Haxhi 2001




Kujtime nga Haxhi i vitit 2001


Aeroporti i Rinasit kishte me të vërtetë një gjallëri të veçantë atë ditë, mbi njëqind persona ishin të përgatitur shpirtërisht që të udhëtonin drejt tokës së shenjtë në Meke, të Arabisë për të kryer detyrimin e pestë: Vizitën në shtëpinë e shenjtë, Haxhin. Ëndrra e çdo muslimani. Të jesh një herë të paktën në atë tokë për ta vendosur ballin përdhe në shenjë nënshtrimi ndaj Zotit të Madhëruar. Mbi njëqind e sa shqiptarë do të ishin mysafirët e Zotit në Qaben e Madhnueshme. Distanca Tiranë-Athinë ishte me të vërtetë e shkurtër dhe nuk u ndje fare se si kaloi. Njerëzit prisnin më tepër dhe nuk e ndjenë udhëtimin. Athina dhe aeroporti i saj ato ditë ishin kthyer në një stacion ndërmjetës përdrejt Xhides dhe ku takoheshin aty besimtarë nga e gjithë bota që i ishin drejtuar Mekes për kongresin mbarëbotëror të Haxhit. Terminali i tranzitit ishte plot. Shqiptarë, amerikanë, gjermanë, të gjitha llojet e ngjyrave që prisnin për t’u nisur në Xhide dhe faleshin apo lexonin Kuran, gjithsecili sipas asaj që kishte programuar. I veshëm ihramet dhe në të gjithë aeroportin dallonte ngjyra e bardhë e tyre. Pas një pritjeje relativisht të gjatë u nisëm drejt Xhides dhe mbrritëm pas 3 orësh e gjysëm. Në terminalin e haxhit gjithçka ndryshonte nga aeroportet e tjera, megjithatë pas kryerjes së proçedurave të zakonshme, të cilat mbaruan vonë pas mesit të natës u nisëm drejt Mekes dhe pas një ore udhëtimi mbrritëm në vendqëndrimin tonë. Pasi lamë bagazhet dhe u rregulluam në dhomat tona, menjëherë ne, një grup i vogël prej gjashtë vetash, u nisëm për të kryer Umren. Ishim pak larg nga Qabja dhe mbrritëm pak para faljes së mëngjesit. Autobuzi na la menjëherë pas daljes nga tuneli “Abdylaziz”, na u desh të ecnim pak në këmbë dhe pasi u kthyem pak djathtas, përballë nesh u shfaq hyrja kryesore e Xhamisë së Qabes (Haremi Sherifi) me dy minaret e saj madhështore. Një dritë qumështore i ndriçonte minaret dhe i gjithë vendi ishte i ndriçuar si të ishte ditë. U hutuam, na dukej vetja sikur ishim në ëndërr, nuk arrinim të kuptonim në ishim në ëndërr apo realitet. Njerëzit i kishin shtruar sixhadet e tyre të paktën qysh 200 metra larg xhamisë dhe po prisnin që të falnin mëngjesin. Mezi çamë dhe u ngjitëm në katin e tretë nëpërmjet shkallëve elektrike. Pasi zumë vend, pritëm pak dhe e falëm mëngjesin e parë në Qabe. Me të vërtetë që do të mbetet i paharrueshëm ai mëngjes i parë atje. Përpara teje të shfaqeshin lloj-lloj fytyrash të bardha, të zeza, të kuqe etj, të gjitha moshat, qysh nga më e vogla e deri te më i madhi (foshnje djepi e pleq që mezi mbaheshin në këmbë), të shëndoshë e të sëmurë që së bashku i drejtoheshin Zotit në atë vend të bekuar për shpëtim, nga i gjithë globi ishin mbledhur aty dhe këtë e konstatoje brenda një dhjetë minutëshi. Menjëherë zbritëm nga kati i tretë dhe u futëm së bashku me haxhinjtë e tjerë për të kryer tavafin. Ndërtimi i saj ishte me të vërtetë diçka madhështore dhe që nuk kishte të krahasuar me asgjë tjetër në botë. Syri e përjeton ndryshe dhe e dëgjuara është diçka tjetër, shumë më e ndryshme nga realiteti dhe të të jesh i pranishëm në ato çaste në atë vend që është kërthiza e globit tokësor është me të vërtetë diçka e papërsëritshme. Koha qysh në atë çast ndaloi, tashmë ishe vetëm ti si individ përpara Pranisë Hyjnore të Allahut, ku i drejtoheshe me lutjet që ka bërë qysh Profeti me shokët e tij të nderuar dhe ti. I shikoje njerëzit, burra e gra të qanin si fëmijë, dhe aty e kuptoje që si individ nuk ishe më shumë i rëndësishëm se sa një tjetër, e thënë troç e pa dredha e ndjeje veten tënde një hiç, duke humbur çdo pikë qibri, mendjemadhësie, krenarie, hipokrizie etj, dhe nuk të mbetej gjë tjetër veçse t’i luteshe Zotit me përgjërim të të mëshironte. I përcillje Allahut të Madhëruar salavatet dhe lutjet më të zjarrta për Profetin tonë të dashur Muhamedin s.a.v.s. e nuk të bëhej të ikje nga ai vend i bekuar dhe dëshiroje me gjithë shpirt të mos largoheshe prej aty, ngado që të shkoje e ndiqje me sy ndërtesën e Qabes dhe i gjithë qëndrimi aty ishte një emocion i gjallë, i fuqishëm dhe i vazhdueshëm. Por i gjithë qëndrimi atje vazhdoi të jetë i tillë për të gjithë kohën e qëndrimit të haxhinjve dhe për gjithsecilin nga ne ishte i veçantë, ku secili e përjetonte sipas mënyrës së vet. Mbaruam shartet e Umres, premë flokët dhe dolëm e shëtitëm Meken. Të gjitha shqetësimet dhe hallet tona kishin mbetur prapa qysh në çastin kur i hipëm avionit në Tiranë, koha kishte ndaluar dhe asgjë nuk mund të na shqetësonte përveçse nëse vonoheshim në adhurimet e ndryshme. Shumë shpejt erdhi edhe dita për të shkuar në Arafat, Mina etj. Në atë mëngjes rrugët u zbardhën nga ihramet e bardha të haxhinjve, një spektakël i vërtetë. Nuk ngopeshe së pari njerëzit që kalonin atypari me të gjitha mjetet e mundshme. Sipër karrocerive të kamionëve, autobuzëve, në këmbë etj, dhe rruga që zbardhte vetëm në një drejtim. Ishte dita për të shkuar në Mina. Të gjitha procedurat u kryen me përpikmërinë më të madhe, kjo në saje të organizatorëve të WAMY-t dhe studentëve shqiptarë që na shoqëronin; Erionit nga Vlora, Hamzait nga Kavaja dhe Luanit nga Pogradeci. Këto vëllezër na u gjendën pranë në çdo moment dhe na i shpjegonin të gjitha me hollësi. Ku do të shkonim, si do të lëviznim, çfarë do të bënim dhe çfarë do thonim në vende të veçanta. Qysh më përpara, organizatorët e WAMY-t na kishin dërguar për vizitë në Arafat, Mina e Muzdelife, duke na i treguar vendet dhe ritet që duhet të kryenim. I kishim vizituar me kohë shtyllat që simbolizonin shejtanët dhe shoqëruesit e WAMY-t na e kishin treguar historinë se si i dolën tre shejtanë Ibrahimit a.s. dhe donin ta shkëpusnin nga përmbushja e Urdhrit Hyjnor që kishte marrë. Pra, shumë gjëra ne i dinim se ishim të parapërgatitur për t’i kryer ato sa më mirë dhe saktë. I kryem të gjitha detyrimet me sa patëm mundësi (Allahu e di më së miri), i qethëm flokët, kryem tavafin e haxhit, Safanë dhe Mervenë, kryem tavafin e lamtumirës dhe të nesërmen u nisëm për në Medinen e Ndritshme, strehën e fundit të Profetit Muhamed s.a.v.s. Rruga për nga Meka në Medine ishte e gjatë dhe gjatë saj kryem biseda të ndryshme dhe vazhdimisht na u dhanë informacione nga ana e organizatorëve. Përsëri në rrugët e Medines hymë natën ku me të njëjtën madhështi të Qabes na u shfaqën minaret e Xhamisë së Profetit s.a.v.s. Por nëse Qabja e trondiste dhe e fundoste ekzistencën e njeriut Xhamia e Profetit s.a.v.s., i fuste një qetësi dhe i ngjallte mëshirë dhe dashuri çdokujt që hynte në ambientet e saj. Emocionet, kësaj radhe ishin të një natyre tjetër, më qetësisht dhe më të kontrollueshme. Një gjë ishte e sigurtë që vazhdoje të mrekulloheshe dhe s’reshtje së habituri. Xhamia e Profetit s.a.v.s. ishte zmadhuar për herë të fundit në vitet ’80. pikërisht nën drejtimin e mbretit Fahd bin Abdulaziz. Ishte një mrekulli, një perlë e teknologjisë moderne, diçka e papërsëritshme në gjininë e saj. Çdo gjë ishte origjinale dhe ishte e ndërtuar në atë mënyrë që të të sillte vetëm qetësi. Njëkohësisht mund të faleshin 1.000.000 persona njëherësh, ndërsa në Qabe mund t’u falnin 1.200.000 persona. Vetëm e gjerë ishte 2.000 m ose ndryshe 2 kilometra, brenda saj kishte termusa të mëdhej plastikë që nuk rrinin bosh, por mbusheshin vazhdimisht me ujin e Zem-zemit. Kishte 27 kupola, ku secila peshonte 80 ton dhe një sipërfaqe prej 256 m2, pra, 16m X 16m. Kupolat hapeshin e mbylleshin brenda një minute dhe ishte me të vërtetë shumë interesante. Kishte një qendër zëri shumë të fuqishme me 3.800 altoparlantë dhe shfrytëzonin prej tyre 3.000 syresh; normalisht zëri i myezinit dëgjohej deri në 7 km larg, kurse në sabah për shkak të pastërtisë së ajrit shkon edhe në 10 km larg. Më pas pamë çadrat gjigante që hapeshin e mbylleshin dhe kishin një sipërfaqe pothuajse sa ajo e kupolave, ndoshta edhe më të madhe. Xhamia e Profetit s.a.v.s. kishte një personel prej 2.000 vetësh. Kjo ishte një pjesë e vizitës dhe shpjegimeve që na dhanë organizatorët por më e rëndësishmja ishte kur vizituam varrin e Profetit s.a.v.s. dhe të dy Kalifëve të Drejtë, Ebu Bekrit dhe Omerit r.a. Pasi u falëm (dy rekatë nafile), të shoqëruar nga njëri prej imamëve të xhamisë bëmë lutjet e duhura te varri i Profetit s.a.v.s. dhe i dy shokëve të tij të shquar r.a.
Të jesh në Medine do të thotë që të kryesh edhe një seri vizitash të tjera, në vende të rëndësishme për historinë islame. Vizitën e parë në këto vende, e bëmë në kodrën e Uhudit, vend ky që u la me gjakun e 70 dëshmorëve. Xhamia e Kubasë, xhamia e parë e erës islame dhe ta vizitoje atë me qëllimin e vetëm për të falur dy rekate, ishte njësoj sikur të kishe kryer Umren. Bardhësia e saj dhe minaret imponuese iu bënin përshtypje të gjithë besimtarëve që shkonin atje për ta vizituar dhe për të kryer atë çka thënë Profeti s.a.v.s.
E veçantë ishte edhe vizita në Xhaminë e Dy Kibleve ku siç na e shpjeguan studentët shqiptarë në Medine, aty fillimisht janë falur në drejtim të Kudsit por një ditë gjatë faljes së iqindisë Profetit tonë të dashur s.a.v.s., i erdhi urdhri për ta ndryshuar drejtimin për nga Qabja e Madhnueshme. Edhe sot e kësaj dite ka mbetur i vetmi venddrejtimi për të gjithë muslimanët e rruzullit tokësor.
Pas këtyre vizitave organizatorët e WAMY-t na çuan të vizitojmë edhe “Kompleksin e shtypshkronjave të Kuranit Fisnik”. Aty prodhoheshin edhe kompletet e Kuranit në kaseta nga hafizë të ndryshëm dhe kishte hafizë që e kishin mësuar Kuranin me zinxhir transmetimi, gjysh-stërgjyshi, që shkonte deri në kohën e Profetit s.a.v.s.
U larguam nga vendet e shenjta me përshtypje të mrekullueshme, jo vetëm nga ato vende por edhe nga njerëzit që na shoqëruan vazhdimisht në ato ditë të paharrueshme për ne dhe për të gjithë ata 4 milionë njerëz që gjendeshin në Vendet e Shenjta për haxhin e sivjetëm. Kthimi për në Tiranë ishte i rrufeshëm saqë nuk kuptonim se sa shpejt shkuan ato ditë. Porse përshtypjet e haxhit edhe sot që ka kaluar një farë kohe vazhdojnë të jenë të pranishme dhe të ndihen te çdokush prej nesh që Allahu xh.sh. ia bëri rrisk që t’i vizitojë ato vende. Inshallah Zoti të na i ketë pranuar adhurimet.


Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit