Shënimi i Javës 3 MAJ


Shënimi i Javës 3 MAJ



Fatkeqësisht një nënë e re zgjedh rrugën më të keqe për të zgjidhur një problem, që shumë më kollaj do të kishte qenë të divorcohej, qoftë nga i dashuri, qoftë nga bashkëshorti. Sikur të kishte kërkuar ndihmë do të kishte vepruar më mirë, por tashmë tragjedia mori fund, u konsumua. Mateo një foshnje e pambrojtur, nuk akuzon vetëm nënën dhe babain e vet, por e ngren gishtin e tij të vogël ndaj të gjithë neve. Po nesër kur do të vijë ora e madhe dhe njerëzit do të dalin para Krijuesit çfarë do të kërkojë Mateo i vogël! Një çast dëshpërimi tragjik dhe pasojat e tij flasin shumë për të gjithë atë që po përjetojmë si shoqëri. Një baba 42-vjeçar vret veten si pa gjë të keq për shkak se borxhet e bixhozit e kishin mbuluar. Në çastet e fundit kujtohet t’i lërë amanet gruas së tij dy vajzat e vogla, të cilat qysh nga ai moment kanë mbetur jetime. E pra kishte një punë, kishte të ardhura të mira dhe para nëpër duar, se po të mos i kishte me çfarë do të luante bixhoz? Një tjetër situatë e pashpresë kjo; një barrë tjetër për shoqërinë tonë. Një nënë që përfundon burgjeve dhe me një ndërgjegje e shpirt të shkatërruar dhe një nënë tjetër, së cilës i duhet t’i rrisë vajzat e veta jetime me vështirësi. Këto janë dramat që përjeton familja shqiptare pa zënë në gojë këtu rreziqet e papunësisë, mungesën e një edukimi të përshtatshëm, problemet shëndetësore e një mori hallesh të jetesës së përditshme. Krimi brenda familjes në forma të ndryshme është kthyer në një gangrenë sociale. Për rastet e mësipërme nuk flitet më për t’i gjykuar, se tashmë si ajo nënë vrasëse dhe ai baba vetëvrasës  e ka në gjykuar veten dhe shtetit nuk i mbetet vetëm se ta izolojë në burg atë nënë dhe ai baba nuk do të jetë gjë tjetër veçse një numër në statistikat. Mekanizmat shtetërore janë të përbërë nga ingranazhe çeliku që e bluajnë njeriun dhe e konsumojnë atë shpirtërisht. Ka ardhur koha të gjehet një zgjidhje për të gjithë ata njerëz që janë zëri i një kolone statistikash në ministrinë e mirëqenies sociale. Njerëzit duhet të marrin vesh se janë të rëndësishëm dhe për këtë kanë nevojë për edukim. Njerëzit duhet ta dinë pse kanë ardhur në këtë botë, që të mos vetëvriten, që gruaja të mos e tradhëtojë bashkëshortin e vet. Ne duhet t’iu rrijmë sa më larg sallave të bixhozit, jo vetëm për hatër të fëmijëve tonë apo të familjeve që kemi, por edhe për hatër të vetes, se po shihet qartas, që kemi të bëjmë me shkatërrimin individual. Jo më kot Allahu i Madhëruar na porosit që t’i qëndrojmë larg të gjitha veseve negative e të ulëta, si pirja e alkoolit, tradhtia bashkëshortore, vetëvrasja e të tjera. Respektimi i prindërve dhe mirërritja e fëmijëve kërkojnë edukim, ndërsa edukimi nis qysh në momentet e para kur fëmija thith qumështin nga gjiri i nënës. Nëse një nënë apo një baba respekton dhe e rrit me dashuri pjellën e vet, normal që ky investim do t’i kthehet mbrapsht në ditët e pleqërisë. Nëse brenda familjes mbizotëron dashuria mbi hallet dhe sprovat e jetës, pasojat e këtyre halleve do të minimizohen. Sigurisht që hallet e njeriut nuk mbarojnë brenda ditës, porse njeriu ka shumë nevojë t’i përballojë ato. Këtu mekanizmat shtetërore dalin jashtë përdorimit, sepse ne kemi nevojë për një furnizues shpirtëror. Një polic vetëm se zbaton detyrën  e vet kur e fut në burg atë nënë, dhe një funksionar i gjendjes civile shënon tek gjeneralitetet “i vdekur” për atë baba që i la dy vajzat e veta jetime. Kush mund t’i japë dashuri atyre dy vajzave dhe a mund t’ua kompensojë atë dashuri atërore?... druaj se do të jetë shumë e vështirë për ato dy vajzat për sot dhe për ditët në vijim. Kjo shoqëri ka nevojë për ushqim shpirtëror dhe t’i largohet materializmit ekstrem, që e ka zaptuar. Kush kryen një vepër të mirë ka ndihmuar hallexhiun, por njëkohësisht edhe vetë ai do të ndjejë një lehtësim. Kështu ai që ndihmon do të kuptojë se me ndihmën e dhënë ka ndihmuar një fatkeq, po ashtu edhe vetveten. Shoqëria jonë ka nevojë për moral, individi ka nevojë për moral, si mjeti më i mirë i komunikimit shoqëror dhe këtë nuk mund t’ia japë laicizmi. Për 45 vjet u eksperimentua një laicizëm ekstrem, i cili na solli vetëm telashe dhe probleme pa fund. Njerëzit duhet t’i rikthehen Zotit dhe të kenë frikë orën e madhe kur të gjithë ne do të gjykohemi e do të japim llogari. E kur foshnjat e pafajshme do të pyesin, se përse u vranë... 

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit