Kupa “Vllazërimi”



11 vite më parë revista JEHONA nr. 5 2001

U zhvillua në kryeqytet Kupa “Vllazërimi”

Në datat 15-16 shtator 2001 u zhvillua në kryeqytet në Pallatin e Lojërave “Fahrie Hoti”, Kupa “Vllazërimi” për minifutboll midis xhamiave të Tiranës. Në këtë turne dyditor morën pjesë skuadrat e 8 xhamive, ndërmjet tyre edhe ajo që përfaqësonte Komunitetin Musliman, ndërsa të tjerat ishin ato të xhamisë së Tabakëve, Xhyrës, Kokonozit, Dine Hoxhës, Kombinatit, Kamzës dhe El Bakir e Mënikut. Ky aktivitet u bë me qëllimin për t’i bashkuar zemrat e të rinjve, ta njohin njëri-tjetrin nëpërmjet veprimtarive të tilla të përbashkëta e të vllazërohen. Kjo veprimtari rinore u organizua nga Komuniteti Musliman, Sektori i Rinisë në bashkëpunim me shoqatat rinore “Horizonti dhe Kultura”, PIM dhe Jehona. Të gjithë pjesëmarrësit e kishin marrë seriozisht këtë veprimtari dhe kjo u pa edhe në ndeshjet e para eleminatore ku u vu re një lojë e fortë, me shpirt luftarak dhe korrekte. Menjëherë pas hapjes së kësaj veprimtarie dhe një shpjegimi të shkurtër të synimit të kësaj Kupe dhe se si do të zhvillohej ajo filluan ndeshjet e para, përfundimet e të cilave janë këto: El Bakir – Komuniteti Musliman 9-3; Xhyra – Kamza 3-4; Kombinati – Dine Hoxha 10 – 14 dhe Kokonozi – Tabakët 4-3. Ndeshjet më të forta të fazës së parë të turneut qenë ato midis Xhyrës e Kamzës dhe Kokonozi me Tabakët, të cilat përfunduan me një rezultat tepër të ngushtë 4-3. U vu re që skudra e Tabakëve e Kamzës dhe Kokonozit ishin më të përgatiturat e kësaj veprimtarie nga ana atletike dhe teknike.
Më pas u kalua në fazën gjysëmfinale ku shorti kishte vënë përballë Dine Hoxha me Kamzën që përfundoi 5-3 në favor të Dine Hoxhës; dhe Kokonozi me skuadrën e Mënikut El Bakir që mori fund me rezultatin 8-2 në favor të xhamisë së Kokonozit. Pas përfundimit të kësaj faze në finale do të ndesheshin skuadrat e dy xhamive shumë të njohura në Tiranë, Dine Hoxha me Kokonozin.
Ndeshja finale nisi pasditen e datës 16 shtator. Skuadrat e nisën lojën në ekuilibër dhe dukej që po masnin forcat e njëra-tjetrës por shumë shpejt u pa epërsia e xhamisë së Kokonozit që qysh në fund të pjesës së parë kryesonte ndeshjen finale 4-0. Edhe pjesa e dytë vazhdoi luftarake nga të dyja palët, me një futboll të pastër e korrekt. Ndërsa e gjithë ndeshja finale u mbyll me rezultatin 6-2 duke shpallur kështu skuadrën e xhamisë së Kokonozit fituesen e këtij turneu dyditor, e cila e meritoi plotësisht Kupën “Vllazërimi”.
Në mbarim të kësaj ndeshjeje u dorëzuan çmimet ndërsa Kupën e dorëzon në emër të Komunitetit Musliman dhe të organizatorëve ish-lojtari i Medresesë, tashti mësues në Medrese, hafiz Shaban Saliaj. Në mbyllje të kësaj veprimtarie të gjithë pjesëmarrësit e cilësuan këtë turne si të suksesshëm dhe shprehën dëshirën që ky turne të zhvillohet një herë në gjashtë muaj, gjë për të cilën organizatorët Haxhi Lika dhe Roald Hysa shprehën gadishmërinë për ta vazhduar më tej.
Në fjalën e mbylljes z. Roald Hysa falenderoi të gjithë pjesëmarrësit, të ftuar, lojtarë e spektatorë dhe veçanërisht ata të cilët e bënë të mundur financiarisht këtë turne dhe që janë Fondacioni Humanitar “Al Haramain” që sponsorizoi të gjitha kompletet sportive të skuadrave pjesëmarrëse, Organizatën ndërkombëtare rinore WAMY; shoqatën bamirëse “Gjysmëhëna e Kuqe”; “Munazamat Ed-Dave Al Islamia”; Islamic Meat Center; Global Relief; shoqatën rinore Horizonti dhe Kultura; shoqatën bamirëse “PIM” si dhe të gjithë ata që ndihmuan sadopak me kontributin e tyre këtë turne.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit