Java në një ditë – ALBANIA FM- 10 maj 2014



Java në një ditë – 10 maj 2014


Selamu alejkum të nderuar dëgjues të ALBANIA FM radio nga 90,4 mgh, unë jam Roald Hysa dhe ky është emisioni im Java në një ditë. Ditët e kësaj jave ikën me vrpa dhe përsëri po takohemi në valët e radios tonë. Jeta jonë është bërë shumë intensive dhe të shtu
nën shohim që java iku e na mbetet diçka për të bërë pushim. Ngjarje nga më të ndryshmet na kanë shqetësuar e në fokus të vëmendjes mund të sjellim shumë prej tyre, por vendi dhe koha janë të kufizuara dhe ne do të vazhdojmë me programin tonë. Koleksionisti Gjergji Thimio ankohet nga banka e të akuzuarit, ku e kanë vendosur, se çdo gjë ka qenë e sajuar ndaj tij, dhe se kjo që po i ndodh është një vjedhje e legalizuar. Një i moshuar u mbyt nga zjarri në shtëpinë e vet dhe shumë të tjerë po vuajnë dramën e moshës së tretë nëpër azilet e pleqve. Kreu më i lartë i policisë i trembet babait të Flamur Pislit dhe e dërgon në qelinë e komisariatit. Ka njerëz që jetojnë mbi ligjin dhe njerëz që jetojnë nën ligjin, dhe kjo po shihet rëndom. Ka njerëz që jetojnë për një moral të mirë dhe njerëz që hanë bukë në kurriz të një morali të caktuar. Grushtat dhe nderimi që i bënë deputetët e majtë kujtesës komuniste më 5 maj e tregojnë qartë, se nuk ka ndryshuar gjë për ata, dhe bukën e gojës po e nxjerrin në kurriz të xhaxhi Enverit & co. Ja pra, i paska lënë litarët jashtë xhaxhi dhe deputetët e majtë janë kapur pas litarëve të xhaxhit, si plaku Mere. Një debat i ngjashëm ka plasur edhe në fushën e gjuhësisë, ku një pjesë e gjuhëtarëve tonë i kanë dërguar letër kryeministrit dhe i ankohen se po bastardohet gjuha shqipe e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972. Normal që reflektojnë përgatitjen e tyre politike kur mendojnë se kryeministri do t’i bëjë të heshtin zërat opozitarë. Tashmë dihet që të gjithë shqiptarëve iu imponua si normë letrare e gjuhësore Toskërishtja, megjithëse gjuhëtarët e brezit pararendës kërkuan të fusin të folmen e Elbasanit si normë letrare e gjuhësore, si një e mesme e artë midis Toskëve e Gegëve. Por regjimi monist nuk pyeste fare për gjuhëtarë e nevojat për një të mesme, me të cilën do të afroheshin të gjithë Shqiptarët. E pra Elbasani mund ta bënte dhe mund ta bëjë përsëri një gjë të tillë. Gjithsesi vazhdojmë me problemet tona...

Gjergji Thimio: U prangosa se nuk i dhashë Kokëdhimës ikonën e Onufrit, për Tony Blair

Koleksionisti i veprave të artit, Gjergji Thimio i arrestuar në kuadër të operacionit “Ikona” në tetor të vitit të kaluar ka lëshuar sot akuza të rënda ndaj deputetit të PS-së Koço Kokëdhima. Ai deklaron se arrestimi është bërë për hakmarrje pasi refuzoi të japë ikonën origjinale të Onufrit, të cilën deputeti Kokëdhima donte t’ia bënte dhuratë këshilltarit të kryeministrit Rama, ish- kryeministrit britanik Toniy Blair. Mësohet se Thimio i ka dërguar një letër prej 12 faqesh edhe ambasadorit të SHBA-ve Aleksandër Arvizu, ku i sqaron pretendimet e tij. “Akuzat ndaj meje janë trillim. U prangosa pasi refuzova të jepja ikonën origjinale të Onufrit. Ikona, pjesë e koleksionit tim personal, kushtonte 1 milionë euro ma kërkoi deputeti Koço Kokëdhima, donte t’ja jepte dhuratë ish-kryeministrit të Britanisë Toni Blair. Pas refuzimit tim për t’u dhënë pikturën që e kisha trashëgimi personale, u ngritën akuzat ndaj meje. Kërkoj drejtësi. Nuk jam trafikant, 2300 objekte mungojnë nga muzeu im personal”. Sipas Thimios, arrestimi i tij ka bekimin edhe të kryepeshkopit Anastas Janullatos. “Ishte një operacion famëkeq, tipik banditesk, fashist, i cili u ideua në zyrat më të errëta anti-shqiptare, në zyrat sllavo-greke-ortodokse. Operacioni u drejtua nga Rama e Kokëdhima, u zbatua nga ministri i Brendshëm Tahiri dhe pati bekimin e uzurpatorit të kishave, Janullatos”, tha ai më tej. “Kur Rama ishte Ministër Kulture hapi ekspozitë me veprat e mia”, tha koleksionisti më tej. Dikush po vuan dhe ankimet e tij nuk po merren parasysh. Ndoshta do të dënohet dhe do të dali nga qelitë e burgut i rilindur, siç dalin murgjit asketë nga qelitë e tyre pasi kanë agjëruar e janë vetëtorturuar për të larguar kërkesat e ulëta trupore.

Kreu i Antikorrupsionit përplaset me 2 policë, i bllokuan makinën me targa false

Drejtori i Departamentit të Antikorrupsionit në Kryeministri, Ergys Hoxha është përfshirë pak ditë më parë në një konflikt me dy punonjës të policisë rrugore. Burime zyrtare të Policisë Rrugore bëjnë të ditur se Hoxha ka kërcënuar, fyer dhe shantazhuar dy efektivët rrugorë. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur mbrëmjen e datës 6 maj, kur dy efektivët e policisë kanë konstatuar mjetin tip Audi A5 me ngjyrë të bardhë, të parkuar gabim në zonën pranë urës së Brrylit në Tiranë. Gjatë verifikimit të targës së mjetit me sallën operative të Komisariatit Rrugor ka rezultuar që targa, të cilën e mbante mjeti tip Audi, rezultonte se në sistem i korrespondonte një mjeti tjetër, tip Fiat Punto ngjyrë gri, me pronar një shtetas nga Laçi. Pra sipas policisë, mjeti në pronësi të drejtorit të antikorrupsionit në Kryeministri qarkullonte me targa false, në shkelje të nenit 99 pika 12 e Kodit Rrugor. Në këto momente ka nisur dhe debati mes efektivëve rrugorë dhe Ergys Hoxhës. Ky i fundit i ka sharë, fyer dhe i ka kërcënuar se do t’i hiqte nga puna. Madje, sipas burimeve policore, njërit prej efektivëve Hoxha i ka përplasur në fytyrë kartonin e tij të identifikimit me logon “Kryeministria”. Debati është i filmuar dhe regjistruar i plotë nga sistemi i kamerave, i instaluar disa ditë më parë në mjetet e policisë rrugore, një risi kjo e Ministrisë së Brendshme. Në këto momente efektivët kanë kërkuar nga salla ndihmën e grupit të gatshëm, i cili është kthyer në mes të rrugës, pasi në vendngjarje ka mbërritur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Ervin Hoxha, mik i afërt i drejtorit të Antikorrupsionit. Mjeti Audi A5, ngjyrë e bardhë me targat e një Fiati Punto, aktualisht ndodhet i bllokuar në ambientet e brendshme të komisariatit të Policisë Rrugore. Ndërsa për të zbardhur ngjarjen, është ngritur një grup inspektues pune, nga ana e Drejtorisë së Qarkut Tiranë. Për t’u interesuar dhe mësuar më shumë rreth ngjarjes, për rreth dy orë në ambientet e Komisariatit Rrugor ka qenë edhe drejtori i Policisë së Tiranës Ardian Çipa. Kjo është të jetosh mbi ligjin, dhe ligji nuk të kap ty. Kjo është një shfaqje e rëndomtë sot e gjithkujt që ka në dorë diçka të tillë për ta bërë, deputetë e administratë njësoj veprojnë. Ne duam ta shohim ligjin të zbatohet njësoj për të gjithë.

Akademiku Seit Mansaku: Letra e 20 profesorëve, fyese dhe e turpshme

Po ju lexojmë pak rreshta nga letra e prof. Seit Mansakut mbi debatin e normës gjuhësore të shqipes.
Lexova me vëmendje letrën që 20 profesorë, akademikë, gjuhëtarë, historianë, shkrimtarë e përkthyes i drejtojnë Kryeministrit Edi Rama, në të cilën i bëjnë thirrje “të ndalojë shkatërrimin e shqipes”, botuar në “Gazeta Shqiptare”, 1 maj 2014. Nënshkruesit e kësaj letre janë specialistë të shquar ose të njohur në fushat e tyre, me ndihmesa të shënuara edhe në studimin e historisë, të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare, të letërsisë dhe të përkthimit. Nisma për të mbrojtur e zhvilluar më tej vlerat historike, kulturore e në veçanti gjuhësore në shoqërinë shqiptare është për t’u përshëndetur. Ata tërheqin me të drejtë vëmendjen në rënien e kujdesit institucional, shtetëror e shoqëror ndaj njërës prej vlerave më të mëdha kombëtare, siç është gjuha. Shqetësimi i tyre është i drejtë. Është absolutisht e domosdoshme që gjuhëtarët, lëvruesit dhe përdoruesit e gjuhës në përgjithësi e të standardit në veçanti e sidomos institucionet që e kanë për detyrë studimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe, lëvrimin e saj, gjuhëtarët, shkrimtarët, përkthyesit, gazetarët, politikanët të ndërgjegjësohen për rëndësinë që ka përdorimi korrekt i gjuhës letrare kombëtare të njësuar, ose i gjuhës standarde. Nënshkruesit e letrës drejtuar Kryeministrit, me të drejtë vlerësojnë arritjet e gjuhës shqipe në periudhën 20-vjeçare pas Kongresit të Drejtshkrimit, por paraqesin me nota të zymta zhvillimet gjuhësore të dy dhjetëvjeçarëve të fundit dhe për këtë fajësojnë Akademinë e Shkencave për të dalë më pas te Këshilli Ndërakademik, si krijesë e Akademive shqiptare, që paska hyrë në një “rrugë të rrezikshme”, një e pavërtetë që bërtet. Më habit vërtet një vlerësim kaq i përciptë e i pambështetur për Akademinë e Shkencave që, sipas artikullshkruesve, qenka bërë “bashkëpunuese në goditjen kundër institucionit të shenjtë të gjuhës së njësuar të kombit” dhe çudia më e madhe është se në këtë akuzë të rëndë janë bashkuar edhe ata që kanë qenë pjesëmarrës e protagonistë në veprimtaritë që ka organizuar herë pas here Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave për të mbështetur fort dhe me vepra jo me deklarata mediatike gjuhën letrare kombëtare të njësuar. Këtyre njerëzve iu ka mbetur ora më 1972, kur vendi drejtohej nga partia e punës dhe Enver Hoxha. Këta njerëz harrojnë se përmbi 5 milionë njerëz flasin në gegnisht, duke nisur nga Elbasani e sipër në veri. Harrojnë që është demokraci dhe 5 milionë njerëz duan të flasin gegnisht e të dëgjohen gegnisht.

Deklaroi se është në gjak me Artan Didin, policia e Burrelit shoqëron Nuredin Pislin

Policia e Burrelit ka shoqëruar Nuredin Pislin, pas deklaratës që bëri në News 24, se kreu i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi i ka borxh dy gjaqe, gjakun e djalit dhe të pasagjerit grek. Ai deklaroi se do t’i çonte fjalë Didit.  Pikërisht për këto deklarata pritet të merret në pyetje në policinë e Burrelit. Nuredin Pisli është babai i Flamur Pislit, i riu shqiptar që mori peng autobusin grek 15 vite më parë dhe u vra me snajper nga policët tonë. Ngjarja ka ndodhur në Qafë Krrabë në 28 prill të vitit 1999, ku bashkë me pengmarrësin Flamur Pisli u vra edhe një pasagjer i autobusit. Reagimi i Nuredin Pislit erdhi pikërisht ditën kur në komisionin hetimor për lëvizjet në polici, opozita publikoi një video ku tregonte që Artan Didi udhëhiqte këtë operacion. “Unë sipas Kanunit, tani detyrohem që t’i çoj fjalë Artan Didit, që më ka gjakun e djalit borxh. Më ka jetën e djalit tim, por më ka dhe të grekut borxh. Se më janë vrarë dy djem atje, edhe ai greku që u vra është djali im. Greku s’i vrau, ky i vrau dy djemtë aty. Tani do t’i çoj fjalë Artan Didit ta bëjmë ballë për ballë, që më ke dy gjaqe borxh, edhe të grekut, edhe të djalit tim.”- ka deklaruar për News 24 Nuredin Pisli. “Kam 15 vjet që merrem me drejtësinë, deri tani më ka mashtruar. Kanuni është që burri që është burrë del përballë, të vrava se më pate borxh. Tani Tan Didi, meqë paska vrarë djalin tim dhe grekun, mikun në shtëpi, kërkoj gjak. Grekët paskan pas karamele s’paskan pas armë. Kanuni e ka mbyllu brenda, në mos hajde në shtëpi të merremi vesh.”- deklaroi Nuredin Pisli. Le të kujtojmë me pak rreshta këtu historinë e Flamurit, të cilin e kemi përmendur në emisionet e mëparshme:
HISTORIA E FLAMUR PISLIT
I detyruar nga kushtet e këqija ekonomike në familje, në vitin 1996 Flamur Pisli emigroi në Greqi, ku u punësua nga familja e një polici. Pas dy vjet e gjysmë punë, i riu shqiptar nuk merr frytin e punës dhe djersës së tij. I futur në kurth nga punëdhënësi, Pisli përfundon në burg ku rrihet barbarisht. Del nga burgu dhe kthehet tek polici grek për të marrë paratë që i takonin. Ndërsa ka plagosur policin grek, emigranti shqiptar mori peng një autobus me 8 pasagjerë. Për orë të tëra, Pisli u ndoq nga policia greke deri në kufi dhe më pas nga policia shqiptare në brendësi të territorit tonë. Policia greke dha si garanci pas kërkesës së Pislit shumën prej 50 milionë dhrahmish. Por Flamur Pisli u qëllua për vdekje me snajper në dalje të Elbasanit, në Qafë-Krrabë. Nuk ka nevojë për komente të mëtejshme, Flamuri, Adriatiku dhe Kudret Kumi janë e njëjta histori, janë anë të së njëjtës medalje. Nuk ka rëndësi kush e shkrepi armën, por ai që e urdhëroi. Histori shqiptarësh emigrantë të mbushura me dhimbje...

Stabiliteti i vendit në pikëpyetje, FMN: Problem pronat dhe kriza energjitike

Dy nga çështjet që rrezikojnë stabilitetin e vendit janë problemi që lidhet me pronat dhe kriza në energjetikë. Këto janë dy ndër problematikat që evidenton Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sipas FMN-së, sikur të mos mjaftojë informaliteti në ekonomi dhe borxhi në energjetikë prej 1.1 miliardë dollarë, buxheti i shtetit po kërcënohet serish edhe nga problemi që lidhet me kthimin dhe kompensimin e pronave. “Unë do të rendisja dy kërcënime serioze për qeverinë. E para është çështja ende e pazgjidhur e pronave, ndaj të cilës qeveria duhet t’i japë një drejtim. Dhe së dyti, kriza në energji. Për të dy këto çështje, kostoja e buxhetit është shumë e lartë dhe ato janë kthyer në një kërcënim serioz për stabilitetin ekonomik”. Këtë deklaratë shefi i FMN-së, Nadeem Ilahi e bëri gjatë një prezantimi të marrëveshjes së qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me student të Fakultetit Ekonomik. Vendimet e njëpasnjëshme të Gjykatës së Strasburgut për të drejtat e pronësisë, po i marrin frymën buxhetit, pasi kostot që qeveria duhet të paguajë, arrijnë në miliona euro, ndaj Fondi Monetar Ndërkombëtar i sugjeron qeverisë që t’i japë një zgjidhje këtij fenomeni, pasi faturat nga Strasburgu do të vijnë duke u rritur. FMN-ja na jep borxhin, por na orienton se edhe ku duhet t’i çojmë paratë. Këto dy çështje janë praktikisht të pazgjidhshme na thotë Nedimi, prandaj po vazhdojmë me ato të zgjidhshmet. Mirëpo zgjidhja e problemit të pronave është nga premtimet elektorale më të forta të kësaj qeverisje. Sipas kësaj i bie që vendimet e Gjykatës së Strasburgut të hidhen poshtë, e njerëzit të mos marrin kurrë pronat e tyre. Kjo është fatkeqësia që sjell FMN me vete, borxhin dhe problemin e pronave...

Shënimi i JAVËS

Imazhet filmike dhe fotografike të këtij 5 maji nuk do të harrohen deri në 5 majin tjetër. Deputetë të majtë përshëndetën me grusht dhe nderuan lapidarët e kohës së komunizmit dhe në Varrezat e dëshmorëve. Në hyrje të Varrezave të Dëshmorëve në Tiranë prisnin anëtarët e Partisë Komuniste për të kryer homazhet e tyre për udhëheqësin e tyre Enver Hoxha dhe të rënët e Luftës Nacional Çlirimtare. Këtë rast nuk e humbi edhe politika zyrtare për të bërë politikën e vet me grushtin ngritur dhe me përuljet hipokrite ndaj fotove të Enver Hoxhës dhe të Qemal Stafës, e të tjerë. Kësaj populli ynë i thotë vdis pa të të dua. Nëse Enver Hoxha e vrau Qemal Stafën, sot janë shfaqur në skenë killerat mediatikë, të cilët nuk lejnë rast pa shfrytëzuar për ta vrarë të vërtetën mediatikisht. Të nderuar dëgjues, këto gjëra dhimbshëm na përcjellin mesazhin që politika shqiptare nuk ka arritur të dalë jashtë vetes për të bërë një ndryshim themelor, atë të shkëputjes nga e kaluara kriminale e regjimit monist të Enver Hoxhës dhe praktikave të ulëta, të cilat u krijuan gjatë gjysëm-shekullit të kaluar. Ndërkohë që ish të-dënuarit politikë po kërkojnë me ngulm dëmshpërblimin e tyre Pandeli Majko përshëndet me grusht veteranë e partisë së punës. Ministri i drejtësisë përulet para fotos së enver hoxhës dhe deklaron, qqë nuk e pashë e më mbrapa thotë që unë nuk u përula për enver hoxhën po për Margarita Tutulanin e të tjerë. Kryetari i kuvendit me kurora në duar e me shallin e kuq të partizanit bën shou rrugësh për të dhënë mesazhe të qarta. Këto janë mesazhe që i përkasin një gjuhe pragmatike politikani, por edhe që përfaqësojnë edhe mentalitetin e atij që i lëshon. Po të ishin shkëputur nga e kaluara nuk do të dilnin e të bënin shou. Po të ishin shkëputur nga e kaluara nuk do t’i nxirrnin fëmijët adoleshentë të Përmetit të nderonin me grusht në Varrezat e Dëshmorëve të këtij qyteti famëkeq. Nuk është më qyteti nga anët e Naimit dhe të rilindësve të tjerë, por është qyteti i 24 majit, që pritet shumë shpejt të futet të luajë në Superligën e futbollit shqiptar. Nostalgjikët janë ngritur për t’ia pasuar stafetën brezit të ri, e për katër vjet këta njerëz do të na risjellin ndërmend me fakte të gjalla përjetimet tragjike të asaj kohe të humbur të shqiptarëve. Të përndjekurit sot po presin për një kafshatë bukë, e cila iu takon. Të gjithë Shqiptarët duan të shkojnë në Evropë në qershorin e këtij viti. Të gjithë Shqiptarët presin të bashkohen dhe kufijtë të bien, si për këndej dhe andej kufijve në Kosovë, në Maqedoni e Mal të Zi. Çamëria u shkatërrua e u përgjak, e ne kemi hall të kthehemi në ato kohë kur pikërisht nuk ishim në gjendje ta mbrojmë Çamërinë, kur e dorëzuam Kosovën më 1945, dhe e shitëm përsëri lëvizjen e studentëve më 1981. Për një dorë më shumë vota mund të premtojmë gjithçka, madje edhe t’i ngremë grushtet përpjetë e t’i biem me to kokës tonë. E gjithë bota intelektuale i përcjell me shqetësim këto zhvillime. Shfaqja e klasës udhëheqëse me simbolet e kuqe është një regres politik e intelektual. Dhimbjet e ish-të dënuarve politikë nuk janë shuar ende. Ata brenda vendit të tyre jetojnë në mjerim dhe të pavlerësuar për atë që janë, ndërsa një pjesë e madhe e tyre morën rrugët e kurbetit pikërisht për t’i shpëtuar këtij realiteti të zymtë që pritet në ditët në vijim. Amik Kasoruho vdiq e ndërroi jetë. Ai dha një shembull paqeje, mirësie dhe intelektualizmi, por kjo klasë politike nuk ka për të hasur vazhdimisht me Amik Kasoruho të tjerë e Robert Shvarc. Intelektualizmi është zëri i vërtetë i opozitës, por realiteti i përket Kujtim Kaziut e Lirak Bejkos, që pa shumë hezitime vetëdigjen e vetësakrifikohen, se nuk shohin dritë në fund të tunelit. Kjo shtresë kërkon shpagim moral në sytë e të gjithë Evropës ku duam të aderojmë nderojmë me grushtet përpjetë si komunistë të devotshëm. Kjo nuk sjell paqen sociale aq shumë të dëshëruar në demokraci, por një luftë të re klasash të kamufluar me flakje të personelit nga puna dhe lënien pa bukë përsëri të qytetarëve të tu. Ky 5 maj iku dhe jemi në pritje të 5 majit tjetër. Qershori është afër dhe do të jemi dëshmitarë të ngjarjeve në vijim. Kjo javë shkoi dhe presim javën tjetër deri atëherë ju të nderuar dëgjues të ALBANIA FM qëndroni të sintonizuar me programet tona. Ju urojmë mbarësi e selam alejkum nga unë Roald Hysa.





Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit