burgosurit ishin mbledhur në një protestë përpara Parlamentit, dhe po kërkonin me ngulm të drejtat e tyre. Kujtim Kaziu një nga ish-të dënuarit politikë që pret të marrë këstin e parë të dëmshpërblimit tashmë të njohur ligjërisht nga qeveritë shqiptare të pas demokracisë ka dashur të vetësakrifikohet duke u djegur me benzinë. Pas problemit të pronave në Shqipëri ky është problemi i dytë më shqetësues, që i përket shoqërisë shqiptare dhe qeverive. Është një problem gjithashtu me një buxhet të madh financiar, kur dihet që janë më se 15,000 persona që në sasi të ndryshme monetare presin ta marrin këtë dëmshpërblim për punën e papaguar në burgje e internime. Problemi i pronës dhe i dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë kanë disa lidhje të përbashkëta. Të dy i lidh fatura financiare, që duhet të paguajë shteti për të dyja këto kategori njerëzish dhe kjo është një faturë e rëndë buxhetore. E dyta që i lidh këto probleme, se vetë këta persona apo trashëgimtarët e tyre kanë qenë ish-pronarë tokash, por edhe ish-të dënuar apo të përndjekur politikë. Kujtimi na përkujtoi varfërinë e tij dhe borxhet monetare, por nuk është vetëm ai që po përjeton momentet e krizës. Ajo që deri tashti nuk kanë arritur të marrin ish të burgosurit politikë është satisfaksioni moral dhe integrimi i tyre i natyrshëm i tyre në shoqërinë e  re demokratike. Ky është një shqetësim i tyre i ligjshëm, kur kujtojmë këtu se çfarë hoqën baballarët tonë nëpër burgjet e zeza të komunizmit, në një kohë kur e gjithë Shqipëria u shndërrua në një burg të madh ideologjik. Kur të gjithë ishin të internuar dhe internoheshin pasivisht. Nuk do të mjaftonte thjesht një faturë e rëndë financiare, e cila edhe sikur të merrte një zgjidhje ekonomike nuk do t’i lehtësonte shpirtrat e vrarë të këtyre njerëzve. Ata janë plakur e thinjur përpara kohe dhe kërkojnë ndonjë lek për të mbyllur njërin nga shumë hallet që ata kanë sot, si të gjithë njerëzit e tjerë. Ndërkaq unë do të vëreja se sot akoma nuk janë zbardhur përmasat e atij eksperimenti gjenocidal, që i kushtoi jetën drejtpërdrejt rreth 15,000 shqiptarëve, por që me pasojat e shkaktuara pati efekte mbarëkombëtare. E si mund të harrojmë ato qindra kosovarë, që për t’i shpëtuar regjimit serbosllav të Kosovës vinin për të gjetur shpëtim këndej dhe përfundonin burgjeve e internimeve. Akoma nuk dimë një numër të saktë të atyre hoxhallarëve që përfunduan burgjeve, pse ishin të tillë. Familjarët e hafiz Xhemal Naipit akoma nuk i kanë gjetur dot vendin ku është varrosur ai për të shkuar te varri e t’i bëjnë një lutje. Po ashtu hafiz Mustafa Varoshi, i cili vdiq për shkak të rrahjeve e torturave të pësuara. Hoxhallarëve ua shkulën mjekrat qime për qime nëpër tortura për t’i gjunjëzuar. E këto gjëra nuk janë thënë akoma publikisht dhe nuk kanë marrë vëmendjen e duhur. Ai regjim ka marrë një dënim moral publik, që i takon me të drejtë. Ndërkaq nuk shohim një dënim publik ndaj regjimit komunist dhe partisë komuniste, e cila udhëhoqi gjenocidin më të madh në historinë e re të Shqipërisë. Ky do të ishte satisfaksioni më i madh për të gjithë këtë shtresë. Kurdo që të vijë ai do të ishte i mirëpritur për të gjithë ne. Më mirë vonë se kurrë thotë populli. Ah të mos harrojmë, edhe ato paratë e dëmshpërblimeve na duhen...

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit