Sefer Daja




Sefer Daja, agjitatori komunist dhe Nata e mirë

Sefer Daja ka qenë një nga figurat më të mirënjohura të Tiranës së viteve 1960-1970. Ai ka qenë një bejtexhi me aftësi thumbuese, e sidomos ndaj atyre që tregoheshin mendjemëdhenj me atë pak pushtet që kishin. Për arsye të ndryshme ai përfundoi si punonjës i banjove publike deri sa vdiq. Mirëpo ka mbetur në kujtesën e të gjithë bashkëkohësve si bejtexhi thumbues e hazër-xhevap.
Një agjitator i regjimit komunist kundër zakoneve prapanike, sic njiheshin asokohe të gjitha traditat popullore, dhe që thjesht merrte rrogën në Komitetin Qendror të Partisë shkoi një ditë në mëngjes për të urinuar të banjot ku punonte Sefer Daja. Mbrëmja e asaj dite ishte Natë e Mirë, por për kohën kur flitej ishin të ndaluara nga regjimi jo vetëm festat fetare si Bajram e Pashkë, Netë të mira, Ramazani, por edhe vetë feja. Nuk mund të përmendje asnjë festë fetare, mbasi quheshe i prapambetur, por edhe mund të dënoheshe po të merreshe me to. Ky agjitatori tek po urinonte iu kthye Seferit, që ishte i ulur në minderin e tij dhe po mendohej:
-Agjëron more? Agjëron apo jo?
Seferi që nuk e priste këtë pyetje u habit!
-Çere? Çere thu mre jahu, se nuk po të mor vesht?
-Të pyeta a agjëron, së sonte është Natë e Mirë?
-Hik mre jahu anej, ene tina, se s’kemi ça me vu në sofër, tip o na thu a agjëron! Le po janë lonë tashti këto zakone!
-Ah… ç’jeni ju pleqt e Tiranës, kështu thoni ju, por mbas shpinës, në shtëpi nuk e leni pa e bërë një çikë hallvë, për t’i kujtuar këto zakone prapanike.
-Jo mor jahu, ta thashë që s’kemi ça me vu në sofër, jo mo të bojmë hallvë e ç’thu tina. Janë lonë kto gjona tashti.
-Jo, se Partia na thotë se zakonet prapanike bëhen pengesë për jetën tonë. E pse atëherë duhet t’i ndjekim ne?
Seferi mezi po e duronte propagandën e tij monotone e të mërzitshme, por ai vazhdonte përsëri me të tijën. Jo, si duhet t’i luftojmë zakonet prapanike, jo se duhet t’i përgjigjemi thirrjes së Partisë në këto raste etj.
Seferi e la te llomotiste agjitatorin sa deshi ai vetë dhe në një moment iu kthye me vargjet e tij. Agjitatori u turpërua me vargjet që dëgjoi e që i dëgjuan edhe të tjerët që ishin të pranishëm aty, dhe doli me nxitim të madh pa u përshëndetur fare:
Sonte qenka Nota e Mirë
Hallv nuk bojmë, s’kemi sheqer.
Vetëm muti osht i lirë,
Shko merr tasin e hajde merr...

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit