Meditim




Një meditim i shkurtër

Roald A. HYSA


Në ndriçimin e hënës dhe në dritën e diellit, o Zot, Ti na ke dhënë argumentet e tua. Për çdo ditë që kalon me hënën që ndryshon na ke dhënë argumentet e tua.
Në të gjithë këtë natyrë që ke krijuar, aty i ke vendosur argumentet për ata që e mendojnë. Në zogjtë shumëngjyrësh, në kafshët e gjithfarllojshme, duke nisur qysh nga më të voglat e deri te më të mëdhatë e me milionat e llojeve që ke krijuar. Gjithsesi ato janë një sfidë, qoftë edhe një mizë e vogël është një sfidë e vazhdueshme për ata që e mohojnë; e një mrekulli tjetër për ne. Një zog i vogël gdhihet i uritur e ngryset në darkë i ushqyer e i ngopur pa iu dashur të derdhi djersë, vetëm në sajë të rriskut tënd. Sekush të falenderon sipas asaj që ia ke caktuar o Zot, por secili i pakët është në atë falenderim sado që të mundohet të bëjë më tepër.
O Zot i Gjithësisë, Madhnia Yte nuk ka fund, e trondit njeriun me pafundësinë e saj dhe vështrimi i tij kthehet i molisur nga vetja, i plogështuar, i turpëruar nga pafuqia e tij. Në gjithë këtë kozmos ku yjet i ke vënë t’i ndriçojnë udhën njeriut, një tjetër argument të shkëlqyer ke dhënë për ata që logjikojnë.
Dhe malet madhështorë e hijerëndë dhe fushat e gjëra që ushqejnë njerëzit me begatinë tënde të pafundme, për Madhështinë Tënde të pafund flasin O Zot. Dhe vera e nxehtë me drithin që piqet, dhe vjeshta e freskët me frytet e ëmbla, dhe dimri i ftohtë kur uturin tufani, dhe pranvera me mimozat që flladet i lëkundin duke shpërndarë aromën e këndshme të tyren. Dhe ngado që të shohësh, nuk sheh veçse bukuri, çdo gjë e rregulluar me mirësi.
Pa zgjate vështrimin tënd thellë në horizont o njeri, e pastaj ktheje nga vetja e s’ke për të parë tjetër veç mrekulli.
Po me syrin që sheh, a s’të ka shkuar ndërmend se ku do të ishe pa të. Ku do të shkoje pa këmbë, a do të mundje dot pa duar, zhurmat e natyrës, rrjedhjen e lumit, frushullimën e erës, cicërimat e zogjve në pranverë si do të rrije ti pa i dëgjuar! Në tokë si mund të vendosej sadopak drejtësi po të na mungonte logjika. Çdo ditë rrugës kur kaloj dhe njerëzit në fytyra i shoh se sa të ndryshëm i ke krijuar Ti, O Zot, aq më tepër bindem për Madhështinë Tënde, O i Gjithëmëshirshëm.
Edhe kur gabojnë, mëkatojnë e drejtësi nuk mbajnë, më kujtohen paralajmërimet e tua, O Zot, e aq më tepër bindem në drejtësinë Tënde, O Zot! Edhe masën kur kalojnë, edhe kur të nënshtrohen Ty, edhe kur respektohemi reciprokisht, edhe kur duhemi me njëri-tjetrin, aq më tepër bindem për drejtësinë Tënde, O Zot. Edhe kur i shoh gjithë ato të mira që i ke derdhur mbi njerëzit, gjithë ato mirësi, gjithë ato begati, e disa prej tyre të falenderojnë aq më tepër bindem për butësinë Tënde, O Zot. Ty, të kërkoj falje O Zot, si krijesë e pafuqishme që jam, e më bëj të jem i mjaftueshëm me dhuntinë Tënde, O Zot. O Krijues i Gjithësisë, i Gjithëditur e i Urtë, O Dëgjues e Pranues i Lutjeve të të gjithë besimtarëve, Ty të lutemi dhe Ty të nënshtrohemi me dëshirën tonë, e nga Ty mëshirë kërkojmë O Sundues i Ditës së Gjykimit.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit