Java në një ditë ALBANIA FM 31 maj 2014


Java në një ditë 

31 maj 2014



Të nderuar dëgjues të ALBANIA FM radios selamu alejkum dhe mirë se erdhët në emisionin tim të përjavshëm Java në një ditë. Unë jam Roald Hysa dhe së bashku kemi nisur një udhëtim që prej disa kohësh, ku në qendër të vëmendjes kemi hallet dhe problemet e përditshme. Aktualiteti i ngjarjeve të politikës dhe atyre shoqërore është tejet akut, dhe kjo javë nuk bën përjashtim nga të tjerat. Niveli i ashpërsisë së përplasjeve politikë u rrit përsëri me një grevë të re të ish-të dënuarve politikë, të cilët kërkojnë të merren seriozisht nga qeverisja socialiste. Fillimi i grevës së urisë u shënua me përplasje me policinë e shtetit, e cila u përpoq maksimalisht t’i ndalonte ish-të dënuarit. Debate të ashpra u transferuan edhe në parlament, si dhe në zyrat e kuvendit midis deputetëve demokratë e socialistë. Madje socialistët e sulmuan fizikisht me të shtyra deputetin Strazimiri. Një pjesë e debatit social në media u fokusua me komunitetin LGBT, të cilët me shumë agresivitet dhe pa pushim duan të imponojnë axhendën e tyre politike zërave të shoqërisë civile. Ata madje kanë atakuar edhe komunitetet fetare në vend përse këta dolën e u shprehën pro familjes, duke iu kujtuar atyre se nuk mund të bëhen veprimtari me paratë e shtetit pro familjes. Çfarë ironie një komunitet shumë i vogël e i papërfillshëm në numra i kujton të mëdhenjve, që janë taksapaguesit kryesorë të këtij shteti të mos shprehen pro familjes. Heshtni ju, kjo ka qenë mesazhi kryesor i LGBT-ve. Ndërkaq një nga objektet e krenarisë tonë kombëtare Muzeu i Arsimit në Korçë i mungojnë disa nga objektet origjinale, të cilat janë zhdukur misteriozisht. E kaluara jonë po humbet pak nga pak për t’i lënë vend një materializmi të vrazhdë. Familja dhe krimi brenda saj kanë qenë përsëri në vëmendjen e agjencive të lajmeve edhe për këtë javë. Një baba vret vajzën pse ishte shtatzanë që prej pesë muajsh nga një lidhje jo e ligjshme. Ndërkaq nëna që vrau vajzën e vet adoleshente dhe më pas vrau veten javën e shkuar, dyshohen të jenë vrarë nga dikush tjetër dhe janë paraqitur ndryshe për të humbur gjurmët vrasësit. Ky është një lajm i mirë, me gjithë anën e vet tragjike të vrasjes. Përsëri jeta vazhdon dhe njerëzit duan të ecin përpara. Kështu edhe ne po vazhdojmë me ato lajme që kemi përzgjedhur për ju të nderuar dëgjues...

Shkolla e parë shqipe, ja si u zhdukën objektet origjinale

Mungojnë objektet origjinale në Muzeun Kombëtar të Arsimit në Korçë. Në ndërtesën ku sot ndodhet ky muze, ku në vitin 1887 u hap shkolla e parë shqipe (njihej me emrin "Mësonjëtorja e Parë Shqipe"), elementët origjinalë janë shumë të paktë për të mos thënë që janë inekzistentë. Drejtori i muzeut, njëherazi historian dhe koleksionist i njohur, Niko Kotherja, në një intervistë për mediat ka pohuar, se aktualisht nga e kaluara në këtë muze ekzistojnë vetëm 3 pllaka grafiti që shkruanin nxënësit e asaj kohe, ndërsa vetë ai ka shtuar nga koleksionet e tij edhe lapsat origjinalë të tyre. Për herë të parë, ai bën publik faktin që zhdukja e shumë prej objekteve origjinale nga ky muze lidhet me qershorin e vitit 1902, kohë kur osmanët mbyllën shkollën shqipe dhe arrestuan drejtuesit e saj. Ja se si e shpjegon gjendjen e mjerueshme të muzeut drejtori Niko Kotherja: Natyrisht që shumë prej objekteve origjinale në këtë muze mungojnë, por ne jemi duke bërë përpjekje për rivitalizimin e këtij muzeu. Aktualisht objekte origjinale janë 3 pllaka grafiti, që përdoreshin për të shkruar nxënësit e asaj kohe. Muzeu Kombëtar i Arsimit ngjall interes për shumë vizitorë dhe normalisht ne duam që t'u përgjigjemi interesit të tyre. Aktualisht kemi një bashkëpunim me bibliotekën e qytetit dhe kemi tërhequr plot 34 libra që i përkasin kohës së fillimit të shkollës së parë shqipe. Bëhet fjalë për tekste të asaj kohe, të shkruara nga nxënës të Mësonjëtores apo patriotë. Këta libra aktualisht gjenden në këtë muze dhe mbartin shumë interes. Kemi krijuar një bibliotekë brenda muzeut, fondi i së cilës deri tani ka arritur në 97 libra, që u përkasin periudhave të ndryshme. Këto libra janë dhuruar dhe janë pjesë e fondit të Muzeut Kombëtar të Arsimit. Por jo vetëm kaq, ne jemi duke krijuar një arkivë dhe mediotekën. Pra, në këtë muze do të mund të gjenden edhe regjistrime audio dhe filmime, duke filluar nga pamjet më të vjetra, përfshi dhe fasadën e shkollës dhe imazhe të tjera. Ata që luftuan për një arsim kombëtar po iu fshihet kontributi nga duar të errëta, që veprimtarinë e tyre kryesore e kanë pasur pikërisht në këtë qytet. Vlerat historike të këtij qyteti po fshihen në favor të disa përfitimeve materiale të disa arrivistëve, që synim kryesor kanë vetëm arritjet e tyre. E kjo është e dhimbshme kur vlerat sulmohen nga anti-vlerat.

Myftinia merr tokën e tregut të Zdrales, 300 punonjësit në protestë

Njoftimi i pak ditëve më parë nga ana e Myftinisë së Shkodrës, se duhet të lirohet sa më shpejt hapësira që shfrytëzohet nga 300 tregtarë, i ka ngritur ata në protestë. Dhjetëra përfaqësues dolën para godinës së Myftinisë, duke kërkuar që të mos lëvizen nga vendi ku kanë tregtuar për mbi 20 vjet, punë me të cilën kanë mbajtur familjen. Tregu me prodhime industriale dhe ushqimesh ndodhet para stadiumit “Loro Boriçi”, një prej më të mëdhenjve në Shkodër. Në tetor të vitit të shkuar, Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë mori vendimin që pronësia mbi truallin ku ndodhet ky treg, t’i kalojë Myftinisë Shkodër. Pas këtij vendimi, myftiu i Shkodrës, Muhamet Sytari, u ka kërkuar tregtarëve që të lirojnë hapësirat, pasi do të shfrytëzohet nga ana e këtij institucioni fetar. Prej ditësh, një përfaqësi e tregtarëve ka zhvilluar takime në Tiranë me drejtuesit e Komunitetit Mysliman, por kjo çështje nuk është zgjidhur në favor të tyre. Për këtë arsye tregtarët kanë protestuar para zyrave të Myftinisë së Shkodrës, në shenjë sensibilizimi për gjetjen e një zgjidhjeje për ta, me qëllim që të mos hidhen në rrugë të madhe. Në mbështetje të tyre ishte dhe kreu lokal i Bashkimit të Sindikatave, Albert Tuka. “Shkaku i kësaj proteste ka të bëjë me faktin se Myftinia Shkodër në mënyrë të jashtëligjshme kërkon që të hedhë në rrugë të madhe 300 tregtarë. Këta tregtarë janë të ligjshëm në atë treg, pasi nuk e kanë zënë në mënyrë të dhunshme, por në bazë të një marrëveshjeje që kanë pasur me Bashkinë e Shkodrës”, deklaroi Tuka. Tregtarët i kanë bërë thirrje myftiut të Shkodrës, në cilësinë e pronarit të ri të truallit ku ndodhet ky treg, që të lidhë me ta një marrëveshje me qëllim lejimin e ushtrimit të aktivitetit. Këta tregtarë ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregun e njohur si ai i Zdrales prej 20 vitesh, në ambientet e ndërtuara në truall, atëherë i cilësuar pronë publike. Tregu u ndërtua nga Bashkia e Shkodrës, me kontributet e vetë tregtarëve. Aktualisht, fati i tregtarëve nuk dihet, pasi nga ana e Myftinisë së Shkodrës nuk ka asnjë reagim. Nga ana tjetër, edhe Bashkia nuk ka asnjë hapësirë të lirë për të sistemuar këta tregtarë. Pavarësisht me sa u tha nga tregtarët, ata duhet të kuptojnë se pronësia e vërtetë i takon Myftinisë dhe vakufi më së fundi iu kthye pronarit të vërtetë. Me siguri që do të gjehet një zgjidhje edhe për tregtarët, por ajo që kërkohet tashti është rregullimi i kthimit të pronave dhe destinacionit të kësaj prone. Dhe destinacioni i kësaj prone është vakëfi i Myftinisë së Shkodrës.

12 ish të përndjekur politik në grevë urie

Një përplasje e ashpër fizike ndodhi mes deputetëve demokratë, ish të dënuarve politikë dhe efektivëve të policisë para pak ditëve pranë selisë së ish të përndjekurve politikë. Policia tentoi të ndalojë nisjen e grevës së urisë nën pretendimin se nuk ka leje zyrtare. Kurse ish të dënuarit politikë u shprehën, se kanë leje nga Bashkia e Tiranës dhe një kërkesë që kanë dërguar në Policinë e Shtetit. Deputetët e PD, Flamur Noka, Gert Bogdani, Aldo Bumçi kanë qenë prezent në momentet që një përfaqësi nga ish të përndjekurit dhe të dënuar politikë po tentonin të fusin materiale të ndryshme për të filluar grevën e urisë, që kanë bërë thirrje se do e nisin pranë Institutit të të Përndjekurve Politikë. Forca policie nuk kane lejuar futjen e materialeve (cadra, batanije, susta) dhe kanë debatuar dhe më pas janë përleshur me ish te përndjekurit politikë dhe deputetet e PD. Fillimi i një greve tjetër urie nga ish të dënuarit politikë është një shënjues i dhimbshëm, se kjo shoqëri nuk ka arritur të lajë llogaritë e vjetra me këtë shtresë. Ndërkaq amendimi i ligjit për dëmshpërblimin në pamje të parë të krijon idenë se po i ndihmon, ndërsa në të vërtetë kufizon marrjen e këtij dëmshpërblimi nga ata që kanë mundur të marrin diçka deri tashti. Kjo është me të vërtetë e hidhur dhe nuk është rilindje...

E vrau shtatzënë 5 muajshe, babai zbulon të dashurin e së bijës

Doksan Dushku, ka rrëfyer për policinë personin për të cilin ka dyshime se mund të ishte i ati i fëmijës së vajzës së tij. Madje Dushku ka treguar edhe lidhjen miqësore që ka patur me personin, i cili sipas të dhënave i përket të njëjtit fshat. Policia mban sekret emrin e personit, ndërkohë që mësohet se orëve të vona të mbrëmjes së mërkurë është kryer edhe ceremonia mortore e vajzës 21 vjeçe, që u ekzekutua me 8 plumba nga babai i saj. 69-vjeçari bëhet e ditur se i ka treguar me detaje para punonjësve të policisë së Dibrës gjithçka që i ka treguar vajza e tij dhe më pas për të shuar gjurmët e shtatzënisë së saj ai ka vendosur ta vriste. Ndonëse policia ka dyshime të forta, se në krim ka marrë pjesë edhe njëri prej djemve të Doksan Dushkut, nga mënyra se si e ka rrëfyer ngjarjen burri, mësohet se ka shkarkuar nga përgjegjësia ligjore të dy djemtë. Referuar të dhënave të pakta që dalin nga policia e Dibrës në lidhje me dëshminë e personit që vrau vajzën, bëhet me dije se personi që kishte krijuar lidhje me 21-vjeçaren ishte një njëri i njohur për familjen dhe se sipas autorit të krimit, asnjëherë nuk i kishte shkuar mendja që mund të abuzonte në familjen e tij. “Djemtë nuk kanë lidhje me atë histori. I kërcënova se do t`i vrisja nëse do të tregonin për ngjarjen. Gjithashtu i kërcënova se nëse do të afroheshin do t`i vrisja edhe ata”. Kështu e ka shpjeguar mosimplikimin e tre djemve të tij Doksan Dushku para policisë së Dibrës. I moshuari duke kuptuar se skenari për të mbuluar vrasjen e vajzës si një ngjarje aksidentale ka dështuar, babai i viktimës, ka pranuar të rrëfehet para oficerit të policisë gjyqësore me detaje për krimin monstruoz të vrasjes së të bijës. Gjatë marrjes në pyetje, sipas policisë, ai ka pranuar të tregojë një pjesë të së vërtetës, duke pretenduar se ai e ka vrarë të bijën dhe se ka marr pjesë i vetëm në krim. Ashtu si cjapi i mëkateve një baba i moshuar ka marrë përsipër të gjithë këtë ngjarje tragjike mbi shpinën e vet. Ai ka pranuar kështu të jetë vrasës dhe gjykatës njëkohësisht, porse ka bërë një krim të dyfishtë duke gjykuar gabim. Mirë vajza e tij ishte e fajshme, po ku e la dashnorin e vajzës? Mirë vajza e tij ishte e fajshme, po fëmija në barkun e vajzës së tij çfarë faji kishte? Kjo është injorancë njerëzore, që nuk të bën gjë tjetër por të çon në krime të njëpasnjëshme...

Komiteti Shtetëror për Kultet: Dënojmë vrasjet brenda familjes

Komiteti Shtetëror për Kultet, së bashku me Bashkësitë Fetare dënojnë me forcë krimet apo edhe dhunën brenda familjes. Reagimi ka ardhur vetëm pak ditë pas dy ngjarjeve të rënda të krimit brenda familjes, ajo e Fushë-Kuqes dhe e Peshkopisë. Sipas tyre këto krime cenojnë rëndë familjen dhe jetën e individit, si e drejtë hyjnore dhe kushtetuese. “Ne besojmë se familja është bërthama e shoqërisë, shkolla e vlerave dhe e dashurisë dhe si e tillë, duhet të bëjmë çmos që ta mbrojmë atë nga krimi dhe dhuna. Jeta është dhuratë e Zotit dhe si e tillë askush nuk ka të drejtë ta cenojë apo ndërpresë atë. Përtej këtyre ngjarjeve të rënda, ne theksojmë se familja është institucioni i vetëm ku buron jeta dhe dashuria, prandaj të gjithë duhet ta mbrojmë me forcë këtë institucion kaq të rëndësishëm duke sjellë në vëmendjen e shoqërisë se dhuna kurrsesi nuk mund të jetë zgjidhja e problemeve në familje”-thuhet në deklaratën e Komitetit Shtetëror për Kultet dhe Bashkësitë Fetare. Më në fund po ndihen disa zëra të arsyeshëm. Janë pikërisht këto komunitete që me punën e tyre të përditshme shpirtërore duhet t’i japin vlerë jetës njerëzore. Shteti është një ingranazh mekanik që bluan, ndërsa vlerat shpirtërore marrin jetë nga mësimet fetare që jepen në xhamitë. Njerëzit u lanë pa fe, por ata nuk mund të jenë njerëz pa ditur vlerat shpirtërore.


Shënimi i JAVËS


Busulla politike dhe busulla njerëzore në të shumtën e rasteve nuk përputhen. Një nga dilemat më të forta jetësore për ata që kanë frerët e politikës është t’i përputhin dy gjilpërat e këtyre busullave në një të mesme të artë. Gjithsesi politikanët e kanë rëndom përfaqësimin e popullit në kuvend dhe që e marrin çdo katër vjet nëpërmjet votimeve të përgjithshme, si dhe nëpërmjet të zgjedhurve lokalë. Në këto 23 vjet tranzicion një mesazh është i qartë, arena politike është e polarizuar ndërmjet dy partive kryesore dhe aleatëve të tyre, partisë socialiste dhe demokratike. Në gjithë këto vite pushteti ka pësuar një rotacion sa nga njëri krah në tjetrin. Pavarësisht retorikave të fryra mediatike dy gjëra po vërehen qartas në të dy krahët. Partia socialiste është trashëgimtarja në vijimësi me gjithë ndryshimet relevante historike të pas 1990-ës e së majtës ekstreme, e cila humbi betejën moralisht në favor të demokratizimit të shoqërisë dhe pluri-partitizmit. Pas rënies së Bllokut Lindor Komunist e gjithë politika zyrtare u orientua nga Perëndimi dhe nga Brukseli aktualisht. Ndërkaq partia demokratike dhe aleatët e saj janë përpjekur ta drejtojnë Shqipërinë gjatë këtij tranzicioni të vështirë drejt demokracisë dhe ngritjes së institucioneve të reja, që do ta orientonin vendin drejt një sistemi të tregut të lirë dhe ngritjes së kapitalit vendas. Normalisht që kjo e fundit është përpjekur me të gjitha forcat për të ngritur dhe mbajtur një sistem të tillë. Si kundërpeshë ka pasur një kundërshtar të njollosur dhe që në garën politike të vet ka pasur një synim të thjeshtë marrjen e pushtetit me çdo kusht. Një gjë të përbashkët kanë pasur në këto 23 vjet të dy krahët e politikës orientimin pro-perëndimor të tyre. Për pasojë edhe arbitrimi politik në rastin e grindjeve të ndryshme ka ardhur nga Brukseli. Sistemi i tregut të lirë dhe kapitalit tashmë ka zënë gjerësisht vend në mentalitetin e shqiptarit, por ajo që na mungon në gjithë këtë zallamahi politike është busulla morale. Edhe nëse ka pasur ndopak ndershmëri në politikë dhe në qëndrimet e saj janë zhdukur përballë shfaqjeve propagandistike në media. Ndërsa e drejta për të protestuar është një e drejtë legjitime e sanksionuar me ligj dhe me kushtetutë, drejtoria e policisë ka ndërhyrë tre herë për të ndaluar mitingje të ndryshme me justifikime banale. Normal që këto janë shkelje dhe pikërisht këto ditë kur politika dhe qeverisja e këtij vendi po presin që Shqipëria të marri statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Fatkeqësisht ndalime të tilla nuk janë vërejtur gjatë qeverisjes së demokratëve. Gjithsesi ajo që na intereson në këto ditë nuk është përshkallëzimi i zjarrtë i betejës politike pozitë-opozitë, por se sa do të jetë në gjendje kjo pozitë të tolerojë në betejën e përplasjeve të përditshme politike. Opozita ka përzgjedhur të veprojë brenda mundësive të saj politike, betejës parlamentare, mediatike e protestave në shesh. Pretendime krejtësisht normale dhe veprime të tilla që shkojnë për pasojë e asaj që deklarohet dhe pritet nga një opozitë normale. Justifikimi deri tashti i qeverisjes ka qenë: “na lini të punojmë”, apo edhe po pengoni marrjen statusit të vendit kandidat. Bashkimi Evropian është një organizëm politik në radhë të parë, pastaj vijnë edhe vendimet ekonomike apo financiare që merren nga ky organizëm. Për pasojë edhe vendimi për Shqipërinë dhe hyrjen e saj në BE është politik. Kjo u pa qartësisht në futjen e Rumanisë dhe Bullgarisë në BE. Ashtu si edhe ne sot, në atë kohë këto dy vende ballkanike nuk i kishin plotësuar kushtet e vendosura, porse vendimi për t’i futur në BE ishte politik dhe këto dy shtete gëzojnë lehtësitë e të qenit në Bashkimin Evropian. Shumë gjëra nuk janë rregulluar ende dhe presin të rregullohen, e normalisht organizmat e huaja të pranishme në vend e dinë dhe e njohin mirë gjendjen tonë politike e shoqërore. Këto probleme janë të vështira për t’u zgjidhur pavarësisht se opozita e djeshme e bëri fushë me lule zgjidhjen e tyre kur do të vinte në pushtet nëpërmjet një fushate model në këtë drejtim. Ndërkaq mbajtja apo mos-mbajtja e premtimeve elektorale kanë një kosto, e cila në një të ardhme të afërt përkthehet në vota. Njerëzit fillimisht duhet të vendosin se me kë duhet të jenë dhe ky është momenti vendimtar, ku gjilpëra e politikës me gjilpërën njerëzore janë në anë krejtësisht të kundërta. Njerëzit kërkojnë stabilitet ekonomik e punësim nga qeveria dhe ky rebus po rezulton i vështirë për qeveritarët. Ndërkohë që dialogu pozitë –opozitë është ai më i vështiri i këtyre ditëve të fundit dhe po ndjehet mungesa e tij. Barra kryesore bie mbi të gjithë stafin qeverisës dhe ata i kanë çelësat e pushtetit dhe të gjithë ndryshimeve ligjore që pasojnë nga parlamenti, e kështu ata kanë edhe përgjegjësinë totale për të gjitha veprimet e tyre. E po ashtu duhet të kuptojnë, se nuk i hidhet faji gjithmonë tjetrit. Nëse do të na jepet statusi nuk është se e meritojmë apo fitore qeverisëse, por është sepse vendim-marrësit në BE e kanë dashur një gjë të tillë.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit